HISTORI
VRANISHTI U PËRGJAK,
POR NUK U PËRGJUNJ
Nga Maman SALIU*
Forcat naziste, me synimet e tyre për të ndalur hovin e rezistencës antifashiste në luftën për liri dhe për t’i dhënë një goditje vdekjeprurëse asaj, në dimrin midis viteve 1943-1944 organizuan një nga operaconet më ndëshkimore, që mori emrin Operacioni i Dimrit.
Ky Operacion qe shumë agresiv, sidomos ndaj njësive partizane dhe popullsisë në pellgun e Shushicës të luginës së Mesaplikut.
Për të kryer këtë Operacion, hitlerianët e ballistët grupuan forcat në Dukat, Drashovicë, Mavrovë e Borsh.
Duke qenë të mirëinformuar se në krahinën e Mesaplikut gjatë kësaj periudhe, përveç dy batalioneve të Brigadës së Pestë, formuar në Gumenicë, më 28 Nëntor 1943, operonin edhe forcat e Brigadës së Parë, nazistët në fillim të dhjetorit planifikuan të mësyjnë drejt saj në tre drejtime:
drejtimi i parë: Vajzë – Qafa e Dushkut – Gjorm – Brataj – Vranisht;
drejtimi i dytë: Dukat – Qafa e Shëngjergjit – Tërbaç – Vranisht dhe
drejtimi i tretë: Borsh – Kuç- Kallarat – Vranisht.
Pra, sipas kësaj skeme, nga të tëra drejtimet, të gjitha forcat pykëzoheshin drejt Vranishtit.
Qëllimi i nazistëve ishte të ngushtonte unazën e veprimit të forcave partizane në grykën e Mesaplikut dhe t’i asgjesonte ato brenda këtij kazani malor. Në luftimet e datës 3 dhjetor në Gjorm u vra edhe komandanti i Brigadës së Pestë, Heroi i Popullit Abas Shehu.
Si rezultat i kundërsulmeve të forcave partizane, armiku detyrohej të kthehej nga kishte ardhur.
Duke i mbajtur forcat partizane të gozhduara në pozicione për rreth dy javë rresht, nazistët në bashkëveprim me ballistët synonin t’i rraskapisnin e t’u harxhonin municionin në maksimum, në mënyrë që në fazën finale të kryenin një goditje frontale. Për të realizuar këtë qëllim, forcat e Divizionit 100 të Korpusit XXI, formuan katër grupe luftimi, dy nga të cilat do të godisnin në grykën e Mesaplikut gjatë dy brigjeve të Shushicës, me drejtim të përgjithshëm Gjorm-Brataj-Kuç, ndërsa dy grupet e tjera do të godisnin në krah dhe në shpinë të forcave partizane nga Qafa e Shëngjergjit për në Tërbaç e Vranisht dhe nga ana e Borshit për në Kuç.
Më 15 dhjetor forcat gjermano-balliste, u hodhën në sulm të përgjithshëm mbështetur me artileri.
Më 18 dhjetor ’43, për shkak të përqëndrimit të forcave partizane kryesisht në Vranisht, hitlerianët vazhduan lëvizjen për në Vranisht nga dy drejtime: përgjatë rrugës automobilistike Gjorm-Brataj-Vranisht dhe Dukat- Qafa e Shëngjergjit-Tërbaç-Vranisht. Diktuar nga relievi, nazistët këtë fazë operacioni e koduan: «Bergkessel» (Kazani malor).
Kolona që lëvizi nga Tërbaçi, nisi më përpara një pararojë prej 12 hitlerianësh, me një oficer në krye. Kjo forcë zbuluese hyri në Vranisht në orët e para të mëngjesit dhe mundi të depërtojë lirshëm në afërsi të qendrës së fshatit. Pa kaluar përroin e Shtokthtit, kur ndodhej disa metra larg qendrës, pararoja gjermane përballet befasisht me një njësit të vogël partizan të batalionit të dytë të Brigadës së Pestë, që drejtohej nga Imer Gjika nga Tërbaçi. Në një situatë të tillë të papritur për jetë a vdekje për të dy palët, zjarri i armëve ishte i pashmangshëm. Njësiti partizan, i pozicionuar pas gurëve të përroit, godet pa hezitim drejt nazistëve. Nga ana e tyre, hitlerianët, mbas një reagimi të menjëhershëm, ku përdorën më shumë granatat e dorës, u detyruan të tërhiqen nga kishin ardhë. Ky shkëmbim zjarri, ku ngeli i plagosur rëndë në nofull Imer Gjika, i dha shkas njësitit të armatosur të Vranishtit të mobilizohej menjëherë dhe së bashku me njësitin partizan të vihej në ndjekje të gjermanëve, të cilët në tërheqje e sipër, u pozicionuan në brendësi të mureve të një shtëpie të rënuar në dalje të fshatit, në Prasek, në drejtim të Tërbaçit. Asgjesimi kësaj pararoje kërkonte shpejtësi, guxim dhe manovrim. Këto cilësi, njësiti i armatosur i Vranishtit, me në krye Ismail Azemin, që përbënte bërthamën e përhershme të çetës territoriale të fshatit, i mbështetur nga njësiti partizan, i demostroi më së miri. Pa marrë parasyssh rrezikun vetiak, njësiti u hodh në sulm për shfarosjen e plotë të forcës armike. Duke shfrytëzuar me mjeshtëri çdo rrëzë ledhi e çdo shkurre, pjestarët e njësitit mundën të afroheshin afër vendit ku ishin mbyllur hitlerjanët duke hedhur mbi ta granata dore. Vetëm një ushtar gjerman shpëtoi, i cili u largua në drejtim të Tërbaçit, për të rënë në kontakt me forcat që kishin destinacion Vranishtin.
Afërsisht në të njëtën kohë me këtë ngjarje, të njëjtin fat patën edhe një pjesë e forcave të tjera naziste në Sheshin e Mesit, që vinin nga ana e rrugës autombobilistike Brataj-Kuç, të cilat ranë nën breshërinë e armëve të partizanëve të batalionit të parë të Brigadës së Pestë dhe forcave partizane të batalionit të katërt të Brigadës së Parë, që ishin pozicionuar në kodrat e Lajbardhit. Gjermanët e ardhur nga Tërbaçi, të informuar për fatin e pararojës nga ushtari që shpëtoi, sa hynë në Vranisht, filluan të flasin me gjuhën e terrorit, mbi këdo që u ndeshën rrugëve të fshatit. Në këto rrethana, të ngarkuar me rroba në krah e fëmijë për dore, duke çarë borën, masakrohen kunatat Asqerie dhe Trëndafile Hasanaliaj, Bejushe Bitri me nusen e djalit, Hamidenë dhe nipin Shefit Bitri, Rubie Shyti dhe 14 vjeçarja Sabedi Gjikondi. Në të njëjtën situatë vriten edhe Ilias Tahiri e Yzeir Muço Bajrami dhe plagosen Rukie Limaj e Harzikë Hasanaj. Po në këtë ditë, si shkak i luftimeve të ashpëra në kodrat mbi fshat midis forcave të batalionit të dytë të Brigadës së Pestë, që komandoheshin nga Sali Ormëni dhe atyre gjermane, mbeti pa jetë edhe Azem Ismaili, plaku patriot i Lamajve, pa mësuar mbi fatin e vajzës së tij Asqerisë dhe as ajo për të jatin.
Nazistët, diktuar nga përqëndrimi i forcave partizane në kodrat harkuese të fshatit, nga frika e pësimit të humbjeve të tjera, nuk e thelluan masakrën, ndaj u tërhoqën në drejtim të Kallaratit, duke çarë rrugën me artileri, por nuk harruan disfatën që pësuan në këtë fshat.
Në periudhën 29 janar deri 5 shkurt dhe nga 6 deri në 14 shkurt nazistët ndërmorën fazën e dytë dhe të tretë të Operacionit të Dimrit, që i koduan: “Harridoh” (Thirrje për të çuar gjahun në shteg) dhe «Und dennoch» (Dhe prapseprapë).
Gjatë javës së parë të shkurtit, kompania e parë e batalionit të katërt të Brigadës së Pestë zuri pozicione në Vranisht në përroin e Dushkut e Prasek, në pritje të forcave gjermano-balliste, që mund të vinin nga Tërbaçi. Por, meqë gjatë këtyre ditëve armiku nuk u çfaq, komisari i Brigadës, gjysmën e kompanisë e dërgoi në Barçalla për të dalë në shpinë të armikut, gjysmën tjetër e la në Vranisht. Ne, partizanët që mbetëm në Vranisht si qendër kontakti, ku duhesh të grumbulloheshin partizanë apo njësite partizanësh, që nga kushtet e vështira të motit mund të humbnin lidhjet me shokët e tyre, organizuam vrojtim e kontroll të pandërprerë në drejtim të Bratajt, nga ku pritej të vinte armiku, por ai nuk lëvizi nga ajo anë për në Vranisht.
Popullata e fshatit, qysh me fillimin e Operacionit, për të evituar reprezaljet gjermano-balliste, ishte strehuar nëpër shpella. Meqenëse armiku nuk po dukesh si dhe të diktuar nga koha tepër e keqe, kur vendi ish mbuluar me borë e akull, ajo më 8 shkurt zbriti nga mali në fshat.
Vranishti ishte bërë e po bëhej varr për forcat naziste dhe një bazë e sigurtë e forcave partizane. Prandaj gjermanët, të ndërsyer për gjak e flakë, duke shfrytëzyuar befasinë dhe kohën tepër të keqe me dëborë e mjegull, më datën 9 shkurt manovruan taktikisht për t’u futur në Vranisht pa u diktuar nga larg dhe nuk nguruan për të lënë gjurmët e barbarisë së tyre.
Ata nisën drejt fshatit, jo forcat e disllokuara në Brataj, por forca të Regjimentit 54, që operonte në Kurveleshin e Sipërm. Kjo kolonë, si masakroi në Kuç 26 veta, mbëriti në mesditë në Vranisht, ku u nda në dy pjesë. Njëra prej tyre lëviz gjatë bregut të lumit Shushica, e cila me të arritur në Qafë të Qarrit, në shtëpinë Shakohoxhaj, mbërthejnë plakun 80 vjeçar Ismail Shakohoxha së bashku me të birin Qerimin, një nga aktivistët më të shquar të këshillit nacionalçlirimtar të fshatit si edhe nipin 17 vjeçar Xhevdetin, aktivist të organizatës së rinisë, pasardhës të të famshmit Zenel Çelo, të cilët pasi i bëjnë bashkë me dy zanatçinj vlonjatë, që shërbenin aty si dhe me Hyso Shakoxhën dhe Myftar Lulon, që i kishin arrestuar paraprakisht në afërsi të këtij ambjenti, i pushkatojnë disa metra larg, në kufi me fshatin Bolenë. Pjesa tjetër e kolonës mbërin në lagjen Lënga, rreth 2km nga qendra e fshatit. Këtu ata goditen nga një partizan i Brigadës së Pestë, si pasojë ngeli një ushtar gjerman i plagosur. Nga ky shkëmbim zjarri, Mato Limaj, aktivist i lëvizjes antifashiste, që kishte shtëpinë pranë, merr armën dhe del në oborr. Por fakeqësisht përballet me ushtarët nazistë, të cilët e vranë menjëherë. Ata futen brenda në shtëpi dhe si kapin gjithë banorët që ndodheshin aty, i nxjerrin në oborr dhe pushkatojnë pranë trupit të Matos, gruan e tij Valide, e cila ishte shtatëzanë, xhaxheshën Emliha dhe vëllain 16 vjeçar Demon. Në këtë situatë terrori, në shtëpinë e tij rrëmbehet nga shtrati në gjëndje kolapsi, në sy të prindërve, edhe partizani Sulejman Limaj, djali i vetëm i patriotit të njohur Mersin Karafilit, që ato ditë kishte ardhur nga Vunoi, mbasi ishte sëmurë rëndë. Nazistët atë e tërheqin zvarrë dhe e marrin me vehte së bashku me të jatin dhe kushëririn e tyre Abaz Limaj.
Si rezultat i marrjes së informacionit se drejt qendrës së fshatit po vinin forca gjermane, strukturat e luftës vunë në dijeni brenda mundësive popullsinë që të largohej nga zonat e banuara, me qëllim shmangien e kontaktit me armikun për të evituar çdo rrezik të mundshëm. Kur mbrijnë në qendrën e fshatit, duke përfituar nga bora, që po binte pakufizim dhe mjegulla e dendur, nazistët e rrethojnë atë dhe nisin kontrollin nëpër shtëpira, duke arrestuar këdo që gjetën brenda, burra, gra, pleq e fëmijë. Një pjesë u largua në kohën e duhur. Ajo pjesë që nuk pati informacion apo hezitoi si rezultat i propagandës të njerzëve të Ballit Kombëtar se : «Gjermanët nuk kanë punë me popullin, por me partizanët», ra në darën e rrethimit nazist. Në këtë situatë, kush tentoi të bënte rezistencë apo të largohej për t’i shpëtuar kapjes nga armiku, u pushkatua në vend pa asnjë hezitim. Në këto rrethana u vranë vëllezrit Ahmet e Jonuz Basho, Dervish Aliko Skëndomemaj, Muço Bajrami, Daut Selmani, Çelo Brahimaj, Nazo Adem Osmani, ndërsa ish luftëtarët e 1920-ës, Rexhep Çino e Dalan Kaçi i masakruan duke i hedhur të gjallë në mes të flakës, ku u dogjën bashkë me shtëpitë e tyre.
Edhe dy partizanët e batalionit të katërt të Brigadës së Pestë, Jonuz Bajram Balili nga Tepelena dhe Taqi Joti Naçi nga Semani i Fierit, duke zbritur nga Qafa e Gurrës për të shoqëruar kafshët e batalionit, me të mbritur në mbrëmje Vranisht, futen brenda unazës së rrethimit nazist dhe vriten menjëherë sapo diktohen.
Burrat i mbyllën në xhaminë e fshatit, ndërsa gratë në shtëpinë e Aredine.
Më 10 shkurt, gjermanët mbasi seleksionuan prej burrave të arrestuar disa pleq, 50 të tjerë i shoqëruan për në Brataj. Këtu pushkatuan 30 prej tyre, kurse pjesa tjetër, falë edhe muzgut, shpëtuan në rrethana të ndryshme, disa edhe të plagosur rëndë, si Ahmet Llanaj, Abaz Limaj, Imer Xhaferi, Xhemil Demo e ndonjë tjetër, që nuk më kujtohet. Ndër të pushkatuarit kishte aktivistë të lëvizjes, anëtarë të këshillit nacionalçlirimtar, të çetës territoriale të fshatit dhe të rinisë antifashiste si Mersin Zoto, Azbi Ramadani, Sali Xhama, Hamit Lamaj, Zeqir dhe Shaban Llanaj, Sinan Xhama, Razi Shyti, Dervish Caraj; partizanët në gjendje të rëndë shëndetësore si Sulejman Limaj, Faik Janushaj dhe Faik Shakaj etj.
Për ta finalizuar këtë makabritet, nazistët i vunë flakën pjesës dërrmuese të shtëpive të fshatit, duke mos kursyer as plaçkë e katandi.
Masakra e nazistëve gjermanë ndaj banorëve të Vranishtit nuk qe një rastësi, por një hakmarrje makabre që ata kryen për humbjet që kishin pësuar e po pësonin në këtë fshat, bastion i rezistencës antifashiste, në konfrontimet luftarake mes forcash kundërshtare.
Ashtu si në Borovë edhe në Vranisht, nazistët gjermanë zbatuan ndaj popullsisë civile teorinë e tyre makabre : «Terrori është mjet për sundim e fitore».
Ja cilët janë konkretisht viktimat e këtij terrori mizor të bishës më gjakatare që ka njohur njerëzimi :
Më 18 dhjetor 1943 rrugëve të Vranishtit :
1) Asqerie Azem Hasanaliaj
2) Trëndafile Hasanaliaj
3) Bejushe Sherif Bitri
4) Shefit Hysni Bitri
5) Hamide Çobo Bitri
6) Iliaz Lulo Tahiri
7) Sabedi Haxhi Gjikondi
8) Yzeir Muço Bajramaj
9) Rubie Shyti
10) Azem Ismail Lamaj
Më 9 shkurt 1944 nëpër shtëpi dhe në tentativë për të çarë rrethimin në Vranisht:
1) Ahmet Bilbil Basho
2) Jonuz Bilbil Basho
3) Dalan Kasëm Kaçi
4) Daut Selman Xhaferaj
5) Dervish Aliko Skëndomemaj
6) Demo Sali Limaj
7) Emliha Limaj
8) Mato Sali Limaj
9) Velide Shako Limaj
10) Çelo Muço Brahimaj
11) Hyso Dalan Shakohoxha
12) Ismail Rushit Shakohoxha
13) Qerim Ismail Shakohoxha
14) Xhevdet Qerim Shakohoxha
15) Myftar Lulo Tahiri
16) Muço Bajram Bajramaj
17) Nazo Adem Osmani
18) Rexhep Lulo Çino
19) Jonuz Bajram Balili, partizan i Br. V
20) Taqi Joti Naçi, partizan i Br.V
21) Zanatçi nga Vlora
22) Zanatçi nga Vlora
Më 10 shkurt 1944, pushkatuar në Brataj:
1) Ahmet Ramadan Demo
2) Ahmet Nuredin Xhebraj
3) Arshi Sejdi Xhebraj
4) Arap Rushit Janushaj
5) Faik Rushit Janushaj
6) Avdi Ismail Memaj
7) Azbi Murat Ramadani
8) Demir Zoto Metaj
9) Mersin Zoto Metaj
10) Dervish Qamil Caraj
11) Dino Bajram Çelaj
12) Faik Fein Shakaj
13) Merçan Selam Shakaj
14) Halim Seit Karroqe
15) Haris Sadedin Varfi
16) Hajro Ali Çino
17) Hamit Azem Lamaj
18) Imer Bilbil Basho
19) Mingo Bajram Çeloleska
20) Nazër Arif Premtaj
21) Ormën Bazo Begaj
22) Osman Murat Tartari
23) Rakip Meto Duka
24) Razi Nesim Shyti
25) Sali Ibrahim Xhama
26) Sinan Ali Xhama
27) Sulejman Mersin Limaj
28) Shaban Arif Llanaj
29) Zeqir Kamber Llanaj
30) Yzeir Muço Kongjonaj
Kjo masakër e nazistëve gjermanë kishte për qëllim të shkëpuste nga lufta dhe demoralizonte nëpërmjet terrorit popullin trim e patriot të Vranishtit, por nuk ia arriti dot qëllimit, se ai ishte lidhur pa mëdyshje me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare që udhëhiqte PKSH. Vranishti në këtë luftë u përgjak, por nuk u përgjunj.
Aktualisht, kur disa kritizerë, që kanë marrë përsipër misionin për të rishikuar sipas këndvështrimit të tyre «historinë e deformuar» të Vranishtit, fajtorë për masakrën në dhjetor 1943 bëjnë njësitin e fshatit, ndërsa për thellimin e saj në shkurt 1944, forcat partizane, që nuk reaguan. Ky lloj arsyetimi është mjeran. Në të dy këto raste gjermanët erdhën në Vranisht jo për piknik, por në zbatim të fazave të Operacionit të Dimrit.
Kur shkova vullnetar në vendlindje më 1966, Vranishti kishte një lapidar simbolik, me përmasat e një piramide kufiri para oborrit të shkollës, ku në të shkruhej: ”Lavdi dëshmorëve” dhe asnjë emër. Gjatë kësaj periudhe, krahas 3(tre) dëshmorëve të Luftës së Vlorës, 5 (pesë) dëshmorëve të pas çlirimit, rënë në përpjekje me bandat diversioniste, ishin edhe 18 (tetëmbëdhjetë) të tjerë që gëzonin stasusin e dëshmorit të periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, nga të cilët qenë vetëm 4(katër) prej të masakruarve.
Për të përjetësuar kujtimin e gjithësecilit, i inspiruar nga një takim që pata me Hysni Kapon në shtëpinë e tij, në maj 1966, në bashkëveprim me strukturat drejtuese të fshatit, ju përvesha punës, që lapidari i dëshmorëve të lartësohej në qendër të fshatit dhe gjithë emrat e tyre të gdhendshin në pllaka mermeri. Kjo nisëm, u finalizua në gusht 1968, me rastin e 25 vjetorit të krijimit të çetës partizane “Sali Murati”. Në këto pllaka mermeri, krahas emrave të dëshmorëve, u gdhend edhe kujtimi i të masakruarve nga nazistët gjermanë në Operacionin e Dimrit 1943-1944. Gjithashtu, me ngritjen e Muzeut Historik të fshatit në vitin 1971, stenda e Rezistencës Antifashiste zuri vend të veçantë. Si pjesë përbërse e saj ishte edhe masakra. Këto janë fakte dhe jo trillime për t’u mbrojtur nga mllefe të shpifarakëve.
Gjatë kohës që jetova mes bashkëfshatarëve vranishtjotë, çështja e vlerësimit të drejtë të masakrës naziste në Vranisht, nuk ka ngelë kurrë jashtë preokupacionit tim, të bashkëluftëtarëve të mi dhe të strukturave drejtuesve të fshatit. Për këtë problem, bashkë me Jonuz Mersinin, në fillim të viteve ’70-të morëm një takim me Hysni Kapon në zyrën e tij, ku i parashtruam në mënyrë të detajuar shkaqet dhe pasojat e masakrës, të cilat ai i dinte po aq mirë sa edhe ne të dy si edhe shqetësimin e mbarë fshatit, se nuk ishte e drejtë, që nga 58 veta të masakruar, të kishin stasusin e dëshmorit vetëm 4 veta prej tyre. Hysni Kapua e mirëpriti shqetësimin tonë në emër të fshatit, por meqenëse “Udhëzimi për Dëshmorët e Atdheut” kishte kufizimet e veta, na tha se: ”Jo të gjithë të masakruarit mund të bëheshin dëshmorë, por për elementët me aktivitet të spikatur, bëni propozimet përkatëse”. Dhe në fakt ashtu vepruam. Për këtë takim u vunë në dijeni dhe në lëvizje strukturat drejtuese në Vranisht dhe organizata e komitetit të veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare.
*Sipas kujtimeve të autorit nga libri i tij “Trokitje në kujtesë”
DITA