VENERIMOLOGJIA, DISIPLINË E PANJOHUR SHKENCORE

PIKËPAMJE

 

VENERIMOLOGJIA,

DISIPLINË E PANJOHUR SHKENCORE

Tafil DURAKU

 

 

Fjala venerim është një fjalë e lashtësisë sonë iliro-shqiptare, e cila, për fat të keq, nuk figuron në asnjërin prej fjalorëve të gjuhës së sotme shqipe, me shpjegimet përkatëse që do të duhej t’i kishte.

Tek-tuk, mund të haset në ndonjë fjalor të fjalëve dhe shprehjeve popullore, por, jo në nivelin e duhur shpjegues, gjuhësor a shkencor.

Nga kjo fjalë e lashtësisë sonë, po të kishim, hulumtues, dijetarë dhe studiues të mirëfilltë, do të lindte një disiplinë e mirëzbatuar shkencore, origjinale, shqiptare, në rrafshin gjuhësor-shkencor, sepse, autoktonia dhe plotkuptimësia e saj janë origjinale, janë ruajtur e përcjellur ndër brezni, në çdo kuptim e rrjedhë gjuhësore iliro-shqiptare.

Fatkeqësisht, shumë fjalë të lashtësisë sonë iliro-shqiptare kanë marrë tatpjetën e tyre dhe i ka mbuluar pluhuri i harresës shkencore, falë “dijetarëve” me diploma e tituj të mëdhenj “shkëncorë”, me thirrje “akademikësh”, që e kanë vjelur atë dituri shkencore në mënyrë selektive, sipas porosive të po atyre “dijetarëve” të njohur e të panjohur, që, sot, kanë fituar edhe tituj “shkencorë” të “akademikëve” dhe e kanë zaptuar Akademinë e Shkelmave të “Republikës së Kosovës”, duke e ndjekur interesin e piteve e pulave, dhe, thuaja nuk janë interesuar as interesohen fare për lashtësinë tonë gjuhësore e shkencore.

Venerim, thuhet në kuptimin për të vënë re, për të përgjuar, për të hetuar në imtësi, e hollësi filozofiko-logjike. Venerimi, është, thjesht, hetim. Dhe, atyre që e bëjnë venerimin e terrenit, ngjarjes, dukurisë a horizontit përreth, u thonë: venerimolog, -u, -ët.

Venerimologjia, në kuptimin e saj të plotë, është hetimologji, dhe, në shqip, tingëllon shumë bukur, në origjinalitetin e lashtësisë së saj, te rrënjët e saj gjuhësore ilire. Dhe, pse jo edhe shqiptare.

Venerim, është studim. Studim i plotë dhe i thellë, i kompletuar (në cilësinë e venerimit, hetimit), i ngjarjeve, dukurive, rrethanave, që janë për t’u parë e veneruar (hetuar), për t’u studiuar e veneruar (për t’u vënë re) në aspektin profesional shkencor. Venreimi, është vëzhgim i hollësishëm, pamje e stërholluar e gjithçkaje.

Shembuj, mund të marrim sa të duam: veneroje këtë punë, vërja veshin kësaj pune… Armikun duhet veneruar nateditë, veneroje mirë kah po shkon e çka po bën, kush nuk veneron rrethin e vet, është i veneruar prej tij, veneroje mirë malin, se edhe mali ka veshë e sy, të veneron e dëgjon, ku je e ku s’je!... Pa venerim, s’ka përparim!

Duhet ta venerosh kohën, hapësirën, rrethin ku jeton e vepron, njerëzit e shtetet me të cilët je në fqinjësi. Duhet të mbash në venerim gjithçka, duhet të mbash në shenjestër çdo lëvizje e çdo armik, edhe kur sillet si mik. Venerimi bëhet edhe kur sheh, kur veneron kodërpasbregu!...

Kjo çështje, kjo punë, do venerim të hollësishëm dhe të shpejtë. Venerim cilësor, në hollësi, venerim cilësor, në thellësi, venerim të shpejtë e të paanshëm. Sjelljet e tij duhen veneruar, duhet veneruar zverdhjen e tij të fytyrës, syzverdhjen e tij prej gënjeshtari, matrapazi e krimineli të rafinuar.

Venerimi është i mirë në çdo kohë. Nëse nuk e veneron kohën dhe në çdo kohë e moment atë që fshihet prapa asaj që thonë, edhe ajo ikën pa asnjë paralajmërim, sikur ikën fryma para syve tu!...

Prandaj, kjo disiplinë e panjohur shkencore, venerimologjia (që rrjedh prej venerimi, vënies roe), duhet të shënohet, të njihet, të mësohet e të studiohet nga të gjithë. Të mësojmë e të ecim shqip, binarëve tona iliro-shqiptare, t’i vjelim dhe t’i ruajmë e zhvillojmë ato që ende mund të vilen e ruhen.

Burojë, 15 Shtator 2020

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode