UNAZORËT E RRATHËVE TË FERRIT (Tregim eseistik)

Shkruan: Tafil DURAKU

 

UNAZORËT E RRATHËVE TË FERRIT

 

Horizonti përpara syve të mi është po i njëjti me atë që e kam parë dhe studiuar për një gjysmë shekulli e tehu të jetës. Rrethanat dhe zhvillimet po ato, me intensitet e metoda më të sofistikuara bashkëkohore, vrapas pas mendësisë mesjetare të vetëtheqafjes edhe në shekullin 21, divida et impera! ... Unazorët dhe unazoret e rrathëve ferrzeza të të keqes së vazhdueshme njerëzore e rrethanorrethore, po ata dhe ato…

Mbi shtëpi dhe oborr sillen re të zeza e piktorë po aq të zez sa nuk më ka vajtur kurrë mendja se mund të ketë edhe sot. Piktori që e kishin zgjedhur për ta mashtruar masën me pikturat që bënte vazhdimisht për të huajt e sipas dëshirave të tyre, Nalt Ferri me të vetët, qe një mostër e veçantë e kësaj unazorësie të përhershme të rrathëve të së keqes për shtëpinë, për oborrin, për banorët dhe ardhmërinë e saj.

Rrethi vicioz i asaj e kësaj unazorësie rrethore e rrethanorrethore sa zgjerohet e bëhet sa i çuditshëm, po aq edhe i padurueshëm për kohën dhe rrethanat e reja të mendësisë e zhvillimit autokton e njerëzor. Gjyshi Danë qe i veçantë, i urtë dhe i tërhequr me të gjitha ato që e veçonin dhe urtësonin edhe më shumë për zhvillimin dhe begatimin e shtëpisë dhe të burrave e pjesëtarëve të saj, që duhej të ishin ardhmëria e së mirës për të e për brezat që duhej ta gëzonin shtëpinë e re. Kult i jetës së Plakut Danë dhe familjarëve e pasardhësve të tij qe dhe mbeti puna. Shpesh thoshte:  – Puna e ha botën, biro!...

Në taborrin e Nalt Ferrit, kult qe dhe mbeti jopuna, gënjeshtra, intriga, bërrylësia, dallaveret, ndërskamcat, jomeritorësia, pragjet, cungat… që u qiteshin dhe u qiten njerëzve të zotë në udhën e tyre kombëtare… Dhe, nga këto allishvereshe kishte dhe ka sosh politike, ekonomike, financiare… që njeriun e tokës tonë e pengojnë të ecën njerëzisht e vertikalisht, përpara, e, …

Në qiellin blu, mbi ne dhe shtëpi, enden, siç endeshin pa pushim, vrerësirë të turbullta e të zeza, që ndillte, i thoshin e pikturonte piktori faqezi, që pedateshin poshtëpërpjetë qiellit të paanë, në forma e nuanca të ndryshme e të shumta. Por, vrerësirat që motikohë ishin bërë karakteristike për gjyshin ishin ato në formën e çizmeve të zeza, të cilave piktori, enkas, përpiqej t’ua ndërronte bojën pa pushim, vetëm për t’i mashtruar njerëzit e vet. Por, edhe pse ua mbulonte bojën e zezë ekzistuese me të tjera bojëra, esenca e tyre mbette e njëjtë, bojzezë e qëllimzezë. Ajo që e bënte kureshtar Gjyshin Danë dhe mua, ishin dy vrerësirë që kishin marrë formën dhe pamjen e çizmeve të zeza të ushtrive pushtuese e gllabëruese të tokës sonë. Piktori i faqeve të zeza të porosisë i ngjyroste ato të bardha, të përhirta, të … dhe kot së koti orvatej ta përhupte formën dhe kuptimin e tyre para syrit tim dhe syve të veçantë të Gjyshit Danë, horizontit gjithandej mbi shtëpi dhe i bënte njerëzit që ato t’i shihnin ndryshe nga ç‘ishin bërë sipas porosisë dhe nuk ndërronin fare në përmbajtjen e formën e tyre fatzezë për shtëpitë e vogla e më me pak frymë njerëzore, e, sidomos, për shtëpinë tonë fisnike…

– Eu, kurrë mos e pafshi ditën tuaj!, shfryu ai pa ditur se isha e jam krah tij.

Mendoi diçka e më tha:  – Thirri të gjithë, të vinë këtu e t’ua shoh surratin e hajvanatëve me diploma e me shkolla të mëdha, se jemi ne të vetmit budallenj me diploma në këtë botë të zezë, ku na e nxijnë jetën piktorët e unazorësive të huaja, copëtuese e përçarëse, të rrathëve të së keqes shekullore ferrmadhe që përjetojmë nga tanët, përgjithësisht, dhe nga i gjithë soji i tyre evrondërkombëtar, bashkërisht, sot.

Nuk vonova aspak dhe e kreva urdhërporosinë e Gjyshit Danë. Të gjithë erdhën me radhë e grupe-grupe, e, disa, çift e tek. Në rend të parë zunë vend ata me diploma e shkolla të mëdha e me radhë, siç i kishte lënë pushtuesi veglat e veta besnike, deri tek katundari më i varfër, për gjendjen e keqe të të cilit ishin dhe mbesin fajtorë vetëm ata e këta me shkolla e diploma të mëdha, me të cilat kishin zënë vendet e para dhe nuk shihej askund në horizont se do t’i lëshonin ndonjëherë, me njerëzi e me të mirë, siç e do dhe siç e kërkon rendi njerëzor e shtëpiak.

Në Mbiqestë, zunë vend të gjithë me radhë, të ndarë në grupe e taborre: Nalt Ferri me bandën e vet, Rrah Fusha me të vetët, Dahpyll Dron Rrena me të vetët, Ton Heshtari me bandën e vet, Lali Qeni me këlyshë e me kudra, Teqe Keqi me suharinë e tij, Kobtar Ziu me të tijët, Artlig Egjra me të vetët, Skunth Ligu, Kritik Gverri, Hazër Syfryti, Klim Kerrleshti … Pastaj, i kishin ftuar edhe defatoret e tyre të njohura: Lëkurë Lenën, Shkekë Ligën, Elënë Buzën, Errastë Shpinën, Kerrleshtë Klimën, Ebutë Kofshën, me zagarët e zagaricat e tyre. Me ta u bë edhe Rraspillan Tiran Butka me të vetët dhe Zgurajë Thella me të pispillosurat e veta.

Edhe pa u tubuar fare, ata kishin shpifur e shpifnin situatën që ishte po aq antishqiptare dhe antiuçkë, sa të bëhej mendja top se të gjithë ata punonin e vepronin në kurriz të popullit e Atdheut të vet të copëtuar, që e copëtonin nga mungesa e dijes a me porosi të pushtuesit më të egër, të thoshte një mendje e zgjuar diku në ndërdije, se, ndryshe, nuk do të mund ta mbanin pushtetin që kishin trashëguar e trashëgonin prej tij. Ata që e përgatitën dhe zhvilluan luftën liritare e bashkimtare, u anatemuan, anashkaluan e shantazhuan në mënyra të ndryshme dhe u mënjanuan nga pushteti dhe u larguan nga vendet e tyre të punës… Por, vetë mënyra e anashkalimit dhe shantazhimit që iu bë e po i bëhet luftës për liri e bashkim dhe njerëzve të saj, po e qet në shesh pafytyrësinë e tyre të skëterrshme.

Në taborrin tjetër prijatarët e luftës për liri e për Shqipëri, gjithmonë krah shtëpisë së tyre shekullore: Dilo Grosi me të vetët, Agion Shqipoi me të tijët, Egje Joni me të vetët, Jon Iliri me burra e gra, Det Adri me moshatarë e moshatare, Agnis Zjarri … Dhe, krah tyre: Egjenisë Drini, Detionë  Burojana,  Mimozë Egjenisi, Ersynë Atdheu, Atdhenisë Atjoni, Rimanë Lisarti, Erhënë Dielli, Maldelenë Aristoteli, Aristotelikë Egjejoni, Maldelenë Masjona, Farjonë Masonika  …

Reagimet qenë e janë të ndryshme, bile, ata me shkolla të mëdha, të taborrit të parë, thoshin për Gjyshin Danë: Po, pse me na thirrë ky plak teveqel, se, i pashkollë, i padiplomë, i pa…!? Ne jemi me shkollat më të mëdha në krejt botën e kaçelja e tij me luejt me ne. E, lëre më se çka thoshin ata të pashkollët që përsëdytnin e përsëtretnin shpifjet e atyre maskarenjve me shkolla të mëdha…

Po, pa humbur kohë aspak, Gjyshi Danë, ua bëri një pyetje, të cilën nuk e priti askush nga asnjëri taborr, edhe pse Ai, vazhdimisht, i qëndroi krah taborrit të dytë, atij të lirisë e të shtëpisë së Shqipërisë – SHQIPËRI.

Ai pyeti: Çfarë shihni ju mbi këtë shtëpi dhe rretherreth e rretherrotull saj?...

Kësaj pyetjeje kanë të drejtë t’i përgjigjen të gjithë pos Sokrat Jonit, nipit tim, që i di e i sheh të gjitha, he, ia ndërrofsha sytë me të dhisë!, tha Ai duke buzëqeshur... Të gjithë me diploma e shkolla të mëdha i zgurdulluan sytë dhe nuk kishin përgjigje, sepse, nuk i shihnin çizmet e zeza mbi shtëpinë tonë e të tyrën, që ua ndërronin e ua ndërrojnë bojën piktorët faqezi e smirëzez të shtëpisë së vet…

Kur pa dhe u bind plotësisht se ata të taborrit të parë, me diploma e shkolla të mëdha, janë unazorët e rrathëve të ferrit të lirisë sonë dhe të Shqipërisë sonë, kur u bind se këtë shëmti po e shohin edhe bufat në malin që është bërë tërë sy e vesh, e po qeshin thi e qen me ne, gati sa s’plasi nga inati… E, po pret, e po pret ditë më të mira e dritë më të mirë për ardhmërinë e tij, të pasardhësve e të Atdheut të tij!...

Ne nuk jemi me ta o nipim, o Sokrat Joni.

Jemi me taborrin e dytë, me taborrin e lirisë e të Shqipërisë.

Gjyshi Danë, u tërbua me verbërinë kolektive të taborrit të parë, me diploma e me shkolla të mëdha. Ai, ofshani thellë dhe nuk e kisha parë herë tjetër të ofshante me aq pezm e gjëmë. Ai, tha:

– As lopa mos t’i faltë vjetat e kështuzëm, se t'marrin n'qafë!...

 

Burojë, shtator 2013

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode