HUAZUAR NGA GOJËT E LIGA
TURNEU I POKERIT / RAMA U HEDH NJË SY LETRAVE DHE SHTIRET SIKUR I KA ARDHUR NJË DORË E MIRË
TIRANË – Në dhomën e mbytur me tym purosh, ku një abazhur i madh e derdh dritën mbi tavolinën e mbuluar me cohë jeshile dhe ndriçon vetëm pjesërisht kokat e dy lojtarëve, është moment tensioni.
Pas secilit prej dy mjeshtrave, rrinë të pagojë dy-tre truproje me pistoletat e mbushura jo me ujë, si zakonisht, por me shurup trëndafili, që ndjekin gjuhën e trupit dhe lëvizjet e kursyera të pokeristave më të mëdhenj të rajonit.
Është në lojë fati i vendit. Pasi nisi loja dhe u blen e u shitën tendera, aeroporte, linja ajrore, mega-markete, miniera, hidrocentrale, fate drejtoreshash, ministreshash e deputeteshash, palët ranë dakord t’i lënë çikërrimat dhe të luajnë gjithë vendin me një dorë.
Balli dhe fytyra e Zimlul abu Basharit shkëlqejnë nga djersa, edhe pse ai përpiqet ta anashkalojë difektin, duke buzëqeshur mekanikisht gjithë kohës.
Ndërsa Ed al-Rami el Zevzeku ka një avantazh: Portreti i mjekërzuar nuk e ekspozon dhe aq shumë djersën, por ama sikleti i dallohet kur nis t’i merret fryma.
“Letër”, thotë el Zevzeku me një zë të sforcuar nga përpjekja për t’u dukur i shpenguar.
“Letër,” përgjigjet Zimluli, me një timbër prej sopranoje, që ai e largon duke qërruar fytin dhe përsërit me tonalitet bariton, “letëëër”.
Pasi hap me kujdes dorën e letrave dhe i hedh një sy shkarazi, Rami el Zevzeku stampon një buzëqeshje të matur, a thua se një haber i shkëlqyer sapo i ka ardhur. Teksa bloi me mendje presionin psikologjik të rradhës, ai përshpëriti aq sa ta dëgjonte kundërshtari:
-Tani Arnautllëkun e kam në dorë,- dhe pastaj iu drejtua abu Basharit gjithë delikatesë: – Hë vlla, do më letër? Se kemi dhe punë të tjera…
Abu Bashari i kërkoi kamarierit një gotë ujë akull të ftohtë.
-A keni ujë Viçidoli në lokal?
Kamarieri i shkretë u step.
-Viçi kush? Jo, nuk doli njeri – u përgjigj kamarieri i sikletosur.
-Lëre fare, nuk merrke vesh nga markat e mëdha. Më sill ça t’kesh – i dha karar Zimlul abu Bashar, dhe iu kthye rivalit:
-Mos m’boj presion mu, se e ke dorën copë-copë. Je lojtar i lexueshëm. Nuk ka më 17 maj me mu, more vesh?
Ed al-Rami el Zevzeku buzëqeshi.
-Mund ta bëjmë dhe ndryshe, – ja ktheu, – më thuaj çfarë llokme do dhe i japim fund. Pastaj porosisim ca mish e verë, edhe ca çengije. Rrimë këtu nja katër-pesë orë dhe të tjerëve përjashta u çojmë llaf sikur po përplasemi fort deri në pikën e fundit. Hë, si thua…???
Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike që i pikon në zemër për fate vendesh që luhen vazhdimisht në bixhoz politik, si ky i yni…
DITA