TAHIR MEHA, DHA KUSHTRIMIN

HISTORI

 

TAHIR MEHA, DHA KUSHTRIMIN !

 

Mehmet BISLIMI

 

13 majin, ditën e milicisë së ish-Jugosllavisë, Tahir Meha e vrau me guxim e vendosmëri, me trimërinë dhe heroizmin e liridashësit të pashoq. Pushka çlirimtare e Tahir Mehës, 13 majin e shndërrojë në ditë kushtrimi për liri. Ishte kjo pothuaj pushka e parë kaq e zëshme që pas Luftës së Dytë Botërore, që u shkrep hapur e publikisht kundër pushtuesit jugosllav nga një shqiptar bujar e atdhedashës siç ishte Tahir Meha i Prekazit. 
Pushka e Tahir e Nebih Mehës (babë e bir), e vrau 13 majin e pushtuesit dhe e ngriti një 13 maj shqiptar me heroizëm e kushtrim për luftë të pakompromis kundër të gjithë atyre që kishin shkelur tokat tonë. Kushtrimi i pushkës së Tahir e Nebih Mehës, më vonë, i lidhi në kushtrim gjithëpërfshirës pushkët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat e çuan në vend amanetin e Tahirit dhe të qindra dëshmorëve tjerë të rënë për liri e bashkim kombëtar… 

 

(10 tetor 1943 - 13 maj 1981)

Sa shpejt ikën vitet, por, kujtimi për heronjtë mbetet i freskët, sikur të kishte ndodhur sot… Ne kujtojmë, dhe duhet t’i kujtojmë përgjithmonë heronjtë tanë kombëtarë, ata dhanë gjithçka për Atdheun, madje, edhe jetën! Prandaj, është detyrë jona që emrin e tyre ta mbajmë lartë e më lartë në zemër të Atdheut, ta bëjmë zemërlek të ecjes shqiptare përpara.

Ishte 13 maji i vitit 1981, atë pranverë e tërë Shqiptaria ishte ngritur në këmbë dhe po e kërkonte lirinë e vet, të drejtat e veta që shkeleshin me këmbë nga pushtuesi serb. Rënia e qindra të rinjve në zemër të Kosovës shqiptare për lirinë dhe të drejtat tona të patjetërsueshme, ngriti në këmbë mijëra atdhedashës, bijë të kombit tonë si; djem e vajza, nxënës, studentë, intelektualë, punëtorë, të rinj e të moshuar – ata që, së bashku, me zërin e tyre të fuqishëm tundën përgjithmonë themelet e ish-Jugosllavisë e Serbisë pushtuese! 

Edhe njëherë Drenica, dhe e gjithë Kosova, po i bënte ballë gjithë asaj makinerie ushtarake të pushtuesve serbosllavë. Trimi Tahir Meha ishte fortifikuar në Kullën e vet, si dikur Oso Kuka, dhe po priste momentin e duhur për t’i treguar pushtuesit serb e jugosllav se tokat shqiptare kanë dalëzotësit e vet! Qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, ditën e 13 majit, ua bëri të qartë pushtuesve serbë e jugosllavë, se këtu është taka e bijve të shqipes dhe toka historike e Shqipërisë!... 

... Na ishte një herë një 13 maj (dita e themelimit të milicisë jugosllave). UDB-ja, dëshironte që këtë festë ta shënonte si fitimtare, duke e arrestuar dhe nënshtruar Tahirin e shumëkërkuar, për ta dërguar atë, më pas, në Beograd, si trofe për triumfin ndaj rebelimit të shqiptarëve të “padëgjueshëm”. Pushtuesi kishte planifikuar lavdinë e këtij aksioni që do ta forconte imazhin e njësitit special të milicisë së UDB-së- dhe KOS-it, që do të festohej mëpastaj në qarqet e atjeshme serbe, se, më në fund, e zumë edhe Tahir Mehën, të gjallë!... 

Jo, kjo nuk kishte si të ndodhte, ngase, Tahir Meha nuk po flinte as ditë as natë, nuk kishte fjetur as gjyshi i tij, Emin Lati, nuk kishin fjetur as mijëra atdhedashës si Gjergj Kastrioti, Oso Kuka, Abdyl Frashëri, Mic Sokoli, Bajram Curri, Azem Bejtë Galica dhe Shotë Galica, Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Shpend Dragobia, Çerçiz e Bajo Topulli, Ismail Qemali, e shumë të tjerë. Të gjithë ne së bashku, mbështjellë fort rreth palcës e kombit, bëmë që zëri i shqiptarit të ndihet deri atje ku puthitet qielli se: ne duam lirinë dhe bashkimin e atdheut tonë!

Në këtë kontekst, Tahir Meha e kishte bërë syrin pishë dhe gjoksin digë, për t’i matur me pushtuesin. Madhështia e asaj pranvere të lulëkuqeve shqiptare të Kosovës. Pa dyshim se ishte dhe mbeti vepra heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, me familjen e tij.

Pushka liridashës e Tahir Mehës, pa dyshim se mori haraçin e vet, mirëpo, nuk kishte si të bëhej ndryshe; nuk ka liri pa gjak! E, kjo u vërtetua më vonë, katërçipërisht. Kushtrimi i pushkës së lirisë së Tahir Mehës, më vonë, i lidhi në kushtrim gjithëpërfshirës pushkët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat e çuan në vend amanetin e Tahirit dhe të qindra dëshmorëve tjerë. 

Tahir Meha, me babën plak, e detyroi pushtuesin serbo(jugo)sllav, që në fushëbetejën e Drenicës ta nxjerrin një arsenal të tërë armatimi, të mobilizoi ushtarë e milicë të tërë (edhe rezervat e fundit), gjithë atë numër ushtarësh e milicësh, gjithë atë armatim, që, prapë, nuk po mjaftonte për t’i mposhtur dy trima shqiptarë të Prekazit, prandaj, angazhuan edhe njësitet reserve, të mobilizuara enkas për këtë rast: si helikopterë, tanke, topa…, me një fjalë, ishte ngritur në këmbë një shtet i tërë në luftë kundër Tahirit dhe babait të tij, absurditet i llojit të vet, që ish-pushtuesi serb ishte në gjendje ta bëj, në veçanti, kur janë në pyetje shqiptarët autoktonë, qoftë edhe kundër dy vetave, siç ishte rasti i rezistencës së pashoqe të Tahir e Nebih Mehës.

Emin Lati, Nebih Meha dhe Tahir Meha 
(Tre breza Shqipërie) 

 

Tahir Meha, me heroizmin e tij, ish pushtuesit serbo(jugo)sllav i dha një ndër goditjet më të rënda, ai e vuri në lëvizje një shtet të tërë, siç ishte Jugosllavia e asaj kohe. Tahiri e mposhti makinerinë dhe strategjinë luftarake të atij shteti, e mposhti atë, politikisht, moralisht, ushtarakisht…, padyshim, edhe në vijën e zjarrit, për mëse 20 orë rresht! A nuk është kjo madhështore! …

Qëndresa e Tahirit, na e bëri të ditur, edhe njëherë, se me pushtuesin nuk ka zgjidhje tjetër, dhe, kjo zgjidhje e imponuar është vetëm lufta me pushkët e lirisë në dorë. Tahiri nuk e bëri luftën për emër e nam, për këngë e histori, ngase, emrin, namin, këngën dhe historinë e kishte në themelet e Kullës së tij. Gjyshi i tij Emin Lati - Meha, ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtë Galicës, ndërsa, babai i tij, Nebihu, ishte bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës, e, vëllai i Tahirit, Beqir Meha, ishte rreshtuar në radhët e UÇK-së. Beqiri, luftoi edhe në emër të të vëllait, Tahirit, dhe, në emër të babait Nebihut, edhe në emër të Gjyshit, Eminit, ai ishte bashkëluftëtarë i denjë i Komandantit Simbol Kombëtar, Adem Jasharit. Edhe Beqir Meha, sikurse gjyshi, babai dhe vëllai i tij, luftoi dhe ra për liri, me pushkën në dorë, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe: tre breza heronjsh, a ka diçka më madhështore, diçka më hyjnore, diçka më fisnike; në altarin e lirisë së Atdheut u flijuan tre breza me radhë; Gjyshi, babai dhe i biri, Lavdi e përjetshme!... 


12 Maj, 2019 

(Redaktuar dhe plotësuar nga Redaksia e artex.d - Dritare shqiptare)

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode