Tafil DURAKU
TREKËNDËSH MALLI
trekëndëshi i im
i lashtë
sa toka
ecën edhe vetëm
e me shumë sish
ecim më (i)lirisht
i lartë sa yjet
është një gjithësi
rrezaton pafundësi jete
nisur dhëmbëzorisht
Udhës së Qumështit
gjëllin horizonteve të mia
hapëron mallit tim
Udhës së Zjarrit
bën qieje
vetullave tua frëngji syri
ndjellë shiun të bjerë
si me grykë kënate ilire
papushim bën roje trekëndësh
diku qiellor maleve tona
lumenjve liqeneve deteve
sa më shumë trekëndësha bëj
e lehtësojnë ecjen time
udhës tonë Shqipëri
horizonte malesh
lumenjsh liqenesh
detesh
shtatë palë tokë
e qieje unë dhe ti
frëngji malli kemi në sy
simboli im ilir
bën kulla trekëndëshore
në tokë e në qiell
pa pushuar kurrë
në syrin tim
gdhend diellin
gjuha ime shqipe
zonjë në mote
hapëron e lirë
me trekëndëshat e mi
dhëmbëzorë
lidhur brinjëve
ecën tokës sonë
me gjakun tim
bën lavdinë
Shqipëri
malli im i pashuar
në sy shqiponje
trekëndësh
në qiellin tim tokë
liqene e dete pjellorie
Maldelenë
ngrykësuar me diellin
bëjmë folenë tonë
Burojë, janar 2015