STUDIMI / SKEMA POLITIKE E SHQIPËRISË GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Nga Kristo FRASHËRI
Ekskluzive DITA – Sot ne kemi mundësi ta vështrojmë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (shkurtimisht: LANÇ-i) jo si dikur nën presionin e saj, por si ngjarje që tashmë ka hyrë në histori. Kjo për arsye se pas 70 vjetësh, kanë ndryshuar rrënjësisht faktorët historikë që vepronin në kohën e saj.
Sot, Shqipëria është një vend i lirë dhe i pavarur, një anëtar me të drejta të barabarta në gjirin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Para shqiptarëve nuk ekziston, si atëherë detyra patriotike për të rrëmbyer armët kundër okupatorit të huaj. Partia Komuniste Shqiptare, e cila e udhëhoqi Luftën Nacionalçlirimtare dhe e shfrytëzoi atë si kapital për të siguruar pushtetin politik, nuk ndikon më në opinionin publik shqiptar. Edhe organizatat e djathta si Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit, të cilat vepruan si kundërshtare politike të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, sot janë rrudhur në organizata anemike. Në ditët tona, fondi i dokumentacionit historik është disa herë më i pasur se në vitet e luftës. Madje, tani ato vijnë nga institucione arkivore aleate dhe kundërshtare të saj. Nga ana tjetër, forcat njerëzore partizane, mbrojtësit më të flaktë të vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, janë pakësuar së tepërmi. Pra, ata nuk kanë më peshën që kishin 70 vjet më parë në opinionin publik të vendit. Veç kësaj, shumica dërrmuese e shqiptarëve të ditëve tona, meqenëse nuk e kanë përjetuar, për shkak të moshës, Luftën e Dytë Botërore, janë larg ndikimeve politike të ngjarjeve të saj. Për më tepër, opinioni publik shqiptar i ditëve tona ka gati një çerekshekulli që ndodhet në qerthullin e debateve të hapta ndërmjet rrymave të djathta dhe të majta mbi vlerat e LANÇ-it.
Ndonëse parimisht jemi çliruar nga presioni i përleshjeve që ndodhën gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ne jemi ende nën trysninë e ngjarjeve me pasoja të dhimbshme që pësuan shqiptarët gjatë regjimit komunist 40-vjeçar. Nën presionin e tyre, disa historianë e kundrojnë Luftën Nacionalçlirimtare me nota negative. Edhe ky këndvështrim është pa dyshim i gabuar. Shkenca historiografike kërkon që çdo epokë të vlerësohet në ballafaqim me epokën e mëparshme. Më saktë, ajo kërkon të vlerësohet me rezultatet që një epokë ka arritur me zgjidhjen e problemeve politike, ekonomike, shoqërore të trashëguara nga periudha e mëparshme. Pra, LANÇ-i duhet të ballafaqohet me kontributin që ajo solli në krahasim me statusin politik të mëparshëm të Shqipërisë dhe jo në ballafaqim me rendin shoqëror që u vendos pas luftës. Për këto arsye, ne duhet të heqim gjithashtu dorë nga tezat me ngjyrime politike, të cilat lulëzuan në periudhën e Luftës së Ftohtë, tepër entuziaste për një palë apo tepër të ashpra për palën tjetër, të cilat vazhdojnë të qarkullojnë aty këtu në ditët tona.
*
Tani le të hyjmë në temën tonë.
Skema politike e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore pati ngjashmëri me skemën politike që u krijua në arenën ndërkombëtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore bota ishte ndarë në dy rreshtime politike opozitare në shkallë planetare. Nga njëra anë qëndronin anëtarët e bllokut të agresorëve gjermano-italo-japonezë, të cilët aspironin të vendosnin me dhunë diktaturën fashiste në mbarë njerëzimin. Anën tjetër e përfaqësonin anëtarët e kampit antifashist anglo-sovjeto-amerikan, të cilët luftonin për mbijetesën e vendeve të tyre dhe në të njëjtën kohë për lirinë dhe pavarësinë e popujve të robëruar. Në ato vite të përgjakshme, edhe Shqipëria ishte ndarë në dy rreshtime opozitare të ngjashme. Nga njëra anë, qëndronin qeveritarët kolaboracionistë, të cilët hynë në shërbim të agresorëve nazifashistë dhe për pasojë, e përfshinë Shqipërinë formalisht në bllokun e tyre. Nga ana tjetër, u radhitën forcat patriotike shqiptare, të cilave u takonte detyra të luftonin për pavarësinë e vendit.
Në marsin e vitit 1939 Henri Valloni, deputet i majtë frëng, vinte në dukje se në mbarë botën qarqet fashiste nacionale vepronin për të zgjeruar kufijtë e shteteve të tyre të pavarura. Vetëm fashistët shqiptarë, theksonte ai, vepronin për ta përfshirë Shqipërinë nën zgjedhën e Italisë fashiste. Kjo u vërtetua një muaj më vonë në Shqipëri. Me pushtimin në prill të vitit 1939 Italia fashiste nuk i shkaktoi Shqipërisë vetëm humbjen e pavarësisë kombëtare. Ajo i krijoi asaj edhe rrezikun e zhdukjes së shqiptarëve si komb. Kjo për arsye të planit që kishte Musolini për ta italianizuar Shqipërinë nëpërmjet kolonizimit të saj me banorë italianë. Mjafton të kujtojmë se deri në fund të vitit 1939, pra brenda tetë muajve të parë të pushtimit ishin vendosur në Shqipëri rreth 52 mijë banorë italianë, pa llogaritur repartet ushtarake. Vetëkuptohet se kolonizimi po të vazhdonte me këtë ritëm, brenda disa dhjetëvjeçarësh Shqipëria do ta humbiste fytyrën e saj etnike.
Rrezikun e kolonizimit italian të Shqipërisë kolaboracionistët nuk e zinin në gojë. Ata mburreshin se Roma dhe Berlini do t’i ndihmonin shqiptarët për bashkimin e Shqipërisë së paraluftës me trojet e saj etnike, me Kosovën dhe me Çamërinë. Me këtë premtim, qeveritarët kolaboracionistë e solidarizuan Shqipërinë e pushtuar me bllokun agresiv nazifashist. Solidarizimin ata e konkretizuan me dekretin nr. 194 nënshkruar më 9 qershor 1940 nga Viktor Emanueli III, botuar në “Gazeta Zyrtare”, nr. 93, Tiranë, 10 qershor 1940. Në bazë të këtij dekreti, Shqipëria do të ishte automatikisht në luftë me çdo shtet me të cilin Italia fashiste do të ishte në konflikt të armatosur. Në mbështetje të këtij dekreti, Qeveria kuislinge e Tiranës, në solidaritet të detyruar me Italinë fashiste, i shpalli luftë pa asnjë motiv më 10 qershor 1940 Anglisë dhe Francës, më 28 tetor 1940 Greqisë, më 6 prill 1941 Jugosllavisë, më 22 qershor 1941 Bashkimit Sovjetik dhe më 7 dhjetor 1941, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqipëria u ndodh kështu pa vullnetin e saj në vorbullën e Luftës së Dytë Botërore.
Si pasojë e këtij vendimi, shqiptarët që dëshironin pavarësinë e atdheut u rreshtuan vetvetiu në kampin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan, i cili u formua në vjeshtën e vitit 1941. Me formimin e kampit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan u ndje nevoja e organizimit të rezistencës së armatosur. Hapin e parë e kryen komunistët shqiptarë, me themelimin më 8 nëntor 1941 të partisë së tyre marksiste-leniniste (PKSh). Që ditën e themelimit, PKSh-ja hoqi dorë nga programi i saj politik me karakter ideologjik: nga organizimi i revolucionit socialist dhe nga vendosja e diktaturës së proletariatit. Me porosi të Kominternit, ajo vuri në themel të programit të saj të ri luftën patriotike për të çliruar atdheun nga okupatori fashist italian, për të rimëkëmbur pavarësinë kombëtare të mohuar dhe për të vendosur në Shqipëri demokracinë popullore. Ajo e linte të hapur derën e bashkëpunimit me të gjitha rrymat patriotike që lëvrinin në Shqipëri, të djathta apo të majta, kapitaliste apo punëtore, fetare apo laike.
Nismën për të realizuar bashkimin në shkallë kombëtare të mbarë shqiptarëve në luftë kundër okupatorit të huaj, e mori Partia Komuniste Shqiptare me organizimin prej saj të Konferencës së Pezës, më 16 shtator 1942. Në Pezë komunistët propozuan formimin e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar si organ i përbashkët i luftës çlirimtare pa ngjyrime politike. Platformën e tyre e përkrahën demokratët e majtë dhe monarkistët e ish-mbretit Zog. Përkundrazi, demokratët nacionalistë të djathtë, të bindur se gëzonin epërsi në opinionin publik, e refuzuan platformën e Pezës me motivacionin se nuk ishin të prirur të bashkëpunonin me faktorët komunistë as në çështjen nacionale.
Organizata e nacionalistëve demokratë të djathtë, Balli Kombëtar, e cila u formua dy muaj më vonë, në nëntor 1942, vendosi jo të hynte menjëherë në luftë pa kompromis kundër okupatorit fashist, siç ishte porosia e koalicionit të madh antifashist, por të qëndronte në pritmëri. Udhëheqësit ballistë llogaritnin të ndërmerrnin veprime luftarake kundër okupatorit kur të shihnin fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe kur, sipas parashikimit të tyre, forcat partizane do të ishin shpartalluar nga ballafaqimi me forcat e okupatorit fashist italian. Por, qëndrimi i pritmërisë që mbajtën dy organizatat e djathta nuk qe për ta produktiv. Përkundrazi, angazhimi total pas Konferencës së Pezës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare në luftë kundër okupatorit të huaj, solli si rezultat rritjen e prestigjit të saj në dëm të dy organizatave të djathta. Madje, lëvizja e armatosur antifashiste solli në arenën ndërkombëtare një rezultat të rëndësishëm për Shqipërinë. Në dhjetorin e vitit 1942 ministrat e Jashtëm të tre Fuqive të Mëdha të koalicionit antifashist – C. Hull, A. Eden, V. Molotov – deklaruan se e çmonin rezistencën e armatosur të shqiptarëve dhe e njihnin pavarësinë kombëtare të Shqipërisë.
Siç dihet, njëri prej tyre, A. Eden shfaqi më 17 dhjetor 1942 rezervë në lidhje me kufijtë e Shqipërisë, të cilat theksoi ai, do të rishikoheshin pas luftës. Rezerva kishte lidhje me premtimet që Britania e Madhe i kishte dhënë Greqisë për të aneksuar viset e Shqipërisë jugore, të ashtuquajturin “Epir i Veriut”.
*
Rezerva që mbajti ministri i Jashtëm britanik A. Eden në lidhje me kufijtë e Shqipërisë qe një rrezik i paparashikuar për lëvizjen kombëtare shqiptare. Kjo për arsye se kufijtë e Shqipërisë të vendosura përfundimisht nga Fuqitë e Mëdha më 1913 dhe të sanksionuara nga Lidhja e Kombeve më 1921, tani papritur do të rishikoheshin në dobi të kërkesave territoriale greke. Qarqet nacionaliste greke kërkesat e tyre territoriale i justifikonin duke e akuzuar Shqipërinë si fuqi agresore për luftën që qeveria kuislinge e Tiranës e detyruar nga Roma fashiste, i shpalli Greqisë më 1940. Qarqet nacionaliste të djathta shqiptare mendonin se kur të vinte koha do të kundërshtonin me armë lakmitë territoriale greke. Përkundrazi, udhëheqësit e lëvizjes nacionalçlirimtare mendonin se integritetin tokësor të atdheut të tyre duhej ta mbronin jo duke organizuar rezistencën e armatosur kundër shtetit grek, por duke intensifikuar luftën nacionalçlirimtare kundër okupatorit fashist italian, autori i vërtetë i luftës së 28 tetorit 1940. Kjo për arsye se lufta kundër agresorëve fashistë do ta rreshtonte Shqipërinë në radhët e aleatëve të kampit të madh antifashist. Po të pranohej si aleate, Shqipëria nuk mund të dënohej si shtet agresor. Ngjarjet e mëvonshme vërtetuan se vija politike e LANÇ-it ishte e drejtë.
Pas deklaratave të ministrave të Jashtëm të tre aleatëve të mëdhenj të koalicionit antifashist, disa segmente të organizatës balliste, në kundërshtim me krerët e tyre, vendosën t’i jepnin fund pritmërisë dhe të ndërmerrnin veprime të armatosura kundër okupatorit të huaj. Pavarësisht se pesha e tyre në frontin e rezistencës ishte e pakët, veprimet e tyre të armatosura kundër okupatorit nuk mund të injorohen. Fakti është se më 10 korrik 1943 LANÇ-i krijoi ushtrinë nacionalçlirimtare me batalione dhe brigada me në krye një shtab të rregullt ushtarak, ndërsa njësitet e armatosura të Ballit Kombëtar ngelën në stadin e çetave të vogla fshatare. Kur më 25 korrik 1943 pas shkarkimit të Mussolinit si diktator, u duk i afërt kapitullimi i Italisë, Balli Kombëtar pranoi të hynte në koalicion me LANÇ-in në luftë kundër okupatorit fashist, i cili po jepte grahmat e fundit. Kështu, në fillim të gushtit 1943 Balli Kombëtar lidhi në Kuvendin e Mukjes aleancë me PKSh-në, për luftë të përbashkët kundër okupatorit. Por aleanca dështoi. Mollë sherri u bë çështja e Kosovës dhe mosangazhimi i Ballit Kombëtar në luftë kundër okupatorit të ri hitlerian.
Për Ballin Kombëtar bashkimi i Kosovës me Shqipërinë e pushtuar nga Italia fashiste ishte realizim i platformës së Rilindjes Kombëtare. Për këtë arsye, sipas tyre, shqiptarët duhej të luftonin për të mos e lejuar më shkëputjen e Kosovës nga trupi i Shqipërisë. Sipas kësaj platforme, shqiptarët duhej të hiqnin dorë nga lufta kundër okupatorit gjerman, i cili ia kishte “dhuruar” Kosovën Shqipërisë dhe të angazhoheshin në luftë për të kundërshtuar ribashkimin e Kosovës me Jugosllavinë. Nacionalçlirimtarët mendonin ndryshe. Kosova, ishte bashkuar formalisht me vendim të Hitlerit në pranverën e vitit 1941, jo me Shqipërinë, por me administratën kuislinge të Tiranës. Ky ishte një bashkim de facto dhe jo de iure, i cili kërkonte miratimin e një areopagu ndërkombëtar. Për këtë arsye, bashkimi nuk kishte vlerë juridike ndërkombëtare, aq më tepër që vetë Hitleri kishte deklaruar se kur e donte puna aktet e nënshkruara prej tij i konsideronte letra pa vlerë. Nuk ka dyshim se bashkimi administrativ i Kosovës me Shqipërinë ishte për kosovarët një lehtësim i zgjedhës së tyre kombëtare dhe për mbarë shqiptarët një vëllazërim i mohuar deri atëherë.
Për vëzhguesit objektivë, bashkimi i Kosovës me administratën kuislinge të Tiranës nuk ishte një çlirim, siç e trumbetonte Balli Kombëtar. Nga ky koncept i gabuar, ballistët nxorrën konkluzionin se për shqiptarët ishte detyrë patriotike të hiqnin dorë nga lufta kundër okupatorëve hitlerianë dhe të kalonin në luftë kundër çetnikëve serbë të Drazha Mihajloviçit dhe të partizanëve jugosllavë të Josif Broz Titos. Krerët ballistë arsyetonin se lufta e shqiptarëve kundër serbëve ishte e justifikuar, përderisa serbët historia i kishte damkosur si autorë të genocidit ndaj shqiptarëve. Ata nuk donin ta kuptonin se në bazë të Kartës së Atlantikut, Kosova, e shkëputur nga Jugosllavia me firmën e Hitlerit, duhej t’i kthehej përsëri Jugosllavisë, e cila qoftë mbretërore, qoftë titiste, ishte aleate e kampit të madh antifashist. E përkthyer shqip, kjo do të thoshte se lufta kundër çetnikëve apo partizanëve jugosllavë i shërbente okupatorëve hitlerianë.
Krerët e LANÇ-it mbajtën një qëndrim të ndryshëm. Kosova nuk mbrohej duke luftuar krah për krah me hordhitë hitleriane kundër forcave antifashiste jugosllave. Lufta kundër forcave antifashiste jugosllave, aleate e kampit të madh antifashist, e stigmatizonte lëvizjen nacionaliste shqiptare si kolaboracionizëm me politikën hitleriane. Për këtë arsye, ajo nuk do të sillte çlirimin e Kosovës, por vazhdimin e vargonjve të robërimit të kosovarëve nën Jugosllavinë. Përkundrazi, sipas credo-s nacionalçlirimtare, e cila mbështetej në Kartën e Atlantikut dhe në atë të Kombeve të Bashkuara, kapitali i çmuar që do të ndihmonte kosovarët të fitonin të drejtat e tyre kombëtare, ishte angazhimi i tyre në luftë kundër garnizoneve nazifashiste italo-gjermane, që e mbanin Kosovën nën kthetrat e tyre. Sipas zotimeve të koalicionit antifashist, ky kapital do t’u jepte kosovarëve mundësinë të zgjidhnin ata vetë pas luftës, me votë plebishitare, ardhmërinë e fatit të tyre. Nëse vendimi i Kuvendit të Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk u vu në jetë, përgjegjësia nuk ishte e komunistëve shqiptarë, por e titistëve jugosllavë, të cilët i detyruan autorët e rezolutës së Bujanit të hiqnin dorë nga vendimi që kishin marrë në fillim të vitit 1944.
Për mosangazhimin e Ballit Kombëtar në luftë kundër okupatorëve hitlerianë LANÇ-i e denoncoi marrëveshjen e Mukjes. Pas denoncimit të marrëveshjes, rrugët midis partizanëve dhe ballistëve u ndanë përfundimisht. Fronti Nacionalçlirimtar zhvilloi luftë të armatosur kundër ushtrive hitleriane, të cilat u dyndën në Shqipëri më 9 shtator 1943, fill pas shpalljes së kapitullimit të Italisë fashiste. Përkundrazi, Balli Kombëtar hyri që në shtator 1943 në kompromis me qeverinë kuislinge të Tiranës, e cila i lejoi repartet balliste të qarkullonin lirisht në qytetet e vendit me kusht që të mos prekeshin as ushtritë hitleriane, as administrata kuislinge. Për më tepër, gjatë dimrit 1943-1944 repartet balliste bashkëpunuan haptas me ushtritë hitleriane në operacionin ndëshkimor që ato ndërmorën kundër ushtrive nacionalçlirimtare. Përfundimisht, në pranverën e vitit 1944 Fronti Nacionalçlirimtar, doli nga operacioni i dimrit me autoritet të padiskutueshëm, kurse Ballin Kombëtar e pushtoi procesi i shpërbërjes. Edhe Lëvizja e Legalitetit, e cila ndonëse nuk bashkëpunoi me ushtritë hitleriane, por vetëm me administratën kuislinge, shkoi drejt shpërbërjes. Kështu, Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili i qëndroi besnik luftës patriotike që nga fillimi e deri në fund, ka meritën se më 29 Nëntor 1944 e çliroi përfundimisht Shqipërinë e robëruar dhe rimëkëmbi pavarësinë e Atdheut.
*
Lufta Nacionalçlirimtare e parë në thellësinë e veprimeve të saj, nuk qe vetëm një luftë politike, por edhe një revolucion demokratik. Vizioni që kishin gjatë luftës udhëheqësit e Lëvizjes Nacionalçlirimtare për shoqërinë shqiptare të Pasluftës, përfshirë dhe udhëheqësit e Partisë Komuniste të Shqipërisë, nuk kishte aspak ngjashmëri me diktaturën e proletariatit ashtu siç ishte zbatuar nga regjimi komunist. Ashtu siç ishte formuluar edhe në programin e Partisë Komuniste, ata synonin që pas luftës të ndërtonin një shoqëri demokratike popullore, me të cilën ata nënkuptonin jo një demokraci të ashtuquajtur borgjeze dhe ca më pak një demokraci aristokratike, por një demokraci të majtë, e cila të mbronte interesat e shtresave të gjera të popullsisë shqiptare. Ajo përmbante në vetvete prirjen për të ndërtuar një Shqipëri më të përparuar se ajo që ekzistonte para pushtimit të 7 prillit 1939. Detyrat që demokracia popullore synonte të zgjidhte në Shqipëri ishin këto: zhdukjen e mbeturinave feudale në fushën e pronësisë bujqësore, mënjanimin e ndikimit që ushtronin bejlerët dhe çifligarët në administratën qeveritare, nxjerrjen përfundimtare të bajraktarëve nga shoqëria malësore, krijimin e organizatave shoqërore që mbronin interesat e punës, barazimin e plotë të gruas me burrin në fushën e të drejtave shoqërore, pjesëmarrjen e gruas njësoj si burri në administratën shtetërore, masivizimin e arsimit deri në zhdukjen e analfabetizmit, zhvillimin e hovshëm të kulturës dhe artit shqiptar, lirinë e plotë të mendimit, të fjalës, të lëvizjes, të vendbanimit, të shtypit, më në fund rreshtimin e pakushtëzuar të Shqipërisë në koalicionin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan.
Mund të pohojmë pa mëdyshje se asnjë nga këto detyra nuk kishin në përmbajtjen e tyre, karakter komunist. Ato i takonin programit të demokracisë së majtë dhe jo regjimit socialist, mbasi nuk e preknin pronën private.
Faqe e ndritur e Luftës Nacionalçlirimtare ishte pjesëmarrja e grave, në mënyrë të veçantë e vajzave shqiptare në rreshtat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Nuk qenë pak, por rreth pesëmijë gra dhe vajza luftëtare. Nuk kishte parë asnjëherë historia shqiptare formacione ushtarake të udhëhiqeshin nga gra si komandante dhe ca më pak si komisare politike. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u thyen deri diku edhe dallimet midis rinisë fshatare dhe qytetare, midis shtetasve të shkolluar dhe të pashkolluar. Lufta partizane ishte një revolucion i vërtetë shoqëror, për faktin se shpartalloi prangat që pengonin martesat midis çifteve me përkatësi të ndryshme fetare.
Ndryshime ndodhën edhe në organizimin e reparteve luftarake. Njësitë partizane trajtoheshin jo vetëm si bashkësi luftarake, por njëkohësisht edhe si bashkësi shoqërore dhe kulturore. Aty ku vullnetarët nuk dinin shkrim e lexim, organizoheshin kurse për shkollimin e tyre. Në orët e pushimit zhvilloheshin për luftëtarët ligjërata politike dhe kulturore me përmbajtje patriotike. Partizanët patën një respekt të jashtëzakonshëm për dëshmorët e luftës. Dëshmi janë këngët e shumta kushtuar dëshmorëve që ranë si heronj me fjalë të hartuara nga vjershëtarë bashkëluftëtarë të tyre dhe me muzikë të kompozuar nga muzikantë të shkolluar, që ndodheshin në rreshtat partizane.
Fronti Nacionalçlirimtar e shpalli veten që kur u krijua aleat jo i Bashkimit Sovjetik, por i koalicionit të madh antifashist, pra i Britanisë së Madhe, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këto komponente, Lufta Nacionalçlirimtare ishte për historianin një luftë patriotike të cilën e ndërmorën shqiptarët në kushtet e Luftës së Dytë Botërore pa dallime politike, ideologjike, krahinore dhe fetare.
*
Sipas disa historianëve, me emërimin e Enver Hoxhës në Kongresin e Përmetit si kryetar i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar me atributet e qeverisë së përkohshme, u legjitimua vendosja e regjimit komunist në Shqipëri. Ky përcaktim nuk është i saktë. Karakterin politik të një qeverie e përcakton programi politik i saj dhe jo përkatësia partiake e anëtarëve të qeverisë dhe as ajo e kryeministrit të saj. Në Kongresin e Përmetit nuk u trajtua vendosja e regjimit komunist në Shqipëri. Vendimet e Kongresit flasin për një regjim demokratik popullor.
Nuk duhet harruar se Enver Hoxha i Kongresit të Përmetit nuk ishte Enver Hoxha i Kongreseve të Partisë së Punës. Kur u mblodh Kongresi i Përmetit, ai nuk njihej si burrë shteti. Emri i tij ishte shpallur një vit më parë në Labinot si komisar politik i Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ai nuk kishte në biografinë e vet paudhësi, me të cilat e mbushi më vonë CV-në e vet. Ta stigmatizosh Enver Hoxhën e vitit 1944, siç veprojnë disa gazetarë të ditëve tona, me tiparet që ai krijoi në vitet e regjimit komunist, është logjikë antihistorike. Megjithatë, në Kongresin e Përmetit mund të vihen re edhe të meta. Për shembull, vendimi për të ndaluar hyrjen e Zogut në Shqipëri për shkak të politikës së tij të Paraluftës ndaj Italisë nuk qëndron, përderisa pas 7 prillit 1939 zogistët u pranuan nga komunistët si aleatë në Konferencën e Pezës. E metë tjetër e Kongresit të Përmetit ishte se në atë Kuvend nuk pati opozitë. Mungesa e opozitës nuk ishte përgjegjësi e Partisë Komuniste, mbasi nuk i takonte asaj të krijonte opozitë. Duke mos patur opozitë në Kongres, Partia Komuniste u bë më agresive ndaj kundërshtarëve të saj, ballistë e zogistë, të cilët me bashkëpunimin e tyre me okupatorin hitlerian dhe me administratën kuislinge, e përjashtuan veten nga pjesëmarrja në Kongres. Partnerët jo komunistë që u zgjodhën në organet qendrore të Kongresit nuk krijuan partneritet të organizuar, por mbetën të hallakatur si individë të veçuar. Mosorganizimi i tyre në një parti më vete, e cila pas Çlirimit do të luante rolin e një opozite ose mund ta vinte vetë PKSh-në në opozitë, e bëri Partinë Komuniste arrogante ndaj tyre. Ky është një gabim që bie mbi aleatët e Partisë Komuniste dhe jo mbi Partinë Komuniste.
Nëse ne analizojmë hollë-hollë kritikën që pseudohistorianët i drejtojnë programit që miratoi Kongresi i Përmetit, ne mund të nxjerrim me lehtësi konkluzionin se kritika e tyre shkon huq. Ajo nuk drejtohet kundër programit komunist, të cilin nuk e shtroi fare Kongresi i Përmetit, por kundër parimeve të demokracisë popullore, të cilën e miratuan të gjithë kongresistët.
Nuk mund të heshtim në këtë referat pa e prekur, natyrisht shkurt, çështjen e ngritur nga disa historianë, nëse në Shqipëri regjimi komunist i Pasluftës i ka rrënjët e veta historike në gjirin e Luftës Nacionalçlirimtare. Ne nuk e pranojmë këtë lidhje gjenetike midis regjimit komunist dhe Luftës Nacionalçlirimtare. Dëshmi kemi faktin se gjatë Luftës së Dytë Botërore luftëra nacionalçlirimtare u zhvilluan në të gjitha vendet e pushtuara të kontinentit. Në luftë kundër okupatorit të huaj morën pjesë, diku të bashkuar, diku të veçuar, të gjithë faktorët patriotikë, të djathtë dhe të majtë. Por, në Shqipëri me qëndrimin që mbajtën gjatë operacionit të dimrit, Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit e përjashtuan veten e tyre nga pjesëmarrja në Kongresin e Përmetit. Edhe demokratët e krahut të majtë të cilët luftuan krahas komunistëve në gjirin e lëvizjes nacionalçlirimtare nuk janë pa përgjegjësi. Nuk duhet të harrojmë se shumica dërrmuese e partizanëve luftëtarë, po ashtu dhe shumica e komandantëve, me përjashtim të komisarëve politikë, nuk ishin anëtarë të Partisë Komuniste. Sipas të dhënave zyrtare të shpallura herë pas here kur u çlirua Shqipëria, Ushtria Nacionalçlirimtare kishte afërsisht shtatëdhjetë mijë luftëtarë dhe luftëtare, kurse Partia Komuniste, brenda dhe jashtë ushtrisë, dy mijë anëtarë. Kjo do të thotë se Ushtria Nacionalçlirimtare ishte potencialisht armatë e faktorit jo komunist që luftonte si aleate me Partinë Komuniste në lëvizjen nacionalçlirimtare. Por demokratët e majtë merrnin pjesë në radhët e lëvizjes nacionalçlirimtare si elektronë të lirë, në aleancë me komunistët, të cilët ishin të organizuar në një parti militante të stilit bolshevik. Pra, ndonëse në radhët e anëtarëve të frontit gëzonin epërsi numerike, ata ndodheshin në minoritet organizativ përballë Partisë Komuniste. Duket, se personalitetet jo komunistë të këtij rreshtimi, si Omer Nishani apo Myslym Peza, Shefqet Beja apo Riza Dani, Kostandin Boshnjaku apo Kol Kuqali, Dali Ndreu apo Ali Seferi, të cilët gëzonin integritet politik si faktorë jo komunistë, nuk e ndjenin nevojën për një parti më vete, për arsye se programin e tyre demokratik të majtë e mishëronte vetë Fronti Nacionalçlirimtar. Kjo ishte me siguri një verbëri politike, të cilën kur ata e kuptuan dëmin, u ndodhën përpara skuadrës së pushkatimit.
*
Kundërshtarët e PKSh-së e stigmatizojnë LANÇ-in se ajo nuk ishte një luftë patriotike, por luftë civile midis dy rreshtimeve politike antagoniste shqiptare. Ne kemi mësuar nga historia e përgjithshme se me luftë civile nënkuptohet lufta midis dy rreshtimeve politike të një vendi të lirë, ku secila palë lufton për të siguruar pushtetin politik. Lufta midis rreshtimeve politike për çështjen e pushtetit nuk mund të zhvillohet në kushtet kur vendi është nën zgjedhën e huaj, pasi në këtë rast pushtetin e ka në dorë okupatori i huaj. Si rrjedhim, nuk mund të kemi luftë civile në Shqipëri për sa kohë që ajo ishte e pushtuar nga ushtritë naziste gjermane. Në histori ka ndodhur jo rrallë që në një luftë civile kanë ndërhyrë edhe forca ushtarake të jashtme. Por ato kanë ndërhyrë për të siguruar nën diktimin e interesave të tyre, fitoren e njërës ose të tjetrës palë, por jo për të vendosur autoritetin e tyre pushtetor.
Kështu ndodhi për shembull me ndërhyrjen e ushtrive anglo-amerikane në luftën civile në Greqi, e cila u zhvillua më 1946, kur ushtritë hitleriane ishin larguar nga toka greke. Në Shqipëri, gjatë operacionit hitlerian të dimrit 1943-1944 nuk qenë hitlerianët gjermanë që ndihmuan forcat balliste të merrnin pushtetin politik, por qenë forcat balliste ato që u shërbyen si udhërrëfyesa divizioneve hitleriane. Vetëkuptohet se në një kohë kur bota mbarë luftonte kundër agresorëve hitlerianë, rreshtimi i ballistëve krahas hitlerianëve i shndërronte ata në faktorë kolaboracionistë. Për këtë arsye, ne nuk mund të pajtohemi me historianin amerikan Bernd Fischer, i cili ballafaqimin e armatosur midis partizanëve dhe ballistëve që ndodhi gjatë operacionit të dimrit, e cilëson luftë civile. Ne pranojmë arsyetimin që sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit Cordell Hull, quante më 6 tetor 1944 luftë civile vetëm përleshjen e armatosur që parashihej se mund të ndodhte në Shqipëri, midis partizanëve dhe kundërshtarëve të tyre zogistë pas largimit të ushtrive hitleriane nga vendi. Nëse miratojmë tezën e historianit amerikan Bernd Fischer, del se edhe lufta që zhvillonin partizanët kundër milicisë fashiste të Mustafa Krujës ishte një luftë civile.
Është e qartë se cilësimi i Luftës Nacionalçlirimtare si luftë civile bën pjesë në përpjekjet për të shpëtuar Ballin Kombëtar nga turpi i bashkëpunimit me hitlerianët. Për këtë qëllim, ballistët shfrytëzojnë edhe biografinë e kryetarit të tyre, Mithat Frashëri. Ne, e çmojmë kontributin që ai ka dhënë në të kaluarën si nacionalist, si demokrat dhe si antizogist. Por ato nuk mund ta mbulojnë qëndrimin e lëkundur që ai mbajti gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dëmet që i shkaktoi të ardhmes së Shqipërisë si arkitekti i platformës balliste.
Ne marrim si shembull qëndrimin që mbajti opinioni publik frëng në sintoni me legjislacionin e Francës kundrejt mareshallit Philippe Petain. Mareshalli frëng ishte shpallur Hero i Verdunit për kontributin që dha gjatë Luftës së Parë Botërore në mbrojtjen e Francës kundër invazorëve gjermanë. Përkundrazi, gjatë Luftës së Dytë Botërore ai e mbuloi veten me turp për kapitullimin e tij para invazorëve hitlerianë dhe për bashkëpunimin e tij me Hitlerin, si kryetar i Francës së Vichy-së. Dihet se për këtë qëndrim pas luftës ai u dënua me pushkatim për tradhti të lartë ndaj atdheut, dënim i cili për shkak të moshës 90 e ca vjeçare, u shndërrua në burgim të përjetshëm. Pra, kontributi i tij patriotik nuk e pengoi opinionin publik frëng ta dënonte mareshallin Petain si tradhtar, ashtu si dënimi i tij si kolaboracionist nuk ndikoi te opinioni publik që t’ia hiqte atij titullin e heroit të Francës.
*
Këtu lind pyetja: si shpjegohet që PKSh-ja, një organizatë politike pa biografi patriotike, tre vjet pasi u themelua, mori në dorë pushtetin politik, kurse faktorët nacionalistë demokratë me tradita politike pësuan disfatë?
Historia e njerëzimit ka prova jo të pakta, të cilat tregojnë se komponenti me peshë në fitoren e një lufte është kauza e drejtë e luftës. Nuk ka dyshim se kauza që frymëzoi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare – çlirimi i Shqipërisë dhe rimëkëmbja e pavarësisë së saj – ishte e shenjtë. Edhe ambienti historik ndërkombëtar në të cilin ajo u zhvillua, rreshtimi i saj në kampin antifashist anglo-sovjeto-amerikan – ishte i shëndoshë.
Meqenëse në Shqipëri nuk pati asnjë ndërhyrje ushtarake nga jashtë, as britanike, as amerikane, as sovjetike, nga ky fakt shpjegimi duhet kërkuar te faktorët e brendshëm. Shpjegimin më bindës duhet ta kërkojmë te qëndrimi thellësisht i gabuar që mbajtën faktorët e djathtë shqiptarë. Në vend që të luftonin kundër okupatorit të huaj hitlerian, ballistët dhe legalistët bashkëpunuan – të parët me okupatorin gjermano-hitlerian, të dytët me qeveritarët kuislingë kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Me këtë qëndrim të gabuar politik, ata i dhanë dorë lëvizjes nacionalçlirimtare dhe PKSh-së, të siguronin monopolin e fitores së luftës patriotike dhe, si rrjedhim, të vendosnin pa vështrirësi regjimin komunist në vend.
Dihet se në fillim të Luftës Nacionalçlirimtare, simpatitë e opinionit publik shqiptar anonin në favor të faktorëve demokratë, të cilët konsideroheshin si pasardhës të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të lëvizjes demokratike parlamentare të Paraluftës. Askush nuk e parashikonte se komunistët shqiptarë, të cilët para luftës nuk ushtronin ndonjë ndikim në jetën politike të vendit, ta përmbysnin brenda dy-tre vjetëve bë favor të tyre barometrin e simpatisë popullore.
Vijmë kështu te pyetja: çfarë ndodhi që u përmbys barometri politik i opinionit publik brenda dy-tre vjetëve? Shpjegimin e jep i njëjti faktor si për fitimtarët ashtu dhe për humbësit – qëndrimin ndaj detyrës themelore që shtrohej para vendit. Devotshmëria me të cilën faktorët e majtë luftuan për zbatimin e kësaj detyre solli rritjen e simpatisë ndaj tyre të opinionit të vendit. Përkundrazi, largimi i partive të djathta nga detyra patriotike solli shpërbërjen e tyre si faktorë politikë. Nëse partitë e djathta po të kishin luftuar si homologët e tyre europianë kundër okupatorëve nazifashistë, nuk do ta linin Partinë Komuniste të monopolizonte fitoren e luftës në duart e saj. Në optikën e këtij procesi, mund të thuhet pa mëdyshje se përgjegjësia e vendosjes së diktaturës puniste, e cila e telendisi popullin shqiptar për 40 vjet, bie pjesërisht mbi Ballin Kombëtar dhe mbi Lëvizjen e Legalitetit.
*
Nuk dëshirojmë të merremi me prirjen që kanë disa fragmente të kufizuara të opinionit publik shqiptar, për ta mohuar vlerën e Luftës Nacionalçlirimtare, mbasi kjo prirje është thellësisht absurde. Të mohosh Luftën Nacionalçlirimtare do të thotë të mohosh kontributin që ajo dha për rivendosjen e Pavarësisë Kombëtare; do të thotë të mohosh atë kapital të çmuar politik që shërbeu për ta shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi i saj territorial; do të thotë të mohosh gjakun e atyre mijëra dëshmorëve që ranë në luftë kundër okupatorëve të huaj; do të thotë t’i konsiderosh pa vlerë burgimet, internimet, torturat që pësuan patriotët shqiptarë të bindjeve të ndryshme politike nga okupatorët e huaj fashistë dhe nazistë; do të thotë të mohosh ndihmën pa shpërblim që dhanë qytetarët dhe fshatarët, për ushqimin dhe strehimin e reparteve partizane.
Orvatjet që po dëgjojmë për ta shkëputur Luftën Nacionalçlirimtare nga udhëheqësit e saj, janë antihistorike. Kundërshtarët e LANÇ-it nuk duan të dëgjojnë emrin e Enver Hoxhës. Kjo për arsye të gabimeve që ai kreu me diktaturën komuniste të Pasluftës. Nuk duhet harruar se LANÇ-i nuk qe një fenomen as spontan, as anonim. Ajo qe një ndërmarrje madhështore, të cilën e projektuan, e organizuan dhe e udhëhoqën deri në fitore grupe njerëzore me identitet të përcaktuar politik. Të vlerësosh veprën dhe të injorosh arkitektët, kur ata dihen, është dobësi.
Një popull që pati trimërinë të luftonte pesë vjet me radhë kundër agresorëve fashistë, të armatosur deri në dhëmbë, nuk ka përse të ketë frikë nga emrat e disa njerëzve që nuk jetojnë më dhe që nuk kanë mundësi ta risjellin diktaturën e tyre puniste, tashmë të varrosur. Jezu Krishti në kohën e vet nuk e donte Jul Qezarin. Megjithatë, ai i porosiste besnikët e vet: Jepini Qezarit atë që i takon Qezarit.
Për kontributin që Enver Hoxha dha gjatë luftës, historianët nuk duhet ta gjykojnë atë nëpërmjet prapësive që ai kreu pas luftës, si diktator i regjimit 40-vjeçar komunist. Ashtu si për mareshallin Petain, veprimet e tij duhet të gjykohen pasi të vëmë në veprim peshoren historike. Veprimet e mbrapshta të kryera në një epokë nuk duhet të mbulojnë veprimet e mbara që një personalitet realizoi në një epokë tjetër. Vetëm pasi t’i japim Qezarit të drejtën që i takon, mund ta kritikojmë atë si të duam dhe sa të duam. Në kohët moderne nuk ka luftë me udhëheqës anonimë. Udhëheqësit kanë emër dhe mbiemër. Pasi të mbarojmë punën e Luftës Nacionalçlirimtare, ejani ta analizojmë bashkërisht veprimtarinë e Enver Hoxhës gjatë regjimit komunist. Nuk ka pra arsye përse gabimet që kreu E. Hoxha pas luftës gjatë regjimit komunist të na pengojnë që të vlerësojmë kontributin që ai dha si një nga udhëheqësit e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Megjithatë, në veprimtarinë që zhvilloi Enver Hoxha gjatë Luftës Nacionalçlirimtare nuk mungojnë gabimet. Një nga gabimet e tij madhore është që ai lejoi të thurej për të aureola e organizatorit dhe udhëheqësit të Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo pa dyshim është një legjendë e nxitur prej tij në kundërshtim edhe me parimet e marksizëm-leninizmit, i cili e mohon rolin vendimtar të individit në histori. Enver Hoxha nuk e themeloi Partinë Komuniste. Projekti i Luftës Nacionalçlirimtare nuk ishte vepër e tij. As sukseset e Luftës Nacionalçlirimtare nuk kishin për autor Enver Hoxhën. Ajo u udhëhoq nga një ekip patriotësh, në të cilin bënin pjesë edhe militantët e dënuar me vdekje më vonë nga Enver Hoxha, si armiq të diktaturës puniste. Në të vërtetë, Lufta Nacionalçlirimtare ishte vepër e shtresave të gjera të popullsisë shqiptare, e dashurisë së tyre për lirinë e atdheut, e gadishmërisë së tyre për të dhënë jetën në dobi të çlirimit të vendit dhe për të rimëkëmbur pavarësinë e Shqipërisë. Atë e organizoi Partia Komuniste Shqiptare e veshur jo me kominoshet e proletariat ndërkombëtar, por me fustanellën e lëvizjes patriotike shqiptare. Enver Hoxha u shpall Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Kongresin e Përmetit, kur opinioni nuk kishte dijeni për aftësitë ushtarake të tij, i cili nuk kishte shërbyer asnjë ditë si ushtarak. Sigurisht që ai nuk është pa merita, por jo në atë masë sa është brohoritur për 40 vjet me radhë. Merita e tij qëndron te roli që ai luajti së bashku me militantët komunistë dhe me ushtarakët patriotë në veprën e Partisë Komuniste si organizatore e Luftës Nacionalçlirimtare. Sigurisht që edhe prirja që vihet re për ta fshirë emrin e tij nga historia e Luftës Nacionalçlirimtare është e tepruar.
Në mbyllje po i përgjigjemi pyetjes se çfarë vendi zë në historinë e Shqipërisë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Sipas vlerësimit të historisë botërore, rezultati më i lartë që çdo popull ka arritur gjatë historisë është krijimi i shtetit kombëtar të pavarur. Meqenëse pavarësinë Shqipëria e humbi më 7 prill 1939, si detyrë parësore për mbarë shqiptarët u shtrua përsëri rimëkëmbja e pavarësisë kombëtare të humbur. Pikërisht kjo ishte detyra parësore e Luftës Nacionalçlirimtare. Orvatjet që ndërmerren për të mbivlerësuar vendosjen e regjimeve të brendshme, përmbi pavarësinë kombëtare, janë thellësisht të gabuara. Regjimet politike venë e vijnë. Ato fitohen me revolucione të brendshme apo me zgjedhje parlamentare. Por, pa pavarësinë kombëtare ato nuk mund të realizohen.
Përfundimisht mund të thuhet se për hir të kontributit që Lufta Nacionalçlirimtare dha, ajo zë pa pikë dyshimi vendin e dytë pas Kuvendit historik të Vlorës më 28 Nëntor 1912.
(Marrë nga DITA)