SI PAS LUFTËS SË DYTË

 

 

POEZI NGA FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I POEZISË “DRINI POETIK”

 

TAFIL DURAKU

 

SI PAS LUFTËS SË DYTË

 

gjakun tim sot

si pas Luftës së Dytë

po e pijnë ushunjëzat e zeza

të Drinit të Zi

 

e këtej ushunjëzat e bardha

të Drinit të Bardhë

se ushunjëza janë

e veç gjaku im i ngopë

 

e kur takohen pragmotesh

Liqenit të Thjerzës

ushunjëza kameleone bëhen

si pas Luftës së Dytë

 

edhe pas kësaj lufte ushunjëza

e gjakun tim kërkojnë prore

në Prishtinë në Shkup në Preshevë

në Tiranë e në Podgoricë në Tivar e Ulqin…

 

e unë lindë diell i ri në horizont

zbres në Prizrenin legjendar

me Orën Shqiptare të Lidhjes

për herë të parë përmot

 

në manifestimin ndërkombëtar të poezisë

valëve të Drinit Poetik

rrjedh e gjëllin qenia ime

 

Orën time të poezisë zgjoj

bregut të dy lumenjve të mi shekuj

mbi ujin e vetullës bjeshkore

rri dhe sodis

të shkuarën të sotmen të ardhmen

 

shoh ushunjëzat

që s’i ngopë

gjaku im shqiptar

 

gjaku im i shekujve

gjaku im kalvar

me karvanparët e të keqes në ballë

 

o Bac o Bac

si pas Luftës së Dytë

po na e bëjnë

më but shpinën se barkun

 

si pas Luftës së Dytë

lisin po e çkyen

pyka e degës së vet

medet medet Bac

medet…

 

Burojë, maj 2010

 

(POEZI KONKURRUESE PËR FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR TË POEZISË “DRINI POETIK”,

lexuar në Mbrëmjen qendrore të poezisë, më 10 qershor 2010, në orën 18:00, në Prizren)

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode