SI E ÇAU RRETHIMIN ENVERI DHE SHTABI I PËRGJITHSHËM (2)

HISTORI

 

 

SI E ÇAU RRETHIMIN ENVERI

DHE SHTABI I PËRGJITHSHËM (2)

 

Prof. Ferit BALLA

 

Ndërkohë kolona e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ dhe e Misionit Anglez në Shqipëri që u nis nga Orenja në datën 19 dhjetor për të kaluar në jugë në drejtimin Kostenjë, Qarrishtë, Hotolisht ndaloi në malin e Neshtës, në Lalbizë për dy net, aty anash tyre kaloi dhe kollona gjermane e nisur në itinerarin Tiranë – Shëngjergj – Bizë, bashkë me fshatarët dibranë por, siç tregon edhe Kadri Hoxha, vetëm erërat e forta të dimrit të akullt bënë të mundur moskonfrontimin e tyre.

Në Lalbizë kolonës i mbaruan ushqimet dhe filluan të hanë mushkat, prandaj Shtabi i Përgjithshëm vendosi që për më tej marshimin ta vazhdonin vetëm 15 veta, 11 të Shtabit, 3 anglezë dhe një italian, pjesa tjetër e partizanëve u urdhëruan të ktheheshin nëpër fsahtrat e tyre. Që nga Lalbiza kolona vazhdoi marshimin në drejtim të Kostenjës ku gjeti mikpritjen e Qazim dhe Ramiz Peshkut dhe Jashar Muçës.

Pas dy ditësh kolona largohet nga Kostenja në drejtim të Prodanit ku u strehua në shtëpitë e Ymer Koçit dhe Ahmet Likës, pastaj kaloi Zabzunin dhe në datën 29 dhjetor mbërritën në Qarrishtë, ku ranë në kontakt me simpatizantin e LANÇ-it ,Bilal Biçaku, i cili i sqaroi se ishte e pamundur të kalonin në Qarrishtë fshat dhe më tej në Hotolisht mbasi të gjithë këto fshatra kontrolloheshin nga forcat gjermano-balliste. As miza nuk lëviz dot, u tha Bilali.

Në këto kushte kolona kthehet mbrapsht nga kish ardhur, qëndron një natë në Prodan dhe natën e vitit të ri 1944 u vendosën tek stanet e Peshkut , ku takojnë edhe Baba Faja Martaneshin me partizanët e tij. Enver Hoxha me shokë vendosin të kthehen mbrapsht nga kishin ardhur në Orenjë e Shmil, kurse gjenerali Deivis nuk e pranoi këtë plan të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ dhe vendosi të qëndrojë aty disa ditë sëbashku me Baba Fajën dhe më vonë të kalonte në Mat ku kish edhe anëtarë të tjerë të Misionit anglez në Shqipëri.

Në datën 6 janar 1944 Shtabi i Përgjithshëm u nis për në Orenjë, ku mbërriti në datën 7 janar dhe gjeti mikëpritjen historike në shtëpinë e Qerim dhe Beqir Koçit, një çerek ore larg qëndrës së fshatit. Ndërkohë, po në këtë datë kish ardhur në Orenjë për herë të dytë, edhe një forcë balliste me misionin e tyre të vazhdueshëm për kapjen e udhëheqjes së LANÇ-it si dhe për plackitje, vjedhje dhe vrasje, por shumica e fshatit ishte boshatisur dhe larguar, kurse çeta partizane  e Orenjës i priti ato me pushkë e zjarr dhe i detyroi të largoheshin në drejtim të Zdranjshës. Mbasi qëndroi dy ditë në kasollen historike të familjes Koçi, që ka hyrë në histori si kasollja e Nënë Zyrasë, por që personifikon në mynyrë simbolike mikpritjen, respektin dhe dashurinë  jo vetëm të kësaj familje por të gjithë Orenjës e Çermenikës për mikun e sidomos për çlirimtarët. Shtabi i Përgjithshëm i shoqëruar nga Kadri Hoxha, Sadik Balla dhe Qerim Koçi udhëtoi dhe fjeti një natë në Gurakuq tek Jakup Tafa dhe në datën 10 janar shkon dhe vendoset tek shtëpia e Ali Dishës në Shmil, ku sigurimi i tij ishte marrë përsipër nga Sami Baholli dhe miqtë e tij të shumtë në Shmil dhe Orenjë.

Shtabi do të qëndronte në Shmil i fshehur dhe i strehuar të fshatare të ndryshëm si Ali Disha, Sherif Ceka, Ram Karagjozi, Refik Budani etj ,deri në 15 shkurt 1944, datë në të cilën ai dhe shokët e tij do të kalonin në jug të vendit. Këtu mbaron odisea dymujore e rrethimit të Shtabit të Përgjithshëm  në Çermenikë dhe daljen e tij nga ky rrethim. Ishte populli i këtyre fshatrave, që nga Orenja, Kostenja, Prodani, Shmili etj që e shpëtuan udhëheqjen e LANÇ-it  nga asgjësimi i saj i plotë dhe për rrjedhojë do të rrezikohej rëndë mundësia e vazhdimit e luftes së drejtë të popullit shqiptar për çlirimin e vendit nga pushtimi gjerman.  Tjetër gjë se ç’ndodhi pas çlirimit të vendit, pasi në kohën e luftës njërzit që e mbështetën dhe luftuan nuk e dinin dhe nuk mund të shikonin ëndrra se çfarë do të ndodhte pas çlirimit.

Kur e kam pyetur  Kadri Hoxhën pas viteve 90, kur ai pas 45 vjetësh u kthye në Tiranë pas burgimeve dhe internimeve të vazhdueshme se pse nuk i hoqe qafe Enverin me shokë që gjatë Operacionit të Dimrit, ai përgjigjej se kurrë nuk kam menduar atëherë për këtë, ne ishim shokë komunistë dhe luftonim për një ideal të madh, ne ishim antifashistë.

Tani le të kthehemi në Kostenjë te stanet e Peshkut, aty ku gjenerali Deivis në shoqerinë e Baba Fajës dhe partizanëve të tij pas vitit të ri po qëndronin për t’u zhvendosur në zonat e Matit  e më në veri, por kjo nuk ndodhi mbasi në datën 8 janar 1944 ata sulmohen në befasi nga forcat e Aziz Biçakut  dhe një kompani gjermane që i shoqëronte ato dhe midis palëve u zhvilluan luftime të ashpra, por në fund u plagosën gjenerali Deivis shumë rëndë, koloneli Nikols dhe disa partizanë. Nikolsi bashkë me partizanët e Baba Fajës mundën të largoheshin, kurse gjenerali Deivis nga plaga e rëndë nuk mund të ecte dhe u zu rob nga forcat gjermano-balliste. Aziz Biçaku e dorëzoi Gjeneralin Deivis me dy shokët e tij Cizshajer dhe Smith edhe këto të dy të plagosur rëndë  tek gjermanët, duke kryer një tradhti të madhe ndaj interesave të Atdheut por edhe për të ardhmen mbasi me këtë veprim u bë shkatarruesi i Misionit Aleat Anglez në Shqipëri.

Gjenerali Deivis në librin e tij “ Aventura Ilire” ,në faqen  122 thotë se në momentin e dorëzimit të tij tek gjermanët , tek një doktor i quajtur Jacobs, ky i fundit e shpërblen Aziz Biçakun duke i dhënë disa pushkë, automatikë dhe monedha floriri. Devisi e pyet gjermanin se pse i dhe të holla këtij që më dorëzoi mua tek ju dhe gjermani i përgjigjet se: “Ne e përkrahim Ballin me armë dhe para për të luftuar komunistët që përkrahni ju. Të nesërmen në mëngjes, vazhdon gjenerali, patrulla gjermane na nxori në rrugë ku na priste një ambulancë. Atje ndodhej edhe Aziz Biçaku me një turmë  ballistësh për të na parë kur të niseshim. Ai qeshte me gjermanët pranë infermierit tim. Më vonë dyshoja se Aziz Biçaku do të ketë paguar dënimin që mori për shkatarrimin e e Misionit të Aleatëve në Shqipëri”.

Në një Kumtesë të Jashtëzakonëshme të xhadarmërisë,që gjendet në A.Q të Shtetit në dosjen 35,fleta 4, viti 1944, fashikulli 556 përshkruhet me nota shumë të larta dhe si një sukses shumë i madh kapja dhe dorëzimi te gjermanët i gjeneralit Deivis nga ana e Aziz Bicakut, konkretisht në të thuhet se:

Komanda e Fuqivet Armatosuna Gjermane humton se, Më 8 kallnuer 1944 ndër malet kah lindja e Kostenjës,gjenerali anglez Deivis, Komandant i Misionit Ushtarak anglez qysh më 18 dhjetor 1943 u nis me luftue me gjermanët në krahinën e Martaneshit gjatë opracioneve të bam nga ana e gjermanëve,ma së fundmi prej forcave të Aziz Bicakut në bashkëpunim me një repart të vogël gjerman u ndesh rishtas me të. Mbas luftimeve të ashpra që zgjati shumë orë u plagos gjenerali në fjalë prej Bicakut dhe bashkë me suitën e tij u zu rob dhe ju dorëzua gjermanëve. Me kaq Komanda Angleze në Shqipni e shpartallua. Në faqen 3 të po kësaj kumtese mes të tjerash thuhet se ,gjenerali anglez kishte ardhur në Shqipni me I nxitë shqiparët në luftë kundra Gjermanisë…

Çdo gjë është më se e qartë. S’ka nevojë për asnjë koment. Aziz Biçaku minoi dhe hodhi në erë bashkëpunimin politik dhe ushtarak të vendit tonë me Anglinë gjatë LANÇ, duke i shkaktuar një dëm shumë të madh jo vetëm LANÇ-it por edhe perspektivës perëndimore të vendit tonë.

Pra më 10 janar 1944 Enver Hoxha me shokë u vendos në Shmil, ndërsa gjenerali Deivis ishte i burgosur i gjermanëve në spitalin ushtarak në Tiranë, Kadri Hoxha me shokë ishte në Shëngjergj, kurse Beg Balla në Orenjë. Por Operacioni i Dimrit do të vazhdonte, gjermanët dhe Aziz Biçaku kërkonin udhëheqjen e Ushtrisë Aantifashiste Nacionalçlirimtare, ata nuk u ndalën. Ndërkohë Orenja rënkonte nën plagët e luftës, çeta partizane e fshatit me rreth 60 burra të armatosur kishin bërë Marrëveshje me Zdranjshën që së bashku të mbronin me armë fshatrat, familjet e tyre, pasurinë e ç’u kish mbetur. Zdranjsha duhet të lajmëronte Orenjën mbasi andej kalonte rruga Librazhd, Funarës e më tej në Zdranjsh, Floq e Orenjë. Me thënë të vërtetën edhe në Zdranjsh ekzistonte një bërthamë e fortë partizane.

Në këto kushte e rrethana më datën 7 shkurt forca të shumta gjermano-balliste nisin ofensivën e tretë, nën drejtimin e Aziz Biçakut dhe Isak Allës kundra fshatrave të Çermenikës dhe kryesisht Orenjës. Në datën 7 shkurt në darkë vonë vjen një lajmëtar nga Zdranjsha dhe lajmëron Ymer Ballën, Ibrahim Ballën, Beqir Koçin etj, që ishin edhe drejtuesit e Këshillit Antifashist NÇL të fshatit se një koloneë gjermano-balliste ishte nisur nga Librazhdi për në Orenjë, prandaj duhet çeta mbrojtëse e Orenjës sipas   marrëveshjes së bërë e nisej menjëherë në drejtim të Zdranjshës për t’i dalë përpara e zmbrapsur kolonën armike që në Zdranjsh.

Kështu u bënë gati 60 burra nga Orenja të armatosur pasdarke nisen për në Zdaranjsh, ndër to mund të përmendim Ymer, Ibrahim, Selim, Aziz, Ramiz, Ramazan e  Shaqir Balla, Ymer, Qamil, Beqir dhe Rakip Meta, Aziz Gjata, Hajdar Ruci, Ymer Murtini, Nexhip Kënga, Aziz Çupi, Idriz Hyka, Destan Qosja, Korb Sula, Rrapush Bitri, Hasan Skapi, Qerim dhe Beqir Koci, Abaz Murtini, Tahir Alliu, Sherif Rama, Selman Skapi etj etj. Duhet të theksohet se mbasi Orenja ishte sulmuar edhe dy hërë të tjera nga gjermano-ballistët më 20 dhjetor dhe 1943 dhe 7 janar 1943 mjaft fshatarë ishin larguar tek të afërmit e tyre në Shmil, Gurakuq, Zdranjshë, Floq etj.   Me të mbritur në Zdranjshë forcat e Orenjës takohen me parinë e Zdranjshës si Riza dhe Abaz Xherri, Rakip dhe Arif Allushi, Selman dhe Shaban Kaca, Osman Kryeziu, Xhemal Qoshi, Seit Kashiku, Osman Leka etj.

Mbasi u njohën me situatën të dy paritë e katundeve vendosën që ta organizonin qëndresën e tyre tek shtëpitë e Xherrit e të Kacajve, mbasi dhe pozicioni i terrenit i favorizonte. Mbas mesnate forcat e bashkuara të Orenjës dhe të Zdranjshës po çlodheshin  dhe po prisnin sinjalin me drita për mbërritjen e armikut, por ky sinjal nuk erdhi dhe cermenikasit e tradhëtuar në të gdhirë u gjendën të rrethuar përball frontit luftarak te organizuar të gjermanoballistëve. Ishte shumë vonë , ndërsa orenjasit fillojnë rezistencën me armë, gjermano-ballistët filluan goditjen e tyre, me artileri të lehtë. Në luftime e sipër në datën 8 janar në mëngjes mbeti i vrarë sekretari i Këshillit ANÇ  dhe dëshmori i parë i Orenjës Beqir Koçi.

Pjesa tjetër e luftëtarëve nga Orenja, por edhe e rreth 10 vetave nga Zdranjsha, të tradhtuar, të befasuar dhe të çoroditur filluan të tërhiqen për në fshatin e tyre  në dy drejtime për në Orenjë , nga Fnaret e Thata dhe nga Fnari i Zdranjshës. Kolona gjermano-balliste kishte fushë të plotë pamje dhe vazhdonte të qëllonte mbi to papushim, saqë i detyroi të ndalonin. Me të mbritur Aziz Biçaku me shokët e tij dhe gjermanët takon Ymer Metën dhe i thotë edhe ti qenke berë komunist dhe pyet se kush është nga Ballajt këtu dhe ku është Begu dhe Ymeri. Del Hamiti  e Ramizi dhe i thonë se Begu është në Gurakuq në Bercë. Shkoni e thërriteni se e kërkoj unë te xhamija e Orenjës . Mirë i thanë dhe u nisën. Rrrugës për ne Bercë i ndalon një patrullë balliste nga Floqi se kush ishin dhe ku po shkonin. Mbasi ju thanë se ishin me mision nga Aziz Bicaku,menjëherë i lanë të lirë. Me të mbërritur në Bercë, Begun e gjejnë duke pirë kafen e mëngjesit dhe e informojnë për çka kish ndodhur dhe se Aziz Biçaku të kërkon te xhamia e Orenjës. Po, thotë Begu, dëgjova pushkët prandaj me bëni gati kalin dhe më nxirrni pushkën se do nisem për në katund.

E shoqja, Hamiti dhe Ramizi i thonë: “O Dajë ma mirë mos shko në Orenjë Katund se do të vrasë Aziz Biçaku.”

Jo, u përgjigj prerë ai, unë duhet të shkoj patjetër në Orenjë Katund se ndryshe Aziz Biçaku do ta djegë gjithë fshatin per hakmarrje. Dhe kështu bëri, mori pushkën, i hypi kalit, shkoi ne qendër të fshatit ku menjëherë gjermanët e arrestojnë dhe e fusin në xhami, ku ndodheshin rreth 60 veta të tjerë që ishin burgosur në xhaminë e Orenjës dhe ruheshin me roje natë e ditë. Ballistët dhe gjermanët hanin mish e pinin raki në lagjen e Poshtëme të Orenjës, kurse shumica e burrave ndodhej e burgosur në xhami.

Të nesërmen gjermano-ballistët bënë seleksionimin politik të  burgosurve, ndërsa Beg Ballën , Ymer Ballën dhe Ibrahim Ballën i lidhën dhe të shoqëruar me shumë roje i nisën në drejtim të malit të Orenjës që këto t’u tregonin depot , shtypshkronjën partizane dhe vendqëndrimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL dhe, meqenëse rruga kalonte përpara shtëpive të tyre, iu nxorrën fëmitë e gratë për t’i parë të lidhur e që të detyroheshin të tregonin. Por ata heshtën të tre. Kur mbërritën në Fushë Gurrë dhe e panë që të tre Ballajt nuk po tundeshin nga pozicionet e tyre të heshtjes atëhere ata vendosin që t’i pushkatojnë të tre. Në këtë moment ndërhyn një nga komandantët e ballistëve nga Letmi, Laz Bogdani dhe i thotë Aziz Biçakut se Beg Ballën e kam mik të vjetër dhe nëqoftëse ti do ta vrasësh unë me gjithë njerzit e mi të armatosur do të kthej pushkët kundër teje. Kjo ndërhyrje bëri që pushkatimi i Begut të anulohej, kurse të dy kushërinjtë e tjerë Ymer dhe Ibrahim Balla, respektivisht Kryetar dhe Nënkryetar të Këshillit ANÇ të Orenjës u lidhën në ahe dhe u pushkatuan nga gjermano-ballistët, duke skuqur dëborën e shkurtit  me gjakun e  tyre.

Begun bashkë me 20 bashkëfshatarë të tjerë i nisin nga Orenja për në burgun e Elbasanit, kurse pjesën tjetër të fshtarëve i lanë të lirë. Gjatë rrugës për në Elbasan Beg Ballës i propozohet nga ana e rojeve balliste, që e njhnin mirë kush ishte  ai, që po të duash ne i vrasim këto gjermanët që po na shoqërojnë dhe ti ik bashkë me shokët e tu, por ai përsëri nuk pranoi, duke paraqitur po atë arsye se po të  arratisem unë, Biçaku do të kthehet prapë në fshat me gjermanët dhe do të vrasë e djegë kush t’i dalë përpara, do të bëjë reprezalje edhe më të madhe, prandaj na dërgoni në burg në Elbasan. Kështu u bë, të lidhur i dërguan të gjithë në burg dhe më vonë Begu dhe fshatrët e tjerë lirohen nga burgu, ndërsa të gjithë kthehen në fshat vetë Begu meqenëse ishte i sëmurë shkoi dhe qëndroi tek Sangajt,miqtë e tij në Shkodër deri në muajin qershor dhe pastaj kthehet prap në fshat dhe prapë ndihmon LANÇ-in.

***

Mbi Operacionin e bërë në Çermenikë në fillim të muajit shkurt 1944, F.154 te A.Q te Shtetit në Tiranë vërteton katercipërisht ato çka është thënë e shkruar me kohë por edhe në këtë shkrim mbasi shumë veta i kanë konsideruar ato si të pavërteta dhe të manipuluara, ja se çfarë shkruhet konkretisht në dokumentin e mësipërm.

“Rrethi i Librazhdit ne komunikatën që ka,lajmëron se një Kompani Ushtarësh Gjermane sëbashku me Fuqitë Vullnetare (dmth,ballistët.Shënimi im F.B.),të kryesume prej Aziz Biçakut dhe Isak Allës, një javë më parë në katundet Orenjë, Floq, Gurakuq, Zdranjshë Kuturman në një operacion të bamun, kanë çarmatos dhe sekuestrue shumë armë që ka pas populli dhe se në katundin Orenjë si komunista kane vra të quajturit Ymer Balla, Ibrahim Balla e Beqir Koçi,me rastin e këtij operacioni janë arrestuar edhe 20 veta, ku ndër to dhe Beg Balla nga Orenja e Murat Bahiti nga Kuturmani megjithë djalin e tij, dhe thuhet se nga ana e vullnetarëve (ballistëve F.B.) asht ba edhe shumë plaçkë në rast kontrollimesh”.(dmth kanë vjedh sa kanë mundur.F.B). Përsëri plaçkitje, vjedhje, djegje , vrasje, terror e hakmarrje mbi Orenjën martire.

Kjo ishte historia e vërtetë e mësymjes së tretë të gjermano-ballistëve mbi Çermenikë dhe Orenjë dhe vrasjen e Beqir Kocit ,Ymer e Ibrahim Ballës dhe arestimin dhe burgosjen e Beg Ballës. Këtë herë e pranuar nga vetë goja dhe e shkruar nga dora e Qeverisë Kuislinge të kohës.

Duke lexuar sot mbas 75 vjetësh faksimilet që gjenden në AQSH në Tiranë për Operacionin e Dimrit të Ushtrisë Gjermane dhe të Ballit Kombëtar kundër LANÇ në krahinën e Çermenikës, normalisht dhe në të gjitha krahinat e tjera ku ky Operacion famëkeq u zhvillua, u jep përgjigje me gojën dhe dokumentat gjermane  shumë  spekullimeve , gënjeshtrave dhe mashtrimeve që dëgjohen në TV  të ndryshme, shumë shkrimeve manipulative nëpër gazeta e revista se gjoja,

Së pari, gjermanët nuk erdhën në Shqipëri për të pushtuar vendin tonë, por për të na bshkuar dhe për të luftuar komunistët. Po Francën,Belgjikën ,Hollandën etj prandaj i pushtuan ato për t’i bashkuar e luftuar komunizmin? Absurdi vete deri aty sa ambasadori gjerman në Shqiperi shkon në Kolonjë, kërkon falje në emër të shtetit të tij për vrasjet e ushtrisë naziste atje, i quan ato krime lufte, kurse këto apologjetët e Ballit thonë të kundërtën. Çudi e madhe!

Gjermanët nuk vidhnin, nuk plackitnin, por po kalonin në Shqipëri kalimthi për t’u tërhequr në vendin e tyre. Ato sollën në vendin tone 70.000 trupa të mirëarmtosur,pse  u vendosën e ndenjën këtu 15 muaj por nuk ikën në vendin e tyre brenda vitit 1943, meqenëse ishin kalimtarë.

Së dyti, argumenti se ballistët nuk kanë bashkëpunuar me gjermanët . Shembulli i Çermenikës dhe Orenjës e vërteton katërcipërisht se Komandanti i Ballit Kombetër të Librazhdit, oficeri i dekoruar nga Hitleri me Kryqin e Artë, Aziz Biçaku, dhe krahu i djathtë i itj Isak Alla, asnjëherë nuk i sulmoi këto zona vetëm me forcat e veta, sepse e dinte që nuk ja dilte dot, siç e provuan në Orenjë në datën 7 e 8 janar 1944, por në të gjitha rastet ai ishte i mbështetur nga forca ushtarake të rregullta, të armatosura gjermane, gjë që të le të kuptosh se në të shumtën e rasteve ballistët shërbenin si spiunë dhe udhërrefyes të gjermanëve, kurse forcën e kishin këto të fundit ose siç thotë populli, gjermani përpara ballistët prapa.

Së treti, disa mëndjellinj thonë dhe gjoja argumentojnë se partizanët dhe komunistët zhvilluan luftë civile vëllavrasëse. Në rastin e Çermenikës dhe të Orenjës por edhe në rang kombëtar është e kundërta.

Komandanti i Shtabit Partizan të Qarkut të Elbasanit, kolonel Kadri Hoxha në verën dhe vjeshtën e vitit 1943 komandonte në Orenjë dhe malin e saj mbi 1000 forca partizane të  rregullta dhe të armatosura. Ai kishte fuqi ushtarake t’i çarmatoste dhe asgjësonte te gjitha foracat që komandonte në atë kohë Aziz Biçaku, por nuk e bëri këtë sepse siç na thoshte ne kur e pyesnim kur erdhi në Tiranë në vitin 1990, së pari ai, Beg Balla dhe Biçaku kishin bërë një marrëveshje që të mos luftonin me njëri-tjetrin, të mos e gjakosnin Çermenikën, por secili të qëndronte në hisen e vet. Së dyti tregonte Kadriu, ballistët u gjallëruan mbasi në Shqipëri erdhën gjermanët dhe menduan se gjermani do të luftonte komunistët e do t’ua jepte atyre si dhuratë  pushtetin politik, prandaj filluan bashkëpunimin e hapur me to.

Se katërti, tregonte  Kadri Hoxha, ballistët e Çermenikës të shkojne te varri i Beg Ballës në Orenjë dhe të bëjnë atë që bëra unë kur shkova atje pas 50 vjetësh të falen para varrit  të tij dhe t’i venë një buqetë me lule, mbasi unë për vete që në gusht të  vitit 1943 pata vendosur qe t’i mësy forcat balliste në  fshatrat e tyre, por ai më kish paralajmëruar se po fillove të luftosh në Çermenikë kundër çermenikasve ne na komprometohet kauza, do të shkelim marrëveshjen me Biçakun, do të na akuzojnë për vëllavrasje. Jemi shumë të lidh e të stërlidh ne çermenikasit me njëri-tjetrin, o çun, i thoshte Begu Kadriut, prandaj duhet durim e kujdes.

Kaq e vërtetë është kjo sa që edhe një spiun nga Zdranjsha i quajturi I.H, që forcat partizane e kishin arrestuar në fshatin e tij dhe e sollën në Orenjë, ku Kadriu me të drejtë e nxori para gjyqit partizan dhe e dënuan me pushkatim.  Ndërkohë njoftojnë Beg Ballën se çfarë po bëhej, ai e takon Kadriun dhe i thotë se ti nuk do pushkatosh njeri nga Zdranjsha këtu, por po deshe e po qe se ai është armik e spiun ndiqe e bëje këtë punë diku gjetkë jo në katund. Kështu u bë, I.H u qortua, u la I lirë, por ai e vazhdoi punën e tij të spiunimit të partizanëve në Elbasan te gjermanët,prandaj forcat partizane e ruajtën dhe e arrestuan dhe pushkatuan në Shushicë. (K.Hoxha, Elbasani ne LANÇ,Faqe 127.)

Pra vidh, plackit, digj, kap partizanë, patriotë, antigjermanë dhe dorëzo te gjermanët. Merr armë, pare dhe grada. Këtë bënë ballistët në Çermenikë e më gjërë në gjithë Shqipërinë.

Fund

 

DITA

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode