HISTORI
SHKATËRRIMI I USHTRISË NË 1997 (3)
Këtij qëllimi i shërben edhe dërgimi në BMA Kuçovë i dy ekipeve të njëpasnjëshme, njëri i kryesuar nga ish-nënministri Alfred Moisiu dhe Edip Ohri dhe tjetri nga Gjeneral-Major Agim Baruti, ndaj të cilëve u shpreh hapur nga efektivi pilot kundërshtimi për zbatimin e urdhrave për të qëlluar kundër popullsisë dhe gatishmëria për të dhënë edhe jetën po qe se cenohej integriteti territorial.
Mosrealizimi i qëllimeve të mbrapshta nga ish ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali e çoi atë deri atje sa të marrë vendime nga më absurdet, në kundërshtim me të gjitha rregullat e normat. Kështu, u shkarkuan kuadro të formuar profesionalisht duke vendosur në vend të tyre pilotë të dalë në lirim për mungesa në karakter, por besnikë e të vendosur për të zbatuar urdhrat që jepeshin nga lart, siç ishin emërimet në detyrën e shefit të shtabit në Rinas, Ritvan Myslisë dhe në Gjadër të Pjeter Bibës, kur pa asnjë motiv u shkarkua e u nxor në lirim Kolonel Shefqet Lata.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe çuarja në Regjimentin e Rinasit e Komandantit te BMA Gjadër, Kolonel Lulash Marku dhe piloti Banush Kazazi për të kryer detyra në jug, ndërkohë kur pilotët e këtij regjimenti kanë nivel më të lartë tekniko- profesional, veprim, i cili me të drejtë irritoi efektivat fluturues të Regjimentit Rinas.
Duhet thënë se autoritarizmi dhe politizimi i ushtrisë nga partia në pushtet kishte bërë që kuadrove kryesore t’u cenohej personaliteti e për rrjedhojë t’u zbehej ndjenja e kurajës, guximi për të bërë analiza ushtarako-politike për çdo urdhër të marrë dhe mbi bazën e aftësive profesionale të dilej në vendime analitike për zbatimin ose jo të tyre.
Krahas detyrave të vena për aviacionin luftarak, mjaft urdhra u dhanë për përdorimin e helikopterëve. Karakteri i detyrave të tyre ka qene për transportim trupash speciale e policore, për transport kuadrosh të larte, armatimi a materialesh ushtarake dhe për evakuim të plagosurish.
Prej fillimit të situatës së jashtëzakonshme e deri në ndalimin e veprimeve ushtarake, nga grupi i helikopterëve u kryen 25 misione, duke kryer 77 fluturime për kohën 37 orë.
Sasia e misioneve sipas karakterit ka qenë: 4 për transportim trupash speciale; 3 për transportim armësh e municioni; 6 për transport materialesh ushtarake; 4 për transport kuadrosh të lartë; 5 për transportim të burgosurish dhe 1 për transport të plagosurish. Ashtu si për aviacionin reaktiv edhe për atë helikopter urdhrat janë transmetuar gojarisht nëpërmjet telefonit e radios, nga të cilët 10 nga ish Ministri i Mbrojtjes e Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe 15 nga drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Brendshme.
Fshehja e qëllimit të detyrave nga kuadrot e lartë të Ministrisë së Brendshme dhe atyre të Mbrojtjes duket në faktin që nga 25 urdhra të transmetuar për përdorimin e helikopterëve, vetëm 5 prej tyre i janë dhënë direkt Komandës së FMA-së, çka tregon gjithashtu se besimi në zbatimin e urdhrave kishte filluar jo vetëm të lëkundej nga zvarritjet e tyre, por sepse në momente kritike dilte hapur kundërshtia edhe pse presioni e kërcënimi bëheshin prezent ndaj kuadrove drejtues. I tillë ishte edhe qëndrimi që mbajti ish Gjeneral Ylli Dimraj ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes Zhulali për bombardimin e Urës së Mifolit, duke u kërcënuar me “Gjyq ushtarak” e “Pushkatim”, për moszbatim urdhri në gjendje të jashtëzakonshme, ndonëse reagimi i të parit duhet të ishte me i vendosur dhe kategorik.
Praktikat e ndjekura nga komandanti i grupit të helikopterëve Kolonel Servet Kaçi nuk kanë qenë të rregullta për të patur një dokumentacion të saktë dhe për marrjen e vendimeve të drejta.
Nuk janë respektuar si duhet kërkesat e rregulloreve për zbatimin e masave të sigurimit teknik, duke kryer fluturime pa patur parasysh kushtet meteorologjike, kohën e gjatë pa fluturuar natën nga ekuipazhet, si dhe pa siguruar vendet e uljes së helikopterëve.
Mosrespektimi i këtyre kërkesave ka rrezikuar në disa raste jetën e ekipazheve, duke arritur deri atje sa të plagosej rëndë piloti Veli Perleka dhe të shkatërrohej helikopteri.
Vënia në dispozicion të Ministrisë së Brendshme e grupit të helikopterëve, jo vetëm që binte ndesh me sistemin e komandimit ushtarak, por u krijoi mundësi njerëzve të inkriminuar t’i përdornin ata për qëllime te mbrapshta, siç ishte detyra e vënë për hedhjen e bombave nga helikopteri mbi urën e Rrogozhinës, apo dërgimi i tre helikopterëve me armatim e municion në Progonat “për armatosjen e simpatizantëve të partisë në pushtet.
Emërimi i disa kuadrove kryesore me vlerësime partiake si ish Shefi i Shtabit të repartit, N/kolonel Ndoc Selimi si dhe lejimi i një grupi kuadrosh që të shkelnin hapur ligjin e departizimit, çuan deri atje sa që në situatën më të vështirë që po kalonte vendi dhe ushtria, pasi favorizuan kushtet për shkatërrimin e repartit, u larguan me helikopterë në Itali, duke marrë me vete edhe familjet e tyre. U larguan gjithsej 10 pilotë, 7 teknikë e specialistë, 1 oficer trupe, 2 n/oficerë dhe 2 punonjës civilë.
Nëqoftëse largimi i dy pilotëve të Regjimentit të Rinasit Adrian Elezi dhe Agron Dajçi ishte protesta e hapur e publike kundër urdhrave të dhënë nga udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes kundër popullit të jugut, akt i cili u përkrah nga të gjithë, largimi i efektivit të helikopterëve ishte dezertim, pasi ai lidhej vetëm me frikën e ndryshimeve që pësoi situata.
Krahas protestës së vazhdueshme të bërë nga efektivat e aviacionit në këtë situatë, për karakterin e detyrave të ngarkuara, e cila u konkretizua me kundërshtimin e hapur dhe mosrealizimin e disa prej detyrave, efektivi fluturues tregoi akte guximi, kuraje, përgatitje të lartë tekniko-profesionale, maturi e pjekuri, për të mos realizuar ato pjesë të urdhrave që ishin me pasoja të rënda për jetën e banorëve të jugut.
Qysh në fillim të muajit mars, me evoluimin e mëtejshëm të revoltës, disa reparte u sulmuan nga grupe njerëzish, duke rrëmbyer armatim-municionin e materiale ushtarake. Më tej kjo valë sulmi e shkatërrimi u shtri gradualisht në të gjitha njësitë e repartet e FMA-së, duke paralizuar kështu funksionimin e disa shtabeve dhe largimin masiv të efektivit kuadër a ushtarë.
Goditjet kryesore në radhë të parë u drejtuan kundër depove të armatimit e të municioneve, mjeteve të zbulimit radiolokativ, të komunikimit, të Fluturimit, raketave etj, dhe së dyti kundër depove të ushqimit, veshmbathjes, kazermimit e mjeteve të transportit dhe gjithë dokumentacionit e praktikave zyrtare.
Veprimet e komandantëve Kolonel Lulash Marku, Petrit Liçaj, Kreshnik Lushaj, Agim Matraku, Pëllumb Gjondeda etj., e të shtabeve të njësive e reparteve të FMA të gjendur përballë kësaj situate shfaqën ndjenja pasigurie, stresi moralo-psikologjik, mpirje në organizimin e drejtimin e efektivave për ruajtjen dhe mbrojtjen e venddislokimit të tyre. Urdhrat, fonogramet dhe udhëzimet e ardhura nga lart në këto momente kanë qenë thjesht veprime administrative, të cilat nuk përputheshin me gjendjen reale poshtë, me mundësitë e çdo njësie e reparti për të përballuar dyndjet e turmave pa mbështetjen e mjaftueshme ligjore dhe vënie detyre konkrete mbi mënyrën e shmangies së këtyre turmave. Nga Shtabi i Përgjithshëm nuk u dha asnjë informacion mbi zhvillimin e ngjarjeve. Çdo informacion që mësohej kishte të bënte vetëm me rrugët private, kryesisht nëpërmjet thithjes se këtij informacioni nga mediat e huaja. Si i tillë edhe informacioni FMA—njësi ishte pothuaj i pamjaftueshëm. Me urdhër absurd direkt të Komandantit të Operacionit Gjeneral Gazidedes, komandanti i Brigadës së AKA-së Kolonel Kreshnik Lushaj dhe një sasi e konsiderueshme ushtarësh të saj u larguan nga detyrat dhe misioni i njësisë duke u çuar në jug, pa patur asnjë shqetësim për brigadën e ngelur në mëshirën e fatit.
I njëjti veprim u krye nga ish-Ministri i Mbrojtjes me Komandantin e BMA Gjadër Kolonel Lulash Markun, i cili për të plotësuar detyra më të “besueshme” për udhëheqjen në interes të operacionit, u largua nga njësia së bashku me pilotin Banush Kazazi për të kryer detyra nga Regjimenti i Rinasit. Të heqësh komandantët nga njësia e tyre dhe t’i përdorësh ata thjesht si mekanizma goditje kundër popullit,do të thotë se logjika e pushtetarëve të asaj kohe, Safet Zhulalit, Bashkim Gazidedes, Sali Berishës ishte zhytur thellë në llumin e krimit e shkatërrimit të popullit dhe ushtrisë.
Mos ruajtja dhe mbrojtja e garnizoneve shkaktoi dëme kolosale dhe për pak ditë paralizoi jetën dhe aktivitetin e njësive dhe reparteve. Vetëm shtabi i FMA, Qendra e Kontroll-Komandimit dhe VKO nuk e ndërprenë aktivitetin e tyre, pavarësisht nga dëmtimet e pësuara në elementët e drejtimit e të komandimit.
(Vijon numrin e ardhshëm)
DITA