ESE
“SHEBENIKU”, ME PENË DHE ME PUSHKË PËR KOSOVËN (SHQIPËRINË!)
Nga Rruestem GECI
Ese, për Monografinë e shkrimtarit, Dashamir Alliut, „Shebeniku“ ME PENË DHE PUSHKË PËR KOSOVËN Shqipëria s´mund të jetë e lirë, përderisa trojet e saj; në Iliridë, Preshevë, Bujanoc, Çamëri dhe Krahinë e Mollës së Kuqe, të jenë të pushtuara, dhe vëllezërit tanë atje të dënohen, të burgosën, ekzekutohen, dhe të poshtërohen nga pushtuesi serb, sllavo- maqedon, dhe grek.
Nuk ka rehati, dhe as nuk do ketë rehati në Ballkanin Perëndimor, pa bashkimin e trojeve shqiptare, dhe pa të drejta ndërkombëtarisht të njohura të shqiptarëve. Zullumi këputet prej s´trashi, thotë populli. Pushka e Kosovës, e Adem Jasharit, është kushtrim i përhershëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Jetën s´mund ta bëjmë më të mire, më thotë Dashamiri, pa i bashkuar tokat tona. Patrioti, shkrimtari dhe gazetari Dashamir Alliu u lindi me 6 gusht, 1974 në fshatin Hotilisht të Librazhdit. Dashamiri, shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në Hotilisht, ndërsa shkollën e mallit dhe të mërgimit në Greqi. Familja Alliu në Hotilisht shquhet për shqiptarizëm dhe atdhetari. Kush s´ka vuajtur në këtë Shqipëri më thotë Dashamiri. Mërgimi im në Greqi ishte një sprovë vuajtjeje e pashembullt. Zemra e prushëzuar e patriotit dhe shkrimtarit Alliu, po ia djegëte kraharorin së brendshmi. Ah, me ç´prush dhe tym m´u ka mbushë kraharori. Dashamir Alliu, si shumë mërgimtarë shqiptarë, me të dëgjuar thirrjen e Kosovës, se „Atdheu është në rrezik“, Ai, posi një patriot i vërtetë, lë bukën e hidhur të mërgimit, dhe i bashkohet UÇK-së. Në UÇK-ë, Dashamirin e sistemojnë me kryengritësit e Llapit. Shqipëria është dashuria ime, i thoshte bashkëluftëtarit të tij, pa Shqipëri jeta ime s´ka kuptim. Ore, Shqipëri është e gjithë Kosova, Shqipëri është gjithandej Iliridës. Shqipëri është dhe Çamëria. Shqiptarët në Kosovë janë popull i parë i bimur në këto troje. Nuk ka popull më të parë se shqiptarët në Kosovë.
Unë jam njëgjakësh me çdo shqiptar të Kosovës, Iliridës, Preshevës, Bujanocit, Ulqinit dhe me shqiptarët e Mollës së Kuqe! Shqipëria natyrale, më thotë Dashamiri, nuk ka zëvendësim. Shumë gjak është derdhur me fqinjët për të mbijetuar në këto troje. Nuk ka gurë toke, që nuk e ka një varr aty pranë. Jeta pa liri dhe sovranitet shtetëror, shprehej gjyshi im, Zyber Alliu, nuk të lë të ecësh përpara. Monografitë janë librat e kujtesës, libra që kohën dhe as historinë s´e lënë të gënjejnë.
Monografia e shkrimtarit, Dashamir Alliu, „Shebeniku“, është një dramë e kujtesës historike të vendlindjes së tij. Dramën e të qënit i varfër dhe kryengritës, e cila brenda vetes fshehë vuajtje dhe dhimbje të mprehta. Në një cast, tek bisedoja nga Lufta e Kosovës, me prindërit e mi, mëmës i thashë; Ajo më pyeti, kur do kthehesh? Unë ju përgjigja; Mëmë, unë do kthehem me lirinë e Kosovës! Mëma ime u përmallua shumë nga gëzimi dhe emocioni, dhe ia plasi vajit. Ndërsa, fjala e saj qe: djali im, të paqa sa malet! Ai urim nëne ishte një kushtrim në kraharorin tim.
Në Monografinë „Shebenniku“, të shkrimtarit Dashamir Alliut, figurë qëndrore e librit dhe e ngjarjeve të popullit në Hotilisht, është gjyshi i shkrimtarit, Zyber Alliu, një hero i dy epokave. Kalimi nga një regjim në një regjim tjetër, ku ujk dhe ari qenë pushteti zogist, e, mëpastaj, ai “komunist”. Dramat e jetës na goditën me pafund. Grepi i së keqes nuk e kurseu as vendlindjen time, Hotilishtin. Rrustë, zemra ma do Kosovën. Dashurinë për Kosovën e kam dhuratë nga edukata familjare.
Në Monografinë “Shebeniku“, shkrimtari Dashamir Alliu, me guxim dhe dashuri prej atdhetari, ndiçon gjenealogjinë e familjes, prejardhjen e të afërmve dhe të miqve, marrëdhëniet, kundërthëniet, dramat e padukshme dhe pusitë. Dashamiri, në Monografinë „Shebeniku“, (një emërtim, sipas malit të fshatit), në libër na e zbulon jetën e shqiptarëve të Hotiolishtit, prej vitit 1888 e deri në ditët e sotme. Vuajtjet e njerëzve askund nuk janë të njëjta. Lufta me serbin, lufta me sllavët maqedon, lufta me gjermanin dhe italianin, dhe më në fund, lufta me regjimin “komunist”, ishte vuajtja dhe përgjakja e qytetarëve të Hotilishtit, dhe të fshatrave përreth.
Dashamir Alliu, pas mbarimit të shërbimit ushtarak, në vitin 1995, emigron në Greqi (Selanik), deri në Tetor të vitit 1998. Thirrjes shqiptare të Kosovës „Atdheu në Rrezik“, Dashamiri e lë kurbetin dhe vjen e rreshtohet vullnetarisht në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën e Llapit. Pas mbarimit të luftës së Kosovës, krahas aktivitetit ekonomik, Dashamir Alliu merret edhe me publicistikë, opinione-analiza dhe me kolumne, kryesisht, kombëtare. Dashamiri ka botuar dy libra, 1. „Shebeniku“ dhe 2. „Monografinë për Betejën e Tabeve të Llapashticës, Besjanës, zhvilluar në datat 21-27 Dhjetor 1998-të“ dhe libri i tretë, pritet të dali nga botimi në fillim të vitit 2016, me titull, „Ndjekje dhe persekutime“.
Në mbyllje të esesë mund të themi se, në Monografinë „Shebeniku“, gërshetohet e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja që do të vie. Autori, ka arritur ta shpalosë një histori të pashkruar nga kronikanët dhe historianët. Ky libër i kujtesës historike brenda vetes ka shumë porosi për kohën që po e jetojmë. Prandaj, Shkrimtarit, Dashamir Alliut, që, aktualisht, punon, krijon dhe jeton në Prishtinë, i urojmë sukses, dhe krijimtari të mbarë!
Dortmund, 2015