SFIDA E KRIMINELËVE TË PANDËSHKUAR

HISTORI

 

SFIDA E KRIMINELËVE TË PANDËSHKUAR

Prof. Xhelal GJEÇOVI

 

Para pak ditësh mora vesh se një i ashtuquajtur avokat me emrin Kujtim a Shpëtim Cakrani, paska hedhur në gjyq Dr. Asqeri Llanaj në gjykatën e Vlorës. Me sa mora vesh të dy janë nga i njëjti fshat, nga Cakrani i Mallakastrës. Arsyeja e hapjes së këtij gjyqi është kjo: Llanaj e quajti Kadri Cakranin një kriminel ndërsa tregoi historinë e një prej krimeve më të rënda të Luftës II Botërore në Shqipëri, si i çoi Kadri Cakrani drejt vdekjes në kampin Zemun të Beogradit 30 mallakastriotë, shumicën nga fshati i tij, eshtrat e të cilëve nuk u gjendën kurrë.

Pse e quani xhaxhain tim kriminel, thërret nipi i Kadri Cakranit sot e gjithë ditën dhe kërkon ndëshkimin e Llanajt. Nuk e dimë se si do të shkojë gjyqi në fjalë e cili do të jetë përfundimi i tij, por unë dua të theksoj atë që duket qartazi: Kjo është sfida që na bëjnë kriminelët si të kohës së Luftës dhe më pas, deri vitet e fundit…

Është një sfidë e turpshme dhe e papranueshme nga do që ta shikosh.

Dy nga ngjarjet më të renda e më të zeza në historinë e Shqipërisë të 77 vjetëve të fundit, kanë ndodhur pikërisht në zemër të dimrit dhe në zemër të Tiranës. Një koincidencë e një paralele historike që flet shumë. Njëra prej tyre, 4 Shkurti i vitit 1944 na kujton masakrën më të rëndë e më tronditëse që përjetoi Tirana dhe vendi në kulmin e operacionit armik të dimrit 1943-44, një akt i pastër terrorist, për nga mënyra mafioze e organizimit, nga egërsia e shfaqur gjatë zbatimit e më në fund nga pasojat e tmerrshme që solli.

Përfundimi: 84 qytetarë të Tiranës të ekzekutuar në mënyrën me makabre, ndër ta dhe dy italianë e një izraelit, si dhe 500 të tjerë të arrestuar e të masakruar në burgjet e në kampet shfarosëse të ngritura nga gjermanët,shumica e të cilëve nuk u kthyen më, duke iu bashkuar bashkëqytetarëve të tyre të masakruar këtu, më 4 e 28 shkurt.

Rreth 70 vjet më vonë, më 21 janar 2011, rrugët e Tiranës u përgjakën sërish. U vranë katër qytetarë të pa fajshëm  dhe u gjakosen e plagosen dhjetëra të tjerë, nga pinjollët e atyre që kryen masakrën e 4 shkurtit, nga ata që si të tërbuar do t`i vërsuleshin reformës në drejtësi, qe ne hapat e para, qe ta hidhnin në erë, duke menduar se kështu do t`i shpëtonin ndëshkimit.

Një orvatje e tillë mund të konsiderohet dhe emisioni i dhenë, para pak ditësh, në “opinion”, ku i ftuar ishte  Ndrea Prendi, ish drejtues i Gardës, që qëlloi ndaj demonstruesve paqësorë me 21 janar, e për këtë arsye pa frikë mund ta renditësh në një radhë me terrroristët e 4 shkurtit ‘44, për rolin në një ngjarje të ngjashme me të, bashkë me L. Bashën, ish ministër të brendshëm, si Xhafer Deva kur u përgatit 4 shkurti. Ishte Basha me aktin e kryer sapo erdhi, me vota te dyshimta, në krye të Bashkisë së Tiranës, për t’i hequr emrin  “Rruga 4 shkurti”, një rruge me histori të vecantë të kryeqytetit. Pavarësisht kësaj, duke vijuar me emisionin për Prendin, fillimisht mendova se sidoqoftë, pas dhjetë vjetësh do të shihja një njeri që do të kishte reflektuar dhe, i penduar do të gjente forca që të dënonte ngjarjen dhe të kërkonte falje, siç e kane zakon burrat e asaj ane nga është. Por u zhgënjeva. Pashë në këtë rast një njeri të tjetërsuar, që ishte larguar përfundimisht nga tradita, për t`u shndërruar në një vegël qorre e pushtetit. Dhe ashtu, i trembur, i frikësuar e në panik, linte të kuptohej se kishte shkuar në emision i urdhëruar, po nga ata që e kishin urdhëruar të qëllonte më 21 janar, por tani me mision që të hedhë poshtë, të përmbysë e të mohojë çdo gjë, sipas skenarit të përpunuar nga Klani, në frymën që i ka mëkuar e ua ka futur në gjak Saliu. Kjo është sfida e turpshme që na bëjnë kriminelët e pa ndëshkuar që na dalin edhe në ekrane e kërkojnë të rivijnë në pushtet. Këta mjeranë, ende s’e kanë kuptuar, se jo një dhjetëvjeçar, por edhe disa të tille nuk do të arrijnë të rrëzojnë e të ndryshojnë opinionet dhe të vërtetën mbi ngjarjen, që qytetarët e Tiranës e të  mbarë vendit panë me sytë e tyre, e aq më pak të fashitin apo të shuajnë ndjenjat e urrejtjes së popullit, që pret që çështja të rihapet dhe të behet drejtësia, jo si shpagim, por për të kuptuar e besuar se koha e pandëshkueshmërisë, ka marre fund. Marifetet që u përdorën ditën që ndodhi ngjarja, për ta mbuluar e për ta devijuar nga e vërteta dhe gënjeshtrat që përcolli kësaj here Prendi nuk pinë më ujë.

***

Për këtë shërben për analogji dhe rasti i ngjashëm i 4 shkurtit, që edhe sot pas 77 vjetëve interesimi për të është ende në kuota të larta, si atëherë kur ndodhi ngjarja. Dhe të interesuara, janë për të më së pari gjeneratat e reja, qe s`e kanë jetuar periudhën e okupacionit dhe nuk e imagjinojnë dot se si, një masakër e tillë ndaj popullit mund të kryhej nga ata që e mbanin veten si patriotë, madje dhe baballarë të kombit.

Autorët e masakrës së 4 shkurtit si Kadri Cakrani me të tjerë i shpëtuan ndëshkimit sepse ia mbathën bashkë me pushtuesit jashtë atdheut. Por emërtimin kriminel ata e morën përjetësisht dhe të tillë do të konsiderohen në breza. Ndërsa autorët e masakrës së 21 janarit janë në mes të Tiranës e livadhisin të pandëshkuar. Ata janë Sali Berisha, Lulzim Basha, Ndrea Prendi e të tjerë. Për shkak të një drejtësie të kapur politikisht nga regjimi i Berishës, ata vazhdojnë të jenë të pandëshkuar, pavarësisht se një popull i tërë i tregon me gisht si kriminelë, njëlloj si Kadri Cakranin, Xhaferr Devën e të tjerë të sojit të tyre të kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Atëherë përse e në ç’rrethana u organizua masakra e 4 shkurtit? Kush ishin organizatorët dhe ekzekutorët? Çfarë i detyroi të bënin këtë kasaphanë mbi popullin, që thonin se e donin e përgjëroheshin për të, e  çfarë synonin të arrinin përmes saj? Të gjitha këto pyetje, marrin përgjigje në dokumentet e kohës, që gjenden me bollëk në arkiva, të armikut e të forumeve të LANÇ-it të Tiranës, të pasqyruara në dhjetëra botime, si për asnjë ngjarje tjetër. Por, një burim i pa zëvendësueshëm për gjithçka ndodhi atë ditë janë pamjet e fiksuara në memorien e popullit,të përcjella të gjalla në dhjetëra e qindra rrëfime e tregime të qytetarëve te thjeshte të Tiranës, që panë me sytë e tyre egërsinë e forcave te xhandarmarisë, që komandohej nga Xhelal Staravecka, komandant i kësaj arme,të mbushur kryesisht me zogistë të Abaz Kupit; atyre u shtoheshin mercenarë nga Kosova, pjesëtarë të një force te verbër,te organizuar nga Xhafer Deva,si dhe ballistë të udhëhequr nga Kadri Cakrani, komandant i përgjithshëm i forcave të Ballit. Në ato momente, këta “trima” e “patriotë” kishin vetëm një preokupim e një qëllim, të zbatonin urdhrat e autoriteteve ushtarake te pushtimit, që në Tiranë të vendosej rregulli e qetësia, që kërkonin ata. Në këtë mënyrë mendohej se do të zbutnin zemërimin e do te fitonin besimin e tyre të lëkundur.

Aksioni që po ndërmerej nuk ishte një akt i veçuar. Ai inkuadrohej në masakrat që me urdhër të Hitlerit, nazistët kishin planizuar të organizonin dhe në vende të tjera të pushtuara, me qëllim qe të thyenin vullnetin e popujve, të paralizonin e te shuanin Lëvizjet e Rezistencës, siç ishte në Shqipëri Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar. Për këtë qëllim armiku kishte ndërmarrë, që në nëntor 43, operacionin e njohur të Dimrit, me të cilin synohej e shpresohej që të likuidohej Ushtria Nacionalçlirimtare dhe të shuhej e asgjësohej Qëndresa Shqiptare. Bindja e tyre bazohej, jo vetëm në epërsinë e pakrahasueshme në forca e mjete ushtarake, por dhe në vështirësitë e motit të pazakontë të atij viti, me të ftohtin, boren e ngricat, që mbulonin anë e kënd vendin, si dhe mundësitë e mjetet e pakta që disponoheshin për përballimin e tyre. Mirëpo, objektivat e planifikuara nuk po shiheshin e nuk po arriheshin. Ushtria dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare, jo vetëm nuk u asgjësuan e nuk u shuan, siç qe llogaritur, por nga operacioni duket se po dilnin më të fuqishëm se kurrë, të ripërtërirë e të fuqizuar në të gjitha aspektet e organizimit e te veprimit politik e ushtarak, çka paralajmëronte kohë më të vështira, një perspektivë të zymte e një dështim të shpejtë e të pashmangshëm të operacionit e të krejt aventurës gjermane në Shqipëri.

Komanda Gjermane shkaqet e dështimit i shihte, jo vetëm në qëndresën e reparteve partizane në ballafaqim me forcat naziste e kolaboracioniste, por dhe në gjallërimin e lëvizjes në qytete e mbi të gjitha në mbështetjen e fuqishme të popullit. Për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve,e për të ndalur rrokullisjen drejt greminës, ajo vendosi që, krahas intensifikimit të luftimeve kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në kuadër të operacionit në zhvillim, të bëhej njëherësh dhe goditja ndaj Lëvizjes në qytete dhe ajo të shoqërohej me terror e masakra ndaj popullsisë, që mbështeste luftën. Në këtë mënyrë, do të arrihej që te priteshin rrënjët që ushqejnë e mbajnë gjallë Lëvizjen Partizane. Shembulli i parë i këtij eksperimenti u vendos të bëhej Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë. Duke goditur Tiranën, armiku shpresonte të likujdonte njërën nga pikat më të forta të qëndresës shqiptare e kjo do te kishte ndikim dhe në qytetet e tjerë të vendit, që edhe ato të hiqnin dorë nga mbështetja për Lëvizjen Partizane.

 

Autorët e masakrës

Ngjarjen qe do te përjetojë Tirana,e paralajmëroje, pak ditë para se të ndodhe,vetë kreu i Ballit Mit’hat Fra -shëri,në një thirrje drejtuar udheheqësve te Nacionalclirimtares,sic e cilesonte ai Frontin Nacionalclirimtar ,në të cilën, ndër të tjera,thuhej: “Vëllezër,se akoma vëllezër ju quajmë,lërini armët dhe hiqni dorë nga lufta, se vendi sot ka nevojë për qetësi e për rregull, e jo për luftë. Gjermanët kanë ardhë  nga halli dhe janë përkohësisht këtu. Ejani të bisedojmë që të arrijmë këte qe po ju themi, se nuk kemi rrugë tjetër”.

Po përse vallë ishte i shqetësuar Mit’hat beu, përse  kërkonte që të ndalej medoemos lufta kundër okupatorit?Pergjigjen e jep oficeri i misionit anglez Xhulian Emeri, ne librin me kujtime “Bijt e Shqipes”, ku nder te tjera thekson se thirrja ishte një përpjekje e kreut të Ballit që t`u vijë në ndihmë gjermanëve, në situatën e vështirë që kalonin. Më tej populli do të mësojë se, në krye të shtabit për organizimin e masakrës, ishin miqtë dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Mit`hatit.

Në gjyqin e zhvilluar pas lufte ndaj zyrtarëve të lartë të regjimit kusling, pyetjes nëse Mit-hat Frashëri ishte apo jo dakord për goditjen e Tiranës, njeri nga ministrat e kabinetit Mitrovica,iu përgjigj se “pa Mit’hatin, pa miratimin e tij, asgjë nuk behej”. Pjesëmarrjen, sipas tij, ai e kish pranuar edhe vetë dhe për drejtimin e tij caktoi njërin ndër bashkëpuntorët më të afërt, Kadri Cakranin, komandantin e forcave te Ballit.

***

Komanda e Përgjithshme Gjermane, nga ana e saj kishte vendosur që aksioni të kryhej nga forcat nacionaliste, kurse repartet naziste do te qëndronin në gatishmëri, që po të lindte nevoja të hynin menjëherë në veprim, në mbështetje të tyre. Kësisoj, aksioni do të ishte një provë dhe për nacionalistët. Komanda gjermane ishte e pa kënaqur me ta, pasi deri tani ishin treguar të shthurur e të paaftë në përballjen me forcat komuniste. Aksioni synonte t`i nxjerrë nga plogështia, t`i trimërojë pak e t’i hedhë në luftime kundër forcave partizane. Nga ana tjetër, duke i konfrontuar me popullin e duke i komprometuar në një vepër të tillë mizore, siç ishte përgjakja e Tiranes, ata do të diskreditoheshin e urreheshin akoma më shumë në popull, e kjo do t’i detyrojë që të lidheshin më fortë me ne (pra me gjermanët). Për të justifikuar aksionin do të shërbejë një ngjarje e inskenuar enkas, nga organizatorët. Në pasditen e datës 3 shkurt, u arrestuan dhe u ekzekutuan në mes të rrugës katër qytetarë të Tiranës, që nuk kishin të bënin fare me atentatet, që gjasme,sipas informatave, do të kryheshin nga komunistët. Në fakt, sajesa të tilla, gjermanët i kishin në stilin e tyre. Vetëm një dekadë para 4 shkurtit 44, ata i vunë zjarrin Rajshtagut në Berlin, dhe këtë akt u përpoqën t’ua faturonin komunistëve e antifashistëve, me qëllim që të justifikonin valën e terrorit  dhe masakrave që do të ndërmernin ndaj tyre, në Gjermani e në vendet  e tjera, përfshi dhe ndaj izraelitëve.

Këtë lojë po bënin edhe tani. Sipas njoftimit të dhënë nga autoritetet ushtarake,“Në pasditen e 3 shkurtit, komunistët paskëshin planifikuar të kryenin atentate kundër Xhafer Devës, Kadri Cakranit dhe udhëheqësve të tjerë nacionaliste”. Kurse, Komanda e Korparmatës XXI, në raportin ditor, të datës 3 shkurt 44, shënonte se, në përgjigje të këtij zhvillimi “grupet nacionaliste kanë ndërmend të bëjnë sonte një kundëraksion”. Në raport u kërkohej trupave gjermane  që “të viheshin në gatishmëri, në pikat e tyre të përqendrimit, por të mos marrin pjesë në “konflikt”.

(Vijon numrin e ardhshëm)

DITA

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode