SEKRETI / RAMA PËRGATITET TË RRËMBEJË PROTESTËN. OPOZITA: NUK DO CAKTOJMË PËRFAQËSUES

HUAZUAR NGA GOJËT E LIGA

 

 

SEKRETI / RAMA PËRGATITET TË RRËMBEJË PROTESTËN. OPOZITA: NUK DO CAKTOJMË PËRFAQËSUES

 

 

TIRANË – Qetësia dhe dystllëku* që ka karakterizuar sjelljen e kryeministrit Edi Rama ditët e fundit, teksa opozita po përgatitet për protestën e 16 shkurtit, ka shtënë në merak eksponentët veteranë të Rilindjes, thonë burime sallakse për Gojët e Liga.

Por misteri u zbulua shpejt. U mësua se Rama e kishte gati planin: Do priste të tuboheshin protestuesit, të bërtisnin sa të ngjireshin dhe pastaj ai do të vihej në krye të protestës.

“Ju s’dini të protestoni, ju mësoj unë si protestohet kundër ksaj qeverie mizerabël,” do t’u thoshte kryeministri turmave.

Në vijim, ai do t’u përkëdhelte sedrën me pranimin e shumë gabimeve të qeverisë, por do kritikonte ashpër kërkesat minimale të protestuesve.

“Ju shumë mirë bëni që ngrini zërin, po keni kërkesa qesharake. Unë do bëj shumë më tepër sesa kërkoni ju. Madje do t’i tund dhëmbët kësaj mazhorance. Por me keqardhje, jeni shumë dobët në cilësinë e protestës. Më lini t’ju udhëheq unë,” do t’u ofrohej Rama, duke shtuar në stip reperi për të tërhequr rininë, “let me show you how it’s done, bitches!”

E vetmja lutje që do të ketë Rama ndaj turmës, do jetë caktimi i një delegacioni, a një kryesie të protestës, që të negocionin me kryeministrin, dhe pastaj e dinte ai si bisedonte me një grup prej 6-8 vetësh.

Mirëpo siç mësojnë Gojët e Liga, opozita i ka rënë në erë këtij skenari. Përfaqësues të forcave opozitare që nuk duan të prononcohen me emër dhe as të shfaqen me figurë, deklarojnë se protesta e tyre do të jetë pa udhëheqje.

“Ne nuk caktojmë kryesi dhe as komitet drejtues. Do protestojmë të gjithë së bashku, anonimisht,” deklaroi për Gojët e Liga një eksponent kyç i opozitës, që pranoi vetëm të identifikohej me pseudonimin “Tulipani”. Sipas Tulipanit, ekziston droja se në takime private, Rama shfaq talente tejet manipulative dhe bën për vete bashkëbiseduesin.

“E mbaj mend si sot, se i ka ndodhur njërit prej nesh, nuk dua t’ja them emrin,” u prononcua Tuli, “sa u ul dhe bëri një dorë muhabet me Ramën, doli nga takimi i bindur se Partia Socialiste është zgjidhja më e mirë për Partinë Demokratike.”

“Kurrë më!” bërtiti befas Tulipani dhe u largua me vrap për të fshehur lotët.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike anti-negociatë. *Dystllëk – gjendje psikologjike e njohur shkencërisht ndryshe si “e mo ç’i q…t…, pas meje u bëftë qameti”.

 

Edi Rama duke rrembyer nje tjeter proteste demokratesh

DITA

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode