’SALI BERISHA ËSHTË NJË ... GËNJESHTËR!’

’SALI BERISHA ËSHTË NJË ... GËNJESHTËR!’

 

 

  MERO BAZE, Analist

INTERVISTE ME MERO BAZEN - Baze e thotë hapur se ish-miku i tij Sali Berisha është për të, tashmë, një gënjeshtër e madhe. Në këtë intervistë me gazetarin Mustafa Nano, Baze flet për librin e sapohedhur në treg "Viti '97", pjesë nga i cili janë botuar para dhe pas hedhjes në treg nga "Shekulli"


Mero, ç'po më dëgjojnë veshët? Do dilni prapë me Temën?
Nesër shpresoj të jemi në treg.

E njëjta gazetë? Me të njëjtin format?
Po, e njëjta gazetë, i njëjti titull, i njëjti ekip.

Dikush që kish lexuar librin tuaj, që sapo ka dalë, mbi vitin 1997 më tha: Sa mirë që ia prishën gazetën Meros, pasi u shtrua të bëjë një libër të fortë.
Është mirë, kur tek çdo e keqe shikon një të mirë, por kjo nuk është arsyeja pse unë e shkruajta atë libër.

Në libër thoni se nuk ju është dashur shumë kohë për ta shkruar.
Ai ishte një libër, të cilin e kisha shkruar pak nga pak; muajt e fundit thjesht u ula, dhe e hodha në letër.

Sa kohë ju është dashur saktësisht?
Brenda muajit qershor e kam shkruar dhe sistemuar të tërin. Unë kur ulem të shkruaj, rri gjatë. Kam punuar deri më 2 të natës, dhe pa ndërprerje, për shkak të nevojës për t'i krijuar vetes atmosferën e librit

Doni të nënvizoni faktin, që libri ka atmosferën e territ, të natës?
Të tilla ishin ato kohë përpjekjet e shumicës për të eksportuar krizën elektorale në krizë të opozitës, apo përpjekjet për të bllokuar median, zërat kritikë, dhe për të futur sërish vendin në spiralen e raporteve negative me perëndimin

Po si ju lindi ideja për ta bërë këtë libër? Mund ta kishit bërë më parë, mund ta linit edhe për më vonë. Apo jo?
E kam menduar prej kohësh. Një pjesë të tij e kam shkruar në vitin 2000. E kam fjalën për pjesën e parë, ku flitet për raportet Meta-Berisha. Bile, disa pjesë i kam botuar në gazetën Tema në vitin 2001, por kanë kaluar pa vëmendje. Ndërsa vendimin për të bërë një libër të plotë për krizën e vitit '96 -'97, natyrisht, e mora këtë pranverë, kur në të vërtetë po shikoja se shumë nga simptomat e asaj krize po rishfaqeshin.

Dy "personazhet negativë" të librit janë Berisha e Meta. Nuk keni frikë se do ta marrin për një mesazh të kërkuar, si një tendencë tuajën në kontekstin e sotëm politik?
Nuk janë vetëm ata të dy negativë. Vende-vende jam dhe unë, dhe kolegë të mij.

Do kthehem tek "ju dhe kolegët" ..., por le të ndalemi dhe tek një "personazh i madh negativ", fjala vjen, tek Genc Pollo, i cili zë shumë vend në libër. Ç'është ky personazh?
Një "identitet" interesant i pluralizmit, një grim i fasadës së pagdhendur të Berishës, i cili nuk është se ia ka dalë ta trukojë plotësisht atë.

Ka dhe të tjerë si Pollo....
Jo, nuk besoj se ka shumë si ai. Por pakica nuk është gjithmonë e artë, dhe as gjithmonë e keqe. Thjesht është. Pollo ka imituar në karrierën e tij politike Berishën me të mirat dhe të këqijat. Ka imituar atë që Berisha u ka bërë kundërshtarëve në parti dhe kundërshtarëve politikë përballë. Dhe në fund janë prapë bashkë.

E di, Mero? Gjatë kohës që lexoja librin nuk më shqitej asosacjoni, se po lexoja ngjarjet që ndodhin në një fshat të çmendur. Po të ish për mua, do ta titulloja librin "Fshati i çmendur në një vit të cmendur".
Në të vërtetë, kur historia e një vendi ngushtohet tek aq pak njerëz, tek aq pak personazhe, tek aq pak aktorë publikë, për shkak të reduktimit të lirive dhe shanseve, i je afruar realisht kufijve të çmendurisë. Dhe kur kjo ndodh në një krizë aq të fortë sa kriza që kaluam në atë vit, duhen shumë aktorë dhe përvojë demokracie që të bëjnë të mundur kalimin e krizës pa trauma. Kriza e vitit '97 ishte në thelb një krizë e demokracisë në Shqipëri. U degraduan, jo vetëm standardet e demokracisë, por dhe personalitetet e njerëzve, dhe fatet e tyre fizike dhe politike

Është e ndryshme Shqipëria e sotme? Mua më duket, shpesh e në shumë drejtime, e njëjtë me atë "fshatin e çmendur". Apo është një paranojë e imja?
Për fat të keq aktorët janë të njëjtë, por Shqipëria ka ndryshuar. Ka më pak liri për të bërë çmendurira si në vitin 1997. Për fatin tonë të mirë tani nuk jemi vetëm ne që vuajmë disa mungesa lirie për të qënë qytetarë dinjitozë, por dhe Berisha, Meta, Rama, Nano, etj, vuajnë lirinë për të bërë atë që kanë bërë në vitin 1997.

Jeni i sigurtë që nuk e kanë lirinë për të bërë dëme? Unë vetë nuk jam aq i sigurtë
Kemi disa institucione më shumë, kemi një institucion presidenti, disa gjykata dhe institucione të tjera drejtësie që janë një hap para. Sipas meje, nuk e kanë atë liri që kanë pasur, por e frikshme është se po punojnë shumë, dhe po arrijnë suksese, për ta ripasur atë liri. Ky do ishte fundi

Keni përfundimisht një ide të qartë mbi Berishën? Dua të them se e dini mirë më në fund, se kush është, se ç'motivacione ka, se ç'qëllime?
Sali Berisha është një gënjeshtër.

Dua që të jeni pak më konkret. Unë vetë, në instancë të fundit, e kam parë si një njeri të marrosur pas pushtetit. Mirëpo ju në libër bëni ndonjë aluzion, sipas të cilit ai del dhe njeri që punon për kauza të tjera.
Po, ai çdo gjë e ka në funksion të pushtetit. Ajo është dashuria e vetme; dhe pasioni i vetëm i tij. Edhe kur bën luftë apo paqe me perëndimin, me fqinjët, me muxhahedinët, me familjen e tij, me miqtë dhe fëmijët e vet, ai ka parasysh pushtetin. Ndaj them që më ngjan me një Gënjeshtër të Madhe

Ka patur ndonjë moment të caktuar, në të cilin ju ka lindur dyshimi i parë serioz mbi të? Apo dyshimi mbi të ju është krijuar e rritur ngadalë-ngadalë?
Ka shumë momente të raporteve të mija personale të mbushura me dyshime. Por tek unë ka ekzistuar një indoktrinim sa i përket idesë së pamundësisë që ai ka pasur për të bërë diçka në politikë. Kisha idenë pra, se atë nuk e lanë të tregonte se ç'qe i zoti të bënte në politikë. Rikthimi i tij në pushtet qe zhgënjimi i madh, dhe fundi i iluzioneve


E keni menduar ndonjëherë, se çfarë mund të mendojë Berisha për ju sot?
Jo, se nuk rroj për të.

Po mirë, po jua bëj unë si pyetje: çfarë mendon ai për ju sot?
Besoj, se mendon thjesht për të më hequr qafe nga skena mediatike, dhe për të më mbyllur gojën. Nuk besoj se ka ndonjë zhgënjim apo diçka të ngjashme, pasi shihet qartë se nuk është njeri që i ka mbetur ndonjë mik në jetë. Nuk ka trajtuar askënd si të tillë.

Ju vetë e keni parë si mik ndonjëherë?
Po. Dhe nuk jam i penduar pasi, nëse nuk do ta shikoja si mik, nuk do kisha asnjë arsye të isha me të. Interesant në këtë raport është gruaja e tij.

Gruaja? Liria? Pse?
Ajo duket se ia njeh mirë mungesën e sensit për miqtë, dhe në momente të vështira të jetës së tij politike, përpiqej t'i forconte idenë, se unë isha një mik, bile një mik i vetëm i tyre. Gruaja e tij është njeriu që ka më shumë se kushdo tjetër ndikim mbi të. ka një pushtet të padukshëm për publikun, por shumë kapilar. Pas vitit 2005 ka dhe frenat e pushtetit, dhe kontrollon si me magji gjithë satelitët rreth pushtetit të tij. Është paksa tribale, bazohet tek fisi dhe familja, dhe nuk i beson askujt

Duket sikur po i jepni një rol më të madh, se sa e ka në të vërtetë..
Aspak. Praktikisht, ajo është Ministrja e Shëndetësisë prej 5 vitesh, ka një veprimtari të frikshme korruptive sa i përket fondacionit që drejton, ku grumbullon miliona, dhe s'i jep llogari askujt. Ka filluar të spekullojë me një sëmundje të dhimbshme e shumë të përhapur tek fëmijët, siç është autizmi, ku një seancë këshillimi kushton 30 mijë lekë, dhe ndalon me dorë të hekurt cdo iniciativë paralele në këtë drejtim. Është nyja e panjohur e pushtetit të frikshëm të Berishës

Në fakt, nga jashtë nuk duket se është kështu. Ajo edhe sikur s'ta mbush mendjen, ngaqë duket një gjë e urtë, e ndrojtur, e bindur, e thyeshme, e komandueshme ...
Ky është kujdesi që ajo bën për të fshehur pushtetin. Por ajo është e padrejtë dhe në ndarjen e pushtetit brenda familjes. Nëse i hedh një sy, e shikon se dhe brenda familjes së tyre, njerëzit e fisit të gruas janë njerëzit në pushtet, ndërsa njerëzit e Berishës janë pak dhe thuajse rrugëve. Frenat e biznesit, kapitalet bankare, televizionet, shendetësinë, real estate, etj, i ka ajo. Berisha ka dy nipa në punë të rëndomta, që vuajnë pasojat e të qenit nipa të tij. Ajo dhe vajzën e kushëririt të 5-të e ka drejtoreshë. Unë, që e njoh nga afër, kam dhjetëra detaje që tregojnë se ajo kështu ka qënë gjithmonë, edhe kur Berisha ishte në opozitë

Kjo që po thoni duhet të jetë një gjë e re për publikun.
Por është një gjë e prekshme dhe e verifikueshme shumë lehtë. Ju jeni një nga gazetarët e parë, ndoshta i vetmi, që e keni kapur me intuitë falsitetin e saj. Keni shkruar para ca kohësh një shkrim për të. Mos gaboj keni shkruar një shkrim me titull "Pushoni, po flet Nexhmije Berisha".

Po, më kujtohet. Është një shkrim që e kam bërë pas Gërdecit. Ishte momenti kur ajo shkoi në një familje të lënduar (me viktima) nga tragjedia, dhe u tha "Saliu dhe unë vetëm tek ju e kemi mendjen". M'u duk frikshmërisht shtinjake.
Po, tamam. Një herë foli, dhe tregoi dhëmbët, hipokrizinë, dhe prirjen për të pasur pushtet. Duket larg pushtetit, ngaqë rri larg media-s. Por herë pas here e tradhton veten. Shikoni poshtërimin që i bën kunatit të vrarë, shikoni deklaratat e kundërta me ato të motrës së saj. Asnjë femër në botë s'mund të shkelë mbi motrën për hir të pushtetit, ashtu si ajo. Vetëm pushteti i saj e ka bërë Berishën të shtiret sikur nuk e ka njohur baxhanakun e tij. Vetëm pushteti i një gruaje mund të trasformojë kështu një njeri.

Dhe një gjë të fundit për të shoqin e saj. Si e mendoni ikjen e tij nga politika? Me probleme për të? Me probleme për vendin? Me probleme për PD? Apo një ikje normale?
Tek dikush që s'ka pasur asgjë normale në jetë, s'mund të jetë normale ikja. Besoj se do ikë me probleme për vendin. Sa për PD-në, ajo tani nuk është më problem i shqiptarëve, por problem i Berishës që ikën bashkë me të.

Para se të fillonim këtë chat së bashku, po lexoja një lajm nga jeta politike italiane. Bersani, shefi i së majtës, ka thënë sot, që "mos e mendoni të kollajtë ikjen e Berlusconi-t; do bëjë dëme ai para se të ikë". Nga kjo ngjarje mora shkak që ju pyeta. Kur e thonë për Berlusconin në Itali, ku ka një qerre me institucione të forta e të pavarura e një ushtri të madhe me opozitë e me shoqëri civile, përfytyroni se ç'duhet të themi ne për Berlusconi-n tonë!
Nuk duhet të kemi frikë të pranojmë, se do kemi probleme nga ikja e tij. Por është një betejë që duhet ta përballojmë.

Do ikë shpejt? Apo pas 36 vitesh? Më duket, se kaq, 36 vjet, e ka parashikuar mandatin e dytë si me të qeshur.....
Nuk do ikë aq shpejt sa duam ne, por nuk do jetë aq gjatë sa do ai.

I keni thënë të gjitha në libër? Ka gjëra të tjera pa thënë?
Për ato vite, po. Dhe për Berishën e atyre viteve. Tani do të filloj punën për një libër shterues për të, për rikthimin në pushtet, dhe përsëritjen e historisë. Ndoshta pas një viti.

Keni një përgjigje për ata që thonë, se "Mero Baze motivohet goxhá në gjërat që thotë sot edhe nga një zemërim e animozitet personal, që i vjen nga një marrëdhënie e dështuar dhe e prishur, politike e humane, e prandaj nuk duhet besuar deri në fund për gjërat që thotë"?
Nuk kam përgjigje për ata që duan të mos flas, dhe që shpikin arsye që unë të mos flas. Por është e vërtetë, se pasioni dominon shpesh punën time si gazetar i angazhuar. Besoj se në këtë vend bëjnë më shumë dëm ata që nuk flasin nga frika, se sa ata që angazhohen nga pasioni. E kam thënë nesër (të dielën) në një editorial të gazetës Tema, se në vendin tonë, ka mbërritur dita, që intelektualët, në vend të dijeve, shesin heshtjen. Kjo është poshtëruese


Në libër thoni se, me këtë libër, ju po i paguani dhe një borxh profesionit të gazetarit? I keni akoma borxhe?
Borxhet në profesion nuk janë sasi, po cilësi. Dhe kur them se po i kthej një borxh, kam parasysh faktin që kam qenë gazetar i angazhuar në kauza që i besoja, dhe që kam dështuar. Nuk ka rëndësi nëse unë e kam bërë dy herë, apo katër, atë gabim. Është një lloj gabimi që s'duhet të përsëritet.

Ju uroj suksese me gazetën Tema! Jam vecantërisht i sinqertë kur ju uroj suksese në këtë mes, ngaqë po shoh se po vdes media opozitare dhe po pakësohen në numur gazetarët opozitarë. Supozoj se Tema do jetë në binarë të opozitës. Shqipëria ka nevojë për opozitë. Ka nevojë, jo domosdoshmërisht për t'u rreshtuar me opozitën, por për të bërë opozitë.
Faleminderit!. Suksese dhe juve në sprovën e gazetarisë ne ëeb. Ndoshta po hapni një dritare shprese kundër prangave të parave, që na duhen për të botuar artikujt tanë.

Marrë nga SHEKULLI

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode