INTERVISTË
“RRËFEJ TAKIMET E BERISHËS NË FBI”, KOKALARI: “DUMANI TË HETOJË AMBASADËN AMERIKANE, MAKINAT E TYRE, NË GËRDEC, PARA SHPËRTHIMIT”
Gary Kokalari
Aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan, Geri Kokalari thotë se qasja e opozitës ndaj takimeve të Ramës me ish-zyrtarin e FB, McGonigal është e gabuar. Ai shron se po të jetë për takime politikanësh me FBI, të tilla ka bërë edhe Berisha që sot akuzon.
Kokalari flet në këtë intervistë edhe për Gërdecin, duke thënë se “të gjithë e dinin çfarë po ndodhte atje, përfshirë Ambasadën Amerikane”.
Z.Kokalari, ka një hetim në SHBA për një ish-drejtues të FBI, ku kanë dalë edhe emra të zyrtarëve shqiptarë. Më jepni një koment?
Është pak e habitshme për mua, sepse shumë detaje, – më duhet ta them, – ende janë të paqarta. Duhet thënë se ajo që Agron Neza ka bërë është një krim federal. Unë kam përshtypjen se në këto momente Neza është në kontakt të ngushtë me FBI. Ai i ka dhënë paratë kur McGonigal ka qenë një agjent i FBI, dhe kjo kategorikisht nuk lejohet. Nuk duhet harrojmë që shkelje ka patur edhe nga McGonigal. Punonjësit e FBI janë shumë profesionistë për të bërë gabime të tilla. Dhënia e parave ngre shumë pikëpyetje. Kjo më bën të mendoj se FBI e ka marrë në pyetje Nezën, ose ky i fundit po bashkëpunon. Nëse nuk bashkëpunon rrezikon burgun por edhe deportimin.
225 mijë dollarë janë shumë para. Ai erdhi nga Shqipëria në 1993, dhe merret me biznes këtu, por prapë janë shumë para, dhe nuk dihet nga dolën. Tani është edhe shtetas amerikan, dhe si i tillë paratë e tij duhet të taksohen. A i ka deklaruar te autoritet tatimore? E ka futur veten në shumë telashe.
Siç thashë, kjo ka ende shumë pikëpyetje. Pse do t’i jepte para një agjenti të FBI-së për të organizuar takime biznesi? Kjo është si një i verbër që drejton një tjetër të verbër.
Në Shqipëri disa politikanë deklarojnë se paratë zotit Neza ja ka dhënë zoti Rama që të korruptonte FBI-në…
Në njohurinë time, kjo është e pavërtetë, pra një spekulim. Megjithatë, kini parasysh një gjë. Kjo dosje është një ditë e keqe për Agron Nezën dhe për McGonigal, por edhe për këdo tjetër që është i përfshirë në të, në Shqipëri, apo diku tjetër.
Sepse aktualisht FBI është nën presion shumë të fortë në SHBA,m. Tani republikanët janë në drejtim të komisioneve hetuese në Kongres, dhe bashkë me një pjesë të FBI, mendojnë se ky institucion është këqpërdorur kundër tyre.
Dmth, padyshim do t’i shkojnë deri në fund hetimeve, pa pyetur për asnjë politikan shqiptar ose tjetër.
Kjo është hera e parë që politikanët shqiptar përfliten për kontakte me FBI?
Kur doli ky lajm, shkova pas në vite 10 vite mos më shumë. Bazuar në ligjin për informimin në SHBA, i kërkova FBI gjithë dosjen që kishin për mua dhe denoncimet e mia me Shqipërinë. Mora një kuti me letra, me qindra fletë, mes të cilave edhe dokumenti që kërkoja. Është një takim mes Berishës dhe FBI-së, kur unë dhe Berisha bashkëpunonim, për t’u përballur me çështjen e korrupsionit të Fatos Nanos, sic deklaronte me të madhe Berisha.
Berisha i takoi agjentët e FBI në një vizitë në SHBA, dhe agjentet pas takimit deklaruan se ai ishte shumë nervoz, por kryesorja nuk kishin besim te ato që tha. Pra, më tha se do dëshmonte për fakte korrupsioni ndaj Fatos Nanos, por në thelb nuk dha asnjë fakt. Mendoj se Berisha e kuptoi se përballë kishte njerëz shumë serioz dhe u soll si një fëmijë i vogël. Nuk ju dha asnjë provë. Gjithçka është në dosjen e FBI-së.
Pra ju po thoni se edhe Berisha është takuar me agjentë të FBI?
Po.
Në SHBA?
Në të dyja vendet. Unë kam rregulluar takime të Berishës në SHBA kur ishte lider i opozitës me kërkesë të tij. Me idenë se kishte informacione për korrupsionin e Fatos Nanos, por Berisha foli me përralla dhe thashetheme. Nuk po mbroj Fatos Nanon, sepse ka patur fakte për Fatos Nanon në dosjen e FBI.
Po insistoj pak, sepse nga klasa politike një pjesë e konsideron diçka të gabuar nga zoti Rama të takoj përfaqësues të FBI…
Kjo është e gabuar si qasje.
Kam dhe një pyetje, a besoni se ka patur dorë FBI në deklarimin e Berishës non grada?
Jo nuk ka patur. Personi që ka më shumë përgjegjësi në deklarimin e tij non grata është vetë Sali Berisha. Nuk është Antony Blinken, nuk është FBI apo George Soros, është vetë Sali Berisha.
Ka rihapje hetimesh për shpërthimin e Gërdecit, a mendoni ka ka diçka të pazbuluar ende në lidhje me të?
Të falenderoj që më pyete, sepse në të njëjtën dosje që më dha FBI, gjeta diçka që e kisha harruar. Unë i dërgova Ina Ramës një javë para shpërthimit një letër të detajuar për kompaninë “AEY”, dhe nuk pata asnjë reagim nga ajo.
Nuk e di nëse u kompromentua, apo u tremb. Por unë e kontaktova atë direkt. Tani e sugjeroj zotin Dumani që ta hetojë mirë, pasi ka dëshmi të ish punonjësve në Gërdec. Të gjithë gënjejnë që nuk dinin gjë, i bëj thirrje kreut të SPAK Dumani që t’i shkojë në themel asaj historie. Edhe kompaninë Southern Armo ta hetojë, një kompani amerikane që drejtohej nga Patrick Henry, nënkrontraktor i Delijorgjit. Pajisjet e tij u shkatërruan në shpërthim. Unë kam folur me një person që punonte për kompaninë e tij, duhet të merret në pyetje.
Dhe mbi të gjitha gjenerali Luan Hoxha, që vetëm pak para se të merresh në pyetje u largua dhe fitoj azilin në SHBA, që besoj ka patur një marrëveshje. Mesa di është ne Bronks dhe duhet të thirret për të dëshmuar. Nuk mund të ketë një hetim të thellë dhe të plotë për Gërdecin nëse, nuk thirret për të dëshmuar Luan Hoxha.
Një gjë e tmerrshme ka ndodhur, 26 veta humbën jetën. Kemi të bëjmë me neglizhencë apo ngjarje kriminale. Të gjithë e dinin se çfarë po ndodhte atje. Ambasada Amerikane e dinte se çfarë po ndodhte atje. Unë nuk e di nëse lejohet të pyeten zyrtarët e Ambasadës, por disa prej tyre duhet të pyeten nga SPAK. Janë parë shumë makina të ambasadës atje, para shpërthimit.
Z.Kokalari, kemi qartazi 2 parti demokratike, një e drejtuar nga zoti Berisha dhe një nga zoti Alibeaj, kush besoni se do të vazhdojë?
Kokalari: Nuk e kam të qartë dinamikën aktuale të Partisë Demokratike, por mund t’ju them me bindje se përsa kohë Berisha është një krye, ajo është një parti e vdekur. Vetëm do humbasin.
E vermja mënyrë që të jenë një forcë e besueshme politike, është ta largojnë Berishën, të vijë një gjeneratë e re në krye të partisë. PD duhet të jetë një opozitë legjitime, me Berishën në krye, tashmë është e pamundur.
—–
Intervistoi Arbër Hitaj, botohet me shkurtime
DITA