RIBOTIM ME SHKAS / SHEFKI SEJDIU: NË MARGJINAT E MONOGRAFISË “35 VJET TË FAKULTETIT TË FILOLOGJISË” (1960-1995)

RIBOTIM ME SHKAS

 

NË MARGJINAT E MONOGRAFISË “35 VJET TË FAKULTETIT TË FILOLOGJISË” (1960-1995)*

SHEFKI SEJDIU

 

 

Këshilli i botimit (Këshilli i Fakultetit të Filologjisë, më drejt, decani, dy prodekanët dhe shefat e gjshtë degëve), nga i cili (Këshill) dalin edhe mbledhësi dhe mbarështruesi i materialeve dhe dy recensentët (!), me rastin e 35-Vjetorit të themelimit të fakultetit, nxori monografinë “35 VJET TË FAKULTETIT TË FILOLOGJISË” (1960-1995), që ka 261 faqe dhe, përveç Hyrjes dhe Përfundimit, përmban pesë kaptina.

Do të donim të besonim se motivet që e kanë cytur botuesin për një ndërmarrje të tillë, kanë qenë qëllimmira dhe gjeneroze, por po ta lexojmë këtë monografi me vëmendje, jo vetëm ata që morën pjesë në mënyrë të pandërmjetshme në themelimin, rritën dhe zhvillimin e Fakultetit, por edhe ata që u formuan e u rritën në të dhe me të, si dhe të tjerët që, sado pak kanë pasur kontakte me të – që të gjithë do të habiten për procedime metodologjikisht të paqëndrueshme, për inkonsekuenca në kritere dhe në mendime, për improvizime, simplifikime dhe ereduktime, dhe, do të habiten më tepër, për transparencën e motiveve jashtëinstitucionale dhe jashtëshkencore që përshkojnë monografinë.

Siç u tha, në realizimin e kësaj monografie, janë gërshetuar shumë motive (dhe qëllime), që bien ndesh njëri me tjetrin, prandaj, para se t’u qasemi margjinave të saj, përkatësisht vështrimit të shumë çështjeve që trajtohen në të, duam të cekim se përbërja e redaksisë dhe caktimi i recensentëve, po edhe metodologjia që ata kanë ndjekur dhe kriteret në të cilat janë mbështetur, sidomos në grumbllimin dhe mbarështrimin e lëndës, nuk kanë mundur të premtojnë një punë që do t’i kënaqte kërkesat minimale për redaktimin e një monografie, të këtij lloji e formati. Një redaksi, në mesin e së cilës asnjëri nuk është që të ketë botuar ndonjë vepër të mirëfilltë shkencore, vështirë se mund të ofrojë një monografi solide për një institucion që, përkrye të gjitha vështirësive dhe lëshimeve, ka lajtur një rol aq të rëndësishëm për arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare në Kosovë e më gjerë.

Edhe pse monografia, në shikim të parë, duket mjaft ekzostive dhe e qartë, as përafërsisht nuk jep informim adekuat rreth historikut të Fakultetit të Filologjisë. Përkundrazi, aty predominon një logjikë bizarre dhe pa presedencë: shfrytëzohet monografia (jubilare?) për t’i qëruar hesapet me kolegë, të cilët, për shumë çështje parimore e konkrete, kanë shfaqur mendimin dhe nuk janë pajtuar me arbitrarizmin e udhëheqjes së Fakultetit (e cila përgatiti këtë monografi). Këto mospajtime redaksia “bolshevikisht” i ka karakterizuar si destruksion dhe i ngre deri në shkallë organizimi “forcash retrograde” dhe lufta kundër tyre paskan qenë obsesion, lajtmotiv dhe problem krucial që i paskan preokupuar e udhëhequr shumicën e anëtarëve të Këshillit të botimit me ndërgjegje të shtrembëruar, të vrarë e të lënduar, e, tani, edhe të shqetësuar, për ta botuar ngutshëm monografinë – një instrument dhe pamphlet.

Në monografi, gati kudo, dhe sidomos në Përfundim, mund të vërehet  se në fakultet ekzistuaka një polarizim “forcash”: njëra palë bëka përpjekje të mëdha që Fakulteti “të ecë në rrugë të drejtë” e pala tjetër e penguaka atë ecje! Pikërisht për këto arsye, po edhe për të tjera, jo pa keqardhje, duhet të thuhet diçka rreth shkaqeve të këtyre polarizimeve që dolën edhe në opinion përmes sintagmës “forcat retrograde” (që lancohej gjatë periodave të ndryshme komuniste për të filluar diferencimet dhe ndjekjet kundër intelektualëve shqiptarë), se përndryshe lezuesi nuk mund të kuptojë (si dhe sa duhet) monografinë nëse nuk sqarohen, sado pak, rrethanat që i kanë paraprirë botimit të saj.

Pra, cilat qenkan këto forca aq të polarizuara e që meritojnë të “përjetësohen” edhe në historikun e Fakultetit të Filologjisë të Pishtinës.

Nëse është fjala për ata që, në këta dy-tre vjetët e fundit, kishin qëndrim kritik ndaj punës dhe standardeve të imponuara të dekanatit, pse të mos thuhet se ata janë, kryesisht, të përjashtuarit nga ana e dekanatit të dhunshëm serb gjatë shtatorit të vitit 1991, të cilët që nga viti 1981 dhe, sidomos nga viti 1987 e më vonë, u janë kundërvënë, në një mënyrë apo tjetër, synimeve, planeve, fushatave, veprimeve dhe masave serbe kundër qenies sonë kombëtare në përgjithësi e të Universitetit dhe të Fakultetit në veçanti. Këto “forca…” i përballuan të gjitha provokimet dhe ndjekjet serbokomuniste dhe e bartën barrën  kryesore edhe gjatë periodës së (ri)mëkëmbjes së Universitetit të Prishtinës dhe të Fakultetit të Filologjisë në kohën kur gjashtë nga nëntë anëtarët e Këshillit të botimit të kësaj monografie rrinin lojalë nën dekanatin e dhunshëm serb dhe pritnin përfundimin e çështjes!). “Retrogardët” ftuan dhe mobilizuan të gjithë subjektët universitarë (student, mësimdhënës, administrator e të tjerë) që të jepnin kontributin e tyre për (ri)mëkëmbjen e Fakultetit dhe të Universitetit, por, atëbotë, nëpër mbledhjet e organeve të ndryshme ku trajtoheshin shumë çështje me interes për Fakultetin, nuk ngurronin të mos e thonin shtruar se qëndrimi i padefinuar, hezitimi, kalkulimi i disa kuadrove arsimore dhe administrative shqiptare dhe, sidomos, lojaliteti i tyre ndaj okupuesve serbë të Universitetit, shfrytëzoheshin nga pushtuesi si alibi për ta bindur opinionin e brendshëm e të jashtëm “se Universiteti nuk ishte mbyllur, se kuadrot për mësimin shqip ishin aty, që pop resin t’u kthehen studentët e manipuluar nga profesorët e padisiplinuar, ekstremistë, nacionalistë e separatist shqiptarë”. Pjesa më e madhe e kuadrove të mbetura atje, më vonë, kaloi në Universitetin e (ri)mëkëmbur Shqiptar dhe dha kontributin e vet të vlefshëm duke u angazhuar në punë dhe në të gjitha organet e Universitetit e të Fakultetit; njërit prej tyre, madje, në gusht të vitit 1992 iu besua edhe posti i dekanit të Fakultetit të Filologjisë… Veçse, siç u pa më vonë, zgjedhja e tij në këtë post ishte aksident(ale), ngase në Fakultet u promovua një stil pune që çonte në kundërvënie me ata që kishin bartur tërë peshën gjatë periodës së (ri)mëkëmbjes së Fakultetit e të Universitetit. Për t’i realizuar synimet e veta “transformiste, reformiste, etj.”, decani afroi pranë vetes mediokër (që, sipas rregullit, gjithherë janë të dëgjueshëm dhe të manipulueshëm), që, pastaj, do të kenë pasveprime të tjera: prurja në pozita (e dy prodekanëve, e sekretarit të Fakultetit dhe e shumicës së shefave të degëve) e në komisione e atyre që me muaj dh evite nuk iu përgjigjën thirrjeve për pjesëmarrje në (ri)mëkëmbjen e Fakultetit, por mbetën në Fakultetin atëherë serb; favorizimi i mediokërve; licitimi me tituj (gradë) dhe thirrje shkencore e universitare dhe, detyrimisht, rënia frapante e entuziazmit dhe e nivelit të punës dhe degradimi tej mase i institucionit (që, me aq mund, ishte mëkëmbur).

Veprimet e tilla përjetoheshin rëndë dhe merreshin si sfidime për një pjesë të kuadrove dhe rrezikim i Fakultetit, prandaj, disa (ndër ta edhe nënshkruesi i këtij vështrimi) nuk mundën të qëndronin indiferentë dhe, në mbledhjet e Këshillit Mësimor-Shkencor të Fakultetit e në mbledhjet e degëve, iu kundërvunë  këtyre tendencave e veprimeve degraduese, profanizuese e vulgarizuese, të cilat çonin nga margjinalizimi, madje edhe zhdukja e akademizmit në Fakultet.

Do të pajtoheshim sikundër këto yrndenca “reformiste, etj.” Të mbështeteshin në ligjësi dialektike të mohimit të vlerave të vjetëruara (e të kuazivlerave) dhe të zëvendësimit të tyre me të reja, të studiuara mirë e qetë dhe pa paragjykime, në mënyrë që praktika e degjeneruar të zëvendësohej me një tjetër, më të mirë. Por, këto ide, tendenca dhe ndërmarrje të “progresistëve a të avangardistëve e të modernistëve”, siç do të dëshironin ta quanin veten farkuesit arrivistë, narcisoidë, prepotentë e arrogantë, të sintagmës bolshevike “forcat retrograde”, edhe pse dukej qartë se ishin ide negativiste (si pasojë e defekteve psikopate të dëshirave e të ambicieve), për arsye opurtunizmi e konformizmi, nuk u kundërshtua si dhe sa duhej.

Mirëpo, me kuadrin mediokre, me paragjykime dhe në mënyrë fushate, nuk mund të realizohen synimet transformuese, riorganizuese, reformuese dhe autonomizuese, sado aktuale dhe të domosdoshme qofshin; për kthesa të tilla cilësore duhet dije, seriozitet dhe angazhim permanent e sistematik i të gjithëve.

Andaj, qasjet arbitrare e simpliciste ndaj problemeve kanë futur huti, paqartësi, ngatërrime e ngatërresa, interpretime e keqinterpretime (sipas masës dhe interesave personale) në dëm të institucionit e, gjithnjë, duke manipuluar me konceptet transformim, riorganizim, reformism, autonomizim.

Por, transformim nuk do të thotë ndërrim i thjeshtë i një gjendjeje, as imitim i modernitetit (e as modernitet nuk do të thotë – fol si të teket, e sillu si të duash. As vishu si të duash e bëj çka të duash -, ngase, edhe moderniteti u përmbahet disa rregullave e normave që janë universal për çdo shoqëri, për çdo hapësirë dhe për çdo kohë); transformim do të thotë edhe ndërgjegjësim, edhe korrigjim, edhe përshtatje me kushtet e kërkesat e kohës, edhe ngritje niveli e morali profesional e intelektual e, edhe zgjerim veprimtarish etj. Të gjitha këto do ta favorizonin transformimin edhe si concept, edhe si process, por edhe si rezultat, realitet e kualitet të ri.

Riorganizim nuk do të thotë eliminim dhe injorim i çdo gjëje që është ndërtuar më përpara (sepse asgjë serioze nuk ka filluar, as fillon, e as kryhet me një individ, grup individësh a me një gjeneratë); riorganizim nuk do të thotë as reduktim, as kufizim, por do të thotë edhe ndërrim cilësor e i organizuar, edhe racionalizim, edhe përshtatje mundësish e kërkesash, edhe hapje perspektivash e gjetje formash e rrugësh që të ecet sipas trendeve të kohës.

Reformim nuk do të thotë vetëm braktisje e formave të vjetëruara të të menduarit, të të organizuarit dhe të të vepruarit; nuk do të thotë as përshtatje, as sendërtim i dëshirave, i interesave dhe ambicieve personale, as përmbysje dhe rrënim i çdo gjëje të së kaluarës, të traditës, por, reformism, por reformism (institucional) do të thotë ndryshim plauzibil e valid i përmbajtjeve dhe i metodave shkencore me qëllim të ngritjes së nivelit shkencor e hulumtues të veprimtarive arsimore, por edhe perfeksionim i një gjendjeje, i formave a i sistemit të një veprimtarie.

Autonomizimi nuk duhet marrë si dalje, shkëputje dhe largim nga sistemi dhe normat universitare, akademike; autonomicimi nuk është as dezintegrim, as monopolizim e privatizim, as papërgjegjësi; gjithashtu autonomizim nuk do të thotë as promovim sjelljesh dhe vepprimtarish arbitrare, autarkike, autokratike a despotike, autonomizimi duhet të jetë  rezultat i një procesi dinamik e sistematik dhe i vazhdueshëm që të formonte njerëz të lirë, të pavaur dhe intelektualisht të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm, dinjitozë e të guximshëm; autnomizimi duhet të jetë rezultat i një procesi që do të siguronte e të garantonte mëvetësi e liri fizike, shpirtërore e intelektuale, individuale, institucionale dhe kombëtare, arsimore e krijuese, shkencore e hulumtuese brenda një institucioni autonomy, si element strukturor i një mbisistemi, siç është universiteti, e, i mbështetur në ligje e akte relevante (që Fakulteti i Filologjisë nuk i ka!), në norma e rregulla akademike që rregullojnë veprimtaritë e institucioneve të kësaj natyre e të kësaj shkalle.

Mospajtimet e tilla e të shumta parimore e konceptuale, shkaktuan përçarje ndërkolegjiale dhe, në vend që të eliminoheshin a të mbeteshin  në shkallë tolerance intelektuale e akademike, ato thelloheshin (me sjellje, veprime e masa joakademike) për të eskaluar me botimin e përshpejtuar të monografisë, duke i shkaktuar më tepër dëm se fitim Fakultetit, Universitetit dhe jo vetëm këtyre. Por, të shohim si janë reflektuar këto raporte interpersonale dhe intrainstitucionale në realizimin konkret të monografisë që pretendon të jetë një historic i Fakultetit të Filologjisë.

Në kapitullin I bëhet fjalë për historikun e zhvillimit të FF, për rrethanat historiko-shoqërore, për nevojat e hapjes së institucioneve të shkollimit të lartë në Kosovë, për fazat e zhvillimit të Fakultetit të Filologjisë.

Në përpjekjen për periodizimin e historikut sipas fazave zhvillimore, për periodikun dhe karakterimin e këtyre (katër) fazave, redaktuesit (të cilët, edhe nëse kanë qenë në Universitet, shumë veprimtari e ngjarje i kanë përcjellë nga larg), e, në pamundësi që të depërtojnë dero tek dokumentacioni, nuk kanë mundur të futen në esencën  e çështjes. Në monografi janë dhënë tepër fragmentarisht dhe sipërfaqësisht vlimet e viteve 1968 e 1981 (dhe jehona e tyre), por, edhe më pak vëmendje u është kushtuar tribunave dhe sesioneve shkencore, tubimeve, protestave dhe grevave që bëheshin (e në të cilat anëtarët e Redaksisë nuk kanë marrë pjesë fare), sidomos pas vitit 1987 që, pastaj, u ngritën gati në shkallë rezistence dhe kundërshtimi gjatë viteve 1988, 1989; 1990, 1991, kur kombi shqiptar u ndërgjegjësua plotësisht dhe u bind se për ta ruajtur e mbrojtur identitetin dhe pavarësinë institucionale e kombëtare, i duhej të ishte më i organizuar dhe më i vendosur: Edhe rimëkëmbja dhe pavarësimi i Universitetit Shqiptar të Prishtinës mund të konsiderohen ndër frytet më të ç,ueshme të këtij ndërgjegjësimi dhe organizimi.

Kapitulli II i monografisë është i koncipuar si “strukturim i organizimit” në FF. Në këtë pjesë, edhe pse është bërë përpjekje për të paraqitur “strukturën e organizimit të FF” dhe të konstituentëve të tij, prapëseprapë hetohen improvizime, kundërthënie e mosnjohje elementare e çështjes së sistemit universitar: nuk është kuptuar se gjatë historikut të vet Fakulteti i Filologjisë nuk ka ndërtuar sistem koherent e strukturalisht të plotë dhe të aftë për t’i eliminuar defektet e për t’i  plotësuar zbrazëtitë, që, rëndom, dalin gjatë çdo zhvillimi; se Fakulteti i Filologjisë nuk ka zhvilluar sistem njësish hierarkisht të strukuruara e as të strukturueshme (karakteristikë kjo për fakultetet e zhvilluara) e të shenjuara me nomenklaturë adekuate dhe joekuivoke; se Fakulteti i Filologjisë i Prishtinës, gjatë 35 viteve, në planin sistemor, nuk ka rritur shkallë të duhur zhvillimi për shkak edhe të segmentimit struktural e të padefinuar mirë, që ka sjellë përkatësisht edhe rudimentimin e reduktimin e njërës strukturë e (stër)ngarkimin e tjetrës, dhe paaftësinë e krijimit të strukturave të reja në shkallë të koordinuar (horizontale) apo të subordinuar *vertikale), të domosdoshme për një zhvillim harmonic të sistemit; se edhe nomenklatura (e preskriptuar nga Beogradi që në vitet gjashtëdhjetë) është bërë dhe, akoma, mbetet pengesë zhvillimi (horizontal: që katedra të plotësohet me lëndë të reja mësimore, që dega të zgjerohet me katedra e lektorate të reja, vertical: që ndonjëra nga degët të ngrihet në seksion, etj.); se në Fakultetin e Filologjisë njësia themelore e strukturueshme hierarkisht (katedra) është bërë aq e papërcaktuar, sat ë ngatërrohet me njësinë superordinare të saj (degën) dhe kjo me seksionin, kkështu që, në monografi termat katedër dhe degë jo vetëm që ngatërrohen, por edhe, herë njëri, herë tjetri term i mbulojnë të tri këto nivele strukturore; se në Fakultetin e Filologjisë nuk janë vlerësuar në mënyrë adekuate shumë elemente të sistemit: degët e gjuhëve amtare dhe të letërsive kombëtare kanë qenë dhe janë të përshkuara nga ndjenja të tepruara paternaliste, mbivlerësimi dhe reduksionizmi; se në Fakultetin e Filologjisë nuk është kuptuar roli dhe rëndësia e degëve të gjuhëve të huaja për arsimin, shkencën  dhe kulturën (edhe) kombëtare dhe, kjo është një e keqe edhe më e madhe, ato shpeshherë janë trajtuar sit ë rendit të dytë, sit ë parëndësishme e, madje, edhe të panevojshme, se mosnjohja e dialektikës zhvillimore, paaftësia dhe pasyçeltësia për ta harmonizuar zhvillimin me kërkesat e shoqërisë që imponon koha, ka bërë që sistemi i Fakultetit të Filologjisë të jetë strukturalisht jo i plotë, defektiv, andaj edhe jo aq funksional e racional.

Po ku qëndruakan shkaqet e kësaj ngecjeje, dhe, gati, degjenerimi sistemor i Fakultetit të Filologjisë të Prishtinës? Arsyet janë të shumta dhe natyrash të ndryshme.

Deri në vitin 1966 Fakulteti funsiononte si filial i Universitetit të Beogradit. Pas vitit 1966 i krijuan kushte më të favorshme që Fakulteti Filozofik ta merrte rrugën e pavarësimit (relative), që e arriti më 1970, kur u themelua Universiteti i Prishtinës. Me gjithë pavarësimin formal, Fakulteti Filologjik ende mbeti me atë organizim strukturor (rudimentar) dhe me nomenklaturën e preskriptuar nga Beogradi shumë vite më parë. Ky qëndrim konservator (filialist) modelsh e koncepcionesh prganizimi, është  reflektuar edhe në (mos)zhvillimin e Fakultetit. Sistemi është marrë si entitet statik: duke mos qenë koshient në kompleksitetin e tij strukturor me elemente të brendshme që u nënshtrohen ndryshimeve permanente konform me kërkesat e kohës; duke mos qenë koshient se sistemi është tërësi elementesh dhe raportesh të ndërsjella, tërësi e organizuar parimesh, idesh, funksionesh, veprimtarishë.

Në (mos)zhvillimin e Fakultetit ka ndihmuar edhe faktori i brendshëm: shumë kuadro që kishin kryer studimet në Universitetin e Beogradit patën ndikim të madh në organizimin e veprimtarisë mësimore, shkencore dhe metodologjike në Fakultet, disa syresh ishin të ngarkuar me epigonizëm shkolle beogradase dhe nuk lejonin ndryshime sistemore (strukturore dhe nomenklaturale); prezenca e këtij epigonizmi bëri që të mos  bëhen ndryshime radikale e cilësore as me statutin e vitit 1975, as me planet mësiomore të “aprovuara” në vitin 1995; faktori student dhe faktori kuadër që janë konstituentët kryesorë e hierarkisht të strukturuar  të sistemit universitar e që synojnë, gjithherë, formimin, ngritjen dhe perfeksionimin, nuk janë trajtuar si duhet: shoqëria tepër e burokratizuar dhe e ideologjizuar komuniste nuk ka dashur të zhvillojë sistem universitar që do të zhvillonte veprimtari që nuk do të ishin konform me sistemin global. Andaj, as Universiteti, as Fakulteti nuk kanë mundur të veprojnë jashtë kësaj platforme e të veprojnë sipas standardeve valide universitare. Përkundrazi, shumë standarde, parime e kritere universitare e universale, sistematikisht, janë rrënuar, sidomos në pranimin e studentëve të rinj, në cilësimin e dijes gjatë studimeve, në zgjedhjet, rizgjedhjet dhe avancimet e kuadrit mësimor, në marrjen e titujve dhe thirrjeve universitare. Ky realitet është injoruar nga redaktuesit e monografisë. Përkundrazi, këtu, na qenka “realizuar një politikë mjaft e mirë kuadrosh”, vlerësim sa nostalgjik (për ta), aq edhe absurd pë rata që e njohin “politikën e kuadrove” (sidomos unibersitare) të kohës në sistemin komunist. As në ca vitet e fundit kuadrove (sidomos atyre që janë formuar edhe në qendra të ndryshme universitare të botës dhe të rinjve) nuk i kushtohet kujdes i duhur: asnjë degë e gjuhës së huaj nuk ka lektorë burimorë, edhe pse të tillë mund të gjenden, madje, edhe në Prishtinë; moskompletimi me kuadro nuk mund të arsyetohet me mungesën e burimeve material, ngase me një racionalisim më të mirë të njeteve financiare, që i siguruaka Fakulteti nga burimet e veta dhe me hyrjen në sistemin e financimit të UP, do të evitohej mungesa e kuadrove: pesë vjet mospërtëritjeje (e mospërfilljeje) “kadrovike” janë tepër (edhe për kushtet në të cilat (po) funksionon Universiteti); pasojat do të ndihen për një kohë të gjatë.

Në kapitullin III është prezantuar veprimtaria mësimore pedagogjike, me përqendrim të veçantë në planet mësimore. Aty jane dhënë në formë tabelash edhe planet mësimore të periudhës 1974-1995, edhe këto të vitit 1995. Kësaj radhe, nuk do të hynim në imtësira e të diskutonim për shumë çështje që u diskutuan që nga viti 1989 deri më 1995, e, që, shumë prej tyre akoma kanë mbetur pezull. Por, duhet thënë se, që nga muaji i parë i rimëkëmbjes së Universitetit, u bë dezideologjizimi i materieve mësimore, u hoqën nga planet mësimore lëndët e imponuara nga sistemi komunist me synimin për zëvendësimin e tyre nga materie të reja, që, pjesërisht, u realizuan me planprogramet e vitit 1995. Morëpo, përkrye kaq diskutimeve të zhvilluara nëpër degë e në Këshillin Mësimor-Shkencor të Fakultetit, për shkak të divergjencave konceptuale zhvillimore zhvillimore dhe për motive jashtëprofesionale e jashtëinstitucionale, u bënë edhe disa ndryshime në dëm të mësimit, pasojat e të cilave do të reflektohen edhe në shkallë të arsimit të mesëm: latinishtja, që sipas Planprogramit të vitit 1975, mësohej në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge gjashtë semestra (duke filluar nga sem. I), sipas këtij të 1995 do të mësohet katër semestra (duke filluar nga sem. III) dhe, në këtë mënyrë, është barazuar me gjuhën e huaj II. Ky ndërrim, çuditërisht, u konsideruaka nga Këshilli i botimit si avancim dhe garanci se kjo gjuhë do të “mësohet me themel dhe përgatitja e kuadrove… për gjimnaze e shkolla të tjera të mesme” u siguruaka edhe nëse mësohet vetëm katër semestra! Në Planprogram ka edhe absurditete të tjera: Teorisë së letërsisë (që diku del edhe si Hyrje në letërsi) i është dhënë hapësirë një herë më tepër se pandamit të saj, Gjuhësisë së përgjithshme (24 : 12 orë në javë), edhe psetë gjitha degët (përveç asaj të Letërsisë Shqipe) janë më parë degë të gjuhëve e pastaj të letërsive.

Lënda Qytetërim del si risi në planet mësimore, mirëpo, na e thotë mendja, emërtimi i saj nuk është  adekuat: mund të flitet për qytetërim (civilizim) antic helen dhe romak, për atë arab, edhe për atë frën dhe ndonjë tjetër, e, ndoshta, edhe për atë anglosakson, spanjoll, portugez, gjerman, por jo edhe për qytetërim (civilizim) rus e as italian e, edhe më pak, për atë rumun, hungarez, serb, bullgar, shqiptar, etj. Realiteti zhvillimor material e shpirtëror do të përkonte më mirë me shenjuesin etnokulturë, sepse civilizimi (qytetërimi) u referohet shoqërive me zhvillim shkalle të lartë material, shpirtërore e kulturore, ekonomike e shoqërore e edhe, që kanë lënë  gjurmë ndikimi  përmasash botërore. Këtu, si shumëkund në monografi, kemi të bëjmë me mospërputhje, përkatësisht ngatërrim kriteresh e raportesh denominuese, ku termi, nocioni dhe realiteti janë në diskrepancë.

Në kapiitullin IV është trajtuar veprimtaria shkencore kërkimore në Fakultetin Filologjik.N vlerësimin tonë do të përqendrohemi vetëm te pjesa  ku flitet për “studimet pasuniversitare”, shkallë studimi dhe formimi (që nuk është as parauniversitare, as pasuniversitare, por universitare), e organizuar si kërkesë e kohës për studime të thelluara e të xpecializuara. Por, edhe me këtë rast, u manifestua epigonizmi beogradas: studimet u organizuan  sipas një modeli hybrid beogrado-prishtinas: studimet në gjuhësi u koncipuan si “studime pasuniversitare” për Gjuhën shqipe, kurse në letërsi për Letërsinë shqipe, që nuk ishin tjetër përpos vazhdim i studimeve “universitare” dhe fare pak të koncipuara si studime që do të duhej  të formonin kuadro teorikisht dhe metodologjikisht të përgatitura për veprimtari kërkimore-hulumtuese e arsimore-pedagogjike. Në këtë shkallë universitare regjistrohe(shi)n  edhe student të degëve të tjera filologjike, të cilët merrnin (dhe marrin) titullin akademik magjistër i shkencave filologjike dhe bëhe(shi)n  kuadro të “kualifikuar” universitarë për degët e gjuhëve të huaja! Megjithatë, puna arsimore-shkencore në këtë shkallë studimi, falë disa kuadrove serioze të FF të Prishtinës dhe disa të tjerëve që vinin nga universitetet e tjera, mund të supozohet se ka qenë në një nivel të dëshiruar, por, aktualisht, disa kuadro që ligjerojnë në këto studime, nuk besojmë të garantojnë nivel adekuat akademik: pëkundrazi, këtu mund të pritet vetëm dhunim e torturim intelektual e shkencor dhe vulgarizim edhe i këtyre studimeve!

Kapitulli V përfshin më tepër se gjysmën e monografisë dhe, njëkohësisht, është pjesa më e kontestueshme e saj, ku dalin në shesh të gjitha tendancat dhe qëllimet e Redaksisë së botimit: promovimi i vetvetes dhe i klanit të vet dhe injorimi i të tjerëve. Këtu, lexuesi serioz do të vërejë shpërthime kompleksesh (vetëkënaqësie, pamodestie, narcisizmi, arrogance e pafytyrësie), këtu, lexuesi i vëmendshëm do të hetojë  synime që nuk janë të nivelit as intelektual, as akademik, as shkencor; këtu, ai që, sado pak, e njeh realitetin e FF, do të hetojë vlerësime arbitrare, tendenca reduksioniste dhe përvetësimi, mangësi, harresa e “harresa”, paqartësi, ngatërrime e diskrepanca. Pasaktësi e gjysmë të vërteta e të pavërteta, kamuflime e dezinformime, njëanshmëri, kundërthënie e inkonsekuenca, injorime e degradime (zbritje thirrjesh universitare, por edhe heqje gradash shkencore!).

Anëtarët e Këshillit të botimit, për mungesë ndershmërie intelektuale e akribie shkencore, e kanë shfrytëzuar rastin  dhe )në mënyrë të pandershme) e kanë futur vetën në historikun e Fakultetit si kuadro me “merita” e “formime” fort të larta, duke shënuar në biografitë e veta diplomime, specializime e subspecializime, madje, edhe ligjërime (shumica të paqena) nëpër qendra të njohura universitare të botës, kurse, në anën tjetër, bio-bibliografitë e një pjese të konsiderueshme kuadrosh i kanë vënë në shtratin e tyre prokrustian, duke bërë intervenime të shkathëta “uravnilovkiste”, redaktuese, injoruese e degraduese, duke krijuar një pasqyrë të shtrembëruar jo vetëm të kuadrit mësimor, por edhe të vetë Fakultetit.

Për të gjitha këto, lexuesi mund të bindet nëse krahason hapësirën që ata ia kanë lënë vetvetes në monografi dhe profesorëve tek të cilët janë formuar, diplomuar, magjistruar ose doktoruar, janë zgjedhur e rizgjedhur dhe avancuar (nga asistenti deri në thirrjet më të larta universitare), që lexuesi të bindet për shumëçka që u tha më sipër, po i shënojmë faqet që referojnë shënimetbio-bibliografike të nëntë anëtarëve të Këshillit të botimit (numrat e parë) dhe të profesorëve të tyre (numrat e tjerë) : fq. 117 : 144 : 105; 101 : 105 : 98; 155 : 95 : 108; 130 : 96 : 100; 153 : 112 : 183; 146 : 114 : 96; 137 : 142 : 125; 165 : 107; 206 : 150 “ 110; lexuesi për shumëçka do të bindet kur sheh në shënimet biografike të akëcilit që paska “ligjëruar në Universitetin e Pekinit dhe në Universitetin Humboldt të Berlinit” apo që paska kryer studimet në disa universitete të botës, e nëse, oakëz më poshtë, i krahason bibliografitë e tyre të varfëra me biografitë e tyre të “pasura”, çdo gjë i bëhet e qartë. Por, Këshillin e botimit këto gjëra nuk e shqetësojnë fare, sepse ata e dinë fort mirë se edhe sot, edhe nesër, edhe pas shumë gjeneratave kjo monografi lexuesit të rndomtë i bën përshtypjen e një vepre të redakruar me kujdes (sidomos nëse i bien në sy të gjitha ato thirrje të larta universitare dhe ata tituj shkencorë përpara emrave të anëtarëve të Këshillit botues). Dhe, vërtetë, kjo monografi, tip leksikoni, mund të shfrytëzohet dendur si burim pëe ata që dëshirojnë të dinë a të shkruajnë diçka për Fakultetin ose për ndonjërin nga kuadrot e përfshirënë të. Por, pikërisht, këtu qëndron e keqja: sa më shumë të shfrytëzohet monografia si burim të dhënash natyre të ndryshme, aq më tepër ajo do të gjenerojë dezinformime (zinxhirore) shkencore, por do të gjenerojë edhe viktimizime lexuesish dhe hulumtuesish (shekuj me radhë)..

Autori apo autorët, redaktuesi(t) apo Redaksia përkatësisht Këshilli i botimit (subjekte autorësisht të padefinuara – me qëllim të ikjes së përgjegjësisë individuale) i monografisë, synimet dhe veprimet e veta manipulative e kamufluese, në mënyrë perfide dhe të parëndomtë në praktikën autoriale botimore shkencore, gjuhësisht i kanë realizuar duke përdorur një terminologji ad hoc të zgjedhur mjegulluese e me terma neutral dhe aksiologjikisht të papërcaktuar dhe defektivë, ku shumë nocione janë pa realitet e shumë realitete pa nocione, si: mësoi, studio, mori (mësimet),  bëri (mësimet, studimet), kreu (studimet), mbaroi (studimet), diplomoi,  magjistroi, doktoroi; qëndroi, specilizoi (në botën e jashtme); dha mësim, ligjëoi, mbajti ligjërata (në botën e jashtme); vepër (shkencore, letrare, shkollore, origjinale, e përkthyer, e adaptuar), tekst (mësimor, shkollor, original, i përkthyer, i adaptuar), studim (shkencor), artikull (shkencor, eseistik), recension, parathënie, etj. Një terminologji e tillë, e aplikuar në kontekste të ndryshme, ka mundësuar edhe përhapjen e të pavërtetave, por edhe fshehjen e shumë të vërtetave.

Në këtë monografi, gjithashtu, haset një diskurs që karakterizohet nga braktisja e parimësisë dhe e nivelit shkencor të trajtimit të çështjeve të kësaj natyre. Këtu, mjerisht, hasen edhe forma diskursi fort triviale ideologjike, relikte këto të ngurtësuara thellë në ndërdijen dhe ndërgjegjen e redaktuesve të monografisë, siç janë sintagmat: “plani operativ”, “u caktuan detyrat”, “politikë kadrovike”, “forcat retrograde” dhe thënia banale e fyese metaforike “Qentë lehin karvani ecën”, etj.

Dhe, të përfundojmë: sipas definicionit, monografia është një studim që i kushtohet një problem të caktuar, një individi ose një institucioni (si me këtë rast), por vepra që pretendon të jetë shkencore, duhet të mbështetet në parime dhe kritere relevante, unike e të qëndrueshme dhe gjithashtu duhet të jetë e përshkuar nga një frymë objektivizmi, paanshmërie dhe akribie shkencore, kurse si realizim, vepra duhet të jetë sa më ekzostive, jokontradiktore dhe sa më e qartë. A është monografia “35 VJET TË FAKULTETIT TË FILOLOGJISË” (1960-1995) e tillë, mbetet ta gjykojë lexuesi dhe ta verifikojë koha.

 

Në Prishtinë,                                                                         

më 2. 4. 1996

__________________________________

*) Në formë të shkurtuar, ky vështrim është botuar në gazetën “BUJKU”, datë 4. 6. 1996, me titullin “Monografi që do të gjenerojë dezinformime”.

 

P. S.: Ky shkrim është version i zgjëruar i shkrimit tonë në “Bujku” të dt. 4. 6. 1996 me titull: Monografi që do të gjenerojë dezinformime. Kjo monografi (35 VJET TË FAKULTETIT TË FILOLOGJISË (1960-1995) E REDAKTUAR NGA:

1. Z. Rrahmani – dekan; 2. H. Daci – prodekan; 3. F. Raka – prodekan; 4. I. Badella; 5. E. Mehmeti; 6. A. Kajragdiu; 7. H. Halimi, të cilët (përveç A. Kajragdiut) ishin “kursyer?” nga Rektorati i Papoviçit, kur më 1991 i pat larguar kuadrot më të mirë shqiptarë të Fakultetit Filozofik dhe të Universitetit (Shih “Rilindja” e dt. 3. 10. 1991). Këta individë të Redaksisë çuditërisht arrijtën, që nga viti 1992, të bëhen edhe dekanë, edhe prodekanë, edhe shefa degësh, edhe redaktues të Monografisë “35 VJET …”

Autori

(Marrë nga Filologji 5, Prishtinë, 1998)

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode