SATIRË E HUAZUAR
REFORMA NË DREJTËSI, BERISHA DEL HAPUR. PROPOZIMI FANTASTIK I ORËS SË FUNDIT
Gojët e Liga kanë mësuar se deputeti Sali Berisha ka ndërmarrë një hap të fundit, më të madhin deri tani sa i takon çështjes së reformës në drejtësi. Në një rreth të ngushtë deputetësh të të gjithë spektrit politik, deputeti i djathtë është ulur në krahun në majtë të tryezës dhe ka folur hapur:
“T’i lemë cic-micet dhe tërci-vërcet. Thuajuni shefave tuaj të ma lënë mua drejtësinë dhe vetë të bëjnë çfarë të duan. E di, kam bërë gabime dikur, po kush nuk ka bërë? Më plaçin sytë po ju them (dhe zuri sytë me dy gishtat që zakonisht i ngre lart në mitingje), jaaa, nuk dua gjë tjetër”.
Ndërsa propozimi i beftë ende nuk kishte zënë vend në mendjet e të pranishmëve, Berisha vazhdoi: “Për Pejgamber e Jezu Krisht, këtë herë e kam menduar mirë. Nuk do ketë asgjë problem, asnjë skandal, gjithçka do shkojë vaj”. “Hë, si thoni?”, vazhdoi ai i duke vështruar me sy lutës të pranishmit.
Deputeti i moshuar vazhdoi me një intonacion të thekshëm, mësojnë Gojët e Liga, si një 20 vjeçar që jep intervistën e parë të punës:
“Po ç’keni ju, po ju gënjeva të më pështyni, pthuu të ma bëni. Se ju nuk e dini ç’picir është kjo punë more zotëri. Ua them unë juve. Jo po duhen gjetur kandidaturat e përshtatshme për prokurorë e gjykatës, jo po të bëhet zyra si koshere me njerëz e zarfa, që s’merr vesh i pari vetveten dhe jo më të dytin… Jo po dikush të del llafit dhe duhet ta degdisësh në azil… Belara po ju them, belara!”
Në vijim plaku deklaroi: “Data 21 korrik po afron. Thuajuni shefave tuaj, do pres deri në datën 27, dhe po nuk kthyen përgjigje, atëherë në datën 31 do ta shikoni se ç’do ju punoj!”
Por menjëherë pas tonit kërcënues, ai shtoi:
“Po pse të prishemi për kaq gjë, xhanëm. Se ne jemi si një familje e madhe. Edhe në familje, punët janë të ndara. Për shembull, ime shoqe merret me fondacionet, ime bijë me përqindjet, im bir po plotëson mungesat në tregun shqiptar të lingerie-ve, apo si u thoni ju, breçkave, dhëndrri po stërvitet në taekvondo… kështu dhe ne. Unë drejtësinë, ju gjithë të tjerat…”.
Ndërsa përgjigje nuk po vinte nga asnjë anë, Berisha u përpoq dhe njëherë:
“Se do humbasim dhe statusin, pa për mua si të doni…”
***
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Por kjo s’do të thotë ta merrni lehtë…
DITA