REÇENSION
TRE ROMANE – PËR TRE MINUTA!
(Ose, profili i pazakontë i një shkrimtari)
Nga Adil FETAHU
Nuk është as shaka, as e pavërtetë, as është pretendim imi për të hyrë në librin e rekordeve të Ginisit. As nuk jam rekordmen në shpejtësinë e leximit. Do të bindeni vetë, se edhe ju, lexues të nderuar, do të arrinit ta bëni këtë që bëra unë, t’i lexoni tre romane – për tre minuta!
Po çfarë romanesh janë ato, që tre sish lexohen për tre minuta, do pyetni ju? Janë, janë, romane që ç’ke me të. Madje, me domethënie e porosi, që mund të mos e ketë as romani me treqint fletë! Janë këta tre romane të shkrimtarit Tafil Duraku: POROSIA E NËNËS; LUFTA ME DY BIGA dhe GJËMË E NËNËS. Dhe, për t’ua hjekë dilemën rreth kësaj që thashë, menjëherë po e reprodukoj këtu tërë përmbajtjen e të tre romaneve. Mos e sillni kokën, nga frika se përmbajtja do të jetë e gjatë, që s’keni kohë për t’i lexuar tash. Ja përmbajtja:
1. Romani i parë, POROSI E NËNËS:
Bijtë e Nënës,
mos u gropaconi,
ju pastë Nëna!...
2. Romani i dytë, LUFTA ME DY BIGA:
(Diku luftohej, diku ahengohej!)
Atje ku luftohej, nuk kishin as bukë për të ngrënë, as armë tamam për luftën.
Atje ku ahengohej, s’u binte ndër mend për luftën, kishin meze e raki me tepri…
Ata që luftuan, mbetën udhëve të Atdheut e të botës!
Ata që u ahenguan, kapën për fyti shtetin, po katërrithen “pozitivisht”, si macet mis(h)eve të përvjetshëm!...
E, u ropa kështu, siç po rjepem dhe prej vetërjepjes sime “pozitive”, piskas në kupë të qiellit: Europa!
Medet,
këtu të bie lufta me dy biga t’liga!
3. Romani i tretë, GJËMË E NËNËS:
Më plastë për së gjalli, bijtë e Nënës,
po më hani mish të gjallë
e m’i qit’t kurundantë prej kresë!
Kurrë s’mblodhët mend!...
Mos e pafshi ditën tuaj!...
* * *
A u bindët tash, se të tre romanet i kam lexuar (dhe ju mund t’i lexoni) - për tre minuta?
Por, porosia e tyre është jo për tri e tridhjetë, por edhe për ma se njëqint vjetët e kaluara, dhe njëqint tjera të ardhshme. Janë këto kode romani, të autorit, me porosi të madhe: lutje, luftë dhe ahengje e gjëmë.
Tafil Duraku
Tafil Duraku është fjalëpak e punëshumë. Është një profil i veçantë njeriu dhe intelektuali shumëdimensional: poet, publicist, shkrimtar, përkthyes, lektor, redaktor, veprimtar i angazhuar për çështjen kombëtare, pjesëmarrës i luftës dhe reporteri e zëdhënësi i parë nga fronti i luftës së UÇK-së në Drenishtë (siç e quan ai Drenicën). Ishte punonjës shumëvjeçar i Edicionit të Librit në Ndërmarrjen Grafike Botuese “Rilindja”. Ka botuar poezi e prozë: “Kohë njerkë” (poezi); “Njerëz thjeshtër” (poezi); “Njeriu i vetvetes” (tregime); “Dashuri vere” (poezi); “Karrabishti i UJD-it” (publicistikë). Ka shumë dorëshkrime (vërtetë dorëshkrime), sepse Tafili së pari shkruan me dorë, me një stilograf “Pelikan”, e pastaj i radhitë në kompjutor!) që pritet t’i botojë.
Nga përmbajtja e romaneve që i lexuat më sipër, mund të vëreni se autori Tafil Duraku përdorë një gjuhë me terma, shprehje e figuracione të vjetra iliro-shqiptare, të cilat i kuptoni vetëm kur ta lexoni shpjegimin e dhënë në fusnotë. Tafili është një antititist i përbetuar dhe i ashpër, po edhe kundër atyre ndërkombëtarëve që në Kosovë po bashkëpunojnë me “minjtë e tallave”, titistët, mercenarët e kuislingët vendorë, në dëm të popullit e të interesave kombëtare shqiptare. Flet, shkruan, punon e vepron: shkurt e shqip.
Tafil Duraku ka filluar të botojë poezi, qysh si nxënës i shkollës fillore, e ka vazhduar pa ndërprerë, por shkrimet e tij, me nofka e pa nofka, janë censuruar e hedhur në shportë nga censorët titistë, e ndonjë edhe i është vjedhur e modifikuar pak dhe botuar nga vetë cenzorët, në emër të tyre.
Prishtinë, më 18 Shtator 2016