REAGIM
SHTREMBËRIMI I NJË TË VËRTETE
(Reagim që ndriçon një çështje të rëndësishme të librit të autorëve Ramiz Kelmendi e Viktor Gashi, me titull: Shqipëria e Marie Shllakut – Katër martirë shkodranë, Pejë, 1995)
Tafil DURAKU
Libri “Marie Shllaku – Katër martirë shkodranë“ (Pejë, 1995), është një nismë e mbarë që synon ndriçimin dhe trajtimin adekuat të një periudhe të caktuar historike dhe personaliteteve të saj.
Këtu, do të merremi me kaptinën 10 të atij libri: Të tjerët për Marie Shllakun – Kujtime.
Ndër “kujtimet” që na bënë të reagojmë me shkas, është ai i Kristë Berishës, nga Dobërdoli, i cili, pa asnjë dëshmi, qëllimisht orvatet ta njollosë personalitetin kombëtar të Rexhep Selimit dhe të familjes së tij nga Açareva. Kur jemi këtu, shtojmë se Rexhep Selimi ishte njeriu më i sigurt dhe se Marie Shllaku u strehua në shtëpinë e tij hiç më pak se dy javë të plota. Vetë Rexhepi asaj ia lëshoi për shërbim dhomën e gruas së tij, ndërsa gruaja e tij Halimja (Lima) dhe vajza e tij Ajetja. Për të jetuar sa më mirë Marie Shllaku në shtëpinë e tij, Rexhepi shkoi te miqtë e vëllait në Abri, prej nga kishte sjellur në shpinë një shtrat të mirë që atëkohë ishin të rrallë, për Marie Shllakun, e cila ishte shumë e sigurt në shtëpinë e tij. Për motivin e strehimit të saj aty nuk ishin në dijeni as anëtarët e tjerë të familjes së tij, ndërkaq, për veshmbathjen e saj kujdeseshin vetë gruaja e Rexhepit, Halimja dhe e bija Ajetja, që ishte e martuar për Miftar Balën nga Dobërdoli. Fakti se Miftari ishte dhëndër i tij dëshmon se Rexhep Selimi ishte njeriu më i sigurt ku mund të strehohej Marie Shllaku dhe hedh poshtë akuzën e rëndë që përpiqet t’ia mvesh Kristë Berisha, nga Dobërdoli, atij dhe familjes së tij nga Açareva, kur tekstualisht thotë: “Aty e gjeti njëfarë Rexhep Selimi, i cili ia dorëzoi OZN-ës në Skënderaj.”
Këtë pohim të tij qëllimkeq e tendencioz e hedhin poshtë shumë fakte të dëshmitarëve të gjallë si dhe të disave që tashmë kanë vdekur. Marie Shllaku, gjatë qëndrimit të saj në shtëpinë e Rexhep Selimit, kishte në disponim dhomën personale të tij, ku mbante radiostacionin që kishte, e prej ku komunikonte me njerëzit e saj të idealit kombëtar, në pesë-gjashtë gjuhë botërore. Edhe Bajrë Shabani ishte dhëndër i Rexhep Selimit, përkatësisht, baxhanak i Miftar Balës, dhe, që të dy ishin ndër personalitetet më të besuara në radhët e Marie Shllakut. Fakti tjetër që shkon në favor të pohimit tonë është se edhe Miftar Bala e Bajrë Shabani ishin të dënuar në Procesin e Prizrenit. Miftar Bala ishte dënuar me vdekje e më vonë me 20 vjet burg të rëndë, prej të cilave afër 12 i kishte mbajtur. Falë një lidhjeje që i kishte gjetur prokurorit Ali Shukriu, nga dënimi me burg të rëndë ka shpëtuar edhe Bajrë Shabani, emri i të cilit nuk është në librin e përmendur. (Ky ka vuajtur 1 vit burg të rëndë). Nga e gjithë kjo del se figura e Rexhep Selimit, gjithsesi, del shumë e shëndoshë, njerëzisht dhe kombëtarisht.
Dihet saktësisht se kush e ka zënë (“gjetur”) të plagosur Marie Shllakun, e cila ka kërkuar të shkojë në shtëpinë e Rexhep Selimit, drejtimin e së cilës e kishte marrë ajo, me shumë plagë në trup, ku, sapo hyn në oborrin e tij, gëzimi i saj pritet, sepse, njerëzit e OZN-ës në katund e shpënë atë deri në shtëpi të Rexhep Selimit dhe, njëkohësisht, e lajmërojnë OZN-ën, e cila e kap atë aty, ndërsa, familja e Rexhep Selimit, siç thuhet, ka shpëtuar për një qime floku nga më e keqja.
Nisur nga këto fakte, del se, sheshazi, një pakujdesi e autorëve, të cilët i ka obliguar detyra që i kanë vënë vetes, të cilët është dashur të shkojnë gjurmëve të atyre “kujtimeve”, në katundin përkatës, në familjen përkatëse, që etiketohet pa asnjë të drejtë nga Kristë Berisha nga Dobërdoli e përreth, për t’i vërtetuar “Kujtimet” e tij.
Shkurt, Marie Shllaku është hasur “rastësisht”, e plagosur, nga Çun Fylli dhe Xhafer Imeri (Fylli), të Lagjes së Fyllajve, nga Açareva.
(Marrë nga rubrika “Tribuna” e gazetës «Bujku», e hënë, 18 mars 1996, fq. 10.)