INTERVISTË
RAMA, RUÇI DHE DY AGRONËT. NJË SHEMBULL AMERIKAN PËR KRYEMINISTRIN DHE KRYETARIN E KUVENDIT
Ilir Mborja, denoncuesi i plagjaturës dhe falsifikimeve të lidhura me drejtorin e ISKPK Agron Tufa thotë se heshtja e Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit i bën bashkëfajtorë.
Ai paralelizon me një “Agron tjetër”
“Me keqardhje po vërej se, pas qëndrimit të fundit të kryeministrit Rama, skandali i krimit akademik “Tufa” është përtej tufës së bashkëpunëtorëve të tij të derisotshëm Shehri, Rrokaj, Kule dhe ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla…
Gjithashtu, e pashpjegueshme më duket edhe heshtja dhe mosveprimi kryetarit të Kuvendit, zotit Gramoz Ruçi. Siç e keni cilësuar edhe ju të gazetës Dita në shkrimin redaksional, ai si kryetar Kuvendi duhet të kishte urdhëruar për kontroll drejtorinë e monitorimit të institucioneve të pavarura të Kuvendit, ku përfshihet edhe instituti i drejtuar nga Tufa.
Mirëpo, këtu dyshoj se kanë ngecur punët: Duket se drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa i tremb titullarët e institucioneve tona, pikërisht pas titullit të gjatë të institucionit që drejton aksidentalisht vetë. Për t’i nxjerrë fobinë nga OSBE- ja e organizata të tjera të Perëndimit po i sjell në kujtesë zotit Ruçi këtë rast…” – thotë publicisti dhe përkthyesi Mborja.
Më poshtë intervista e plotë e tij botuar sot në gazetën DITA:
Dita: Zoti Mborja, Kryeministri Edi Rama reagoi me një status në llogarinë e tij në Facebook duke shkruar: “Koha për një përshkallëzim të ri kundër korrupsionit. Po punojmë për një program nxitjeje kundër heshtjes dhe denoncimit me provë abuzuesit. Një ide në diskutim është «Çdo student denoncues që sjell provë për presion korruptiv nga kushdo qoftë, zeron tarifën dhe merr bursë njëvjeçare!». Meqenëse, në lidhje me temën e korrupsionit në Universitetet tona, edhe ju keni qenë aktiv këto ditë në faqet e gazetës sonë, si ju duket ky reagim?
Publicisti dhe përkthyesi Ilir Mborja
Përgjigje: E pabesueshme! Më duket e pabesueshme ta ketë shkruar vetë kryeministri ynë këtë status! Absolutisht jo, unë nuk mund të pajtohem me këtë program që inicion kryeministri ynë, me gjithë qëllimin pozitiv që mund të ketë. Të motivohen studentët nga përfitimi për para që të gjurmojnë e denoncojnë profesorët, kjo më duket absolutisht e gabuar. Kurrë nuk duhen nxitur informatorët si njëherë e një kohë. Nuk ka përse.
Në radhë të parë duhen vënë në punë mekanizmat ekzistues, se, siç e kam theksuar edhe në shkrimet e mëparshme për rastet e plagjiaturave mund të veprohet sipas kreut III, paragrafi 3 të Rregullores «Për etikën në veprimtarinë kërkimore dhe botuese» (shih Urdhrin Nr. 105, datë 23.3.2012 të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës). Veç kësaj, unë nuk di që në Kodin tonë Penal të mungojnë ligjet që dënojnë krimet për vjedhje, tjetërsim prone, korrupsionin pasiv e aktiv, falsifikimin etj. Mbase duhet përsosja e atyre ligjeve që të kontrollohet e pastaj të forcohet mbrojtja pronës intelektuale…
Këtij vendi kurrë nuk i kanë munguar denoncuesit kurajozë. Edhe për korrupsionin në universitete, veç Taulant Mukës apo Vladimir Kolës, janë me dhjetëra e qindra emra denoncuesish që ia tregojnë me gisht “ujkun” kryeministrit, ndërsa ai, çuditërisht, kërkon informatorë për “gjurmët”?! Vërtet e çuditshme! Dyshoj se kryeministrit tonë i kanë vjedhur password-in e Facebook-ut…
Meqë përmendët intelektualin Vladimir Kola, sot p.sh., në faqen e saj në rrjetin social të Facebook-ut, Lëvizja “Dija”, në shkrimin e titulluar “Misteret kafkiane të doktoraturave në Shqipëri, në mënyrë të veçantë të doktoraturës së z. Agron Tufa.” Në denoncimin e tij zoti Vladimir Kola, pas katër pikëpyetjesh të tjera, publikonte edhe një plagjiaturë tjetër të Agron Tufës në dëm të doktoraturës së studiueses Alba Teneqexhi. Jeni njohur me këtë denoncim dhe ç’mendim keni?
Përgjigje: Po. E lexova dhe i pashë katër pyetjet asgjësuese dhe provën e pakundërshtueshme që solli zoti Vladimir Kola për plagjiaturën nga punimi i znj. Alba Teneqexhi… Unë sot po ju paraqes për së pari edhe një dëshmi tjetër që Agron Tufa ka plagjiatuar nga Doktoratura e znj. Kristina Ajazi – “Sfidat e përkthimit në epokën e globalizmit. Globalizmi dhe ndikimi i tij në përkthimologji, parë në qasjen e teksteve publicitare në anglisht dhe shqip”…
E falënderoj dhe përfitoj nga rasti ta “qortoj” edhe për konstatimin e tij kur thotë: “…Gjithsesi, Ilir Mborja nuk ka arritur të kuptojë se në të vërtetë, siç e thashë edhe më sipër, edhe në këtë moment, në sitin e Universitetit të Tiranës, gjenden dy versione të tezës së mbrojtur nga Agron Tufa: versioni i parë është me 306 faqe dhe versioni i dytë është me 288 faqe. Pra, në versionin me 306 faqe, gjendet akoma kopjimi (shih faqet 285-288 të Tezës) nga teksti i z. Aristotel Spiro.”
Zoti Kola! Unë e dija atë fakt, por nuk desha ta dekonspiroja. Duke menduar se përdoruesi i quajtur “rektorati” mund ta fshinte versionin e parë në sitin e Universitetit jam druajtur të publikoj më shumë se: (Në stilin e familjes mafioze, përdoruesi me emrin “rektorati” ndërhyn në kompjuterin e Universitetit dhe versionin fillestar të doktoraturës së Agron Tufës (prej 306 faqesh) e zëvendëson me një version tjetër prej 288 faqesh. Pra, 18 faqe më pak se në versionin e ngarkuar fillimisht më 19 shkurt 2015 (shih sitin e UT: By rektorati on February 19, 2015 11:41 a.m. in Departamenti the Letersise / no comments). Po në atë shkrim (https://www.gazetadita.al/thellohet-skandali-i-doktoratures-se-drejtorit-te-antikomunizmit/) jo më kot më poshtë i drejtoja pyetjen plagjiatorit në fjalë: “Sa kohë ju është dashur ta shkruani doktoraturën, zoti Tufa? Një ditë, dy ditë, apo dy orë?”
Zoti Mborja! Në denoncimin e parë tuajin në gazetën tonë “Dita” më 3 shtator 2019 ju flisnit në stilin e një fejtoni me nota humori vetëm për një plagjiaturë në dëm të Dr. Aristotel Spiros. Më pas ju dhe të tjerë si zoti Kola po sillni prova që dëshmojnë se zoti Tufa në “doktoraturën” e tij “Mistika e origjinalit” që është detyruar të paraqitë në internet pas 7 vjetësh kur e ka përfituar, nuk ka asgjë origjinale? Nuk mendoni se akuza juaj për një skandal të këtyre përmasave është shumë e rëndë?
Përgjigje: Vërtet, ashtu është. Por të ishin vetëm 3-4 faqe nga kumtesa e Aristotel Spiros “Fan Noli dhe shqipërimi si antinomi terminologjike”, vjedhja “intelektuale” e Agron Tufës do të kishte tiparet e një incidenti të papritur e të izoluar. Por kërkimi i mëtejshëm ka nxjerrë përmasat e një krimi akademik të padëgjuar më parë.
Tani është momenti që t’i përmbledhim edhe një herë “trimëritë” plagjiariste të Agron Tufës, duke renditur edhe ato që ka zbuluar z. Vladimir Kola e ndonjë tjetër. Unë po rreshtoj të gjitha faktet e deritanishme, në mënyrë që “të mbroj” ndonjë student nga “mëkatimi” i spiunimit me pagesë ku i ysht kryeministri, si edhe që të kursej disi buxhetin e shtetit nga barra ekonomike e tarifës së papaguar apo bursës falas për ndonjë student, e prandaj po ju sjell edhe tërë tufën e provave për skandalin Tufa:
Drejtori i ISKPK, Agron Tufa
Vjedhjen e pasazheve të tëra (praktikisht e gjithë doktoratura e A. Tufës) nga
- Doktoratura e znj. Alba Teneqexhi “Pёrqasje tё pёrkthimeve tё ndryshme nё gjuhёn shqipe tё shkrimtarit italian Dino Buxati” mbrojtur në Universitetin e Tiranës më 2014, prej së cilës Agron Tufa ka marrë fjalë për fjalë një “tufë” faqesh, konkretisht faqet 9-25 dhe 35-44 (https://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2015/01/Doktoratura-Alba-Teneqexhi-Fakulteti-i-Gjuheve-te-Huaja-Departamenti-i-Gjuhes-Italiane.pdf) dhe i ka vendosur të gatshme tek “doktorata” e tij shih versionin me 306 faqe tek faqet 18-44, 87-94 dhe 145-147 (https://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2015/02/Doktoratura-Agron-Tufa-Fakulteti-i-Histori-Filologjise-Departamenti-i-Letersise.pdf?fbclid=IwAR0j9ksrBaxiS5fpSuNCySq9wcFHi4cu5xUwRucbP0SytiWCiU5g8xm_Q5Y).
- Kopjimi i kreut II të “doktoraturës” së Tufës nga libri “Hyrje në Studimet e Përkthimtarisë” (“Введение в переводовведение”) të profesoreshës ruse I. S. Alekseeva.
- Doktoratura e znj. Kristina Ajazi “Sfidat e përkthimit në epokën e globalizmit. Globalizmi dhe ndikimi i tij në përkthimologji parë në qasjen e teksteve publicitare në anglisht dhe shqip”, mbrojtur në Universitetin e Tiranës më 2012, prej së cilës Agron Tufa ka marrë fjalë për fjalë një “tufë” tjetër faqesh, konkretisht pjesë nga kapitulli III.5.1. “Përkthimi si përballje gjuhësh dhe kulturash” (shih faqet 72-73 tek https://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2012/09/Kristina-Ajazi-Fakulteti-Gjuheve-te-Huaja.pdf), dhe i ka ndërkallur në “doktoraturën” e vet (shih faqet 137-138 të versionit “fillestar” të “doktoraturës” së Tufës).
- Pjesa tjetër e të ashtuquajturës “doktoraturë” të Tufës përbëhet nga teste leksionesh të teorisë së përkthimit të gjetura gati e përkthyer nxitimthi nga rusishtja si dhe artikuj të përngjitur me komandën Copy à Paste, si dhe tituj nga literatura që s’kanë asnjë lidhje me trupin kryesor të tekstit (shih titujt bibliografikë rusisht të shtuar në fund: aq i nxituar ka qenë A. Tufa sa nuk arriti të paktën t’i shkruante shqip titujt e gatshëm!)
- Del se në shkurt të vitit 2008 Agron Tufës iu dha grada doktor pa paraqitur fare formalisht ndonjë punim, qoftë edhe plagjiaturë (!). Ai mblodhi andej – këndej tekste e artikuj të cilat i paraqiti kinse si punim doktorature vetëm kur, 7 vjet më vonë, iu kërkua materiali i doktoraturës nga autoritetet e UT-së.
- Departamenti i Letërsisë dhe Dekanati i Fakultetit Filologjik të UT-së, në stilin e mafias, kanë bashkëpunuar në një aferë të ndyrë falsifikimi, kur nënshkruan që Agron Tufa të merrte gradën “Doktor” pa paraqitur material të shkruar, por e kanë mbrojtur veprimtarinë e tyre kriminale duke e mbuluar falsifikimin përmes vënies në sistem të një materiali plagjiaturë, që s’ka asgjë të përbashkët me një punim serioz doktorature.
Me keqardhje po vërej se, pas qëndrimit të fundit të kryeministrit Rama, skandali i krimit akademik “Tufa” është përtej tufës së bashkëpunëtorëve të tij të derisotshëm Shehri, Rrokaj, Kule dhe ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla…
Çfarë doni të thoni më konkretisht me këtë paragrafin e fundit, zoti Mborja?
Përgjigje: Atë që thashë më sipër për kryeministrin… Nxitimi në qëndrimin e tij për këtë çështje të shtyn të mendosh për gjëra më të kobshme… Aty të shkon mendja edhe kur ndeshesh me heshtjen e çuditshme të ministres së Arsimit, zonjës Shahini. Mbase paguhet për të heshtur nga dikush tjetër, por nga taksat tona ajo paguhet për të kundërtën. Me këtë rast detyrohem t’i kujtoj titullares së institucionit se Ministria e Arsimit nuk është vendi për të fjetur gjumë…
Zonja Ministre mund të flejë në shtëpinë e saj dhe për mua është e pashpjegueshme heshtja e saj… Është shumë e çuditshme që ajo ende nuk gjen kohë të prononcohet edhe tani, që besoj se ka mbaruar punë edhe me shitjen e librave shkollorë… Gjithsesi mbetemi në pritje të reagimit zyrtar, të një pozicionimi të saj. Ministrja jonë znj. Besa Shahini mendoj se e ka detyrim moral, por edhe ligjor që ta ndajë këtë histori një orë e më parë dhe, nëse nuk përbën skandal kjo që denoncojmë, të më procedojë “për shpifje” dhe unë të vuaj penalizimin meqenëse i paskam rënë në qafë “doktor” Agron Tufës dhe lukunisë së babëzitur të bashkëpunëtorëve të tij…
Veç ministres së Arsimit znj. Shahini, që ju z. Mborja i jeni drejtuar publikisht me një letër në faqet e gazetës sonë “Dita” më 13 shtator 2019, a mendoni se ka edhe të tjerë që janë të interesuar për mbylljen e këtij skandali të përmasave kaq të mëdha me personazh kryesor drejtorin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, z. Agron Tufa?
Përgjigje: Nuk di të them saktësisht se kush është i interesuar për mbylljen e këtij skandali të padëgjuar më parë, pasi më mungojnë ato prova… Por mund t’ju them se, gjithashtu e pashpjegueshme mbetet për mua edhe heshtja dhe mosveprimi i kryetarit të Kuvendit, zotit Gramoz Ruçi. Siç e keni cilësuar edhe ju të gazetës Dita në shkrimin redaksional “Kush e mbron Agron Tufën?” të datës 15/ 9/ 2019, ai, si kryetar Kuvendi, duhet të kishte urdhëruar për kontroll drejtorinë e monitorimit të institucioneve të pavarura të Kuvendit, ku përfshihet edhe instituti i drejtuar nga Tufa.
Mirëpo, këtu dyshoj se kanë ngecur punët: Duket se drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa i tremb titullarët e institucioneve tona, pikërisht pas titullit të gjatë të institucionit që drejton aksidentalisht vetë. Për t’i nxjerrë fobinë nga OSBE-ja e organizma e institucione të tjera të Perëndimit, po i sjell në kujtesë zotit Ruçi këtë rast:
Pas një rasti më të mëparshëm, përsëri, më 21 gusht të këtij viti, shtetasit 41-vjeçar Agron Selmani, iu hodhën prangat nga forcat “Shqiponja” menjëherë sapo doli nga Ambasada Amerikane në Tiranë, pasi Shërbimi Diplomatik i Sigurisë DSS zbuloi një tjetër rast falsifikimi të një diplome të shkollës së mesme… Për SHBA ai veprim konsiderohet një krim i rëndë, por edhe në Kodin Penal shqiptar parashikohet gjithashtu si vepër penale…
Agron Selmani që ishte fitues i lotarisë amerikane, mes dokumenteve që kishte dorëzuar në Ambasadë, përpara se të intervistohej kishte depozituar edhe të dhëna të rreme për një diplomë, që e paraqiste 41-vjeçarin si të diplomuar në shkollën e mesme “Jordan Misja” në Shkodër.
Pra, për raste kur shqiptarë të varfër detyrohen që të falsifikojnë për të përfituar një vizë që të punojnë në ndërtim ose për të larë pjata në Amerikë (sigurisht me të drejtën e ligjit) arrestohen nga policia e shtetit (e atij shteti që nuk i siguron një punë për kafshatën e gojës…)…
Në këto rrethana, po të më lejoni, do t’i drejtohesha kështu:
I nderuar zoti Ruçi! Ju siguroj se Agroni (Selmani, jo Tufa) nuk kishte ndërmend të punonte drejtor në ndonjë Drejtori të DASH… Por mbi të ra rreptë forca e ligjit, se në mes ishte autoriteti amerikan, që ju duket se gabimisht e perceptoni sikur është vetëm kur bie fjala për Amerikën. Me sa duket, bash për këtë, Agroni i varfër, që gaboi me amerikanët në luftën e përditshme për kafshatën e bukës së kalamajve, nuk mund të jetë i privilegjuari Juaj dhe i kryeministrit tonë, siç jeni, me nder me thënë, me drejtorin e korruptuar të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa.
Z. Mborja! Meqë në akuzën e mësipërme për z. Ruçi ju, duke përmendur edhe kryeministrin si të përfshirë nga “fobia” për një perceptim të gabuar të tyre për konsekuencën e barazshpërndarë për këdo që shkel ligjin e SHBA-ve (gjithnjë sipas jush) na lejoni t’i kthehemi edhe njëherë postimit të kryeministrit tonë në Facebook, ku shtron për diskutim një ide që: «Çdo student denoncues që sjell provë për presion korruptiv nga kushdo qoftë, zeron tarifën dhe merr bursë njëvjeçare!». Ky postim i ka paraprirë transmetimit të një kronike TV mbi avancat seksuale të një pedagogu ndaj një studenteje në Elbasan. Kryeministri, me sa duket, është njoftuar më parë për transmetimin. Keni diçka për të thënë në lidhje me këtë temë?
Përgjigje: Për rastin që përmendni në Universitetin “A. Xhuvani”, meqenëse edhe vetë unë aty kam përfunduar studimet dhe, me keqardhje mund t’ju them se episode të tilla për pedagogë në moshë të re nuk janë fort të padëgjuara… Pra, të gjithë ne që kemi studiuar në universitete dimë dhe kemi dëgjuar (jo shpesh, me thënë të vërtetën) edhe shumë kohë më parë për idile erotike e sjellje të tilla të palejueshme të pedagogëve të veçantë, madje edhe të ndonjë mësuesi… Por në kohën tonë nuk kishte kamera të fshehta e “çimka”, as emisione si “STOP!” dhe, gjithsesi universiteti, si e gjithë koha që jetonim, kishte një moral që ndryshon shumë nga ky i sotmi…
Me sa mbaj mend, vetë Saimir Kodra i emisionit konkurroi para ca vitesh për deputet nga PS në një zonë të Pogradecit. Atëherë, gara elektorale në mes të legjislaturës vetëm për atë zonë u hap pas aksidentit automobilistik të ish-deputetit të ndjerë… Në atë aksident që rezultoi fatal për të ishte edhe një femër e panjohur që duket i mori mendjen dhe “i luajti timonin”… Le të më tregojë dikush për aksidentet e “VIP”-ave tanë, që, megjithëse të martuar e me fëmijë, kur janë përmbysur në makinë, nuk u ka dalë edhe ndonjë “kukull ilegale” bashkë me të në veturë!.. Vetëm për rastet kur ia ka bërë “bam!” më thoni!. Se për rastet kur nuk ndodh aksident, nuk ka si të më përgjigjet kush, se ato ne nuk mund t’i shohim…
Nuk më pëlqen të flas më gjatë për rastin e Denisit, se druaj se në moralin e sotëm, me një avokat të zotë, ai del krejt i pafajshëm për pjesën e premtimeve në çaste erotike… Dhe, po të mos harrojmë psikozën e trashëguar të elbasanasve në veçanti, që në marrëdhëniet erotike fajëson vetëm femrën (“Turpi i burrit lahet me një gjym ujë, ndërsa atë të femrës s’ka oqean ta lajë.”), skena e reagimit tundues ndaj joshjes femërore të një djali e nxjerr “pa lagur” Denisin në sytë e opinionit edhe të sotëm në Elbasan… Dhe jo vetëm atje.
Kujtoni rastin kur gjyqi partizan gjatë viteve të Luftës, që dënoi vetëm Ramize Gjebrenë për episodin erotik (pra, vetëm femrën) ndërkohë që Zaho Kokës nuk i tha një gjysmë fjale… Ndërsa për premtimet (përjashto politikanët që premtojnë orë e çast) kush nga të dashuruarit nuk “i ka premtuar Hënën” dhuratë të dashurës në çaste idili erotik?.. Por këtë radhë pedagogu Denis Himçi ra në kurthin e parapërgatitur të një provokimi profesionist të Klan-it, i cili gjithsesi arriti t’ia dalë të spostojë vëmendjen e opinionit nga shumë emergjenca të tjera të universitetit…
Prandaj në kohën tonë ishte i dënueshëm rreptësisht provokimi nga kushdo që të bëhej dhe për të tilla episode. Padashur ta minimizoj aspak dënimin e skenës, guxoj të them se aty gjithsesi nuk mbizotëroi përdorimi i parasë. Me sa pamë, bëhej fjalë për dhurata të premtuara, që nuk e kalonin vlerën e një shisheje parfumi… Dhe këto nga ana pedagogut, që ra në kurthin po aq të dënueshëm të “së dashurës”… Në përfundim, dua të them se veç historive të tilla të shëmtuara, nëpër universitete ka ngjarje edhe më të rënda e me pasoja shumë më të gjera dhe më afatgjata.
Të tilla janë plagjiaturat e veçanërisht raste si ai i drejtorëve shtetërorë, që kanë falsifikuar dokumentacionin e emërimit dhe kanë mashtruar në bashkëpunim, përveç vjedhjes së pronës intelektuale. Ndërsa sa për koordinimin mes statusit të Kryeministrit në Facebook dhe Klanit të Sandrit, nuk dua ta besoj kurrë të ketë ndodhur… Nuk dua të besoj se ky rast përdoret për të shmangur përgjegjësitë e Tij në lidhje me gjendjen e rëndë në universitet tona… Po të jetë e vërtetë kjo gjë, atëherë gjithçka është shumë më e rëndë dhe pastaj nuk është çështje “vjedhje password-i…
Ju faleminderit!
DITA