QENI I FQIUT

 

TAFIL DURAKU

QENI I FQIUT

 

 

Natën e kishte përqafuar dendësia e tisit të mjegullës së errët. Njoma, ishte shtrirë në shtrat pranë së motrës, të cilën e kishte zënë gjumi dhe kishte filluar të gërhasë lehtë-lehtë. Edhe pse ishte në moshë më e re se e motra, Blerta, ajo e vriste mendjen më shumë për gjithçka që e rrethonte. I kujtoheshin Njomës gjyshi dhe gjyshja, që i kishte lënë babai i saj të vetmuar në katund, në një kullë të vjetër dykatëshe, me gurë të fortë dhe të mëdhenj, dhe e kishte ndarë atë dhe fëmijët e tjerë nga gjyshërit e dashur. Atë, nuk e kishte bërë babai i saj nga ndonjë dëshirë që të ndahet a të largohet nga prindërit e tij, por, pse e kishte lidhur puna që kishte zënë në gjytetin e Drenishtës.

 

Qafëdrenasi, katund ky që nuk ishte larg gjytetit të Drenishtës, kishte më shumë se dyqind shtëpi, prej të cilave shumica ishin kulla dy e trekatëshe.

 

Derisa i përftuan nëpër kokë këto mendime Njomës së shtrirë në shtrat pranë së motrës, që kishte tretuar në botën përrallore të ëndrrave, ajo e kishte ngjitur shikimin tek yjet, tej vrimave të rralla të perdeve të dhomës së fjetjes. Sytë i kishte tek yjet që shndërisnin sikur xhevahirë të çmuar dhe e dritëronin dhomën e saj të dashur, derisa, mendjen ia kishin vjedhur të lehurat e qenit të fqinjit të tyre, që e ndiqte atë vazhdimisht dhe e çonte peshë gjithë lagjen, ku ishin vendosur për banim. Atë nisën ta kaplojnë drithma të frikshme, u zhgreh në vaj…

 

Kuisjet e qenit nuk pushonin dhe dukeshin sikur po kumbonin më shumë dhe sikur ai qen i zi si nata po i afrohej dhe po ia kafshonte atë zemër të re.

 

– Ta thërras, Blertën?, - mendoi më vete. Të shkoj në dhomën tjetër ta thërras babain, nënën.

 

– Jo, jo, se bëhet nami ta zgjoj babain në këtë kohë, ngase, ai, këtij fqinji të çuditshëm dhe të pandjenja ia kishte tërhequr vërejtjen disa herë, bashkë me fqinj të tjerë të lagjes sonë.

 

Fqinji më i afërt i të zotit të qenit thoshte se nuk kishte ç‘t’i bënte ngase do ta pësonte keq, sepse, ai, ishte njeri i qeverisë dhe qenin e kishte trashëguar nga fashistët çetnikë. Askush të mos shtjerë gjumë në sy në lagjen tonë dhe askush të mos ketë qetësi, nuk guxon të bëjë gëk a t’u ankohet organeve të qeverisë se qeni i fqinjit të tyre, Halit, i trazon fëmijë e të rritur, të gjithë banorët e lagjes së tyre. I kujtoheshin Njomës këto fjalë që i kishte dëgjuar kur fqinji i tyre, Tori, ia kishte thënë babait të saj, Drenit, një mbrëmjeje të vonë.

 

– Nuk do të hajë kë më ai qen, sikur që i kafshoi shoqen time, Thanën, Drenin dhe Drenushën duke shëtitur një ditë të bukur pyllit, - mendoi e gëzuar Njoma. Që në mëngjes do të takohem me shokët dhe shoqet e mia dhe do t’ia gatuajmë kulaçin qenit të fqiut tonë të sëmurë. Ajo u zgjua rrëmbimthi, e ulur qullë në djersë.

 

– Ëndërr paskam qenë, - tha më vete dhe ofshani thellë, duke e shkundulluar kokën. Dita e re tashmë kishte agulluar. Njoma vendosi të zgjohet ngadalë, pa e zgjuar të motrën, Blertën, që flinte aq ëmbël. Por, edhe lëvizja më e lehtë në shtrat do të mund t’ia prishte gjumin Blertës sime, - mendoi ajo.

 

Ajo zbriti lehtë e lehtë, por, Blerta u zgjua dhe e falënderoi Njomën që e zgjoi nga gjumi.

 

– Jo, mos më falëndero mua, i tha Njoma, ti u zgjove vetë, se, unë, u përpoqa të të mos zgjojë kaq herët, sepse, mua më zgjoi një ëndërr e gjatë, nga e cila nuk e di sesi nuk më paska zënë ankthi.

 

– Po, ma trego, motër e dashur!, - i tha Blerta.

 

Ajo filloi t’i rrëfejë fill e për pe për qenin e fqinjit që i kishte kafshuar, Thanën, Drenin dhe Drenushën, duke luajtur në pyll, turrej t’i kafshonte edhe fëmijët e fqinjve të tjerë dhe mua.

 

Pasi e kryen mëngjesin, pinë nga një gotë çaj bliri dhe dolën të lozin me shokët dhe shoqet e tyre, të cilët ishin tubuar në fushën e lagjes. Me të dalë, ato e përshëndetën nënën e tyre, Rritën, e cila i porositi që të ruhen nga qeni i zi i fqinjit të tyre. Blerta dhe Njoma, pas pak, u bashkuan me shokët dhe shoqet: Miklonin, Dardhën, Gardhin, Trepçën, Drilonin, Gencianën, Qafëdrenin, , Bardhën e shokë e shoqe të tjera që ishin mbledhur të luanin bashkarisht. Pasi kryen “Lojën e pjekurisë”, Njoma, vërejti fqinjin e tyre që kishte dalë në shëti bashkë me qenin e tij të zi si futa, që e mbante për dore. Qen më të madh e më të zi nuk kishin parë kurrë. Jo, jo, nuk kishin parë qen më dinak. Ai dinte të kafshonte vetëm tinëz dhe pa e parë askush. Atij ia kishte frikën edhe Njoma me shokët dhe shoqet e tjera. Filluan lojën e dytë, të quajtur “Shtëpitë e gëzimit”. Hali, i cili gjendej bukur larg fëmijëve, e kishte lëshuar qenin e tij të zi dhe shëtiste duke i pehatur zinxhirët prej dore në dorë e herë duke formuar rrathë të ndryshëm, kinse ishte i tretur në mendime dhe bënte sikur qëllimisht nuk e kishte marrë qenin me vete, që t’ua prishë lojën fëmijëve të fqinjve të tij, ndjeu një britmë andej nga luanin fëmijët, nga nuk donte ta kthejë kokën, kur një i panjohur, që kalonte atypari, , i tha dy-tre herë që të vrapojë se qeni i tij bënte kërdinë në fëmijë. Në këtë rrëmujë të lemeritshme, qeni kishte kafshuar gardhin, Gencianën dhe Trepçën, e, të tjerët i kishte tmerruar fare.

 

Hali, sikur i kishte futur veshët në lesh e nuk donte të dinte fare se ç‘bënte qeni i tij, që e ushtronte gjithnjë për të zi...

 

Njomës dhe shokëve e shoqeve të tjera nuk u kujtohej si kishte ardhur qeni, por, pa u hamendur e morën shokun dhe shoqet e tyre të plagosura dhe i çuan në ambulancën më të afërme për t’ua dhënë ndihmën e parë. Të kafshuarve nga qeni u dhanë nga një inxheksion dhe bar të posaçëm për ta lyer plagën.

 

Pasi i kthyen në shtëpitë e tyre shokun dhe shoqet e plagosura, Njoma i bashkoi të gjithë shokët dhe shoqet e tjera dhe gatoi tre luleçë me mish të helmuar, që i sollën ata, dhe shkoi tinëzisht deri te stoli, ku ishte vendosur qeni i zi i fqinjit dinak.

 

... Ajo u afrua fare pranë, pa e vërejtur gati as qeni që e tmerronte gjithkë.

 

– Tup, tup, tup! Pranë tij u dëgjuan të rënat e tre kuleçëve prej mishi të gatuar nga duart e vyera të Njomës dhe të shokëve e të shoqeve të saj. Qeni i zi nisi t'i nuhasë ata, e, kur nisi t’i gllabërojë, Njoma u gëzua pa masë dhe iku pa e diktuar njeri.

 

Të nesërmen, dielli lindi më i buzëqeshur. Qielli pa re të zeza. Oborri i fqinjit, pa zërin e qenit të zi.

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode