HISTORI
ENVER HOXHA LUFTOI SI PASARDHËS I NACIONALISTËVE RILINDËS
KK
Nga Prof. Dr. Kristo FRASHËRI
Në përvjetorin e lindjes së udhëhqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, historiani i mirënjohur shqiptar, dr. Kristo Frashëri ka shkruar se bazuar në dokumente historike nuk del që Enver Hoxha të ketë nënshkruar traktate apo marrëveshje të hapëta apo të fshehta, të cilat të kenë cenuar interesat e kombit apo të atdheut, siç ndodhi me pushtetin e Ahmet Zogut. Në thelb, tërë ato kthesa që ne njohim tregojnë se Enver Hoxha synonte të konsolidonte pushtetin partiak, në thelb autoritetin personal pa e shkelur, përkundrazi, duke e respektuar pavarësinë e Shqipërisë dhe interesat e kombit. Në rast se Enver Hoxha del para gjyqit të historisë, ai duhet dënuar për dhunën që përdori ndaj popullit të vet pas Luftës së Dytë Botërore, por jo për shërbimin që ai i bëri atdheut gjatë periudhës së parë si udhëheqës i Partisë Komuniste Shqiptare, ka shktuar mes tjerash historiani, Frashëri.
Dalëngadalë po mbushen 70 vjet nga fitorja më 29 Nëntor 1944 e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, e cila nuk mund të mohohet se i solli Shqipërisë pavarësinë kombëtare të shkelur nga okupatorët fashistë italianë më 7 prill 1939. Dalëngadalë po mbushen gjithashtu 70 vjet nga vendosja më 29 Nëntor 1944 e diktaturës së Partisë Komuniste, e cila, në vend të demokracisë së premtuar e sfiliti popullin shqiptar më tepër se 45 vjet me pushtetin e saj autoritar. Ajo që i lidh të dyja këto periudha të veçanta historike është roli udhëheqës që luajti në të dyja periudhat e njëjta parti – Partia Komuniste Shqiptare, më vonë Partia e Punës e Shqipërisë, dhe në mënyrë kategorike udhëheqësi i saj Enver Hoxha, i cili e drejtoi partinë në të dyja periudhat me anëtarë të ndryshëm në Komitetin e saj Qendror. Megjithatë, të dyja këto periudha patën përmbajtje historike të ndryshme.
E PARA, kishte si bosht politik çlirimin e Atdheut nga okupatorët nazifashistë dhe vendosjen në Shqipërinë e pavarur të regjimit demokratik popullor.
E DYTA, pati si pikësynim ndërtimin në kushtet e Shqipërisë së pavarur të shoqërisë socialiste për të arritur në vendosjen e rendit komunist. Kemi të bëjmë me dy periudha, të cilat nuk janë të lidhura domosdoshmërisht me njëra-tjetrën. Lufta Nacional Çlirimtare në parim mund ta sillte, por edhe mund të mos e sillte vendosjen e regjimit komunist. Nga ana e tij, regjimi i pasluftës, demokratik ose jodemokratik, varej nga përbërja e udhëheqjes së Luftës Nacional Çlirimtare. Nëse rolin kryesor në çlirimin e vendit do ta luante, si në Francë, një parti e ashtuquajtur borgjeze, Shqipëria do të kishte shpëtuar nga regjimi komunist. Në të njëjtën kohë, karakteri i pushtetit varej dhe nga situata ndërkombëtare në të cilën u ndodh pas luftës çështja shqiptare. Nëse Fuqitë e Mëdha do ta kishin përfshirë Shqipërinë, ashtu si Greqinë, në zonën e ndikimit britanik, vështirë se këtu mund të vendosej regjimi komunist.
Të dyja periudhat dallohen midis tyre edhe në një drejtim tjetër të rëndësishëm. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare nën udhëheqjen e Partisë Komuniste e realizoi misionin e saj parësor. Shqipëria u çlirua dhe pavarësia u mëkëmb. Përkundrazi, në periudhën e dytë, Partia Komuniste në programin madhor për të mëkëmbur në Shqipëri në vend të demokracisë popullore, një regjim socialist, dështoi. Edhe pse regjimi komunist pati suksese në fushën teknologjike, ai i shkaktoi dhembje të mëdha shoqërisë shqiptare. Karakteri i vrazhdë i regjimit komunist jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e Europës lindore, tashmë është vënë mjaft qartë në dukje. Kush më shumë e kush më pak, pothuajse të gjithë ata që e përjetuan pas luftës diktaturën komuniste e kanë dënuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Edhe autori i këtyre radhëve nuk u pajtua me parimet e tij komuniste që në ditët e Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, në këtë mes ka një keqkuptim. Jo pak qytetarë nuk e dallojnë rolin e ndryshëm që luajti Partia Komuniste gjatë dy periudhave të saj historike – gjatë luftës dhe pas luftës. Të persekutuarit, nga urrejtja e shkaktuar prej vuajtjeve që pësuan pas luftës gjatë regjimit komunist dhe në solidaritet me ta, jo pak qytetarë të revoltuar nga shkelja brutale e të drejtave të njeriut e shohin me syze të errëta edhe Luftën Nacional Çlirimtare. Një këndvështrim i tillë për periudhën e parë, pra për Luftën Nacional Çlirimtare, është shkencërisht dhe moralisht i padrejtë. Urrejtja është këshilltarja më ogurzezë e arsyetimit politik. Është afërsisht njësoj sikur të hedhësh në plehra foshnjën së bashku me shpërgënjtë. Të urresh Luftën Nacional Çlirimtare vetëm se në udhëheqjen e saj luajti rol Partia Komuniste Shqiptare, është një padrejtësi që i bëhet historisë. Ata harrojnë se dëshmorët e Luftës Nacional Çlirimtare e dhanë jetën e tyre të shtrenjtë për lirinë e Atdheut dhe jo për regjimin komunist, i cili më 29 Nëntor 1944 nuk vezullonte ende në horizontin politik shqiptar.
Nga ky këndvështrim politik lind pyetja: Përse nuk është e drejtë ta gjykosh veprimtarinë që zhvilloi Partia Komuniste Shqiptare gjatë Luftës Nacional Çlirimtare me syzet mëkatare që ajo zbatoi, pas Luftës së Dytë Botërore gjatë regjimit komunist? Ta shohim!
Një nga tiparet kryesore që të bie në sy kur lexon jetëshkrimin e Enver Hoxhës janë kthesat e tij politike, të shpeshta dhe të papritura. Para se të themelohej Partia Komuniste Shqiptare, pra, para 8 nëntorit 1941, Enver Hoxha simpatizonte pikëpamjet social-demokrate ashtu siç propagandoheshin në Europë në periudhën midis dy Luftërave Botërore pa qenë militant i tyre. Përkundrazi, kur më 8 nëntor 1941 Enver Hoxha u ndodh në radhët e Komitetit Qendror të PKSH-së, ai u shfaq menjëherë si një bolshevik i brumosur në shkollën staliniste – si një militant stalinist, jo për programin bolshevik që pati Revolucioni i Tetorit, por për platformën aspak bolshevike që kishte miratuar Kominterni në pragun e Luftës së Dytë Botërore.
Siç dihet, platforma e re që Kominterni miratoi në pragun e Luftës së Dytë Botërore kërkonte nga partitë komuniste të të gjitha vendeve të botës mobilizimin e tyre jo për të ndërmarrë revolucionin socialist të ngjashëm me Revolucionin sovjetik të Tetorit, por për të organizuar Frontin Antifashist Nacional Çlirimtar në luftë kundër agresorëve hitlerianë dhe aleatëve të tyre fashistëve italianë dhe militaristëve japonezë. Veç kësaj, platforma e re kishte nga pikëpamja e aleancave një diapazon më të gjerë se ajo e shpallur nga Internacionalja e Tretë Komuniste më 1919. Platforma e re i ftonte Partitë Komuniste të krijonin një front të përbashkët me të gjitha partitë e spektrit antifashist, të majta apo të djathta, qytetare apo fshatare, laike apo klerikale, politike apo shoqërore, për të përballuar bashkërisht agresorët e bllokut nazist-fashist-militarist. Fronti i përbashkët antifashist i cili më parë u quajt Fronti Popullor, me fillimin e Luftës së Dytë Botërore u pagëzua me emrin Fronti Antifashist Nacional Çlirimtar. Gjithnjë sipas platformës së re, për të zgjeruar diapazonin e aleancave, partitë komuniste porositeshin nga Kominterni që të zotoheshin publikisht se në mbarim të luftës regjimi politik do të vendosej jo me një revolucion proletar, por me një plebishit popullor. Partia Komuniste Shqiptare e miratoi këtë platformë që në ditën e themelimit të saj. Merita e platformës, nuk ishte e Enver Hoxhës, as e komunistëve shqiptarë, as e Partisë Komuniste Jugosllave, por e Moskës bolshevike. Atë platformë e sollën nga Moska nëpërmjet Beogradit në Tiranë dy emisarët e njohur të Titos, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Ndërkaq, Kominterni ua linte si detyrë partive komuniste hapësirën që platformën e re ta vinin në zbatim në përshtatje me kushtet konkrete të vendeve të tyre. Mund të thuhet se autorësia e mënyrës sesi u zbatua platforma e re e Kominternit në kushtet e Shqipërisë i takon kryesisht Enver Hoxhës. Kjo, për arsye se platforma e re nuk mbështetej si ajo e vitit 1919 mbi internacionalizmin proletar, por mbi idetë nacionaliste për të cilat E. Hoxha për nga formimi ideologjik ishte më i përshtatshëm se anëtarët e tjerë të udhëheqjes së PKSH-së.
Në të vërtetë, Enver Hoxha e udhëhoqi Luftën Nacional Çlirimtare jo si një bolshevik i frymëzuar nga internacionalizmi proletar, por si një pasardhës i nacionalistëve rilindës i fshehur brenda një lëvozhge internacionaliste. Ky kombinacion ideologjik i dha dorë PKSh-së të tërhiqte në Konferencën e Pezës në themelimin e Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar, në shtatorin e vitit 1942, kontingjentin e parë të nacionalistëve dhe demokratëve shqiptarë jokomunistë. Megjithatë, Enver Hoxha ndërsa i konsideronte nacionalistët aleatë të domosdoshëm, në të njëjtën kohë ai kujdesej t’i pranonte ata në Frontin Nacional Çlirimtar si individë dhe jo si grup apo si parti antikomuniste.
Deri sot nuk del që Enver Hoxha të ketë nënshkruar traktate apo marrëveshje të hapëta apo të fshehta, të cilat të kenë cenuar interesat e kombit apo të atdheut, siç ndodhi me pushtetin e Ahmet Zogut. Në thelb, tërë ato kthesa që ne njohim tregojnë se Enver Hoxha synonte të konsolidonte pushtetin partiak, në thelb autoritetin personal pa e shkelur, përkundrazi, duke e respektuar pavarësinë e Shqipërisë dhe interesat e kombit. Në rast se Enver Hoxha del para gjyqit të historisë, ai duhet dënuar për dhunën që përdori ndaj popullit të vet pas Luftës së Dytë Botërore, por jo për shërbimin që ai i bëri atdheut gjatë periudhës së parë si udhëheqës i Partisë Komuniste Shqiptare. Analistët e ditës mund të thurin akuza sipas shijeve të tyre. Por argumenti i tyre kryesor se Enver Hoxha duhet dënuar si udhëheqës i Luftës Nacional Çlirimtare për gabimet e rënda që kreu pas Luftës Nacional Çlirimtare si udhëheqës i diktaturës komuniste, nuk qëndron. Ai është një ‘non sens’ historik. Këtë logjikë, kandari i historisë nuk e pranon.
(Marrë nga DITA)