POEZI NGA LUMO KOLLESHI
GURGULLON NJË GURRË NË JUG
Lumo KOLLESHI
JAM ENDE NË PRILL
Jam ende në prill
E sytë më bëhen bletë,
Humbasin mes lulesh e nuk duan të kthehen në shtrat.
Jam ende në prill
E ndjek si i marrë gjelbërimin
Që ngjitet pa protezë drejt malit lart.
Jam ende në prill
Dhe sofrën u shtroj dallëndysheve,
U jap lejë të ndërtojnë foletë në ballkonin tim.
Jam ende në prill
E dritaret i hap me kanat,
Bilbilat ta djegin dhomën e gjumit.
Jam ende në prill
Dhe kuajve të erërave
Kërkoj t'u gjej një nallban.
Jam ende në prill
Dhe reve tekanjoze
Këmishat e zeza dua t'ua gris.
Jam ende në prill
Paganinin e muajve e dua
Të luajë kapriçot me mua. ...
THELLËSITË DËGJOJ
Për të parin tuaj në këmbë nuk u ngrita,
Më patë vëngër.
Në korin tuaj të shthurur nuk ulërita,
Diku thellë brenda vetes bëja rojë për një ëndërr.
U ngrita kur lëpinit jargët e kënaqësisë,
Si të ishit pas seksit në shtrat,
Maskën e shpifur të hipokrizisë
Ua çora dhe ua hodha në surrat.
U ngrita atëherë kur ishit ulur ju,
Ca të vërteta të ndaja si të arrës thelpinj,
Shtrembëruat buzët, u bëtë dru dhe hu,
Më keq akoma, u bëtë gjarprinj.
Kërkuat të më kthenit në Laokont
Me helmin që nxirrnit nga të zezat gojë.
Atë kënaqësi nuk ua dhashë e s'jua jap sot e mot,
Thellësitë dëgjoj:
Pas Laokontit gërmadhon një Trojë...
MOSMIRËNJOHJA
Mosmirënjohjen e kam pas shpine,
Dhe kokën kthej ta shikoj pak,
Si gjej për dreq një fije thinje,
Madje flokët i ndrijnë nën llak.
Veç për çudi zihem me sytë
(Kërkojnë të gjejnë diçka tjetër)
Mos vallë jam unë një Zamzë i dytë
A pas më ndjek Gregori i vjetër?
Metamorfozë!
Buçitshëm ndër veshët
Dhe porosit të djeg thimjam.
Majtas më del grua me benevrekë,
Djathtas më shfaqet burrë me fustan.
*Gregor Zamza, personazh i veprës "Metamorfoza" ...
EH, AJO ÇANTË, GJITHMONË E RËNDË
tim eti
E hapja shpesh çantën e rëndë të tim eti,
Tek i kthehej shtëpisë i lodhur në darkë,
Nuk di pse ky ves te fëmijeria ime mbeti,
Të njëjtat gjëra gjeja në atë çantë:
Një çekan i kalitur tek i njëjti kovaç,
Një tjetër më topolak, më i trashë,
Mes smilarëve majëmprehtë njëri më i gjatë
Dhe një lopatëz druri që dukej si erashkë.
Shahulli i varur në spangon lyer me dyll blete,
Goneja që dilte gjithmonë pak nga çanta,
Ca cifla guri në fund dhe s'di pse me vete i merrte
Tok me ca thërrime dheu të mbetura nga balta.
Tani rëndoka dhe më shumë në kujtimet e mia,
Kur shoh shtëpitë e braktisura pa tym në oxhakë,
Kur ferrat diku kanë dalë mbi çatira...
Mes rënimit kërkoj ku e la gishtin e prerë im atë.
GURGULLON NJË GURRË NË JUG
Gurgullon një gurrë në vendlindjen time,
Nën korrijen me bujgër në shekuj gurgullon.
Sa herë kam shuar etjen, thellë në mendime,
Ky emër i çuditshëm në tru më çurgëron.
Gurra e Mujës e thirrën të parët,
Përcjellje brez pas brezi si kodikët.
Pse të mos them pa m'u dridhur fjalët?
Këtu kanë pirë ujë dhe Muji me kreshnikët.
NAIMI
Një shekull e nuk ndahemi dot,
Harresa vetëdigjet në qiejt e harrimit.
Engjëllor si atëhere vjen shenjti dritëplotë,
Varrin e le bosh në boshësinë e moskuptimit.
Prej tij bëjmë një çast sikur ikim,
Lëkundemi si degë pa trung drejtpeshimi,
Copra të zemrës prej vetes bëjmë t’i flakim,
Nën flakët e qiririt na i mbledh,
Me to krijon profecinë e bashkimit.
FRASHËR
Për ne vendlindjen e tyre nisen fjalët,
Fjalët e gjuhës që u bënë dritë.
Shpirti vjen këtu të lartojë shkallët,
Të takohet veç një çast me perënditë.
Një kupë qiell për haxhillëkun e ri,
Frashëri krahët e bredhave hap në maj.
Çdo gur të flet shqip te frashëllitja shtëpi,
Këtu Shqipëria gjen Mekën e saj.
BEKTASHIANE
Im at me kokë i deshi frashëllinjtë,
Si një myhib i ndershëm bektashi;
Emrat e tyre gjithë dritë
I thirri me radhë te djemtë e tij.
Im at i jepte shpirt çdo guri
E tokat i bleronte veç me pemë,
Nën jastëk „Lulet e verës” vuri
E kurrë nuk i ndau me Skënderbenë.
Im at ma rrëfente „Qerbelanë“
Fshehtas ndanë vatrës netëve të dimrit,
Në ëndërr më dilnin trembëdhjetë imamë,
I trembëdhjeti kish fytyrën e Naimit.
Im at ndoqi gjurmën e Abas Aliut,
Lart në Tomorr therrte kurbanë.
Iku nga kjo botë me brengën e Samiut,
Për eshtrat që prehje atje larg nuk i kanë.
POEZI DHOME
Ca tinguj për së thelli bëhen llavë,
Që të shpërthejë ky vullkan, ti pret.
Çarçafët si një re puplore e bardhë
Mbi kraterin përvëlues digjen krejt.
Ti e tëra një rënkim i mbytur
Me një perëndim të bukur sysh,
Unë s’di në ç’det të thellë jam zhytur
Titanik me valse lumturish.
Dhe sakaq në qiellin e qëruar
Hëna bërë vetull vetmitare,
Sjell ca rreze ari për të na mbuluar,
Yjet s’di pse çmenden,digjen fare.
ÇAST
Mbi qerpikët e brishtë të barit
Mbirë rishtas pas shirave të vjeshtës,
Ky mëngjes alpin
Hodhi kristale bryme.
Si nuk trokitën zogjtë e zemrës
Në xhamat e dritares sime?
Nuk i zë besë diellit të këtij mëngjesi.
VJESHTËRISHT E VJERSHËRISHT
Mbi sokakët gurëheshtur
Lajmërojnë ca gjethe pjeshke
Ar të lirë për ta mbledhur
Erërat e kësaj vjeshte.
Pak më tej ca kade ziejnë,
Shkumëzon mushti i ri,
Retë kopsat i zbërthejnë,
Ta rrëmbejnë tymin në gji.
Eh, sa zjarre do zjarrojnë
Nën kazanë e nën llambrikë,
Llullatë do çmendurojnë
Sa të lotojnë pikë-pikë.
Pa do rend pas këtij loti,
Shpirtit do t’ia bëj gjerdan,
Të thirret gjeneral fronti
Krah për krah me një Khajam.
NË KËRKIM
Kërkojmë dhe leva e Arkimedit
Na thyhet nëpër duar sapo eureka
Ftohtësisht përqafohet me ajrin e ngopur.
Gëzimi jeton çastin e mbramë
Për të vdekur sakaq në sytë e trishtuar nga loti,
Në këtë çast pikëllimi një tjetër fytyrë i japim Zotit,
Endemi sërish në shkretëtira me flamuj të shqyer oazesh,
Etja vetëm përvlim.
Në fund të fundit
I denjë mbetët veç një shpirt në kërkim.
FJALËT PLEQËRISHTE
Kur ëndrrat të mos kenë asnjë shtrat,
Kur të kenë ngrirë burimet e kujtesës,
Ndonjë fantazmë e një rime a një varg,
Do ta prishë çatinë e vjetër të harresës.
Kur pranverat të na jenë bërë dimër,
Kur të mos çelë sythe dashuria,
Kur gjunjët të na djegin si me hithër,
Ankesat do t’i mbys me duart e mia.
Dhe e di që duart do të më dridhen
Si degëzat e plepit në thëllim,
Ca shkëndija brenda tyre do të ndizen,
Do të habitesh nga del ky prushërim.
Atëhere, të gjitha do të m’i falësh,
Xhelozinë do ta ketë mbuluar hiri,
Në sepete do të m’i mbledhësh fjalët,
Për nipat do t’i mbash gjerdanë floriri.
HAJK
***
Po qajnë pjergullat...
Sillmëni një gotë
T’i mbledh këta lotë.
***
Dikush më pëshpëriti:
“Vdiq bleta!”.
Renda dhe varrin askund s’ia gjeta.
***
Shegët e çara
Në semaforët e degëve mbetën,
Shira të ftohtë në zemrën time treten e treten.
***
Kaba
Që ngre qemere ylberi.
Një gotë pi në qoshk usta Laveri.
MËRITË E DASHURISË
Një fjalë ti, një tjetër unë,
Në dhomë heshtje pas kësaj.
Për hiçmosgjë duket u zumë,
Të dy kishim e s’kishim faj.
Ti u bëre re e sertë
Në një qiell më tej se gri
Edhe unë u bëra vjeshtë,
Por jo dimër, kurrsesi.
Pas pak e trembur u fik drita
Kur na shikonte ashtu të zënë,
Vjedhur në terr çarçafin ngrita,
Asgjë pa prekur, asgjë pa thënë.
Dhe ishim pranë, oh, sa pranë,
Det edhe breg, valë dhe shkëmb;
Inatet si statujat ranë,
Paqja e shtrenjtë prapë u përkëmb.
U dashkan zënkat ndonjëhere,
Ku s’hyn gjykatësi, drejtësia.
Mëritë e krevatit ndoshta vlejnë,
Aq sa vlen në jetë dhe dashuria.
LOJË SHAHU ME PO ATA GURË
U hap kutia me tel mbërthyer,
Dolën në shesh po ata gurë,
Veç ndonjë kalë me kokë të thyer,
Një mbret me tjetër lëkurë.
Po ajo fushë, po aq katrore,
As më shumë e as më pak.
Fillim i paqtë si një dëborë
Që shtron në majën më të lartë.
Sulm i menduar nis pas pak,
Spastrim i shpejtë në pikat kyçe,
Ushtar i parë i larë në gjak,
Hidhur nënqeshë pala armike.
Kuaj që hingëllijnë më kot,
Oficerë para kohe në lirim,
Ushtarë të bërë mos o zot,
Kala që mbahen me mundim.
Një mbretëreshë zihet peng,
Në rreth zapate mbret i saj,
Thetra si Ledi Makbeth
Kamën sjell, helm apo vaj?
Ja sulm i fundit, mbreti mat,
Tjetri i buzeqesh perandorisë...
Ku vanë ushtarët, oficerët, kuajt?
Kaq i shtrenjtë çmim i lavdisë?!
TË PËRKOHSHËM
Toka djersitë nën rrezet e diellit...
Mjegulla
Kapërcen një kodër,
Duke i thyer furkat e plakave
Në kujtesën e tjerrjes.
Sakaq,
Me një vello të bardhë
Që grijon e nxihet mbi kuaj vetëtimash,
Shkon të nuserojë diku lart,
Ku mjekrat e pakrehura kurrë
Kërkojnë t'i mbushin mendjes sonë vrimat bosh
Për një ekzistencë të ardhur mbi kurrize dinosaurësh.
Ajo prapë shkon e çapitet
Duke i kthyer në ikona të gjitha romantizmat
Nën një shoqëri notash të daullezuara,
Për të arritur në kurorëzim lotësh.
SYTË KËRKIMTARË DO SHPIKNIN DIELLIN
Më kërkon aty ku s'ndodhem,
Mosardhjen tënde rri e pres,
Veç malet s'dinë të takohen,
Gryka dhe hone ndajnë në mes.
Më vjen çudi me zemrën time
Si nuk pushoka në vetmi,
Një lule çelë përmbi thellime,
Ylberi portën hapë në shi.
M'eklips të diellit kërkoj dritë
E sytë s'di se ku t'i mbaj,
Hyr papritur që lotësitë
Të bëhen vesë nëpër maj
Me farë yjesh mbillma qiellin,
Nuk ka kuptim më boshësia,
Sytë kërkimtarë do shpiknin diellin
Dhe të mungonte gjithësia.
TË PAVDEKSHËM DO TË MË BËSH NË OLIMPIN TËND
Dhe në ato pak orë të ngrëna
Të gjumit tim endacak,
Zogjtë e Stimfalit më vijnë nëpër ëndrra,
Me sqepa të bakërt
E thonjtë kanxha farmak.
Unë Herakliu i ëndrrave të mia,
Gjarprinjtë i mbytë e i flakë,
E vras luanin e Citeronit,
Zogjtë e përbindshëm i mbytë në gjak,
Cerberin shkoj dhe e shtrij në Had,
Nga torturat e Dejarinës hidhem në zjarr...
E di që zemra jote për mua qan e dhemb,
Ti do të marrësh skeptrin e Zeusit,
Të pavdekshëm do të më bësh në Olimpin tënd.
(Nga libri "Nata vjen e natë s'kam")
LISI I MËRTINJIT
Vdiq dhe lisi i moçëm i Mërtinjit,
E qanë zogjtë në kujën më të vjetër,
Ata që fije bari sillnin pas kthimit
Dhe ngrinin nëpër degë një qyteze të gjelbër.
Vdiq dhe lisi i moçëm i Mërtinjit,
Ai që nuk provoi sëpatën për së gjalli,
Ai që fshehur mbante frikën e ndëshkimit
Dhe rrufeve nëpër shekuj u shuante zjarrin.
Vdiq dhe lisi i moçëm i Mërtinjit,
Ai që fëmijërinë ma bëri si një ketër,
Ai që ma lodhte nënën gjithë dimrit
Për të fshirë avllinë e gurtë nga fletët.
Vdiq dhe lisi i moçëm i Mërtinjit,
Mburrja ime e largët iku bashkë me të.
S'është turp t'ju them, prej pikëllimit,
Për një lis derdh lotë e qaj pa zë.
SIKUR
Po më pyetët prapë për fëmijërinë,
Ç’do të bëja po të kthehej dhe një herë,
Prapë do të ndiqja shqerrat në lëndinë,
Prapë do të bëhesha ketër nëpër pemë.
Mbrëmjesh do të rrija rojë e qiellit,
Cili yll do digjej atë natë,
Dimrit do të thyeja akull mes liqenit
E grackat do t’i ngrija pak më larg.
Sërish do ta ndiqja gjurmë pas gjurme
Vajzën që trazoi keqas atë moshë,
Kurorën do ta lidhja prapë me ato lule
E çapraz do flisja nëpër shokë.
Prapë do të nisja në fletore
Të hidhja metaforat aq të brishta,
Qemerin e ylberit ndër bregore
Do ta lidhja fort nëpër rrapishta.
Po më pyetët prapë për fëmijërinë,
Ç’do të bëja, po të kthehej dhe një herë,
Ëndrrave do t’u bekoja prapë arratinë,
Netët do t’i lija mes yjesh si përherë.
TË VDESËSH NË DRITË
Jashtë perdet errësira i ka nderur skaj më skaj,
Por dhe brenda poçi i dritës dridhet si i zënë në faj.
Nga dritarja vjen një flutur, larë e tëra në flori,
Sulet kjo krijesë e bukur të qëndrojë mbi qiri.
Ah! bën zemra për të mjerën e qëllon si me tokmak,
Si i shkriu trupin e fletët heroina përmbi flakë.
Ta shpëtoja, dot nuk munda, veç një zë foli në pritë:
"E bekuar qofsh, moj flutur, erdhe të vdesësh në dritë!"