Poezi dibran fylli

Dibran FYLLI

 

DASHURIA IME

I keq më duket ajri që më përshkon
Lumenjtë duken sikur rrjedhin nga poshtë
Akulli mbi ta s`di të shkrijë
Hapërimet në këtë shekull
Ecin nga lartë e përfundojnë poshtë
E unë nuk dua asgjë prej tyre
As ajrin e këtij shekulli
As mikun tim as ujin e akullt edhe pse jam i etur
Po unë nuk i dua se prej t’gjithave jam bërë të vjellë

E nuk i dua më as librat 
Që shkruhen në këtë shekull
S’i dua as poezitë e mia të pabotuara
Aq më pak këngët e çoroditura
Unë s’e dua as veten tashmë
Se miq e armiq një më janë bërë
S’e dua as lirinë e këtij shekulli
As botën djallëzore që më gënjen
Me mijëra ngjyra njerëzore 
I dua vetëm foshnjat ylberore
Që lindin në këtë shekull...

 

(POEZI KONKURRUESE PËR FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR TË POEZISË “DRINI POETIK”,

lexuar në Orën e lidhjes, më 10 qershor 2010, në orën 11:00, në Prizren)

 

 

AJO QË S’HARROHET

- Masakrit të Izbicës

 

Atë natë marsi as dielli verë me gojë s’bënte

Hëna i lëshoj vendin errësirës që zëri i shpendkeqes

Të shpërndahej Luginës në Izbicë

Gjak e gjëmë

Bëheshin një

Më zërin e fëmijëve shtalpak

Që mbërrin kupën e qiellit

Bashkë më 140 lutje

E me aq shpirtra

Që mbuluan hapësirën

Duke i dhënë dritë lëndinës

Ajo natë marsi s’harrohet kurrë

Ashtu siç nuk falet gjaku

 

Pa hënë e pa diell ...

 

Luginën sot e përshkon lavdia

Në vend të zërit shpendkeq

Fëmijët shtalpak u bën burra

E ajo që s’harrohet është

Hëna që i lëshoi vend errësirës

Atë natë marsi në Izbicë

 

Dubravë, më 6. 4. 2004

 

 

NË OBORRIN E ÇUDIRAVE

 

Unë dhe lulja

rrimë pranë e s’flasim mes veti

Një fishkëllimë dhe një zë

bërtasin e nuk dëgjohen

 

Unë e lulja

të rrethuar me njëmijë tone hekurina të ndryshkura

Çdo ditë presim

Presim lindjen dhe perëndimin e diellit …

Presim dritën e hënës shtrigë

që në mes të natës të sjellë pakëz dritë

në rrugën e humbur drejt shpresave

 

Unë dhe lulja

afër hekurinave

Presim

Presim…

 

Bashkë më lulen

mbi hekurishte

thërrasim s’na dëgjon kush

 

as përtej mali

as në lëndinat e mbushura koka njerëzish...

 

Ta kalojmë lumin

frikësohemi se na rrëmbejnë valët...

 

Unë bashkë me lulen

rrimë pranë e s’flasim mes veti

 

Unë dhe lulja kemi mbetur jetimë

Në mes botës së çudirave...

me gjakun në deje

që është vetëm yni....

 

Dubravë, më 15. 5. 2004

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode