Përurimi i veprës së Aleksandër Stipçeviqit
NJË JETË SHKENCORE NË THEMELET E VETA ILIRO-SHQIPTARE
Nga Tafil DURAKU
Ditë më parë, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në shenjë të nderimit të gjashtëmujorit të ndarjes nga jeta, u përurua vepra e ilirologut, albanologut, historianit, akeologut, bibliologut e shkencëtarit më të njohur të kohës sonë, Prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqit, ALBANCI O ZADARSKIM ARBANASIMA – SHQIPTARËT PËR ARBËRESHËT E ZARËS, kroatisht-shqip, shqipëruar nga kroatishtja prej Prof. Dr. Simë Dobrecit. Botues Kisha katolike e Ulqinit, 2016, Mal i Zi.
Nën përkujdesjen e Prof. Dr. Zymer Nezirit, më 8 prill 2016, duke filluar në orën 13:00, nisi përurimi i veprës madhore të Aleksandër Stipçeviqit, para një auditori intelektualësh, punëtorësh shkencorë dhe qytetarësh që kishin ardhur ta nderojnë veprën e ilirologut tonë të njohur arbëresh, Aleksandër Stipçeviqit.
Ajo që hetohej shumë, ishte mosprania e punonjësve shkencorë të Institutit Albanologjik (lexo: Nallbanologjik), të cilët, zakonisht, edhe pse përurimet mbahen në sallën e Institutit, edhe kur nuk duhet, gjithmonë, mungojnë në përurime të tilla madhore!…
Për jetën dhe veprën e Aleksandër Stipçeviqit, folën dhe i evokuan kujtimet e tyre, Prof. Dr. Zymer Neziri (Fjala e hapjes së përurimit), Prof. Dr. Shefki Sejdiu, Prof. Dr. Simë Dobreci, Don Gabriel Grabanica etj. Ndërsa, në emër të Institutit Albanologjik foli Sylë Kosumaj.
Për kontributin e tij më madhor në fushën e shkencës së arkeologjisë, të historisë, të ilirologjisë, të albanologjisë, të bibliologjisë etj., unë, autori i këtij shkrimi për përurimin e veprës së më të madhit të të mëdhenjve shkencëtarë iliro-shqiptarë, propozoj që Aleksandër Stipçeviqit t’i ngritet një përmendore në Prishitnë, në shenjë përjetësimi të veprës së tij shkencore, mundësisht, para Institutit Albanologjik dhe Institutit t’i vëhet emri: Instituti Albanologjik i Prishtinës “Aleksandër Stipçeviqi” dhe nga një tjetër përmendore, pse jo, t’i ngritet edhe në Tiranë, Zagreb, Lubjanë, Shkup, Podgoricë e Nish, kudo në trojet etnike iliro-shqiptare, në shenjë dëshmie e përjetësiteti autoktonie e gjeoautoktonie.
U fol dhe u dëshmua edhe njëherë fuqishëm se jeta dhe vepra e Profesorit dhe ilirologut të njohur e të dëshmuar, Aleksandër Stipçeviqit, qëndron fort në themelet e veta autoktone dhe gjeoautoktone iliro-shqiptare.
Më 15 Prill 2016
PROF. DR. ZYMER U. NEZIRI
FJALA E HAPJES SË PËRURIMIT
Aleksandar Stipçeviq, Albanci o zadarskim arbanasima / Shqiptarët për arbëreshët e Zarës (Përkthyer nga prof. dr. Simë Gjon Dobreci, botues Kisha Katolike, Braticë, Ulqin, 2016, 63 faqe, përurim në Institutin Albanologjik të Prishtinës, mė 8.4.2016, përurues: prof. dr. Shefki Sejdiu dhe don Gabriel Grabanica)
Të nderuar të pranishëm, të nderuar studiues e profesorë, studentë të dikurshëm të profesorit Aleksandër Stipçeviq dhe shokë e miq të tij nga Zagrebi, Zara dhe viset e tjera, ju përshëndes për pjesëmarrjen tuaj në këtë përurim të veprës së këtij albanologu të njohur, historian, ilirolog, arkeolog, etnolog, bibliograf.
Stipçeviqi lindi më 10 tetor 1930 në Zarë, Kroaci, në katundin Arbënesh (Arbanas). Familja e tij, siç e dini, janë arbëneshë, të shkuar atje prej katundeve shqiptare të Shestanit të Kranjës, nga rrethi i Tivarit. Vdiq më 1 shtator 2015. E sot, në gjashtëmujorin e vdekjes së tij, e kujtojmë me respekt dhe po e përurojmë studimin e tij, Shqiptarët për arbëreshët e Zarës, kroatisht dhe shqip, të përkthyer nga prof. dr. Simë Dobreci, miku i afërt i tij dhe i afërt i tij për nga prejardhja kranjane.
Të nderuar të pranishëm, qe edhe disa fjalë për biografinë e Stipçeviqit, para se të flasin përuruesit e sotëm, prof. dr. Fehmi Sejdiu dhe don Gabriel Grabanica: kreu shkollimin e mesëm në vendlindje. Studimet i kreu në arkeologji në Universitetin e Zagrebit. Punoi në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Zagrebit, drejtoi Bibliotekën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë në Zagreb, ishte edhe kryeredaktor i Leksikonit Biografik Kroat, profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit dhe anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. E, disa nga ju e mbani mend, nga fillimi i viteve 70, kur edhe në Prishtinë ligjëroi lëndën Arkeologjia në Universitetin e Prishtinës.
Veprat e tij nga fusha e ilirologjisë: Gli Iliri, më 1966, italisht, dhe pastaj edhe shqip, më 1967, përkthyer nga Zef Mirdita, si dhe më 1974, kroatisht, tekst me pak ndryshime dhe i zgeruar, Iliri: povijest, život, kultura, po ashtu i përkthyer edhe shqip, nga Nazmi Rrahmani, Ilirët: historia, jeta, kultura, më 1980. Më 1981 botoi në kroatisht veprën tjetër, disertacion doktorate, Kultni simboli kod Ilira, kurse më 1983 kjo vepër u botua edhe shqip, e përkthyer nga Zef Mirdita, Simbolet e kultit te ilirët. Më 2011 botoi kroatisht veprën vijueseTradicijska kultura zadarskih Arbanasa,që u botua edhe shqip nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, më 2012, përkthyer nga Sadri Fetiu, me titull Kultura tradicionale e Arbëneshëve të Zarës. Vepra të tjera: Bibliografija antičke arheologije u Jugoslaviji (I–II,1977), Povijest knjige (1985), Cenzura u knjižnicama (1992), O savršenom cenzoru (1994), Sudbina knjige (2000), Socijalna povijest knjige u Hrvata, I–II (2004–2005) etj. Ka shkruar edhe rreth 230 artikuj shkencorë në revista dhe përmbledhje punimesh. Disa nga veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, italiane, shqipe, arabe dhe perse. Më 30 janar 2015, Presidenca e Republikës së Shqipërisë e nderoi me dekoratën "Gjergj Kastrioti Skënderbeu."
Pak të dhëna për përkthyesin e studimit të Stiçeviqit Shqiptarët për arbëreshët e Zarës
Prof. dr. Simë Gjon Dobreci, i lindur më 1934, është nga Bratica, Ulqin. Pas shkollimit fillor, kreu gjimnazin klasik në Tivar dhe Fakultetin e Mjekësisë në Beograd (1963). Punoi në Tivar e Ulqin (1964-1967) dhe në Spitalin e Prishtinës (1967), ku e filloi specializimin e dermatologjisë dhe e kreu në Zagreb (1970). Me 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës, e pas një viti, më 1974, qëndroi një vit në Klinikën Dermatologjike të Vankuverit, Kanada. Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore. Një kohë ishte drejtor i Klinikës. Mbrojti temën e doktoratës Dermatomikozat endemike në Kosovë, më 1980. U zgjodh docent i dermatologjisë (1984), profesor inordinar (1989), profesor ordinar (1994). Për studentët botoi tekstin Dermatologjia, më 1980, dhe pasuan edhe tri ribotime. Botoi edhe tekstin Sëmundjet e lëkurës, më 1989. Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi nga puna bashkë me kuadrin arsimor shqiptar, por Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpia private.
Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale dhe mori pjesë deri më tash në shumë konferenca shkencore kombëtare e botërore: në Berlin, Bari, Athinë etj. Ishte kryeredaktor i revistës Praxis Medica. Tash, i pensionuar, jeton në Braticë, Ulqin, ku redakton revistën kulturore Buzuku, si dhe, nga pak, ende merret me profesionin e vet. (Sipas: Prof. Dr. Mentor Disha, më 15.4.2012 ). Pra, një biografi për lakmi, kjo e prof. dr. Simë Gjon Dobrecit, dhe model për kuadrot e reja, që sot para nesh sjell shqip studimin e ilirologut të madh Aleksandër Stipçeviq, në dy gjuhë, Albanci o zadarskim albancima / Shqiptarët për arbëreshët e Zarës, botues Kisha Katolike, Braticë, Ulqin.
Ju falënderoj për vëmendjen!
Prishtinë, mė 8.4.2016