INTERVISTË
PËRGJIGJE KORIT TË KORBAVE

Ish-drejtori i burgut të Qafë Barit, Edmond Caja flet pas reagimeve të shumta lidhur me letrën e tij botuar në fillim të prillit në Dita. Si i përgjigjet Bedri Blloshmit, Visar Zhitit, Agron Tufës dhe të tjerëve
Zoti Caja, keni patur reagime pas botimit të letrës suaj në “Dita”? Nga kush dhe si i keni pritur ato?
Ju faleminderit për mundësinë që më jepni për të komunikuar me lexuesin e gazetës DITA, por edhe me publikun e gjerë dhe të interesuar. Po, ka pasur reagime të shumta. Ka pasur reagime nga të afërmit e mi, nga plotë shokë e miq të mi, të vjetër e të rinj, nga miq të mi ish të dënuar, me të cilët kam ruajtur e mbajtur marrëdhënie miqësore, nga kolegë e dëshmitarë realë të ngjarjeve të kohës, pra ka pasur reagime pozitive, pasi shokët, miqtë e prisnin letrën time në mënyrë që të ishin akoma më të qartë në lidhje me akuzat e pabazuara që më janë bërë gjithë këto vitë.
Por ka patur edhe reagime të dëshpëruara të akuzuesve, të cilët unë i kam quajtur “kori i korbave”, veçanërisht do veçoja rreshtimin e Visar Zhitit, Bedri Blloshmit, Skënder Tufës, Nebil Çikës, Kastriot Dervishit, Urim Gjatës, Agim Baçit e ndonjë tjetri, pa harruar këtu Agron Tufën. Domethënë janë i njëjti grup që kanë sajuar dhe kanë rrotulluar tek njëri-tjetri, situata të cilat nuk kanë ndodhur kurrë, duke i shitur ato si të vërteta. Janë të tërë si marioneta në duart e Agron Tufës. Ai është edhe dirigjenti që paguhet me taksat e shtetit, për të bërë gjueti shtrigash dhe që tani po hiqet sikur është duke u persekutuar nga unë.
“Kori i korbave” është munduar që të më vërë në kurriz barrën e persekutimeve të sistemit, pa llogaritur që kam qenë shumë i vogël, i papërfillshëm, mbyllur edhe unë për gjashtë vite në burg, në një qafë të humbur të Munellës.
Njëri nga këta “ideologë”, shkon deri aty, sa më bën zbatues të një platforme të vitit 1953 të Mehmet Shehut, ndërkohë që unë kam lindur në vitin 1959 dhe kam filluar punë në vitin 1982, kur Mehmet Shehu vdiq.
Kanë një nivel aq të ulët në shpifjet e tyre, kanë një mospërputhje të turpshme në dëshmitë e tyre, dhe këtë duan ta mbulojnë me një gjuhë të përgjithshme e teorike, pa sjellë asnjë fakt konkret. Ishte e pritshme që në reagimet e tyre të kishte përsëri kërcënime, duf e sharje. Unë ju rrëzova mitin që janë përpjekur të krijojnë, një mit të ngritur për të përfituar honorare.
Unë kam punuar mesa kam pasur mundësi, hyja në minierë dhe isha me ta me orë të tëra brenda, në të ftohtë dhe në të ngrohtë dhe duke ua ditur vuajtjet, nuk kam qenë asnjëherë kundër dëmshpërblimit moral e material, sepse një pjesë të mirë të të dënuarve politikë i kam njohur edhe vetë personalisht. Unë jam kundër abuzimeve që kanë demaskuar rëndë në opinionin publik dinjitetin e personalitetin e të burgosurve të mirëfillte politikë. “Kori i korbave” ka krijuar figura të sforcuara e jo reale të persekutuarish dhe sigurisht dhe figura po kaq jo reale xhelatësh. Unë me fakte, prova e persona konkret, kam treguar që detyren nuk e kam kryer me verbërinë e kohës, por kam evoluar pa pushim në interes të formimit tim dhe sigurisht edhe në përmirësimin e trajtimit të të dënuarve me heqje lirie, në çdo kohë të karrierës time.
Ndër ata që kanë reaguar për letrën tuaj është edhe Bedri Blloshmi. I keni lexuar reagimet e tij dhe a keni një përgjigje për akuzat që ai ju bën?
Bedri Blloshmi në një kohë tjetër do e fillonte replikën me fjalët “krimineli Edmond Caja”. Këtë radhë flet për karrieristin Edmond. Ndjehet jo mirë, e i duket sikur i kam futur hundët në familje, ndërkohe që unë veset e tij i zbuloj për publikun nëpërmjet mbesës së vet. Kur flet për rolin e vet lidhur me dënimin e të vëllait, duket sikur më fut krahun e në afinitet më jep një sekret, se si me lehtësi, nëpërmjet partisë sime që është në pushtet, mund të shikojë dosjet. Po kë dosje, ato që ai dhe kujt i ranë në dorë, i vodhën, i zhdukën e i shpërfytyruan për qëllime që Shqipëria i vuan e do i vuajë edhe për shumë vjet. Flet edhe për Sandër Sokolin, që i paskam marrë shpirtin dhe herën e fundit thoshte e kam thyer në mes, (shiko Youtube ). Aty e përforcon me djallëzi dëshmitari gënjeshtar Visar Zhiti, me një ligësi të brendshme, që pa prova të dy bashkë, akuzojnë dikë për vrasje.
Por unë kam provat, kam njerëzit dhe ato janë të padiskutueshme.
D.m.th. ju thoni që keni një provë të padiskutushme, që Visar Zhiti dhe Bedri Blloshmi janë gënjeshtarë?
Me pak fjalë. Në vitin 1994 u mbyll një proces i bujshëm gjyqësor që drejtohej nga katër gjyqtarë, ku dy prej tyre ishin ish të burgosur, gjykatës me kursin e 3 muajve tek “Plepat”. Në atë gjyq u hetua dhe u dha dënim edhe për rebelimin në Qafë-Bar. Ndërsa në Gjykatën e Kasacionit, “Kolegji Penal”, pas ankimimit të personave të pandehur u mor vendim i formës së prerë me Nr. 188 i Regj.Themeltar, si dhe nr. 208 i Vendimit. Rish. i datës 30.11.1994, me Zef Brozi si Kryetar dhe Vangjel Kosta e Zef Nika si Antarë. Në vendim thuhet shprehimisht: “Me të mbërritur në Qafë-Bar, ndonëse gjendja ka qenë e qetësuar, i pandehuri Z.R., ka kërkuar shpjegime, ka veçuar “problematikët”. Ky i pandehuri, mbasi ka larguar forcat e këtij reparti, ka urdhëruar forcat që kishte marrë me vete që të ushtronin dhunë mbi të dënuarit. Si pasojë e kësaj dhune, në veçanti veçohen dëmtimet e bëra ndaj të dënuarit Sandër Sokoli, duke çarë në pjesën e kokës, gjoksit si dhe thyerje brinjësh, ku si pasojë e këtyre plagëve, duke e lënë pa mjekim, u bë e mundur që ai të vdesë gjatë transportit që i bënë atij për në Degën e Punëve të Brendshme…”.
Pra gjyqtarët, ish shokë të burgut, me gënjeshtarët dhe shpifësit Bedri Blloshmi dhe Visar Zhiti, pas hetimit në Prokurori, si dhe gjatë hetimit në procesin gjyqësor dhe me pyetjen e shumë dëshmitarëve reale në ngjarje, e pranuar edhe në Gjykatën e Kasacionit, vërtetuan me vendim gjyqi faktin se dëmtimet e rënda të Sandër Sokolit janë bërë nga ushtrimi i dhunës ndaj tij prej forcave të ardhura nga Tirana, e me urdhër të një personi drejtues në Ministri. Ky vendim gjykate vërteton që ne si efektivë të repartit Nr. 311 “Qafë-Bari”, me urdhër na larguan jashtë rrethimit e funksionit dhe kompetencat ju kaluan Ministrisë dhe të dërguarve të saj, si dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë.
Ky është vendimi. Ku e shohin Edmond Cajan këtu, këta që kanë 28 vjet që mbushin gazetat e ekranet me fantazinë e një ordineri e keqbërësi?
Agron Tufa, Drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ju ka akuzuar publikisht. Mendoni se ka pasur dijeni për këtë vendim gjykate?
Është vërtet i diskutueshëm roli i Agron Tufës, lidhur me këtë vendim gjykate. Është një faj i pafalshëm ky, që ky person ndërmerr një fushatë kundër meje, të kësaj përmase, por mbi fakte të gënjeshtërta. Ai nuk ka asnjë profesionalizim si “studiues”. Jo vetëm që asnjëherë nuk ka pyetur edhe palën tjetër, por nuk ka publikuar një vendim zyrtar, një Vendim Gjykate.
Ka dy interpretime për këtë fakt. Ose nuk e ka ditur këtë vendim gjykate. Që do të thotë se ka dështuar tërësisht në metodën e tij të punës. Ose e ka ditur dhe e ka mbajtur të fshehur, gjë që do të thotë se karakteri i tij është aq i ulët, ky është një person kaq negativ e keqbërës, që krijon prapaskena mbi bazën e shpifjes dhe amplifikimit të saj, krijon një devijim të qëllimshëm nga e vërteta dhe kërkon të vënë përballë njëri-tjetrit njerëz të pafajshëm dhe pa lidhje me ngjarjen.
Në të dyja rastet tregon jo vetëm paaftësi absolute për pozicionin që ka dhe mban, por edhe përgjegjësi penale për shpifjet pa doganë dhe për shkak të detyrës.
Ka dalë në televizion edhe pa ju dridhur qerpiku i syrit, ka bërë akuza direkte ndaj meje, duke më quajtur deri kriminel. Ka kërkuar dëshmitar dhe u ka dërguar letra njerëzve të ndryshëm, për të grumbulluar prova kundër meje. Të tëra këto janë të tejkaluara në funksionin e tij, mbi të gjitha po të kemi parasysh këtë vendim gjyqi, që ekziston që nga viti 1994.
Po ju jap edhe një dëshmi se si punon ky “studiues” i madh.
“Dëshmitari” mashtrues Urim Gjata, tregon në shkrimin e tij “Qafa e Barit-Porta e Ferrit”: “I tmerruar me pistoletë në dorë, komandanti i burgut Ludovik Cali jepte urdhra sa majtas-djathtas. E vetmja fjalë e tij ishte zjarr mbi armiqtë e popullit dhe të partisë, sapo të prekin telat” dhe vazhdon – “Nga Tirana me helikopter vjen edhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Edmond Caja. Zëri i tij nëpërmjet altoparlantit nga helikopteri kërkonte ndalimin e revoltës” etj. etj. Urim hesapi, shkrim e këndim ka mësuar vonë.
“Studiuesi” Agron Tufa nuk dallon dot, vetëm në këto radhë, dy gënjeshtra të shëmtuara. E para Ludovik Cali atë vit, pra në Maj të 1984, ishte akoma student, pra nuk kishte se si të ishte në QB dhe e dyta unë nuk erdha me helikopter, por isha aty në Qafën e Barit, kur ndodhi rebelimi dhe nuk isha Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.
Pas shpifjes publike të Urim Gjatës “Edmond Caja je vrasës!”, ku gënjen për rastin lidhur me të cilin gjykata është shprehur qartë, ky “studiuesi” Agron Tufa e ka shpërndarë këtë gënjeshtër në Facebook edhe e falenderon kështu: “Ta kemi borxh e respekt këtë memo e përkujdesje zotni Urim Gjata! Zoti ta shpërbleftë”….-Do të ta shpërblejë edhe ty Agron, për falsifikimet, shpifjet, e mashtrimet.
Edhe Visar Zhiti botoi tek gazeta “Panorama”, pjesë nga romani i tij “Ferri”. Ndërkohë botoi edhe një kundër-reagim ndaj letrës tuaj. Ai midis të tjerash shkruan se ka punuar 8 vite në minierë dhe asnjë ditë në ofiçinë. Komenti juaj?
E prisja reagimin e Visar Zhitit dhe kur filloi të botojë tek një gazetë pjesë nga romanet e tij, fillova të mendoja se për të ka më shumë rëndësi komercializmi, se sa dinjiteti.
Ai kërkon të dialogojë me djallin, që qenkam unë. Po kush është ai që vetëm djallëzi ka në çdo fjalë e fjali? Djallëzia fillon që me etiketimin Kryepolic. Si i tillë do të kompromentojë figurën time me çdo shkelje që polici i burgjeve mund të ketë bërë në 45 vite komunizëm.
I djallëzuari Visar Zhiti i shmanget ballafaqimit me angazhimin tim për reformat që udhëhoqa në Qafë-Bari e më vonë. Nuk i bën fare përshtypje mbyllja e burgjeve në Miniera nga fundi i 1990, sepse ndoshta e konsideron si akt i imponuar nga zhvillimet e kohës, ku komunizmi ishte në grahmat e fundit. Po atëherë pse duhet ta besoj ajo pjesë e publikut që s’ka qenë në burg ( se ata që kanë qenë aty sigurisht nuk e besojnë), dëshminë që ai nxjerr të vitit 1989, ku paska refuzuar bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit?!
Unë i referohem Makarenkos, me një ironi që dallohet lehtë kur flas për riedukimin. Visar Zhiti e merr këtë ironi si fakt për të ngritur akuzën për dhunë asgjësuese. Ironia e sarkazma nuk mund të merren si prova për të ngritur një akuzë, por mund të merren thjesht si test për të percaktuar një koeficient inteligjence.
Kurrën e kurrës nuk do ja lejoj vetes të përflas vuajtjet e të dënuarve me heqje lirie në komunizëm. Është ky respekt që më orientoi heshtjen e 28 viteve. Lexo prapë çfarë i kam shkruajtur mikut tonë të përbashkët. “Ajo periudhë nuk përbën lavdi për asnjë individ…qe një periudhë fatkeqe për ne si brez…”. Ndërsa ai me djallëzi dialogun me mua djallin, e bën tejet të vështirë. Unë e hap një derë dhe një dritare për çdo dialog, por jo me atë që shpif dhe del dëshmitar sikur unë kam vrarë. Kur bëri “romanin” e shekullit, a thua nuk e ka ditur Visar Zhiti që ka një vendim gjyqi të 1994, pikërisht për humbjen e jetës së personit për të cilin ai ka një jetë të tërë që mbush gazetat e programet televizive, pa as më të voglin respekt, duke përdorur emrin dhe kujtimin e tij?!.
Djallit, që jam unë, ai djallëziu i vë përballë edhe një person dëshmitar, “qytetarin” Urim Gjata. Visarin me Urim Gjatën që është një mashtrues profesionist, i bashkojnë jo vetëm dëshmitë e rreme, por edhe talenti i tyre letrar. Sa poshtë ka rënë “poeti”, merret me Urimin. Pret dëshmitari Visar, një mbështetje nga dëshmitari Urim, që nuk ka qenë kurrë në Qafën e Barit. Urim hesapi, Visar hesapi. Që të ta ngre një çikë nivelin dhe të mbetesh tek “poeti”, më thuaj ke pyetur ndonjëherë për këtë qytetarin Urim Gjata. Kush është? Ku ka qenë? Përse është akuzuar? Dhe ajo që është më kryesorja, çfarë di ky për Qafën e Barit. Pyete Urimin a ka shkelur ndonjëhere ish-polici ushtar i Degës së Brendshme, në Qafën e Barit dhe nga i di ato që shkruan njësoj si ty?
Pastaj djallëziu Visar thotë që s’ka qenë veshi dhe syri i Partisë, biles veshët i ka në vend. Veshi i prerë është sarkazëm që lidhet me një person që edhe ai edhe unë, edhe të gjithë të burgosurit, e njohin dhe ishte personifikimi i pasojës që vinte nëse spiunoje shokët. Mohon që ka punuar në ofiçinë dhe ndërkohë, duke marrë me të mirë ata që kanë punuar në të, djallëziu thotë djallëzisht: “Në ofiçina kanë punuar dhe të burgosur të ndershëm, që kishin zanat mekaniku”. Dhe ja ku më del vetë aty ku i djeg. Unë nuk them se nëse punoje në ofiçinë ke qenë spiun. Unë të pyeta dhe po ta përsëris se pse punoje në ofiçinë, duke mos qenë mekanik?!
Jam dakord me Papa Françeskun, por jo kur citohet nga goja e Visarit. Ai ka shpifur për mua si vrasës, e s’ka gojë të perifrazoj të dërguarin e Zotit në tokë, apo mendon se si i dërguari i Shqipërisë në Vatikan automatikisht, Visari duhet të jetë edhe zëdhënësi i Zotit në mëmëdhe?
Dole në TV pas letrës time dhe the se persekutori ngre gishtin kundër viktimës dhe kjo është e patolerueshme. Ti kurrë nuk ke qenë viktima ime dhe unë kurrë nuk kam qenë persekutori yt. Dil e thuaj me burrni nëse të kam thënë ndonjëherë plaç, të të kem trajtuar keq, apo të të kem bërë ndonjë të keqe. Por nuk do të të lejoj kurrë të më akuzosh për vrasje e të përbaltësh emrin tim.
Ai me djallëzi shpërndan idenë se shkrimet janë gjithçka, janë apel kundër mëkatit dhe anashkalon shpifjen e vet të poshtër, të ligë e me qëllime asgjësuese ndaj dinjitetit e personalitetit tim. Atij diku i është gërvishur ndërgjegja kur shkruan: “Nga shkaku i poezive klandestine, në burg rrija pa bërë rebelin, as heroin, poetin jo e jo, ishte e pamundur dhe e ndaluar rreptësisht”. Unë thjesht them: PA KOMENT
Intervistoi: Erion Habilaj
Vijon …
Nesër mund të lexoni: Si i përgjigjet Caja reagimit të Kastriot Dervishit për letrën e tij të fillim prillit në Dita. Pse e ndjen si obligim për t’i kërkuar falje vajzës së Sandër Sokolit. Çfarë thotë për Mira Dinen dhe lidhur me pjesën e letrës që ka ngjallur shumë debate për nënat dhe motrat e të dënuarve që rrezikoheshin t’i zinte nata rrugës. Emrat e atyre që kanë përfituar poste duke sajuar akuza mbi ato që kanë ndodhur në Qafë Bar. Nëse do të kthehej pas në kohë, a do ta kishit kryer prapë atë detyrë që ka kryer në ato vite…
DITA