PËR FAQEZINJTË NË AKADEMI DHE QEVERI

INTERVISTË

 

 

PËR FAQEZINJTË NË AKADEMI DHE QEVERI

Nga Xhevdet SHEHU

 

Rrallë herë më ka ndodhur që një shkrim si ai i djeshmi të ketë patur një jehonë të tillë. Brenda natyrës sime si gazetar, unë kam komunikuar dje edhe me veteranë e drejtues organizatash të veteranëve të LANÇ-it, me familjarë të dëshmorëve, me historianë e studiues nga më seriozët në vend.

Bisedova gjatëe edhe me deputetin Spartak Braho, i cili më tha dje:

-Po Akademia pse ra në batakun e ballistëve? Në krye të Akademisë është Skënder Gjinushi, i biri i gjeneralit të famshëm të luftës antifashiste, Hetem Gjinushit. As Vaso Tolen nuk e kuptoj në këtë firmë që ka hedhur. “Trendet evropiane” janë një alibi që nuk mund të gëlltitet nga askush. Me siguri Gjinushi nuk e ka marrë vesh këtë projekt dhe shpresoj të ndryshojë mendje…”

Komunikova edhe me dy historianë të huaj që janë thellësisht në dijeni të Luftës sonë Antifashiste. Mendimin e tyre po e përmbledh në pak fjalë:

Konferenca që ka menduar të organizojë Akademia e Shkencave është një provokim i mirëfilltë kundër asaj lufte, me të cilën krenohet një komb i tërë. Ne do ta bojkotojmë atë.

Si gazetar komunikova dje edhe me kupolën e Akademisë së Shkencave. Argumenti që më paraqitën për organizimin e një konference të tillë ishte ky:

“Para pesë vjetësh kemi organizuar një konferencë të shkëlqyer ku kemi ngritur në qiell Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këtë radhë, pra në 75 vjetor kemi menduar të flasim për antifashizmin pa armë dhe pa uniformë… Është një trend evropian ky dhe ne nuk mund ta shmangim këtë…”

– Domethënë, boll keni folur për ata që e çliruan Shqipërinë, tani do të flisni për ata që nuk zbrazën asnjë pushkë kundër pushtuesve nazifashistë?… – pyeta.

“Nuk e thashë këtë”, ishte përgjigja nga funksionari i lartë i Akademisë.

Argument më idiot nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. I trishtueshëm ishte fakti që këtë ma thoshte një akademik. Por ngaqë kam parë se si janë bërë anëtarë të akademisë gjatë 30 viteve të fundit nuk shpreha ndonjë habi.

Pasdite vonë mora premtimin se Akademia jonë e Shkencave do ta rishikojë këtë program dhe në konferencën e pritshme do të predominojë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Sidoqoftë ky ishte një premtim verbal.

Me Kryetarin e Akademisë, Prof. Skënder Gjinushin kam rënë dakord të bëj një intervistë ekskluzive në Dita mbi këtë temë së afërmi.

Rustem Peçi: Nuk merremi me delenxhinjtë!

Ndër të parët që reagoi me indinjatë ndaj projektit të Akademisë së Shkencave për një konferencë për 75-vjetorin e çlirimit, ishte Rustem Peçi, kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Përtej miqësisë dhe komunikimit të shpeshtë që kam me të birin e Heroit të Popullit, Shefqet Peçi, biseda e djeshme ishte krejt ndryshe. Përzihej aty nervozizmi, zhgënjimi, zemërimi dhe një indinjatë e paparë ndaj qeverisë aktuale që përkrah dhe financon projekte të tilla.

– Zoti Rustem, besoj se jeni njohur me nismën e Akademisë së Shkencave për të organizuar një konferencë me r4astin e 75-vjetorit të çlirimit. Çfarë përshtypje ju la ajo?

– Përshtypjen më të keqe më la ai lajm që botuat ju në DITA. Ai projekt sikur të ishte gatuar në kuzhinat e Gestapos. Por unë nuk dua të merrem me ca delenxhinj, qofshin këta në Akademinë e Shkencave, qofshin në qeveri. Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Kështu na ndodhi me rehabilitimin nga Edi Rama të kryeballistit dhe kryekolaboracionistit shqiptar, Mit’hat Frashëri. Është vërtet për të ardhur keq. Kështu na ka ndodhur me vendimin për heqjen e emrit të Heroit të Popullit, Qemal Stafës, nga Stadiumi i Futbollit. Kështu pa na ndodh tani me këtë gjoja konferencë. Palo konferencë ku ballistët dhe neofashistët bëjnë ligjin. Por i themi ne nga Labëria: Ai stan, atë bulmet do bëjë! Ne, veteranët e Luftës Antifashiste, nuk jemi pjesë e atij stani, dhe nuk e hamë atë bulmet të ndyrë…

– Juve si organizatë e Veteranëve, a do të merrni dhe do të flisni në atë Konferencë?

– Jo. Më sa do të marrësh pjesë ti, i dashur Xhevdet që të kemi nderin e organizatës. Jo, nuk merremi ne palaçollëqe të tilla. Ne si Organizatë e Veteranëve të LANÇ-it do ta bojkotojmë me neveri një konferencë ballisto-fashiste që kërkon të mohojë luftën tonë dhe gjakun e dëshmorëve. Ne kemi tjetër strategji dhe qëllim dhe do të ecim në këtë rrugë. Ne do nderojmë të gjitha ngjarjet dhe datat historike në të gjitha rrethet e vendit, do të nderojmë heronjtë dhe dëshmorët që kanë dhënë jetën e tyre për këtë atdhe, që ky atdhe të ishte i lirë, pa pushtues dhe sharlatanë.

– Mirë, zoti Rustem, po me sa kam marrë vesh nuk do të ketë këtë vit paradë ushtarake të luftëtarëve antifashistë, ashtu sikurse ndodh në të gjitha vendet e koalicionit të madh antifashist?

– Kjo është për të ardhur keq. Po ne nuk kemi ushtri. Ne vërtet jemi vend anëtar i NATO-s, po ne nuk kemi ushtri. Ç’të keqe do t’i vinte Edi Ramës nëse më 29 nëntor 2019, në ditën fiks të 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut të organizonte një paradë modeste, ku në ballë të atyre që do të parakalonin të ishin Ziqiri Mero, tashmë 100 vjeç, ish-partizan i Brigadës së parë Sulmuese dhe një grusht veteranësh të tjerë që janë ende gjallë? Do t’i rritej krenaria si shtet, si vend, si qeveri dhe do t’i thoshte botës: Ja edhe ne kemi luftuar kundër fashizmit! Jam i sigurt që edhe bota do ta përshëndeste, por mbi të gjitha do të fitonte simpati në popull. Ne nuk po i kërkojmë Qeverisë të lartësojë figurën e Enver Hoxhës, Komandantit të asaj Lufte që u bën nder të gjithë shqiptarëve, por të nderojë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Mbase i ka thirrur mendjes pas gomarllëqeve që bëri me Mitatin… Po Skënder Gjinushi nuk ka pse të bjerë në grackën e Edi Ramës. Mendoj se ka kohë të korrigjohet i biri i Gjeneralit dhe duhet me doemos ta shmangë këtë gafë të institucionit që ai drejton…

– Ndërkohë janë bërë nderime, madje edhe dekorime për bashkëpunëtorët e fashizmit. Sa normale ju duket kjo?

– Kjo është një nga absurditetet më të mëdha që ne po përjetojmë. I ka bërë Sali Berisha e Bujar Nishani këto hynere. Ne trishtohemi dhe na vjen jashtëzakonisht keq kur këtë na e bën Edi Rama, të cilin e kemi në krye të Partisë Socialiste dhe të Qeverisë së majtë. Ne nuk presim që ballistët dhe zogistët dhe pinjollët e tyre të ndryshojnë. Ne kërkojmë që Partia Socialiste të jetë ajo që duam ne, e majtë, të mbrojë Luftën Antifashiste dhe idealin e dëshmorëve. Përndryshe jemi përballë një tradhtie të madhe. Nuk është koha të rrëmbejmë armët. Nuk do të bëjmë luftë civile për të realizuar ëndrrën e Uran Butkës. Armët tona janë votat. Ajo që ne nuk e kemi të qartë është kjo: A është Edi Rama me ne apo me ata, domethënë me kolaboracionistët? Na vjen keq kur shikojmë se ai është më shumë proballist e profashist!

DITA

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode