VËSHTRIM
NJË POET I VËRTETË NË PËRMET
Kristo MËRTIRI
Lumo Kolleshi
Mbrëmave, kur nata bie urtësisht e ulet këmbëkryq mbi gjithësinë dhe shtrydh pak e nga pak atë vesën e padukshme që veson a pikon pa zhurmë yjet e agut të mëngjezit, kur Vjosa papritur e pakujtuar sikur këndon nën zë ninananën e fundit dhe bën zgjimin e qytetit luleharbuar (ritual shekullor i veçantë që zgjon ujërat, pyjet e malet), një dhome të thjeshtë banimi shpesh nuk i shuhet drita elektrike. Nuk i shuhet as frymëzimi dhe as shënimet e njoma në ditarin e mësuesit të Letërsisë, e as vargjet poetike pa mbarim.
Ka vite që udhëtojnë bashkë që nga malësitë e Pukës në Veri e gjer te fshatrat Bënjë, Novoselë e Katundishtë të Dëshnicës. Dhe sot në qytetin e Përmetit, në gjimnazin e mirënjohur “Sami Frashëri”. Është poeti mësues Lumo Kolleshi, që pret e përcjell me penë në dorë vargje e rima, motive e rrëfime të shumta nga jeta. Ashtu në heshtje e pa zhurmë, kurrë nuk bërtet e as sokëllet. Me një modesti të adhurueshme e angazhim krijues skrupuloz, zgjedh e gdhend fjalën e qëruar, të latuar si gur qosheje. Që kundërmojnë erë borziloku e trëndeline nga livadhet malldjegura në Mërtinj, Frashër, Kokojkë, Qarrishtë, Trebeshinë, Dhëmbel, Nemërckë…
Se ekranet e shumtë televizivë në metropol nuk paskan nge e as këllqe të vërteta profesionalizmi, që të merren siç duhet me poetët e talentuar në “provinca”. Opinioni i gjerë publik ka vite që bombardohet pa mëshirë me informacione të rëndomta, qesharake e kulpërake nga brenda e jashtë Shqipërizës sonë. Duke e ushqyer brezin e ri shpesh me modele e ideale kallpe e groteske, përmes një lakuriqësie të shëmtuar në veshje, këngë, fjalor e komunikim banalesk dhe tepër larg kulturës së vërtetë tradicionale e moderne.
Frytet e tyre dhe ato të arsimimit publik e privat, në fund të fundit, janë të (pa)ndezura në praktikë. Fryte thartirë që herë-herë të ngjethin mishtë e të zhysin në meditime të trazuara e trishtuese. Dhe harrojnë që “artin e botës e udhëheq poezia”… Fjala vjen, në rininë time të hershme publicistike, unë u njoha e u miqësova me Et’hemin (vëllai i Lumos), mjekun e papërtuar, të dashur e të respektuar në mjaft familje të Përmetit e Këlcyrës, Dëshnicës, Malëshovës, Cerjes, Dangëllisë, Shqerisë e Rrëzës. Studiues vullnethekurt që arriti të mbrojë titull shkencor në zemër të Kryeqytetit e në mes të ajkës elitë të Neurologjisë! Një rast i rrallë e që flet shumë. Njohës i mirë i tallazeve njerëzore, por edhe nxitës i veçantë i poezisë së Lumos.
Përmeti im i dashur! Sa shumë bij e bija nga kjo trevë e shquar atdhetarie e kulturëdashëse dhanë shpirtin e talentin e tyre për Historinë faqendritur të kombit; për Letërsinë; Gjuhësinë; Artin Figurativ e Monumental; Arsimin; Teatrin e Kinematografinë; Këngët e meloditë qytetare popullore; Shkencën; Gazetarinë etj. Në raport me popullsinë, ndoshta është nga nahijet e rralla që ka aq shumë “Artistë të Popullit” ose “Artistë të Merituar”, ustallarë jo dosido e që brezi i ri fare pak ua di rrënjët përmetare e mëmëdhetare. Konkretisht, nuk duhet harruar kurrë shembulli i vetëm në botë: Tre Vëllezërit Frashëri, tre pishtarë nga një derë në krye të Rilindjes Kombëtare Shqiptare!
Emrin e tyre shkëlqimtar po e mban lart dhe me dinjitet e vetmja Shoqatë Atdhetare Kulturore Kombëtare, me qendër në qytetin e bekuar buzë Vjosës. Ose më tej. Mjaft Heronj e Dëshmorë të djeshëm e të sotëm kanë fituar nderimin e përjetësinë edhe nga peneli, dalta e vargu i bijve të kësaj treve pjellore. Ndërsa këto ditë shqiptarët në Maqedoni po presin librin e ri të Lumos, libër që po radhitet e lidhet në Shtypshkronjën e Tetovës. Se krijimtarinë e tij e kanë lëçitur herët : Në vigjilje të pluralizmit (1989) fitoi Çmimin e Dytë Kombëtar në poezi. Dhe në Prishtinë (festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik”, 2014), fitoi Çmimin “Vepra letrare”. Pa u ndalur këtu për vlerësimet e diplomat në Itali, Greqi etj.
Mirëpo, nuk thoshte kot i mençuri: ”Poeti është si kudhra që po nuk e godite nuk lëshon shkëndija”. Edhe kjo tufë e bukur me vjersha, si një tufë lulesh përmetare mbi tavolinën time në këtë fillimmarsi, e tregon natyrshëm burimin: Vendlindja, fëmijëria, djepi i përjetshëm i Mërtinjit; njerëzit më të dashur, të vdekur e të gjallë; plisat e lisat, zilet e këmborët, blegërimat e vetëtimat; gurgullimat shushurimë të krojeve dhe zërat drithërues të zogjve shtegtarë; vreshtat dhe ugaret që derdhin avuj e djersë kur hyn e del parmënda a traktori; vogëlushët që recitojnë Abetaren dhe fjalët e ëmbla të Naimit; kuvendimet llagar si pikë loti e pa qibër me luftëtarët e Dritës së Diturisë, me mësuesit që bëjnë orë të tëra me këmbë për të ndriçuar të ardhmen. Në cingërimë a përcëllimë…
Te ai gjimnaz ku dikur do të hapte udhën e gjerë të arsimimit, të ëndrrave e lirikave djaloshare, përballë bangave ku shuante etjen për dije, ish nxënësi i urtë e kokëplotë, Lumo Kolleshi, sot shkon çdo mëngjes si mësues i Letërsisë por edhe si poet fjalëhollë. Tashmë, ai di të qëmtojë mjeshtërisht edhe nga gazavaji i kabasë së famshme të Laver Bariut, e mbi të gjitha nga poeti popull. Pa kopjuar e pa imituar, larg vulgares e lakmisë tamahqare! Aromën e nektarit poetik të mirëfilltë e ndien gati në çdo poezi të tij.
Poezi që nuk të lodh e as të dhuron shushamë a ngrica. Përkundrazi, të ngroh e të lëvrin gjakun në deje, të ndez meditimin e pse jo vetë reflektimin shpirtëror qytetar te lexuesi i ri e i moshuar. Sepse, Koha dhe Njeriu janë binom i përhershëm te pena e Lumos. Kjo devizë, mendoj unë, është edhe shtylla kryesore në biografinë e tij poetike, ku dallon qartë individualitetin e pacënueshëm e origjinal. Ka të drejtë miku ynë Ilirian Zhupa që këmbëngul e thotë shpesh se poezia është si dashuria, nuk ka moshë…
Faleminderit, Lumo, që na sjell jo vetëm kënaqësi estetike, por edhe kthjelltësi e bukuri mendimi, dashuri të pamatë për Njeriun e thjeshtë, për çdo grusht dheu në Përmet e përtej tij ! Se poezia jote nuk të përkund me lule e pekule të vjetruara e monotone. Veç të tjerave, ti më sjell në Tiranë një kupë qielli nga viset e mia, gjurmë nga shtigjet e udhët ku pata fatin të hidhja mjaft hapa të sigurt në jetën time qytetare, profesionale e familjare. Gjurmë që na shoqërojnë si magjira të pathinjura kudo e na mbajnë gjallë deri në frymëmarrjen e fundit! Ethet e mundimit e të krijimit tënd janë të prekshme, aspak hermetike. Për sot, nesër e pasnesër. Dhe tani, po ua lemë radhën lexuesve…
TemA