NDERIMI I ZOGUT, HISTORIANËT KUNDËR BERISHËS

NDERIMI I ZOGUT, HISTORIANËT KUNDËR BERISHËS

Historianet Pëllumb Xhufi, Sabri Godo dhe Paskal Milo reagojne pas deklarates se kreut te qeverise Sali Berisha per ridimensionin e figures se Zogut, po te cilen Pavaresia e Shqiperise do te ishte thjesht nje akt iluziv.

Xhufi: Jo vetëm Berisha, edhe Zogu e kishte nje Bollano mik Zoti Xhufi, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi gjatë punimeve të mbledhjes së qeverisë "ishte mbreti Zogu I, mbreti i parë i shqiptarëve, ai që bëri që pavarësia të realizojë qëllimin e saj, shtetin e ri të pavarur të Shqipërisë. Theksova këtë moment se pa mbretërinë, mbase, pavarësia do të kishte qenë një akt iluziv, i paqëndrueshëm". Në këtë mënyrë, ai kërkoi ridimensionimin e figurës së Zogut I. Si e vlerësoni ju këtë deklaratë?
 

Nga këto deklarata të kryeministrit, unë kuptoj se ai ka hyrë në një fazë të re të pasionit të tij politik, që është ajo e monarkisë. Në fakt, nëse është e vërtetë që periudha e viteve 1924-1939 është periudhë e konsolidimit të shtetit shqiptar, ku ka rol të padiskutueshëm edhe Ahmet Zogu, kjo nuk do të thotë që po të mos ishte shpallur mbret, pavarësia dhe konsolidimi i shtetit shqiptar do të kishin qenë të pamundur. Edhe si President, Zogu kishte sigurisht sjellje prej monarku, sundimi i tij karakterizohej nga autoritarizmi, shpërfillja e institucioneve, goditja e kundërshtarëve politikë. Duke u bërë mbret, në vitin 1928, Zogu, pikë së pari, kënaqi ambiciet e tij personale, krijoi kushte për të qenë sundimtari i përjetshëm i vendit, mundësoi krijimin e pasurive e të përfitimeve përrallore për veten dhe familjen e tij. Sa për imazhin dhe autoritetin e tij brenda dhe jashtë vendit, titulli mbret nuk i dha atij ndonjë kredit më shumë. Një pjesë e shqiptarëve vazhduan ta urrejnë atë edhe pasi u bë mbret, madje tentuan edhe t'i marrin jetën me atentate brenda e jashtë Shqipërisë. Sa për të huajt, këta nuk është se e pritën si "lajmin e ditës" shpalljen e Ahmet Zogut si mbret të Shqipërisë. Siç dihet, Qemal Ataturku u neverit nga një akt i tillë, ndërsa në kancelaritë perëndimore shumëkush e quante Zogun "mbret operetash". Kjo për sa i përket aspektit formal të çështjes. Sa i përket përmbajtjes së qeverisjes në vitet 1924-1939, padyshim në ato vite u ngjiz vërtet ideja e shtetit shqiptar, u krijuan një sërë të mirash kombëtare për t'u pasur zili edhe sot e gjithë ditën, si për shembull, një administratë profesionale, e motivuar dhe e përkushtuar ndaj shtetit e ndaj interesave të tij. U hodhën bazat e shkollës e të arsimit kombëtar, u krijua një sistem juridik modern, pavarësisht se ligji nuk zbatohej gjithnjë e për të gjithë, u bënë përpjekje për të kapërcyer ndarjet krahinore, pavarësisht se Zogu vinte nga një traditë politike partikulariste. Duke thënë këto, nuk duhet harruar që bartësit e vërtetë të gjithë këtyre reformave, që e ngjizën shtetin shqiptar si të tillë, ishin ata mijëra intelektualë shqiptarë, atdhetarë të sprovuar në betejat për liri e pavarësi, të cilët formuan shtyllën kurrizore të institucioneve të shtetit shqiptar. Do të ishte gabim që të mendohej se ata përfaqësonin një arsenal njerëzor të Ahmet Zogut. Madje, shumë prej tyre u konfliktuan ashpër me mbretin për probleme madhore të drejtësisë, të integritetit e të interesave kombëtare. Po mjaftohem të kujtoj vetëm njërin prej tyre, Mit'hat Frashërin, i cili që në vitin 1925 i lëshoi Zogut aktin e dorëheqjes si Ministër fuqiplotë në Athinë, porsa që kryeministri i ardhur me anën e bajonetave jugosllave, i fali si shpërblim Jugosllavisë, Shën Naumin.

 

Në vijim të deklaratës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se e vërteta historike është se ai erdhi në pushtet me zgjedhje, erdhi me zgjedhje për të shpëtuar vendin e tij, por Ballkani i mbretërive nuk mund të toleronte regjime demokratike të zgjedhura. Cila është e vërteta e ardhjes në pushtet të mbretit Zog I?

Më vjen të them që Zogu kishte me zgjedhjet e lira e demokratike të njëjtin raport që ka me to edhe z. Berisha. Por, ndërkohë, ka kaluar një shekull... Jo, Zogu asnjëherë nuk ka ardhur me zgjedhje të lira në pushtet. Në dhjetor të vitit 1922, ai solli në pushtet një qeveri kukull të Xhafer Ypit, pasi kishte rrëzuar me forcën e armëve qeverinë e Hasan Prishtinës, të mbështetur nga një radhë e tërë patriotësh, si Aqif pashë Elbasani, Bajram Curri, Monsinjor Bumçi etj. Në dhjetor 1924, erdhi në pushtet me mbështetjen e jugosllavëve e të grekëve, të cilët i shpërbleu duke cenuar sovranitetin e integritetin territorial të vendit. Fola më lart për çështjen e Shën Naumit, por mund të shtoj edhe lëshimet që Zogu i bëri Athinës për çështjen e Himarës. Jo vetëm z. Berisha ka sot një mik në Himarë, që quhet Bollano, edhe Zogu e kishte një të tillë, që quhej gjithashtu Bollano! Por duhet pranuar, që në një moment të caktuar, pasi u çlirua nga obligimet ndaj Beogradit e Athinës për ndihmën që i dhanë për të ardhur në pushtet, Zogu diti t'i largohej politikës së lëshimeve të paprincipta ndaj fqinjëve. Me sa duket, kishte rezistuar e nuk kishte hapur biznese të përbashkëta me ta.

Gjithashtu, kryeministri deklaroi se mbretëria shqiptare ishte një mbretëri që, pavarësisht nga problematika e oborreve, të cilat kanë qenë të përjetshme, konsolidoi shtetin e pavarur shqiptar. A mendoni ju se ishte mbretëria ajo që konsolidoi shtetin e pavarur shqiptar?

E thashë pak më parë, shpallja e mbretërisë nuk ishte një deus ex machina, nuk ishte lëvizja gjeniale që solli konsolidimin e shtetit shqiptar. Zogu do të kishte bërë të njëjtat gjëra edhe si President. Në kohën e vet, askush nuk e mori seriozisht këtë kalim të Shqipërisë nga Republika në monarki. Konsolidimi i shtetit shqiptar ishte një frymë e epokës, ishte një thirrje që vinte nga betejat e Rilindjes Kombëtare, të Lidhjes së Prizrenit e të luftërave për pavarësi. Zogu, edhe pse nuk ishte një rilindës, edhe pse nuk ishte një atdhetar demokrat, siç ishin shumica e kundërshtarëve të tij politikë, mori diçka nga mesazhi i historisë së popullit shqiptar. Në fund të fundit, braktisi një pjesë të mirë të së shkuarës së tij si feudal turkoshak e si bajraktar krahine, dhe zgjodhi ta bëjë Shqipërinë pikërisht me ata njerëz që koha i kishte vënë në krye të betejave historike. Sigurisht, Zogu nuk arriti të bëhej një sovran i ndriçuar, ai mbeti pre e kulturës dhe e veseve të klasës së vet. Në fund të fundit, njerëz injorantë, të dhunshëm, intrigantë e të korruptuar deri në palcë, si Lalë Krosi, përbënin entourage-in e tij të besuar.

Godo: Jo çdo gjë që ka bërë Zogu mund të duartrokitet Zoti Godo, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi pak ditë më parë "ishte mbreti Zogu I, mbreti i parë i shqiptarëve, ai që bëri që pavarësia të realizojë qëllimin e saj, shtetin e ri të pavarur të Shqipërisë". Ai kërkoi ridimensionimin e figurës së Zogut I. Si e vlerësoni ju këtë?

Në disa pika ka të drejtë, nuk mund t'i bëj një deklaratë kundër. Unë e pohoj që ai ka një rol në konsolidimin e shtetit shqiptar, ka një rol serioz, kjo është e vërtetë. Të thuash që figura e tij është e lidhur me pavarësinë, shkon një çikë përtej realitetit historik, sepse Zogu nuk ka pasur ndonjë rol kushedi se çfarë, ishin figura të tjera ata që ndërmorën dhe çuan përpara procesin e pavarësisë, ndërhyrja e tij vjen më vonë. Jo çdo gjë që ka bërë mund të duartrokitet. Fjala vjen, ka mbetur herët ajo ardhja e tij në 1924 e asistuar nga forca të huaja. Kështu që t'i jepet e drejta, ajo që i takon, por jo të idealizohet.

Në vijim të deklaratës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se e vërteta historike është se ai erdhi në pushtet me zgjedhje, cila është e vërteta e ardhjes në pushtet të mbretit Zog I?

Ai dihet si ka ardhur në pushtet, erdhi nga Jugosllavia me asistencën e disa forcave mercenare. Kështu që, kurrsesi nuk mund të thuhet se ai ka ardhur këtu përmes zgjedhjeve të lira.

Gjithashtu, kryeministri deklaroi se mbretëria shqiptare ishte një mbretëri që, pavarësisht nga problematika e oborreve, të cilat kanë qenë të përjetshme, konsolidoi shtetin e pavarur shqiptar. Si e komentoni ju këtë?

Kjo është e vërtetë. Zogu bëri një punë të madhe për të vendosur vendin dhe për të forcuar shtetin, natyrisht sipas koncepteve të tija monarkike.

Zoti Godo, a është momenti që në prag të 100-vjetorit të pavarësisë të rishikohet historia e Shqipërisë?

Historia mund të rishitet gjithnjë, nuk kemi një histori të shkruar një herë e përgjithmonë, të përjetshme, sepse zbulohen fakte të reja historike që hedhin dritë mbi ngjarjet dhe këto duhet të merren parasysh. Historia është një shkencë dhe si e tillë ajo nuk është tabu.

 

Milo: Berisha po ecën në gjurmët e Enverit

Zoti Milo, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi gjatë punimeve të mbledhjes së qeverisë se "ishte mbreti Zogu I, mbreti i parë i shqiptarëve, ai që bëri që pavarësia të realizojë qëllimin e saj, shtetin e ri të pavarur të Shqipërisë. Theksova këtë moment se pa mbretërinë, mbase, pavarësia do të kishte qenë një akt iluziv, i paqëndrueshëm". Në këtë mënyrë, ai kërkoi ridimensionimin e figurës së Zogut I. Si e vlerësoni ju këtë deklaratë?


Jam njohur me deklaratën e zotit Berisha. Ia kam thënë në sy mendimin tim Berishës sot (dje) tek komuniteti mysliman. Berisha duhet të heqë dorë nga zakoni i vjetër i tij që t'iu diktojë edhe shqiptarëve dhe, sidomos, historianëve se si duhet ta interpretojnë dhe ta shkruajnë historinë. Është një sjellje që nuk ka të krahasuar me asnjë vend të botës, ku kryeministri arrin deri aty sa të merret edhe me orientime se si duhet shkruar historia. Ky është një model i vjetër i tipit komunist dhe në rastin konkret të Enver Hoxhës, kur diktonte se si duhej shkruar dhe interpretuar historia. Berisha ecën në gjurmët e tij. Nëse do të flasim për figurën e Ahmet Zogut, i fundit që duhet të flasë është Sali Berisha. Përpara tij duhet të flasin historianët, ata që janë specialistë të fushës dhe që e kanë studiuar figurën e tij, dhe kohën e tij mbi bazën e dokumenteve. Nga kjo pikëpamje, ato çfarë ka deklaruar zoti Berisha janë antihistorike dhe jorealiste, sepse figura e Ahmet Zogut është komplekse, është kontradiktore, si mjaft figura të tjera të historisë shqiptare dhe se nuk ka vend për ridimensionim të tij më tepër se çfarë është bërë. Madje, në ndonjë drejtim është bërë edhe më shumë se çfarë i takon. Ahmet Zogu si figurë historike ka merita tashmë të vlerësuara, qoftë për restaurimin e integritetit territorial të Shqipërisë në vitet 1920-1921, ashtu siç ka merita se kontribuoi në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit shqiptar brenda atyre kornizave politike që ekzistonin në Shqipëri në vitet 1926-1939. Por, nuk duhet të harrojmë që Ahmet Zogu është shfaqur si një politikan dhe si një shtetar intrigant, thellësisht konservator, me tendenca të hapura diktatoriale që ka vrarë kundërshtarët e tij politik dhe që i ka luftuar ata në mënyrë të vazhdueshme, gjë që është e dokumentuar shumë saktë në histori. Ai është përgjegjësi për vrasjen e patriotëve të shquar dhe njohur nga i gjithë kombi shqiptar si, Bajram Curri, Avni Rustemi, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi dhe shumë të tjerë. Po kështu, Ahmet Zogu është e dokumentuar jo vetëm nga arkivat shqiptare, por edhe të huaja, është autori i marrëveshjes me Pashiqin, ish-kryeministrin e Serbisë në vitin 1924, ku për hir të ardhjes në pushtet fali territore të Shqipërisë dhe bënë koncesione të tjera jashtëzakonisht të dëmshme për Shqipërinë, duke ecur në gjurmët e dajës së tij, Esat Pashë Toptanit. Po kështu, arriti t'i japë Jugosllavisë Shën Naumin dhe Vermoshin. Për më tepër, ndoqi një politikë të atillë që e gjunjëzoi Shqipërinë dhe e ktheu në një protektorat italian që u kurorëzua pastaj me pushtimin fashist të Shqipërisë në 7 prill të vitit 1939, dhe ku mbreti nuk bëri as minimumin e përpjekjeve për t'u rezistuar, por u larguar fshehurazi në një kohë kur populli shqiptar kishte nevojë për udhëheqje për të rezistuar, ashtu siç bënë mbretër të tjerë ballkanas në këtë kohë. Pra, pa dashur të mohoj vlerat e Ahmet Zogut si shtetar dhe si shqiptar në momente të vështira të tij, nuk mund të pranoj dhe është absolutisht kundër produktive sjellja e kryeministrit shqiptar për të diktuar vlerësimet për figurat historike, është jashtë logjike normale historike, por mbi të gjitha është absurditet të mendosh që kryeministri shqiptar merret me interpretimin e historisë sikur nuk ka punë tjetër për të bërë dhe sikur punët e Shqipërisë janë të gjitha në rregull, dhe ai i ka mbetur që të rregullojë historinë dhe historiografinë.

Në vijim të deklaratës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se e vërteta historike është se ai erdhi në pushtet me zgjedhje, erdhi me zgjedhje për të shpëtuar vendin e tij, por Ballkani i mbretërive nuk mund të toleronte regjime demokratike të zgjedhura. Cila është e vërteta e ardhjes në pushtet të mbretit Zog I?

Është një tjetër absurditet, sepse dua t'i tregoj zotit Berisha që Zogu për herë të parë ka ardhur me zgjedhje të manipuluara në dhjetor të vitit 1923 dhe ishin pikërisht këto zgjedhje që krijuan një situatë të nderë politike që e detyruan pastaj Zogun të largohet dhe të zëvendësohet nga vjehrri i tij i parë, Shefqet Verlaci. Pra, se çfarë zgjedhjesh demokratike dhe nëpërmjet të cilave Zogu erdhi në pushtet u ngjajnë zgjedhjeve të vitit 1996 në Shqipëri. Prandaj, zoti Berisha të mos na flasë për këtë lloj standard zgjedhjesh, sepse ne e njohim shumë mirë. E dyta, ai bën një gabim shumë naiv kur mendon të krahasojë Shqipërinë e viteve '20 me mbretëritë e tjera të Ballkanit, të cilat ishin shumë herë më të zhvilluara, më të konsoliduara dhe me të vërtetë ishin regjime mbretërore, por ishin mbretëri të konsoliduara dhjetëravjeçare, dhe nuk u bënë mbretëri dhe as u vetëshpallën, siç e bëri Ahmet Zogu në vitin 1928. Mund të them pa mëdyshje se në dhjetor apo në janar të vitit 1924-ës, përveçse në Bullgari, ku ishte diktatura që rrëzoi qeverinë e partisë agrare bullgare, në vendet e tjera kishte qeveri që ishin mjaftueshmërisht demokratike, siç ishte në Rumani, siç ishte edhe në Serbi, apo siç ishte edhe në Greqi. Për të mos thënë pastaj për vendet e tjera evropiane. Modeli i qeverisjes së Ahmet Zogut u bë i papranueshëm nga bota ballkanike, aq më tepër nga një vend mik siç ishte Turqia, Mustafa Qemal Ataturku, udhëheqësi historik i Turqisë moderne, ishte në konflikt të hapur në shumicën e kohës me Ahmet Zogun se nuk pranonte sjelljen e tij politike, për të mos folur pastaj për qëndrimet që mbajtën vendet e tjera. Pra, me pak fjalë, duhet ta njohësh historinë për të folur për të. Zoti Berisha flet duke u nisur nga koniunkturat politike sot në Shqipëri dhe për fat të keq kërkon të përcaktojë një lloj protokolli historik për të vënë radhën se kush është lideri i parë dhe i dytë që ka bërë epokë. Me sa duket, po përgatitet për të hyrë në histori, sepse po e shikon që po vjen gradualisht fundi i tij në jetën politike shqiptare dhe po përgatit terrenin që të vetëcaktohet në hierarkinë historike të autoriteteve politike shqiptare. Nga çfarë dëgjova, në vend si të ridimensionojë Ahmet Zogun, të mendojë që të nderojë, sepse e meriton më shumë se kushdo tjetër, Ismail Qemalin, themeluesin e shtetit të pavarur shqiptar, që me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë t'i bëjë një monument në qendër të Tiranës, sepse e meriton dhe jo të merret me njerëz, të cilët kanë një karakter kontradiktor dhe të dyshimtë në historinë shqiptare.

Gjithashtu, kryeministri deklaroi se mbretëria shqiptare ishte një mbretëri që, pavarësisht nga problematika e oborreve, të cilat kanë qenë të përjetshme, konsolidoi shtetin e pavarur shqiptar. A mendoni ju se ishte mbretëria, ajo që konsolidoi shtetin e pavarur shqiptar?

Nëse ka diçka për të folur që u krijua si shtet shqiptar dhe eci në rrjedhjen e viteve është pikërisht koha e viteve '20-'30, se atëherë në Ballkan dhe në Evropë nuk pati luftëra. Shqipëria u krijua në prag të luftës së parë botërore dhe nuk mund të konsolidohej gjatë luftës së parë botërore kur u pushtua nga ushtritë e gjashtë vendeve luftuese. Rrjedhimisht, koha e paqësimit në Evropë ishte koha më e përshtatshme për këdo edhe për kohën në Shqipëri për të bërë diçka, për të bërë konsoliduar shtetin. Konsolidimi i shtetit shqiptar nuk ishte produkt dhe meritë e Ahmet Zogut se sa ishte rrjedhojë e ekuilibrave midis fuqive të mëdha Evropiane, të cilat nuk lejonin që në vitet '20-'30, që Italia dhe më pas Jugosllavia, të mund të pushtonin Shqipërinë.

Zoti Milo, a është momenti që në prag të 100-vjetorit të pavarësisë të rishikohet historia e Shqipërisë?

Historia e Shqipërisë, si çdo proces tjetër historik, ka dinamikën e vet të interpretimit, ajo është dhe u duhet lënë historianëve dhe jo politikanëve. Këshilla ime me rastin e 100-vjetorit është që historianët të vazhdojnë të interpretojnë historinë sipas larmisë që shkenca e lejon interpretimin historik dhe janë njerëzit vetë ata pastaj që do të pëlqejnë apo do të hedhin poshtë një interpretim apo një tjetër, qoftë për historinë e Shqipërisë, qoftë edhe për individët historikë të Shqipërisë.

 

______________

Berisha: Pa mbretërinë e Zogut, Pavarësia do ishte thjesht një akt iluziv

Duke kerkuar qe 100 vjetori i Pavaresise ta gjeje vendin me Parlament dhe Stadium te ri, kryeministri Sali Berisha ka kerkuar njeherazi edhe ridimensionimin e figures se Ahmet Zogut.

Ne fjalen e tij gjate mbledhjes se qeverise, Berisha ka vleresuar lart rolin e Ismail Qemalit ne pavaresine e vendit, por ka shtuar se pa Mbreterine e Zogut ajo do te ishte thjesht nje iluzion.


"Në këtë kontekst, ridimensionimi i figurës dhe personalitetit të mbretit Zog është një kusht moral i madh për të vendosur të vërtetën historike në piedestalin që meriton. E vërteta historike është se ai erdhi në pushtet me zgjedhje. Ai erdhi me zgjedhje për të shpëtuar vendin e tij, por Ballkani i mbretërive nuk mund të toleronte regjime demokratike të zgjedhura. Ndaj e minuan nga të gjitha anët, për t'u rikthyer pastaj dhe vendosur mbretërinë në këtë vend. Theksova këtë moment se pa mbretërinë mbase pavarësia do të kishte qenë një akt iluziv, i paqëndrueshëm"- tha Berisha.

Sipas tij, ishte Zogu I, mbreti i parë i shqiptarëve, ai që bëri që pavarësia të realizoi qëllimin e saj, shtetin e ri e të pavarur të Shqipërisë. E nisi si republikë, i ndërhynë me pyka dhe të tjera, por tregoi trimëri e vendosmëri të madhe dhe hodhi themelet e një shteti shqiptar, me të njëjtat standarde, në mos edhe më të mira, sesa simotra të tjera, mbretëri ballkanike.

Marrë nga SHEKULLI

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode