”NA MASHTRUAN!”…
Shkruan: Tafil DURAKU
Luftën e lavdishme të UÇK-së dhe cilëndo luftë tjetër lirimtare dhe bashkimtare, shqiptare, me çfarëdo emri, e ka organizuar dhe bërë intelegjenca e përndjekur shqiptare në trojet e pushtuara shqiptare nga Jugosllavia dhe Serbia, kasta e të burgosurve politikë shqiptarë dhe shokët tjerë krah tyre, dhe jo, kurrsesi dhe kurrë, pashallarët e Beogradit dhe “të burgosurit politikë shqiptarë”&Co krah tyre, ose, siç i quajmë me plotë të drejtë – “shqiptaro”-titistët. Pra, thënë shtruar dhe shqip: Luftën e lavdishme të UÇK-së e organizoi, e bëri dhe e fitoi ai (dikush) që sakrifikoi çdo gjë nga vetja dhe familja e farefisi dhe po e kullotë dikush tjetër, që e kriminalizoi, penalizoi dhe e shau atë luftë të lavdishme shqiptare.
Shikuar rrjedhat dhe gjurmët e luftës për liri e për bashkim kombëtar, lufta e UÇK-së u nis dhe u bë si luftë për bërien dhe bashkimin e trojeve të pushtuara e të shumëcopëtuara shqiptare, në ish-Jugosllavi, madje, të ndara e të përcopëzuara edhe më për t’zi, në “bajraqe” dhe “nahi” që nuk i duhen askujt, e, mëse paku u duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Lufta e lavdishme e UÇK-së është vazhdimësi e luftës së mbetur përgjysmë e tribunëve të popullit shqiptar, Shaban Palluzha e Mehmet Gradica, udhëhequr edhe, më 1912, nga Programi Shqiptar i Hasan Prishtinës, themeleve të ngritura nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
UÇK-ja, fillimisht, ishte në po këtë udhë shqiptare, plot shëndet fizik e mendor. Por, çfarë ndodhi me të dhe me luftën e saj titanike, është tepër e çuditshme. Për të ecur një udhe shqiptare, të bëries së lirisë e të Shqipërisë – SHQIPËRI, me kohë u është tërhequr vërejtja disa njerëzve të SHP të UÇK-së, por, ata, hap pas hapi, dëshmuan se asgjë nuk është nën kontrollin e tyre. Për çudi, situata shqiptare u rrëshqiti prej dore edhe shumë të burgosurve politikë shqiptarë, kuptohet, me fajin e tyre. Por, pse i rrëshqiti prej dore shtetit shqiptar, është e pakuptimtë, tepër e çuditshme dhe bezdisëse.
Në pozita të UÇK-së u vunë shumë njerëz me biografi të dyshimtë, gjë të cilën po e dëshmon për dymbëdhjetë vjetë rresht, pas luftës së saj, situata dhe pozita në të cilën është sot Kosova e trepushtuar shqiptare dhe popullata e saj shqiptare. Për më tepër, këtë konstatim e qartëson edhe më gjendja e veteranëve dhe e luftëtarëve të UÇK-së, e familjeve dhe familjarëve të tyre. Vërejtjet se do të vijë te një situatë dhe gjendje e tillë, janë tërhequr me kohë nga njerëz të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm të intelegjencës shqiptare, por, ç‘e do kur vërejtjet e tyre hynin në një vesh dhe dilnin nga veshi tjetër, i mësuar me dirigjim “patriotik” e “kombëtar”…
Kjo gjendje shtron domosdonë e hetimit të pse-së së nisjes së luftës shqipritare. Cilat ishin kriteret dhe kushtet, obligimet dhe përgjegjësitë e secilit shqiptar. Dhe, a i arsyeton kjo gjendje ato?!... JO. Kritere dhe përgjegjësi ka kudo ku ka rregull elementar të sjelljes, mirësjelljes e sjelljes me përgjegjësi, qoftë në politikë, qoftë në ushtri, qoftë në shtëpi… Por, a ndodhi kjo, në rastin e luftës së UÇK-së dhe pas saj?!... JO. Këtë gjendje antiShqipëri dhe antishqiptare e kemi diskutuar me shumë njerëz të luftës dhe përkrahës të denjë të saj, dhe, përgjigjja e shumicës prej tyre është: “Na mashtruan!”… Mirë, ju mashtruan, u themi, ne, tash. Çfarë është mashtrimi? Apo, nuk është mashtrimi tradhti?!... Dath dorinë, e m’ath gjogun!, thotë populli ynë i shumëvuajtur. Edhe tradhtia është mashtrim, e, edhe mashtirmi është tradhti. Po, a u përgjigj dikush pse mashtroi e tradhtoi luftëtarët e UÇK-së dhe u shkakton dëme të vazhdueshme atyre, të pariparueshme për shëndetin dhe familjet e tyre, për ardhmërinë e tyre shqiptare? Po, a u përgjigj dikush pse i tradhtoi e mashtroi luftëtarët e UÇK-së, pse i vrau ata në prita, dhe u shkakton edhe sot dëme të vazhdueshme e të pariparueshme për shëndetin dhe familjet e tyre?! Po, …?!...
Tash, na intereson të dimë: Çfarë domethënie e kuptimi ka klithma e neveritshme, e mërzitshme dhe bajate: “Na mashtruan!”… “Na mashtruan! Dhe, ne, po rrimë me ta në Parlament e në Qeveri, po gëzojmë privilegje e pasuri të paskajshme dhe benificione të tjera, duke e punësuar secilin anëtar të familjes dhe mbi baza të tjera të farefisnisë e miqësisë… Dhe, sikur jemi pajtuar pse na mashtruan!”... Zotërinj, për mashtrim dhe për tradhti, në çdo shtet të botës, ku ka kushtetutë, ligje dhe shtet, ka përgjegjësi të plotë dhe shkohet në burg, madje-madje, për mashtrim e tradhti bëhen edhe ekzekutime pa gjyq!… Ose, bëhen gjyqe për ekzekutimin e çdo mashtrimi dhe tradhtie, për secilin që kryen vepra të tilla “patriotike” e “kombëtare”, siç kryen dje, e kryejnë edhe sot, pa pushim, “shqiptarët” e Titës dhe të Ibrahim Titës e të Abraham Titicës!...
Mbi këtë bazë, bizaritet e shkuar bizariteti tingëllon klithma bajate: “Na mashtruan!”… Dhe, kur ju mashtruan, “nuk ju mashtruan” kur po u dhënë poste, lekë dhe pasuri të luajtshme e të paluajtshme, gjoja, në emër të Kushtetutës e të ligjit… Mos, vallë, betimi i dhënë i UÇK-së dhe gjaku i dërdhur për bashkimin e trojeve të pushtuara shqiptare dhe për lirinë e shqiptarëve, e, edhe lufta titanike e UÇK-së u arsyetokan me klithmën irituese e bezdisëse: “Na mashtruan!”… Apo, shumicës, sot, po u pëlqen “mashtrimi” që u bënë! Po, kush i mashtroi, se!?! “Shqiptaro”-titistët dhe “të burgosurit politikë shqiptarë”&Co krah tyre! ... Bah! …
Në raste të tilla, përgjegjësia dhe përgjegjësitë e mëdha, të ndëshkueshme me çdo kushtetutë e ligj, bien si te mashtruesi i vazhdueshëm prepotent, që quhet LDK&Co; si te të mashtruarit, që janë të burgosurit politikë shqiptarë dhe “të burgosurit politikë shqiptarë”, në të dy qendrat e “pafajësisë” ‘patriotike’ e ‘kombëtare’, “Pashallëku i Shkularakut Velanior” dhe “Pashallëku Vatërprishur i Plesht-Morrave të Barakllëkut të Prishtinës”…
Sa keq dhe sa poshtërsi e të dy krahëve të të dy anëve “patriotike” e “kombëtare” në “pushtet”!... Madje, dyfish e bezdisshme dhe irituese, kur e dëgjon klithmën bajate: “Na mashtruan!”…
Burojë, më 19 janar 2011