Me rastin e Ditës së flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë
Botohet numri i parë i revistës letrare “Metafora”
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës ka botuar numrin e parë të revistës letrare “Metafora”, që pretendon të jetë e përmuajshme , sikur Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës të bënte financimin e saj.
Revista “Metafora” është e formatit standard A4, me 64 faqe, nga të cilat katër kolor.dhe tirazh 1000 copë.
Në hyrje të revistës theksohet se ajo do të kultivojë vlerat artistike e estetike, do të emancipojë mendimin modern për letërsinë dhe do të jetë e hapur për të gjithë krijuesit letrarë kombëtarë e ndërkombëtarë.
Revista hapet me paralajmërimin për takimin e ardhshëm letrar “Esad Mekuli” më 17 dhjetor 2010, me rastin e ditëlindjes së poetit.
Në këtë revistë mbizotërojnë krijimet letrare nga festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik”, më 10-11 qershor 2010 në Prizren, që do të jetë tradicional.
Në këtë festival kanë marrë pjesë anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, poetë e studiues nga Tirana e mërgata, poetë minoritarë dhe piktorë nga Prizreni.
Janë botuar poezitë e lauruara në këtë festival dhe ato nga “Ora e Lidhjes”, “Drini poetik” dhe “Mjellma e Lumbardhit”.
Janë botuar gjithashtu edhe tri poezi minoritare në gjuhën amtare.
Nga lirika shqipe janë përfaqësuar vlerat poetike të klasikëve Lasgush Poradeci e Esad Mekuli dhe lirikat moderne të Visar Zhitit, Fatime Kullit, Fatos Arapit, Bardhyl Londos, Koçi Petritit etj.
Nga poezia botërore botohen Bodleri, Lorka, Octavio Paz, Sezen Aksu dhe poeti e studiuesi amerikan Shawn Sturgeon, që ligjëron tani në Universitetin Amerikan në Prishtinë.
Në revistën “Metafora” janë botuar edhe tregimi i Adem Demaçit, prozat poetike të Kafavit e Kolec Traboinit, esetë e Konicës dhe Ekos.
Në rubrikën Nobeli jepen historiku i Çmimit Nobel për letërsinë
dhe nobelisti i sivjetmë Mario Vargas Llosa, ndërsa dr.Begzad Baliu ka botuar një fragment të esesë “ Rexhep Qosja dhe Çmimi Nobel”
Nga sesioni letrar i festivalit janë botuar studime për “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në letërsinë shqipe” , si dhe një vështrim për historiografinë letrare i akad. Floresha Dados.
Gjithashtu është shënuar edhe përvjetori i shkrimtarëve të ndjerë Mehmet Kajtazi e Iljaz Prokshi.
Në revistë janë botuar disa recensione për botimet e reja letrare.
Revista është e pasur edhe me piktura e foto artistike.
Revista “Metafora” ka edhe faqen e aforizmave dhe të humorit.
Botimi i revistës letrare “Metafora” shënon një ngjarje të re kulturore, kur dihet mungesa e hapësirës letrare në Republikën e Kosovës.
Përurimi i revistës letrare “Metafora” bëhet të shtunën, më 27 nëntor 2010, ora 11, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, për nder të Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.
Posta elektronike: lshk-metafora@hotmail.com
A. Kadolli
Prishtinë, 26.11.2010