LIRIKË REVOLTE DHE DASHURIE

LIRIKË REVOLTE DHE DASHURIE

Tafil DURAKU

 

Çdo lexues që takohet me titullin e përmbledhjes “Netët pikojnë dhembje”, të autorit Fehmi Berisha, botim i Shtëpisë Botuese “Nositi” (Prishtinë, 2012), do i shoh dhe kuptoj drejtpërdrejtë dhe tërthorazi pikësynimet dhe pikëpamjet e tij referuese, të cilat dalin të zbardhura që në ciklin e parë, “Mjegulla në zvarritje”.

Shihet qartë se autori i referohet veprës emblematike të Adem Demaçit, “Gjarpinjtë e gjakut”, kur thotë, plot pezm:

Gjarprinjve t’u kallim strofujt

Mashtrimeve tona (fq. 15)

Por, autori sikur porositë se strofujt duhet t’ua kallim edhe mashtrimeve dhe mashtruesve tanë, e që janë aq shumë dhe aq shumë të rafinuar e perfidë.

Për të vazhduar më tej me vargjet e një shqetësimi të madh, kuptimplotë:

Po rritesh i lazdruar, Atdheu im! (fq. 38)

Sa e madhe kjo brengë dhe ndjesi e poetit që një pjesë të jetës së tij e kaloi nëpër kazamatat antishqiptare serbo-jugosllave, kur e sheh Atdheun të lazdruar, duke shqelmuar gjithçka të traditës së vet, të dokeve dhe zakoneve, e duke ecur kështu, pa qokë e pa cak.

Po ashtu, hetohet shqetësimi i poetit për t’i ruajtur e kultivuar traditat e popullit të vet, që nënat tona i përkundën ninullave të djepit:

O m’u bëfsh o për Atdhe

o moreeeeeeeeeee… (fq, 42)

Vërehet, me të drejtë, shqetësimi tjetër i poetit, tek poezia “Ju, shokët e mi”, kur thotë:

Si çarçaf gri mbi syrin tim

Shtrirë e kanë mjegullën sot.

Terri turret trojeve (fq. 46)

Dhe, mëpastaj, u drejtohet shokëve të tij, me plot pezm e revoltë:

Cilës vepër t’i këndoj

e cilën ta pështyj? (fq. 47)

 

Ose, kur e shohim shqetësimin kulmor të revoltës sublime të poetit, kur thotë:

Ma bëni lesh e li fisin

he shtatëqind mijë nanat… (fq. 54)

Ky preokupim i poetit tregon mjaftueshëm shkallën e shqetësimit të tij.

Përmbledhur në një fjali, lirikën e poetit Fehmi Berisha, mund ta quajmë me plot gojën: Lirikë revolte dhe dashurie.

Sidoqoftë, poetit i urojmë shëndet dhe suksese të mëtejshme për kultivimin e vlerave poetike, siç janë edhe vargjet grushtbashkuar të përmbledhjes “Netët pikojnë dhembje”, por, ai grusht do të ishte më i fortë dhe dërmonjës për armiqtë e popullit e të Atdheut tonë, sikur të ikej paksa prej imponimit tej mase të vetëm një përmase krahinore.

Tjetër përmasa e porosi do kishte kjo vepër e autorit Fehmi Berisha po të mbrumej edhe me fytyra e vlera të mëdha kombëtare të Shqipërisë – SHQIPËRI, të cilat do ta fuqizonin edhe më ciklin e parë të përmbledhjes “Netët pikojnë dhembje”, siç janë fytyrat emblematike të UÇK-së: Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Mujë Krasniqi, Beqir Gashi, Fehmi Lladrofci e Xhevë Krasniqi-Lladrofci, Abedin Rexha-Sandokani, Rasim Kiçina, Adrian Krasniqi, Luan Haradinaj, Tahir Sinani, Indrit Cara dhe luftëtarë të tjerë të Shqipërisë, qoftë të përfaqësohej dhe vetem një prej tyre.

 

Burojë, më 3 gusht 2012

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode