LANÇ-i NË KUJTIMET E KRISTO FRASHËRIT

EKSKLUZIVE

LANÇ-i NË KUJTIMET E KRISTO FRASHËRIT

                                               

§  Profesori shpalos një vështrim të ri mbi historinë e Luftës Nacional-Çlirimtare

§  Historiani Xhelal Gjeçovi sjell për “Shekulli”-n, perceptimin e tij, mbi librin “Jeta e një historiani” të Kristo Frashërit

§  Sipas tij, profesori në këtë libër nuk shkruan për kujtimet e tij personale, por për aktivitetin e tij shkencorë, si patriot dhe antifashist pas çlirimit

Xhelal Gjeçovi

Me vendosjen e rendit demokratik çelet një perspektivë e re edhe në fushën e studimeve historike. Hapja e arkivave dhe e vendit, kontaktet me studiues nga e gjithë hapësira shqiptare e nga vendet e tjera, e mbi të gjitha liria akademike, heqja dorë nga censura dhe autocensura krijuan mundësi për trajtesa më objektive në fushën e historisë. Në rrethanat e reja, sigurisht jo të lehta, jo pa problem, por gjithsesi më të favorshme, profesori i rikthehet kësaj periudhe, i rikthehet dashurisë së vjetër për luftën, por tashmë me një përvojë të madhe jete, pune e kërkimi shkencor.

Ndërkohë vitet bënin punën e tyre, ecnin rrjedhshëm e natyrshëm, duke krijuar gradualisht dhe probleme në gjëndjen shëndetësore. Por ato nuk do të arrinin të ndalnin apo të ngadalësonin ritmet e punës së profesorit. E kundërta do të ndodhte. Në periudhën që përfshinë vitet 90-të e këtej, do të shfaqej si asnjëherë vullneti i paepur për punë, që do të mahniste opinionin. Angazhimi e përkushtimi ndaj historisë së vendit do të konkretizoheshin me botimin, njëra pas tjetrës, të një sërë veprave të mëdha që trajtonin tema të mëdha, shumë interesante të parrahura më parë, nga të gjitha periudhat, përfshi dhe Luftën, duke treguar se vetëm me punë sfidohet mosha, mposhten vitet dhe sëmundjet, ripërtërihen forcat dhe energjitë.

Vepra e parë mbi Luftën Nacionalçlirimtare, pas përmbysjes së sistemit komunist, është një referat i përgatitur enkas dhe i referuar në një aktivitet të organizuar nga Partia Social Demokrate e Shqipërisë, në vitin 1992. Tashmë sistemi komunist qe rrëzuar dhe rendi demokratik qe vendosur, për rrjedhojë ato që nuk kishte mundur t`i thoshte në punimin e vitit 1964, profesori kishte mundësi t`i thoshte tani, megjithë që presioni gati gjysmë-shekullor i panegjerizmit komunist mbi luftën nuk ishte zbutur. Ndërkohë kishte shpërthyer revanshi ballist e zogist, që synonte të denigronte e të mohonte luftën, duke menduar se kishte ardhur momenti për revansh, për të larë hesapet me luftën dhe me ata që bënë luftën, duke mos kursyer as dëshmorët e atdheut.

Ky revansh i papërmbajtur, gjoja anti-komunist, në thelb antikombëtar, i inkurajuar e i mbështetur dhe nga shteti, kishte shkaktuar çoroditje e stepje në qarqet intelektuale, madje dhe te një pjesë e studiuesve, të vjetër e të rinj, të cilët për të mos marrë mbi vete zjarrin e forcave ekstremiste të djathta, hezitonin të prononcoheshin mbi këtë ngjarje dhe ta vlerësonin atë objektivisht. Pikërisht në rrethana të tilla të ndërlikuara, prof. Frashëri publikon punimin e tij historik do ta quaja, për nga rrethanat në të cilat u përgatit dhe për efektin që pati në opinionin publik. Pa mbaruar ende aktiviteti, sapo profesori përfundoi ligjëratën, Radio Tirana do të jepte lajmin sensacional “profesor Kristo Frashëri shpalos një vështrim të ri mbi historinë e Luftës Nacionalçlirimtare”, në bazë të një komenti të përgatitur nga një gazetar i njohur i këtij institucioni. Kurse të nesërmen referati u botua në dy numra (19 dhe 20 dhjetor 1992), në “Alternativa SD”,organ i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë.

Ishte ky një referat konciz, i qartë, i ekuilibruar e mbi të gjitha i argumentuar, në të cilin jepej një sintezë e zhvillimeve politike në vitet e okupacionit fashist e nazist; pozicionet, dhe qëndrimet e forcave politike dhe udhëheqësve të tyre ndaj okupacionit dhe ndaj luftës. Në këtë kuadër, trajtohen dhe disa nga ngjarjet e mëdha të luftës si Peza, Labinoti, Përmeti; e krahas tyre dhe raportet në mes forcave politike dhe marrëdhëniet me aleatët e me vendet fqinje në vitet e luftës etj. Çështje për të cilat po diskutohej gjerësisht, mbarë e mbrapsht, në rrethet e historianëve dhe në opinionin publik. Një vend të veçantë në ekspozenë e profesorit e zinin sidomos dy çështje, me të cilat po spekulohej shumë, me qëllim që të denigrohej lufta; çështja e luftës civile dhe Mukja, e trajtuar në funksion të saj dhe e konsideruar nga disa historianë, si shkak dhe moment i fillimit të luftës civile në vend. Në referat argumentohej se lufta te ne lindi e u zhvillua deri në fund, si një luftë patriotike Nacionalçlirimtare, që synonte çlirimin e atdheut dhe rivendosjen e pavarësisë e se lufta nuk ka lidhje me zhvillimet pas saj, me vendosjen e regjimit komunist, përndryshe kjo do të duhej të ndodhte dhe në vendet e tjera, gjë që nuk u vërtetua.

Botimet 

Në vitet që pasojnë, profesori do të vazhdojë të lëvrojë temën e luftës, krahas temave dhe periudhave të tjera, duke thelluar kështu më tej, në mënyrë të gjithanshme, analizën e kësaj ngjarje. Për rrjedhojë,vepra të tjera të mëdha, të dala nga penda e profesorit, do të shihnin dritën e botimit, duke shtuar e pasuruar fondin e botimeve mbi Luftën. Të tilla janë veprat: “Historia e Lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe themelimi i PKSH,1878-1941” (2006),”Historia e Ballit Kombëtar”(2009),“Historia e qytetërimit shqiptar”(2012) etj. , tema këto të trajtuara për herë të parë e,krahas tyre,dhe dhjetëra referate e shkrime, ndër ta dhe referati i shkëlqyer i mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Akademia e Shkencave me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, e vetmja konferencë e këtij niveli mbi Luftën.

Me ardhjen e gjermanëve, Balli bëri hapa prapa

Në analizën që i bënë Mukjes, të cilën disa historianë po e përdornin për të hedhur baltë mbi luftën dhe për të justifikuar forcat që nuk iu bashkuan asaj, që bashkëpunuan me okupatorët nazifashistë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, profesori është kritikë ndaj të dy palëve që nuk arritën të sheshojnë mosmarrëveshjet dhe të binin dakord, pa kushte e kërkesa të parakohshme, që të angazhonin së bashku forcat në luftë për çlirimin e atdheut. Anulimin e marrëveshjes së arritur aty, ai e cilëson si një akt jo në drejtimin e duhur. Por, në të njëjtën kohë, ai do të theksojë se edhe Balli kërkoi në Mukje gjëra që nuk i takonin dhe nuk mund t`i jepeshin. Ajo që i ndau përfundimisht ato, konkludon profesori, është lufta. Balli nuk diti të përfitojë nga situata e krijuar për të rikuperuar daljen me vonesë në skenën politike të vendi, duke angazhuar forcat në luftë, së bashku ose veç nga Fronti, siç po bënin forcat nacionaliste dhe në vendet e tjera.

Me ardhjen e pushtuesve gjermanë Balli do bëjë hapa prapa, do të bëjë gabimin fatal, që do t`i kushtojë vendit, por dhe vete kësaj organizate, duke hequr dorë edhe nga ato pak veprime të armatosura të ndërmarrë në periudhën e pushtimit italian dhe duke nisur bashkëpunimin me gjermanët. Në mbyllje të referatit, profesori formulon tre përfundime shumë të rëndësishme që përbëjnë bazën e kuptimit e të trajtimit objektiv të kësaj ngjarje. Së pari, Lufta, sipas profesorit, pavarësisht baltës së hedhur ndaj saj, mbetet një ngjarje shumë e rëndësishme, që e çliroi vendin nga zgjedha nazifashiste, për rrjedhojë e shpëtoi dhe nga rreziku i shkombëtarizimit apo dhe i copëtimit, nëse do të vazhdonte regjimi i okupacionit apo në se do të ndiqej rruga që ndoqën Balli dhe Legaliteti. Por, megjithë vlerat dhe shërbimet ndaj vendit, Lufta nënvizon profesori, nuk mund të vlerësohet siç e përcaktonte historiografia e periudhës se regjimit komunist, si ngjarja më e ndritur e historisë së Shqipërisë.

Ajo, konkludon profesori, ishte një ngjarje e shkëlqyer, por gjithsesi, për nga rëndësia, ajo vjen në radhën e dytë, pas shpalljes së pavarësisë më1912. Së dyti, Luftën Nacionalçlirimtare nuk e bënë, nuk e zhvilluan vetëm komunistët, por së bashku me ta edhe patriotët e tjerë, të cilët në fakt përbënin shumicën e Frontit Nacionalçlirimtar dhe të forcave të armatosura partizane. Dhe së treti, përgjegjësinë për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri nuk e kishte vetëm Partia Komuniste Shqiptare, por dhe organizatat e ashtuquajtura nacionaliste, si Balli Kombëtar dhe Partia Lëvizja e Legalitetit, të cilat me qëndrimin e pritmërisë, mosangazhimit në luftë, të adoptuar në fillim dhe më pas me bashkëpunimin me ushtrinë hitleriane, i dhanë PK kapitalin e duhur për të marrë pushtetin në vend, pa e ndarë me asnjë force tjetër politike, pasi ajo udhëhoqi deri në fund luftën për çlirimin e atdheut.

Lufta ishte një luftë patriotike Nacionalçlirimtare

Në referat, në mënyrë të sintetizuar e të përgjithësuar trajtohet e gjithë problematika e kësaj periudhe e, në këtë kuadër, u jepet përgjigje pretendimeve të disa historianëve shqiptarë dhe të huaj se lufta e zhvilluar në Shqipëri ishte luftë civile. Në referat argumentohet se lufta ishte një luftë patriotike Nacionalçlirimtare, për nga motivet, nga idetë e nga problemet që synonte të zgjidhë. Dhe problemi themelor që ajo zgjidhi ishte ai nacional, dëbimi pushtuesve, çlirimi i atdheut dhe rivendos ja e pavarësisë. Ne, thekson profesori pranojmë arsyetimin e Sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Cordell Hull, që më 6 tetor 1944”, quante luftë civile vetëm përleshjen e armatosur që parashihej se mund të ndodhë midis partizanëve dhe kundërshtarëve të tyre zogistë, pas largimit të ushtrive hitleriane”.

Ballafaqimi me epokat e mëparshme

Në vazhdim të trajtimit të kësaj çështje, ai thekson edhe një herë se lufta nuk ka lidhje me regjimin komunist. Ngjarjet dhe periudhat historike, shpjegon profesori, nuk gjykohen me ato që ndodhin pas saj, por në ballafaqim me të shkuarën, me epokat e mëparshme. Edhe lufta nuk mund të bëjë përjashtim nga ky rregull. Ajo duhet të gjykohet në ballafaqim me epokat e mëparshme, pra me paraluftën, me ndryshimin që ajo solli në statusin e Shqipërisë, e jo me rendin shoqëror që u vendos pas saj. Nga një ballafaqim i tillë do të shihet dhe ndryshimi që solli lufta, të cilin askush nuk mund ta mohojë, e në këtë kuadër dhe meritat e atyre që e udhëhoqën luftën, përfshi dhe Enver Hoxhën.

Jepini Qezarit atë që i takon Qezarit

Orvatjet për të shkëputur Luftën Nacionalçlirimtare nga udhëheqësit, thekson profesori, janë antihistorike, pavarësisht nga arsyet. Jezu Krishti, në kohën e vet, e përfundon profesori ekspozenë mbi këtë çështje, nuk e donte Jul Qezarin. Megjithatë ai porosiste besnikët e vet “Jepini Qezarit atë që i takon Qezarit”.

Në konfuzionin që përpiqen të përhapin sot mbi luftën kryesisht pasardhësit e trashëgimtarët e kolaboracionistëve të djeshëm, kujtimet, ashtu si e tërë vepra shkencore e profesorit marrin një vlerë të posaçme. Ato janë një bazë e mirë që shqiptarët të mësojnë e të çmojnë historinë e vendit, përfshi dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, njërën nga periudhat më heroike të saj, kurse historianet ta studiojnë e ta trajtojnë atë me përgjegjësi maksimale, siç e meriton, pa u ndikuar nga politika e nga presioni i forcave që kërkojnë të zhvlerësojnë luftën, gjakun e dëshmorëve, sakrificat që u bënë në emër të lirisë e të pavarësisë së atdheut.

(Marrë nga SHEKULLI)

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a free websiteWebnode