KUSH PO I KRIMINALIZON FUSHATAT “TONA” ZGJEDHORE ?

 

KUSH PO I KRIMINALIZON FUSHATAT “TONA” ZGJEDHORE ?

 

Shkruan: Tafil DURAKU

 

Çuditërisht, siç ndodhi kriminalizimi i luftës së lavdishme të UÇK-së, para, gjatë dhe pas luftës së lavdishme të saj, nga po i njëjti subjekt “politik”, “patriotik” e “kombëtar” (“shqiptaro”-titist), LDK&Co, fatkeqësisht, edhe dymbëdhjetë vjetë pas asaj lufte të lavdishme po ndodhë kriminalizimi i fushatave “tona” zgjedhore, për të njëjtat qëllime “politike”, “patriotike” e “kombëtare”, të një truri antishqiptar jugosllav, të quajtur LKJ - LDK&Corporation.

 Për t’u parë dhe për t’u prekur me dorë e gjithë kjo që themi, mjafton ta kthejmë kokën kah ndodhitë e luftës dhe të këtyre dymbëdhjetë vjetëve të pasluftës së UÇK-së, sidomos, prej viteve të ’90-ta e këtej. E keqja që nuk po hetohet është se vetëm qytetari i “fajshëm” shqiptar po i shikon ata aktorë dhe të tjerë aktorë krah tyre nëpër role të njëjta kriminale dhe bulevardeske, skajshmërisht “patriotike” dhe “kombëtare”, që anashkalojnë, në vazhdimësi, çdo shqiptar dhe çdo përpjekje të tyren kombëtare.

Duhet ta themi qartë se truri më antishqiptar ka qenë, është dhe mbetët truri i LKJ-së - LKK-së i kthyer në atë të LDK-së&Co, i cili u ka (para)prirë të gjitha proceseve dhe zhvillimeve të derisotme, politike e patriotike, antishqiptare, paci(t)fiste, duke shmangur të gjithë intelegjencën e mirëfilltë shqiptare që të vijë në ballë të proceseve të Shqipëribëries dhe të Liribëries. Dhe, nuk është vetëm kjo, pse themi që është antishqiptare?... Themi se është antishqiptare, sepse, i kemi shumë të qarta projektet antishqiptare të Beogradit dhe të aleatëve të tij “shqiptarë”, që patën kërkuar bërien republikë e shtatë jugosllave të Shqipërisë, duke ia bashkangjitur atë Kosovës së pushtuar shqiptare. A nuk po luhet sot i njëjti skenar, gati me të njëjtët aktorë “politikë”, “patriotikë” e “kombëtarë”?... Dallimi është se ‘patriotët’ “shqiptarë” të LDK-së, kanë gjetur shtrirje dhe hapësirë të mjaftueshme në Shqipëri, për ta bërë “shtetin” e tyre “kosovar” dhe për ta “kosovarizuar” këtë pjesë të Shqipërisë së copëtuar e të pushtuar. Mjafton të shikojmë pakës mbrapa, e, edhe sot, dhe të shohim saktësisht se kush ishte dhe kush është në ballë të proceseve të tilla “patriotike” e “kombëtare”, antishqiptare dhe antiShqipëri.

Ata që e përçanë dhe e kriminalizuan luftën dje dhe po e përçajnë e kriminalizojnë edhe sot “paqen”, nuk pushojnë së kriminalizuari edhe zgjedhjet “tona”, dhe, po gjejnë “fytyrë” e “arsye” për ta kërkuar votën e lirë të popullit të shumështypur shqiptar… Po, a nuk u ngopë krahu i “UÇK”-së më, me ta, së pari AAK, e, tash, së fundi, PDK?!... Po, a ende nuk u mor vesh, edhe këto dymbëdhjetë vjetë të pasluftës së lavdishme të UÇK-së, se petullat me ujë titistë të Dr. Ibrahim Rugovës, “presidentit” histo(e)rik të “Republikës së Kosovës” e kanë tallanxhitur deri në këtë shkallë e deri në këtë masë Shqipërinë dhe shqiptarët?!... E, për Kosovën nuk kemi çka themi më, sepse, të gjitha janë thënë në opinionet tona shqiptare… LDK-ja e përçau luftën e UÇK-së dhe luftëtarët e saj, me para, me prostituta dhe me shpifje të stilit hidh gurin e fsheh dorën… Dje, u përpoq ta kthejë një pjesë të popullit kundër UÇK-së dhe kundër luftës së saj, e, sot, po përpiqet t’i fusë edhe fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme në lojërat e saj të ndyra, antishqiptare, për ta mashtruar elektoratin shqiptar dhe për t’ia marrë votën, madje, duke e vënë në lajthitje edhe opinionin ndërkombëtar, dhe, po bën me gisht andej e këtej, e, vetë, po fshihet, si gjithmonë, pas gishtit të vet!... Madje, duke bërë përpjekje djallëzore që t’ia lë në dorë këmbët e arushës krahut të UÇK-së… Dhe, duke i parë këto marifete, në vazhdimësi, apelojmë tek krahu i luftës së UÇK-së, nëse ka qenë, vërtetë, krah i saj, të mos lejojë më përçarje të tjera dhe të reja, dhe, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje ta kthejnë Kosovën e trepushtuar shqiptare aty ku e ka vendin, nëse edhe ajo e ka njëmendësisht.

Në situata të tilla dhe të ngjashme, lypset bërë sytë katër, sepse, pavarësia e asnjë treve shqiptare, veç e veç, nuk e nënkupton Pavarësinë dhe Mëvetësinë e SHQIPËRISË, prandaj, trumbetimi i “Pavarësisë së Kosovës” më tingëllon poaqë antishqiptar dhe nuk duhet votuar krah atyre forcave “politike” e “patriotike” që kanë për qëllim finalizimin e “Pavarësisë së Kosovës” dhe pacifizimin e saj antishqiptar, sipas modelit të ripushtimit të Kosovës dhe rirobërimit të popullit shqiptar në të… Po, vallë, a kanë të drejtë dhe sa kanë të drejtë, ata që ishin në pushtet dje e sot, të broçkullisin udhëve tona shqiptare me plot gojën “patriotizëm” dhe “atdhetarizëm” ‘kosovarist’ (ose, thënë shqip: “shqiptaro”-titist)!?!...

Votimet, për të qenë plotësisht shqiptare dhe të vlefshme, ato duhet t’i organizojë dhe t’i mbajë Tirana shqiptare, kudo, në trojet shqiptare, duke punuar dhe duke vepruar me forca të shëndetshme shqiptare, me forca të reja, të cilat nuk kanë qenë në asnjë pushtet antishqiptar, sepse, partitë “patriotike” e “atdhetare -‘shqiptare’” në ish-Jugosllavi, kanë qenë plotësisht antishqiptare, dhe i kanë duart dhe kokën e trurin të mbytura në gjak shqiptarësh-shqiptarë e atdhetarë.

E, këtu, na intereson të dimë si nuk është në gjendje të shohë qartë ky popull, po prijësit e tij shqiptarë? Ndodhi kriminalizimi dhe penalizimi i luftës së lavdishme të UÇK-së, i luftëtarëve dhe burrave të saj, para, gjatë dhe pas luftës për bërien e Shqipërisë-SHQIPËRI dhe të lirisë-LIRI të shqiptarëve. Mashtruesit, kriminelët, tradhtarët dhe penalizuesit e asaj lufte u falën në emër të madhores shqiptare dhe askush që është normal nuk ka asgjë kundër faljes së tyre, por, ka kundër ngritjes dhe avansimit të atyre strukturave antishqiptare të UDB-së e të KOS-it në pushtetin e ri shqiptar. Pse, sot, na përsëritet e gjithë kjo pabesi, e gjithë kjo tradhti që ka vetëm një emër: LDK&Co e deri te FER(R)-i i ri!?!... Kush po i kriminalizon, sot, fushatat “tona” zgjedhore? Pse?!... Është koha e fundit ta dimë dhe ta themi hapur. Kush organizonte zgjedhje të “lira” e “demokratike” në kohë lufte, në Drenicë?... Kujt i duheshin ato zgjedhje të “lira” e “demokratike” dhe për ç‘qëllime “patriotike” e “kombëtare”përdoreshin e nuk kanë pushuar të përdoren edhe sot e gjithë ditën?...

Ka ndodhur e po ndodhë, në vazhdimësi, kriminalizimi i projekteve shqiptare për bërien e vetvetes, dhe, në ballë të atij e këtij kriminalizimi shohim njerëz të njëjtë, që e kanë vënë veten edhe mbi ligjin, mbi popullin dhe mbi “shtetin kosovar”, e, besa edhe mbi atë “shqiptar”, duke ndërruar maska, role dhe prapaskena, në të njëjtën skenë “patriotike” e “kombëtare”, ku po vazhdon pa të keq kriminalizimi dhe penalizimi zyrtar i të gjitha fushatave” tona” zgjedhore, nga ana e “institucioneve” dhe “institucionalistëve” ‘tanë’ të viteve të ’90-ta, madje, në çdo fushë të jetës “shoqërore” të shqiptarëve të “kosovarizuar”, të “kriminalizuar” dhe të “penalizuar”… Me ato e këto që ndodhën e po ndodhin pa pushim në Kosovën e trepushtuar shqiptare, po qeshën një botë e tërë miqsh dhe “miqsh”… Dhe, sërish, ata e këta, po e torturojnë e masakrojnë popullin shumicë shqiptar në vatrat e veta, me projektet e tyre “patriotike” e “kombëtare”, ‘kosovariste’, duke i shoqëruar paraqitjet dhe projektidetë e tyre antishqiptare me emrin dhe fotografinë e varrit të tyre “hiso(e)rik” e “kombëtar”, më ballë të tyre dhe pas tyre… LDK&Co, bën politikë linçuese dhe përjashtuese në kurriz të shqiptarëve…

Çuditërisht, ata që e kanë plaçkitur me shekuj djersën dhe votën e këtij populli, sot, orvaten të fshihen pas gishtit të tyre plaçkitës e hipokrit, “patriotik” e “kombëtar”, madje, duke e drejtuar fare pa turp gishtin nga ata që nuk duhet drejtuar!… Dje, ballafaqoheshim me hilet dhe segregacionin e politikës “presidentiste” të LDK-së “shqiptaro”-titiste, të “presidentit” histo(e)rik të “institucioneve” dhe të “institucionalistëve” ‘tanë’ të viteve të ’90-ta, të “Republikës së Kosovës”, e, fatkeqësisht, edhe sot, në funddekadën e parë të shekullit XXI, ballafaqohemi po me hilet dhe segregacionin “politik”, “patriotik” e “kombëtar” të brezit të tretë “presidentist” me emrin e Isa Mustafës, duke filluar nga shkollimi, punësimi, finansimi, avansimi “politiko-patriotik”, etj., etj.

Po, ç‘më kujtohet thënia e qëlluar e shkrimtarit tonë Faik Konica, për këtë rast, e vlefshme (fatkeqësisht) edhe për këtë kohë: “Ruaje zot Shqipërinë prej shqiptarëve!”… Dhe, tash, populli duhet të dijë ta ruajë Shqipërinë, duke mos i votuar kurrë më ata që kanë qenë në pushtetet e derisotme “patriotike” e “shqiptare” të Jugosllavisë së Titos dhe këlyshët e nënkëlyshët e tyre “patriotikë” e “kombëtarë”…

Prandaj, për të mos e ndihmuar kriminalizimin dhe penalizimin e fushatave “tona” zgjedhore, popull shqiptar, voto dinjitetshëm ata që kanë në programet e tyre bashkimin me Shqipërinë dhe përjetësimin kapital të Programit Kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për ta bërë Shqipërinë – SHQIPËRI, pikërisht, më 2013, në njëqindvjetorin e copëtimit të padrejtë të saj nga Fuqitë e Mëdha të kohës…

Burojë, më 5 dhjetor 2010

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode