KOHË PËR TA BËRË SHQIPËRINË
Shkruan: Tafil DURAKU
Prej Kongresit të Berlinit (1878), kanë kaluar më tepër se 130 vjetë prej copëtimit të parë dhe të egër të Shqipërisë. Copëtimi tjetër, edhe më i egër, ndodhi më 1913, në Konferencën e Ambasadorëve, në Londër, dhe, i treti, pas Luftës së Dytë Botërore, më 1945. Por, fatkeqësisht, shikuar realisht, historia e zezë, ne, shqiptarëve, po na përsëritet edhe pas luftës së lavdishme popullore të UÇK-së (1997-1999). Pas luftës që sapo pat nisur, rrethanat kanë ndërruar thelbësisht për të mirë të shqiptarëve. Por, pyetja që duhet shtruar këtu, është: A u shfrytëzua dhe sa koha për ta bërë Shqipërinë, pas rrethanave të reja historike? E, në këtë pyetje, përgjigjja më e mirë është: JO.
Janë shumë shkaqe, shkaktarë dhe faktorë që ndikuan drejtpërdrejtë e tërthorasi dhe u shndërruan në pengesa çmendurake për ta realizuar ëndrrën e kahmotshme të shqiptarëve, bashkimin e Kombit e të Atdheut Shqiptar në NJË shtet dhe komb të pandarë. Rrethanat negative, si gjithmonë në histori, i përqafoi borgjezia kuislinge e reaksionare antishqiptare, e përbërë prej vetë shqiptarëve, të cilës i prijnë partitë “politike” e “patriotike”, si vazhdimësi e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë e atij kuislingiteti dhe reaksionariteti, në ballë të të cilës ushtri qe vetëshpallur, vetëzgjedhur dhe vetëemëruar LDK-ja komuniste jugosllave, me të gjithë aleatët dhe satelitët e saj “patriotikë” e “kombëtarë”… Ky është njëri prej taborëve më reaksionare, që sundon me taborin financiar (të parave) dhe atë ideologjik (antishqiptar), si vazhdimësi e trashëgimisë moniste komuniste dhe antishqiptare e sahanlëpirësve jugosllavë e “shqiptaro”-titistë, me Dr. Ibrahim Rugovën në krye&Co e tij “patriotike”, “institucionale” dhe “institucionaliste” të viteve të ’90-ta (LDK)…
Taborin kundërshtues të gjithmonshëm, antipushtues, antipushtetor e antijugosllav, e përbëjnë forcat e shëndetshme intelektuale dhe revolucionare, të cilave u mungojnë paratë dhe përvoja diplomatike… Por, kjo kastë revolucionarësh intelektualë e atdhetarë, para së gjithash, ka zgjedhur udhën e bëries së Shqipërisë – SHQIPËRI dhe të lirisë – LIRI të shqiptarëve, me mjete demokratike, pa përjashtuar as mundësitë e tjera të bëries së Shqipërisë dhe të lirisë së shqiptarëve… Dhe, kjo është kasta e vetme që është dashur dhe duhet ta mbështesë Tirana shqiptare.
Promotor i bëries së Shqipërisë është Lista për Shqipërinë Natyrale (LSHN), me në krye shqiptarin Koço Danaj. Dhe, është kjo rryma e vetme deri në ditët tona që e ka gjetur dhe hetuar kohën dhe mënyrën e duhur për ta bërë Shqipërinë – SHQIPËRI, sepse, lufta më e fundit, e papërfunduar, e UÇK-së, dhe gjaku i dërdhur e betimi i dhënë për Shqipërinë dhe për lirinë e popullit shqiptar është udhërrëfyesi më i mirë dhe koha më e domosdoshme për t’u prerë kufijtë e mbrendshëm, artificialë, të Shqipërisë, dhe, është koha që e gjithë bota demokratike ta kuptojë, se, pikërisht, ky fillimshekull është koha dhe sinjali më ideal për ta bërë Shqipërinë – SHQIPËRI, deshi apo nuk deshi LDK-ja dhe aleatët e tjerë të Beogradit, në Prishtinë e gjetkë… Kjo është koha dhe çasti i duhur për ta bërë të qëndrueshëm rendin e ri botëror dhe për ta bërë të qëndrueshme frymën demokratike të Rendit të Ri Botëror, me një fëmijë të lindur normal, mendërisht e fizikisht, dhe kjo është Shqipëria – SHQIPËRI, në kufijtë e saj GjeoAutoktonë, GjeoNatyrorë, GjeoFizikë dhe GjeoShpirtërorë.
Hapi më i drejtë, më i matur, më i duhur dhe më demokratik i botës demokratike bashkëkohore dhe i OKB-së, është: PËRURIMI I SHQIPËRISË – SHQIPËRI!...
Pra: Është kohë për ta bërë Shqipërinë – SHQIPËRI.
Këtë duhet ta dijë e ta dëgjojë bota. Këtë duhet ta dinë dhe ta dëgjojnë miqtë dhe aleatët tanë, sepse, ky është zëri i vërtetë dhe i vetëm i shqiptarëve dhe i Shqipërisë.
SHQIPËRIA është zëri i ynë. Dhe, bota demokratike e OKB-ja duhet ta njohin dhe ta pranojnë këtë zë, që tingëllon fuqishëm edhe me gjuhën shqipe të Zotit: SHQIPËRI. Hartën autoriale me të cilën po e shoqërojmë këtë opinion tonin, kërkojmë fuqishëm që ta përurojë OKB-ja dhe miqtë e aleatët tanë në atë organizëm të fuqishëm ndërkombëtar. Kjo është mënyra e vetme demokratike për bashkimin e asaj që e copëtuan të tjerët, me fajin dhe me hilet e tyre.
Sa më parë që të kuptohet ky realitet shekullor, aq më mirë për të gjithë, aq më mirë për OKB-në demokratike, për miqtë dhe për aleatët tanë, për miqtë dhe për aleatët e njerëzimit e të njerëzores-njerëzore. Kjo është udha e vetme e zhvillimit dhe e përparimit normal të Europës demokratike, e cila duhet ta kuptojë një herë e mirë se Shqipëria është SHQIPËRI, është një dhe e pandarë, shpirtërisht, kombëtarisht dhe fizikisht.
Urojmë kohë dhe ditë të mira për Shqipërinë, urojmë kohë dhe ditë të mira për lirinë e shqiptarëve!... Dhe, më në fund, botë demokratike, hap sytë dhe shih mirë sesi duket dhe si duhet të jetë Shqipëria – SHQIPËRI!... Mos shqit këtë pamje harte nga sytë dhe nga mendja njerëzore e demokratike!... Kjo është njerëzorja dhe kombëtrja e jonë, është kohë për ta bërë Shqipërinë – SHQIPËRI.
Burojë, më 29 tetor 2010