GROPA E ABUZIVIZMIT NË USHTRI
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli
E përfolur si një nga kandidatet më të mundshme për Bashkinë e Tiranës si propozim i së majtës, Mimi Kodheli sqaron njëherë e mirë se nuk do të garojë në zgjedhjet vendore. Në një interviste për “Dita”, Kodheli shprehet se e ka dhënë kontributin e saj të drejtpërdrejtë duke qenë për më shumë se katër vjet nënkryetare e Bashkisë.
Sipas saj, radhën tashmë e ka dikush tjetër, i një gjenerate më të re, me tjetër dinamizëm dhe me tjetër fantazi. E pyetur në lidhje me ndryshimet në ligjin për Forcat e Armatosura dhe akuzat e bëra nga Presidenti Bujar Nishani se i janë marrë kompetencat, Ministrja e Mbrojtjes sqaron se ndryshimet që janë bërë në paketën ligjore, në asnjë rast nuk kanë cenuar kompetencat kushtetuese të Presidentit.
Për Ministren e Mbrojtjes, reminishencat e së kaluarës akoma cenojnë modelin dhe konceptin modern të një ushtrie e cila duhet të jetë një organizëm dinamik që përgjigjet në kohë në çdo rast, qofshin këto edhe kur situatat precipitojnë me shpejtësi.
Lidhur me çështjen e përgjimeve të deputetëve të opozitës apo të trupit diplomatik gjatë qeverisjes “Berisha”, Kodheli sqaron se dosja është prej mëse një viti në Prokurori. Ministrja e Mbrojtjes deklaron se Shërbimi Informativ i Ushtrisë i asaj kohe ka shpenzuar 1,6 milionë dollarë për të blerë dy programe, njëri pasiv dhe tjetri aktiv, me qëllimin e vetëm përgjimin e opozitës dhe kujt nuk ishte me linjën e partisë-pushtet, siç e quan ajo.
Kodheli konfirmon se makina me pajisjet e përgjimit u parkua përpara selisë së PS-së me ditë e javë të tëra, në kundërshtim me çdo procedurë dhe në përdhosje të demokracisë. Ndër të tjera Ministrja e Mbrojtjes thekson dhe reformat që do të ndërmerren në të ardhmen me synim përmirësimin e kushteve të ushtarakëve shqiptarë dhe rritjen e aftësive të Forcave të Armatosura.
Kodheli shprehet se janë paguar sigurimet shoqërore të munguara për vitet 2007-2013 në shumën rreth një milion dollarë, për rreth 1700 ushtarakë e punonjës, të cilëve megjithëse u ishin mbajtur detyrimet, nuk ishin derdhur kurrë në buxhet.
Ministrja e Mbrojtjes deklaron se po punohet për zgjidhjen përfundimtare të problemit që kanë rreth 380 familje ushtarakësh që banojnë në ish-struktura të ushtrisë tashmë prej vitesh, por pa pasur asnjëherë në dorë dokumentin e pronësisë mbi to.
Më poshtë intervista e ministres së Mbrojtjes botuar sot në DITA print:
Si ndihet një zonjë në krye të ushtrisë së një vendi anëtar i NATO-s?
E nderuar për pozicionin që ka, e respektuar dhe e përgjegjshme për detyrën fisnike.
Në fillim të punës suaj si Ministre e Mbrojtjes, depozituat një sërë padish në Prokurori, duke filluar që nga çështja e reklamave, shitjes së armatimit, keqpërdorimit të forcave të armatosura etj. Por të gjitha këto çështje janë mbyllur ose janë drejt mbylljes. Nuk kanë qenë të vërteta akuzat tuaja duke pasur mungesë profesionalizmi në hartimin e kërkesë padive apo prokuroria nuk ka bërë punën e saj?
Le t’i marrim me radhë përgjigjet për pyetjet që shtroni. Po është e vërtetë që në Prokurori janë depozituar një sërë padish nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë periudhës që unë jam ministre. Disa prej tyre janë mbyllur për një sërë arsyesh: prokurorët nuk kanë parë asnjë shkelje apo abuzim me ligjet, prokurorët nuk kanë parë asnjë shkelje kushtetuese, ose prokurorët nuk kanë mjete dhe kapacitete për të investiguar dhe hulumtuar mbi “casus-et”. Nëse ju dini që shumë çështje të tjera janë drejt mbylljes, kjo do të thotë që keni më shumë informacion se unë, pasi unë informacionin për ku ndodhet një çështje, e marr vetëm në rrugë zyrtare dhe vetëm atëherë kur prokuroria kërkon të dhëna shtesë. Por, ajo që di t’iu them me siguri është fakti që të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes për shkelje, abuzime me paranë publike, me ligjin, me Kushtetutën, madje edhe me moralin ushtarak, janë mëse evidente dhe krejt të lehta për t’u verifikuar. Por për të bërë detyrën ka nevojë për vullnet. Ju sjell vetëm një shembull. Për të njëjtën çështje e për të njëjtin dëm financiar janë paditur nga Ministria e Mbrojtjes dy persona. Nga ai prokuror që e bën detyrën vjen kërkesa për më shumë informacion, ndërsa ai prokuror që nuk do ta bëjë detyrën, për të cilën paguhet, çështja mbyllet.
Përsa i përket mungesës së profesionalizmit në hartimin e kërkesë-padisë, më lejoni t’iu kujtoj që prokuroria mund të hapë dhe duhet ta hapë një çështje edhe me një kallëzim të thjeshtë nga cilido qytetar.
Forcat e Armatosura kanë qenë në qendër të sulmeve të opozitës për çështjen e përdorimit të infrastrukturës ushtarake për drogë. Kujtojmë akuzat për Gjadrin, aeroportin e Kuçovës, etj. A ka patur një hetim dhe çfarë ka rezultuar, qoftë për periudhën tuaj apo dhe atë të drejtuar nga paraardhësit tuaj?
Lidhur me historitë e para një viti ju rikujtoj që ishte vetë kreu i SHISH që doli publikisht nëpërmjet një deklarate, nëse nuk gaboj në fund të prillit të vitit të kaluar, dhe i dha përgjigje asaj stuhie në gotë, të ngritur nga fraksione të caktuara të opozitës, padyshim të frymëzuara nga kryetari de facto i saj. Me masat që ne morëm, unë thjesht dhe vetëm prisha planet e këtij të fundit për të vazhduar me këtë lojë të rrezikshme. Ndaj nuk kishte se si të kishte hetim për një gjë që nuk ekzistonte. A po… nëse kishte ndonjë histori për t’u treguar apo investiguar që lidhej me strukturën në ruajtje të Gjadrit, duhet të shtriheshim në periudhën e fundvitit 2012 a më herët.
Deri ku kanë shkuar hetimet për rastin e major Fekës dhe a ka ushtarakë të tjerë të përfshirë në trafik droge?
Më lejoni fillimisht të ndajmë nga njëra-tjetra dy gjëra thellësisht parimore: Përfshirja e cilitdo ushtarak apo polic në veprimtari të paligjshme nuk do të thotë që qeveria apo një anëtar i saj merret me të njëjtën veprimtari apo përdor strukturat për këtë qëllim. Në strukturat e FA-ve apo të Policisë së Shtetit ekzistojnë pikërisht për këtë qëllim formacione të tipit Polici Ushtarake apo SHKB që merren përveç të tjerash, edhe me të gjithë shkelësit e ligjit brenda ushtrisë apo policisë. Si në çdo shoqëri, edhe në tonën ka keqbërës. Këtu nuk bën përjashtim askush. Historia e Forcave të Armatosura apo e çdo strukture tjetër sigurie të çdo vendi të NATO-s ose jo, është e mbushur me shembuj ku individë apo disa pjesëtarë të këtyre forcave kanë qenë pjesë e një trafiku, kanë kryer vrasje brenda garnizoneve e shumë e shumë veprimtari të tjera të dënueshme.
Ajo çka është e rëndësishme është minimizimi i këtyre rasteve. Ky është një proces që fillon me rekrutimin, vazhdon me të ashtuquajturin “vetting”, një proces që ka të bëjë me performancën e asaj çka individi ka bërë gjatë gjithë jetës dhe karrierës së tij e deri tek mbajtja nën mbikëqyrje e çdo ushtaraku në mënyrën si zbaton rregulloret, disiplinën, urdhrat e eprorëve, ligjet e kështu me radhë. Rasti “Feka” është akoma nën hetim, ndaj do të më duhet t’i përgjigjem një herë tjetër më në detaje pyetjes tuaj.
SHIU ka qenë një nga organet më të kritikuar. Ka qenë madje edhe kreu i komisionit parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho që ka deklaruar se shërbimet sekrete kanë bërë 5 mijë orë përgjime, edhe politike. Keni mundur ta verifikoni, të paktën për rolin SHIU-t?
Kur Partia Socialiste ishte në opozitë e ka ngritur me forcë çështjen e përgjimit nga ana e agjencisë së Shërbimit Informativ të Ushtrisë të asaj kohe. Janë 1,6 milionë dollarë të harxhuar për të blerë dy programe, njëri pasiv dhe tjetri aktiv, me qëllimin e vetëm përgjimin e opozitës dhe kujt nuk ishte me linjën e partisë-pushtet (e këtu kam parasysh edhe ambasadorët e akredituar në vendin tonë). 1,6 milionë dollarë të futura në një makinë të parkuar përpara selisë së PS-së me ditë e javë të tëra. Pa folur për procedura të munguara e të deformuara (duke filluar nga mënyra se si është porositur e deri tek mënyra se si është blerë), pa folur për shkelje kushtetuese apo përdhosje të demokracisë, pa folur për hard-disqe të ndërruara pas përgjimit dhe të paguara nga persona privatë afër pushtetit për këtë shërbim ekstra, ju them vetëm që AIM (sot AISM) në misionin e saj, ashtu si çdo agjenci inteligjence e NATO-s, duhet të ishte larg kësaj veprimtarie. Kjo dosje tashmë prej më shumë se një viti është në prokurori.
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, gjate nje tryeze te Sigurise Kombetare
Në planin orientues për vitin 2015, qeveria pritet që të sjellë ndryshime të reja qoftë për trajtimin ekonomik të ushtarakëve, por dhe për strukturën. Cilat do të jenë ato?
Mendoj së tashmë jemi në rrugë të drejtë. Pas miratimit nga ana e ministrisë, të trajtimit me kredi të butë të ushtarakëve në nevojë për strehim, erdhi ndryshimi i një VKM-je famëkeqe të korrikut të vitit 2013 ku hiqej ushqimi apo kompensimi për ushqim i ushtarakëve. Javën që shkoi nëpërmjet ndryshimeve të kësaj VKM-je qeveria u siguroi ushtarakëve një pagesë që lidhet me ushqimin, në shumicën e rasteve të barabartë me pak më shumë se 10% të rrogës së tyre.
Po punojmë ndërkohë për zgjidhjen përfundimtare të problemit që kanë rreth 380 familje ushtarakësh që banojnë në ish-struktura të ushtrisë tashmë prej vitesh, por pa pasur asnjëherë në dorë dokumentin e pronësisë mbi to. Ndërkaq kemi paguar sigurimet shoqërore të munguara për vitet 2007-2013 në shumën rreth një milion dollarë, për rreth 1700 ushtarakë e punonjës, të cilëve megjithëse u ishin mbajtur detyrimet, nuk ishin derdhur kurrë në buxhet. Për të mos folur për pagesat e faturave të papaguara prej 2008-s në shumën prej 16 milionë dollarë, pagesa të cilat i kemi thuajse likuiduar plotësisht.
A do të përfshijë reforma në kuadrin ligjor edhe ndryshime në kompetencat e Presidentit? Një pjesë e tyre i janë marrë, sa i përket komandimit të forcave ushtarake…
Ndryshimi i statusit të Shqipërisë duke u bërë vend anëtar i NATO-s, që me fjalë të thjeshta do të thotë ndryshim i konceptit dhe mënyrës se si mbrohet tashmë vendi ynë, jam e mendimit se duhet të pasqyrohej me ndryshime kushtetuese. Por përtej këtij diskutimi, gjithsesi me ndryshimet që janë bërë në paketën ligjore që ne propozuam, në asnjë rast nuk janë cenuar kompetencat kushtetuese të Presidentit. Në opinionin tonë, sidomos në atë ushtarak, reminishencat e së kaluarës akoma cenojnë modelin dhe konceptin modern të një ushtrie e cila duhet të jetë një organizëm dinamik që përgjigjet në kohë në çdo rast, qofshin këto edhe kur situatat precipitojnë me shpejtësi dhe këtë s’do mund ta bënte kurrë duke u mbështetur në koncepte të vjetruara e të tejkaluara të tipit: Komandanti i Përgjithshëm vendos se ku do pozicionohen garnizonet pasi të ketë dëgjuar gjeneralët se rreziku po na vjen nga armiku në veri apo jug të vendit. Sot Shqipëria është e rrethuar nga vende aleate ose partnere të Aleancës dhe vendosja fizike e garnizoneve ka më shumë arsye ekonomike mbrapa, se sa të armiqve që i shihnim ngado rreth kufijve në të shkuarën.
Nga pozitat e ministres së Mbrojtjes mund të themi se ushtria shqiptare është e depolitizuar?
Ka akoma shumë punë për të bërë. Më së pari, vetë politika duhet ta kontrollojë veprimtarinë e FA-ve por të mos ndërhyjë për qëllimet e veta meskine e aq më pak të tentojë ta bëjë pis.
Ka vendi ynë probleme me fqinjët?
As edhe një problem. Përkundrazi! Vendi është i rrethuar siç e thashë pak më lart nga vende aleate dhe partnere të Aleancës me të cilat ndajmë vlera e histori të njëjtë.
Ka Shqipëria një alternativë për të afruar edhe Kosovën me NATO-n?
Kosova e ka tashmë prej kohe hartën së bashku me rrugën që duhet të ndjekë, për t’u bërë pjesë e strukturave Euro-Atlantike dhe është duke punuar seriozisht në këtë drejtim. Ne do të jemi gjithmonë pranë për të ndarë me ta eksperiencën tonë.
Në këtë një vit e gjysmë si Ministre e Mbrojtjes, keni hasur vështirësitë dhe punën që keni menduar që përpara se të merrnit detyrën, apo është një punë e paparashikuar për ju?
Nuk ka asnjë punë të thjeshtë, nëse do që punën ta bësh siç duhet. Gjithsesi situata që gjeta në FA ishte e trishtë, pasi korrupsioni e kishte gërryer sistemin deri në themele, kishte humbur drejtësia dhe meritokracia, ishte rrëzuar dinjiteti dhe bëhej vetëm makijazh për të treguar se gjërat ecnin. Mendoj se gjërat sot kanë ndryshuar për mirë, madje shumë. Gjithsesi ky është një proces. Dashakeqët le të vazhdojnë të përtypen… ne do çojmë përpara reformat.
Cili është kontributi i Shqipërisë për NATO-n dhe çfarë kemi përfituar në këto 7 vite si një prej vendeve të Aleancës?
Krahasuar me numrin e popullsisë dhe të forcave që aderojnë në ushtrinë shqiptare, është i madh, madje shumë i madh. Do të vazhdojmë në këtë rrugë. Ndërkohë nuk duhet të harrojmë se edhe përfitimi që vjen nga aleatët, duke filluar nga policimi i hapësirës tonë ajrore e deri tek trajnimet dhe edukimi falas, është po aq i madh.
Znj. Kodheli, a është Shqipëri një vend i rrezikuar nga terrorizimi?
Pa dyshim që është. Çdo vend anëtar ose jo i Aleancës, çdo vend demokratik e i lirë, vetë popullsia e vendeve që e prodhojnë terrorizmin, e cilitdo religjioni qoftë, kërcënohet nga terrorizmi. E ardhmja e çdo njërit prej nesh vihet në pikëpyetje për shkak të tij. Ndaj ne duhet të jemi bashkë kur flasim e merremi me çështje të tilla, çështje të cilat duhet t’i tejkalojnë kufijtë e dasive politike.
A është bërë inventari i depove dhe a ka raste të tjera që keni zbuluar kur mungon dinamiti?
Në shtator të vitit të kaluar filloi procesi i inventarizimit unikal në të gjitha depot dhe magazinat e FA-ve, proces i cili s’ishte bërë asnjëherë. Kjo bëri të dalin në pah edhe diferencat që dolën dhe për pasojë, ndëshkimi i personave përgjegjës. Në vite, inventarët ishin bërë si ato të lekëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë, me ndryshimin e vetëm se këtu flitej për kallëpe tritoli. Të gjitha gjetjet i kemi çuar në prokurori dhe janë organet e akuzës që po merren me to.
Të kalojmë në pyetje disi më politike. Është folur mundësia për një kandidate femër për Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që ju keni edhe një eksperiencë si nënkryetare e kryeqytetit. Nëse do merrnit një propozim nga Rama, a do e pranonit?
Unë jam përgjigjur edhe herë tjetër lidhur me çka ju pyesni: E kam për nder të diskutohem si një kandidate e mundshme për Bashkinë e kryeqytetit, por unë e kam dhënë kontributin tim të drejtpërdrejtë duke qenë për më shumë se katër vjet Nënkryetare e Bashkisë. Mendoj se radhën e ka dikush tjetër, të paktën në opinionin tim, dikush i një gjenerate më të re, me tjetër dinamizëm dhe me tjetër fantazi.
Shikoni çfarë po ndodh me mendësitë e vjetra në politike. S’ka më mendim, s’ka alternativë, s’ka pozitivitet… ka vetëm urrejtje, banalitet, shterpësi dhe gënjeshtra që tashmë si beson as më naivi i shoqërisë tonë.
A ka filluar PS të diskutojë për kandidatët dhe cilat do të jenë kriteret?
Ende jo.
Si do të ndahen zonat me LSI-në? Apo do ruhet përqindja e zgjedhjeve qendrore?
E rëndësishme është që raporti të jetë i ekuilibruar dhe t’i shërbejë si fitores së aleancës qeverisëse, ashtu edhe kandidatëve më të mirë, me qëllim përzgjedhjen e qytetarëve të denjë në shërbim të komunitetit.
Gjate gati dy viteve qeverisje, publiku ka “vënë notën” për disa arritje, por ka patur edhe kritika. A mendoni se do kishte vend për ndryshime në kabinetin qeveritar?
Kritikat e publikut vetëm e përmirësojnë punën tonë. Fakti që jemi nën lupën e tij, tregon se është mekanizmi i vetëm që e bën sistemin demokratik të funksionojë. E vlerësoj gjykimin e publikut edhe kur nuk më pëlqen, apo nuk jam dakord me të. Aq më mirë kur publiku është me ne, edhe kur flitet për reforma të vështira e të dhimbshme.
Intervistoi: Erion Habilaj
(Marrë nga DITA)