Intervistë / MARRËVESHJA E DETIT, XHUFI: BERISHA BËRI NJË KONCESION JASHTË LISTËS SË ULTIMATUMIT TË VITIT '93 NGA MICOTAQIS

MARRËVESHJA E DETIT, XHUFI: 

BERISHA BËRI NJË KONCESION JASHTË LISTËS SË ULTIMATUMIT TË VITIT '93 NGA MICOTAQIS

 Herion Mesi

 

Në këta 20 vitet e fundit, Athina ka marrë ç’ka dashur nga qeveritë kokulura të Tiranës, ndaj qëndrimi i pak ditëve më parë i ministrit të Jashtëm të Greqisë, Envagjelos Venizellos, i cili kushtëzoi dhënien e statusit për vendin kandidat Shqipërisë me marrëveshjen e detit, është një konkretizim i hidhur i këtij qëndrimi, që ka trajtat e një shantazhi permanent nga Greqia. Është kjo analiza e historianit Pëllumb Xhufi, i cili në një intervistë dhënë dje për gazetën “Shqip”, thekson se kjo vjen nga dobësia intelektuale e morale e pushtetarëve tanë, që “politikën e jashtme e kanë trajtuar si një instrument për të kapur e për të konsoliduar pushtetin e vet personal, makar edhe duke nxjerrë në ankand interesat e vendit”. Sipas Xhufit, mes dy vendeve ka një sërë problemesh të mëdha dhe zgjidhja e tyre, sipas tij, vjen, fillimisht, duke propozuar që të hiqet dorë nga politika e fshehjes së këtyre problemeve. Sa u përket marrëdhënieve me Turqinë dhe rolit që po i jep asaj qeveria dhe kryeministri Rama, historiani Xhufi e shikon si shprehje e një politike konstante miqësore mes dy vendeve.

Somario 1

Pushtetarët tanë, politikën e jashtme, e kanë trajtuar si një instrument për të kapur e për të konsoliduar pushtetin personal, makar edhe duke nxjerrë në ankand interesat e vendit.

Somario 2

Kushtëzimi i statusit për Shqipërinë ka trajtat e një shantazhi permanent nga Greqia.

 

Turqia

Vetëm Ahmet Zogu nuk diti t’i vlerësojë këto marrëdhënie, të tjerët, që nga Ismail Qemali, te Fan Noli, Enver Hoxha, Fatos Nano e tani Edi Rama, e kuptuan drejt përmbajtjen e natyrës strategjike që duhet të kishin marrëdhëniet me këtë vend. Më duhet të them se, pas vitit 1992, qeveritë e Sali Berishës kanë pasur luhatje në marrëdhëniet me Turqinë.

 

Greqia

Nëse kujtojmë kërkesat ultimative drejtuar Berishës në korrik 1993 nga Micotaqis do të konstatojmë që të tëra ato kërkesa janë plotësuar. Madje, është bërë edhe një koncesion jashtë liste, siç ishte ai i delimitimit të detit, që nuk figuronte në ultimatumin e vitit 1993.

 

 

Zoti Xhufi, lidhur me deklaratat e tri ditëve më parë të ministrit të Jashtëm, që është dhe zëvendëskryeministër i Greqisë, zotit Venizellos, i cili deklaroi se nuk ka status për Shqipërinë pa marrëveshjen e detit, si i komentoni këto deklarata?

Nuk mund të komentoj në mënyrë specifike për një deklaratë të tillë, pasi nuk jam në dijeni të saj, pasi nuk kam qenë në Shqipëri këto ditë. Por, edhe pa një deklaratë të tillë, Athina e ka shpallur thuajse si një postulat, që integrimi europian dhe atlantik i fqinjëve të saj, përfshirë edhe Shqipërinë, do të varet nga vota e saj dhe, nëse fqinjët në fjalë nuk do t’i përshtaten axhendës nacionale greke, vota e Athinës do të jetë kundër. Shembulli i Maqedonisë, e cila prej 10 vjetësh po pengohet në procesin e anëtarësimit të saj në NATO e në BE, është një konkretizim i hidhur i këtij qëndrimi, që ka trajtat e një shantazhi permanent. Por, le t’i kthehemi rastit tonë. Gjithkush e di mirë, se Greqia ishte vendi i fundit anëtar që miratoi marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit të Shqipërisë me BE-në dhe atë të pranimit të Shqipërisë në NATO dhe, këtë e bëri pasi mori nga qeveria e Berishës dy koncesione të rënda: marrëveshjen për ngritjen e memorialeve për ushtarët grekë dhe marrëveshjen për delimitimin e ujërave territoriale.

Me këto deklarata të Greqisë zyrtare, a kemi të bëjmë me një kërcënim për Shqipërinë, apo Greqia po kupton se ka humbur rolin e saj për vendet e Ballkanit?

Për fat të keq, sjellja e saj për çështje vitale, që kanë të bëjnë me sovranitetin e shtetit shqiptar dhe integritetin territorial të tij, ka qenë konstante në këta 100 vjet të historisë së këtij të fundit, sado të kenë ndryshuar kushtet historike, sistemet shoqërore e aleancat e secilit vend. Kjo ndodh, sepse në raportet me Shqipërinë, politika zyrtare e Athinës vijon të frymëzohet nga ideologjia e nacionalizmit grek, të përfaqësuar nga “Megali Ideja”, e shpallur hapur si ideologji shtetërore e Greqisë që në vitin 1844, nga kryeministri i atëhershëm, Joannis Kolettis.

Në kundërpërgjigje të deklaratës së ministrit Venizellos, a është koha që Shqipëria ta kushtëzojë këtë marrëveshje me heqjen e Ligjit të Luftës? Kam parasysh se ai po mbahet në fuqi nga Greqia për shkak të popullsisë çame dhe pasurive të tyre.

Do të hezitoja të flisja për një raport “kushtëzimesh”, aq më shumë kur bëhet fjalë për dy vende fqinje, njeri prej të cilëve, Shqipëria, e konsideron tjetrin, Greqinë, si partner strategjik dhe si mentor të vetin në procesin e integrimit europian. Këtu kemi të bëjmë me çështje parimore, jo me çështje që mund të zgjidhen sipas formulës cinike “jep, të të jap”. Nëse këto çështje që ngrihen vetëm tani nga politika shqiptare dhe nëse ato vijojnë të trajtohen si “meteorë”, që janë shfaqur papritur në qiellin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, kjo vjen nga mungesa e principialitetit, dobësia intelektuale e morale e pushtetarëve tanë, që politikën e jashtme e kanë trajtuar si një instrument për të kapur e për të konsoliduar pushtetin personal, makar edhe duke nxjerrë në ankand interesat e vendit.

Sipas jush, çfarë rruge duhet të ndjekin palët në arritjen e një marrëveshjeje të pakontestueshme?

Së pari, duke propozuar që të hiqet dorë nga politika e fshehjes së problemeve. Ndryshe nga çfarë deklaroi ish-kryeministri Berisha në prani të ish-kryeministrit Karamanlis, midis Shqipërisë e Greqisë jo vetëm që nuk ekzistojnë “zero probleme”, por ekzistojnë probleme të shumta, të vjetra e të reja. Ndaj, që të shkojmë drejt “zerimit” të këtyre problemeve, ne duhet t’i njohim, t’i pranojmë, t’i fusim në axhendën e bisedimeve politike mes dy vendeve dhe të punojmë për zgjidhjen shkallë-shkallë të tyre. Siç tha edhe Presidenti Obama gjatë fjalimit të tij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, “fqinjësia e mirë bazohet në marrëveshje të drejta e të mira”. Por, midis Shqipërisë e Greqisë qëndrojnë sot marrëveshje të pista e të këqija, siç është ajo e delimitimit të ujërave; qëndrojnë ligje të njëanshme e anakronike, siç është Ligji i Luftës; dhe akoma më shumë, qëndrojnë pezull një sërë çështjesh, që ashtu të patrajtuara e të pazgjidhura, prodhojnë vetëm tension. I tillë është problemi i popullsisë çame, të masakruar e të shpërngulur me dhunë nga vatrat e saj në 1945, problemi i pronave të qytetarëve shqiptarë të sekuestruara në 1940 me Ligjin famëkeq të Luftës të dekretuar nga mbreti i Greqisë, çështja e nënshkrimit të marrëveshjeve kuadër për kufirin, ajo e shfrytëzimit të ujërave të brendshme, etj. Sigurisht, duhen dëgjuar edhe pretendimet e palës greke, megjithëse, personalisht, jam i bindur që në këta 20 vjet të fundit, Athina ka marrë çfarë ka dashur nga qeveritë kokulura të Tiranës. Nëse kujtojmë kërkesat ultimative drejtuar Berishës në korrik 1993 nga Micotaqis, do konstatojmë që të tëra ato kërkesa janë plotësuar, madje, ndërkohë, është bërë edhe një koncesion jashtë liste, siç ishte ai i delimitimit të detit, që nuk figuronte në ultimatumin e vitit 1993.

Si e shihni takimin e tre kryeministrave në Kosovë dhe forcimin e marrëdhënieve me Turqinë nga të dy shtetet shqiptare?

Për sa i përket Shqipërisë, e shoh si një zhvillim pozitiv. Për sa i përket Turqisë, e shoh si shprehje e një politike konstante miqësore, që ka karakterizuar marrëdhëniet e Turqisë me Shqipërinë në këta 100 vjet të shtetit shqiptar. Vetëm Ahmet Zogu nuk diti t’i vlerësojë këto marrëdhënie, të tjerët, që nga Ismail Qemali, te Fan Noli, Enver Hoxha, Fatos Nano e tani Edi Rama, e kuptuan drejt përmbajtjen e natyrës strategjike që duhet të kishin marrëdhëniet me këtë vend. Më duhet të them, se pas vitit 1992, qeveritë e Sali Berishës kanë pasur luhatje në marrëdhëniet me Turqinë: kujtoni zhurmën e bërë prej tij për privatizimin e “Albtelecom”-it, braktisjen e Parlamentit në çastin kur Kryeministri Erdogan mbajti fjalimin e tij të përshëndetjes, në 2005-n, apo skandalin e shitjes së armëve Armenisë, gjë që shkaktoi protestat e Turqisë dhe të Azerbajxhanit, vend që tani së fundi “u zbulua” si vend mik nga zoti Berisha. Në këtë mënyrë mendoj se qasja e re e energjike e qeverisë së Edi Ramës ndaj këtij vendi, kërkon të korrektojë edhe inkonsekuencat e gabimet e bëra në drejtim të marrëdhënieve me Turqinë nga qeveritë e PD-së.

A duhet parë ky afrimitet si një frikë e shqiptarëve për ekspozimin e tyre nga vendet fqinje të Ballkanit?

Do të ishte një vështrim i thjeshtuar i çështjes, pasi, siç thashë, marrëdhëniet me Turqinë nuk janë të karakterit koniunktural, as më pak të karakterit emotiv. Janë marrëdhënie të qëndrueshme, që janë vulosur nga qëndrime, ndonjëherë edhe të forta, të këtij shteti mik në mbrojtje edhe të sovranitetit e të integritetit të Shqipërisë, por edhe të lirisë e të pavarësisë së Kosovës së re. Shumë pak u evidentua nga shtypi ynë, që në fjalimin e tij në Prizren, kryeministri Erdogan deklaroi me shumë forcë se “në Ballkan nuk do të ketë më gjak”. Më duket një deklaratë shumë e fuqishme në favor të shqiptarëve, po të kemi parasysh se gjaku i derdhur në Ballkan ka qenë më së shumti gjak shqiptar. Por, nga ana tjetër, Turqia është sot një fuqi e madhe ekonomike, gjithnjë në rritje dhe, prania e saj në investime të rëndësishme, siç janë ato në sektorin energjetik, në transportin rrugor e ajror, në sektorin e telekomunikacionit, etj., po vjen duke u rritur. Unë i kuptoj edhe disa rezerva që janë shprehur lidhur me takimin e fundit të tre kryeministrave në Prizren. Por, nuk më duket se paskëtaj, Turqia do të imponojë “revizionimin” e teksteve të historisë, do të frenojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë e të Kosovës, do të inkurajojë deformimin e karakterit laik të dy shteteve shqiptare, etj. Edhe këtu ka lexime të gabuara e të paragjykuara të deklaratave të z. Erdogan. Por, në fund të fundit, marrëdhënie e ngushtë nuk do të thotë që të bihet dakord për çdo çështje. Shikoni se ç’po ndodh sot në marrëdhëniet mes SHBA dhe aleatëve të saj europianë për çështjen e përgjimeve. Por, a do të thotë kjo se marrëdhëniet strategjike SHBA-BE janë krisur? Aspak. Marrëdhëniet strategjike dalin përtej politikanëve, përtej episodeve e përtej momenteve të veçanta.

(Marrë nga Gazeta SHQIP)

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode