INTERVISTË E MIRANDA VICKERS

 

Miranda Vickers:

Zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja.Perëndimi ka faj për situatën ku ndodhet vendi

 

Miranda Vickers është një studiuese e çështjes shqiptare në Ballkan, njëkohësisht edhe autore e disa librave, më i fundit ai për vitin e mbrapshtë 1997. Vickers gjithmonë ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj mënyrës së qeverisjes prej politikanëve shqiptarë gjatë këtyre 20 viteve të fundit. Gjatë një interviste dhënë Muhamed Veliut, korrespondent i Top-Channel në Londër, ajo shpreh shqetësim rreth situatës aktuale që po kalon Shqipëria.

 

Cili është komenti juaj rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri e veçanërisht pas protestës të 21 Janarit ku u vranë katër protestues?

Jam shumë e shqetësuar, sikurse të gjithë në komunitetin ndërkombëtar. Për mua aspekti më shokues është drejtimi që kanë marrë këto ngjarje nga qeveria dhe kryeministri duke tentuar t’i mbushin mendjen njerëzve se ata janë viktimat e vërteta të kësaj situate, duke e përshkruar veten si viktima të një grushti shteti. Në fakt viktimat e vërteta janë vetë populli shqiptar, duke u nënvleftësuar nga qeveria njëkohësisht duke mos u parë si viktimat reale të asaj që ndodhi më 21 janar.

Pas këtyre ngjarjeve, kryeministri Berisha përmes televizioneve ju drejtua popullit shqiptarë duke deklaruar se çfarë ndodhi ishte një grusht shteti i drejtuar nga lideri opozitës zoti Rama së bashku me Prokuroren e Përgjithshme. Sipas jush, a ka baza një deklaratë e tillë?

Unë mendoj se e gjitha kjo është për të qeshur. Të gjithë ne e dimë se çfarë do të thotë një grusht shteti dhe se si ngjason një i tillë. Ne pamë thjesht një protestë popullore të njerëzve  që donin një protestë paqësore siç mund të ndodhë në të gjitha vendet demokratike. Ata ndjejnë se zgjedhjet janë manipuluar pjesërisht  dhe kjo ishte një arsye reale që ata të dilnin në protestë siç ne shikojmë në të gjitha vendet e Europës. Në asnjë mënyrë kjo nuk ishte një përpjekje për grusht shteti. E gjithë ajo që ndodhi ishte një protestë e zakonshme ku njerëzit kërkonin zgjedhje të reja.

Zyra e Prokurores së Përgjithshme ka kërkuar që 6 prej pjesëtarëve të gardës së republikës të merren në pyetje, por policia nuk i ekzekutoi fletë- thirrjet. Duket se ky incident është një shembull i pastër që institucionet nuk po funksionojnë. Sa e rrezikshme është për demokracinë shqiptare?

Është me të vërtetë shumë e rrezikshme. Pas 20 vjetësh rrugëtim drejt demokracisë është e pabesueshme dhe e pafalshme të jemi në një situatë të tillë. Të gjithë mekanizmat e institucioneve shqiptare janë organizuar sipas udhëzimeve të komunitetit ndërkombëtar. Nuk ka asnjë lloj preteksti për mosfunksionimin e tyre. Janë institucione të dobëta ngaqë nuk ka një vullnet politik që ato jetë në fuqishme. Shumë njerëz në Shqipëri jo vetëm nga klasa politike, por edhe nga biznesi që kanë interesa mundohen që t’i mbajnë të dobëta institucionet në mënyrë që ato të manipulohen.

Sipas jush kush është fajtor për një situatë të tillë në Shqipëri?

Është shumë e lehtë nëse themi se kjo situatë ka ardhur si produkt i rritjes së sjelljes paranojake të kryeministrit, por ndoshta ky është një fakt që duhet pranuar. Janë edhe të tjerë element për t’u fajësuar. Mes tyre Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komuniteti Europian.

Përse është një gjë e tillë?

Gjatë 20 viteve të fundit ata kanë qenë dëshmitarë të rritjes së korrupsionit në nivel zyrtar në Shqipëri. Kjo situatë është lejuar të vazhdojë kështu relativisht pa u kontrolluar. Janë marrë disa nisma kundra korrupsionit në një nivel të ulët, por unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar e kanë toleruar këtë thjesht për stabilitetin e Shqipërisë dhe të rajonit. Ky është shqetësimi kryesor i komunitetit ndërkombëtar. Është mëse e qartë. E gjithë situate është injoruar. Tani populli shqiptar po paguan një çmim të rëndë. Shqipëria u lejua t’i bashkohet NATO-s pa plotësuar tërësisht kërkesat për të vijuar procesin e reformave në drejtimin e duhur. Është e pafalshme për komunitetin ndërkombëtar. Pra, janë disa elementë që duhen fajësuar marrë në konsideratë situatën aktuale.

Të tilla ngjarje e risollën Shqipërinë edhe njëherë në vëmendjen e komunitetit Europian. Sa e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve e gjitha kjo situatë kur aspiratat e tyre synojnë bashkimin me familjen europiane?

Kjo situatë e ka rikthyer Shqipërinë mbrapa në radhë për t’ju bashkuar BE-së veçanërisht kur tani në BE nuk ekziston dëshira për zgjerim me vende të reja. E gjitha kjo është arsye perfekte për ta futur kërkesën e Shqipërisë mënjanë duke vazhduar së thëni më zë të lartë për vazhdimin e reformave veçanërisht për zgjedhje të lira dhe demokratike. Shqipëria nuk mund të ketë progres drejt Europës me një situatë të tillë, pa pasur zgjedhje të lira dhe demokratike. Kur njerëzit atje kërkojnë zgjedhje të lira, u mbyllet goja duke u qëlluar në rrugë.

Cila mund të jetë zgjidhja për të dalë nga një situatë kaq e tensionuar kur kemi opozitën që kërkon zgjedhje të parakohshme ndërsa kryeministri i ka thënë me kohë jo kësaj kërkese?

Shumë njerëz në Shqipëri përfshi një politikan të respektuar si Sabri Godo kanë kërkuar dhe kërkojnë zgjedhje të reja që në verën e shkuar përfshi edhe opozitën. Kjo për mendimin tim është e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Që kjo të ndodhë, duhet që qeveria aktuale të japë dorëheqjen duke u krijuar një qeveri teknike, e mbikëqyrur nga komuniteti ndërkombëtar për të ndryshuar ligjin e zgjedhjeve dhe më pas të mbahen zgjedhje të reja. Megjithatë duke parë situatën aktuale jam shumë pesimiste që kryeministri ta lejojë një gjë të tillë. Kjo tregon se çfarë regjimi të korruptuar dhe autoritar ka në Shqipëri dhe se në çfarë situate të rrezikshme vendi juaj ndodhet, dhe i gjithë Ballkani në tërësi si rajon.

 

Postuar nga ÇAMËRIA

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode