INTERVISTË E IMAGJINUAR / I MADH DHE I MIRË, RRALLË ËSHTË I NJËJTI NJERI!

INTERVISTË E IMAGJINUAR

 

 

I MADH DHE I MIRË, RRALLË ËSHTË I NJËJTI NJERI!

Intervistë e imagjinuar me Çërçillin

Winston Leonard Spencer - Churchill

 

Afrim MORINA

 

Winston Leonard Spencer-Churchill (1874-1965) ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, në momentet më të rënda, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte oficer, por, njihet edhe si historian dhe njëri prej oratorëve më të njohur në histori. Më 1953 fiton Nobelin për Letërsi, “për mjeshtërinë e tij të përshkrimeve historike dhe biografike, dhe për oratorinë brilante në mbrojtje të vlerave njerëzore”. Ky emër, jo vetëm se ishte i njohur gjatë kohës sa jetoi, por, është i njohur edhe sot, përmes bëmave politike e ushtarake. Për të mësuar më shumë, për lexuesit tanë po e bëj këtë bashkëbisedim, për t’i kuptuar synimet politike të kohës, kur ai ishte zëri më i fuqishëm në Evropë.

Morina: - Çka është më serioze?

Churchill: - Shakaja është një gjë shumë serioze!

Morina: - Gënjeshtra dhe e vërteta, çfarë mendimi keni për to?

Churchill: - Gënjeshtra ka shkuar deri në gjysmë të botës, përpara se e vërteta t’i ketë veshur pantallonat!

Morina: - Cili është morali njerëzor?

Churchill: - Njeriu bën çfarë duhet bërë – pavarësisht pasojave personale, pavarësisht pengesave, rreziqeve dhe presioneve – dhe kjo është baza e gjithë moralit njerëzor.

Morina: - Po, pesimisti dhe optimisti?

Churchill: - Një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi; një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi.

Morina: - Çfarë mendimi keni për politikanin?

Churchill: - Politikani ka aftësinë të parathotë se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe, e ka aftësinë, pastaj, të shpjegojë pse të parathënat nuk ndodhën!

Morina: - Po, të burgosurit e luftës?

Churchill: - I burgosuri i luftës është një njeri që përpiqet të të vrasë ty, dhe, pastaj, të kërkon ty, të mos e vrasësh atë!

Morina: - Lufta ka edhe teknologjinë e vet, çfarë mendimi keni për mjetet shpërthyese?

Churchill: - Edhe pse unë jam krejt i kënaqur me eksplozivet ekzistuese, e ndjej se nuk duhet të ecim në drejtim të përmirësimit të tyre!

Morina: - Parapëlqimi i juaj?

Churchill: - Ndonëse isha i përgatitur për martirizim, parapëlqeva ta lë për më vonë!

Morina: - Gabimi i njeriut paqësor?

Churchill: - Paqebërësi është ai që përpiqet ta ushqejë krokodilin, duke shpresuar se ai do ta hajë atë të fundit!

Morina: - E, sjellja?

Churchill: - Sjellja është një gjë e vogël, që përbën një ndryshim të madh!

Morina: - Si e përkufizoni Gjeneralin e madh?

Churchill: - Betejat janë fituar me masakra dhe manovra. Gjenerali i madh, sa më shumë që i jep përparësi manovrës, aq më pak lë vend për masakrën!

Morina: - Cila është vetia e parë njerëzore?

Churchill: - Trimëria, me të drejtë është vlerësuar si cilësia e parë njerëzore… sepse, ajo është cilësia që i garanton të tjerat!

Morina: - Të rrallë janë ata që pranojnë kritika, çfarë mendoni Ju?

Churchill: - Kritika mund të mos jetë e pranueshme, por është e nevojshme. Ajo përmbush të njëjtin funksion që ka dhimbja në trupin njerëzor. Ajo tërheq vëmendjen ndaj gjendjes jo të shëndoshë të gjërave!

Morina: - Po, vështirësitë?

Churchill: - Vështirësitë e mposhtura, janë mundësi të fituara!

Morina: - Për botë të re?

Churchill: - Mos lë hapësira të mëdha për një botë të re, kënaqi energjitë e tua, së shpëtuari çfarë ka mbetur nga e vjetra!

Morina: - Ju ka ndodhur, për t’i ngrënë fjalët tuaja?

Churchill: - Ngrënia e fjalëve, nuk m’i ka bërë, asnjëherë, keq tretjes!

Morina: - Ke ditë të caktuar tënden?

Churchill: - Çdokush e ka ditën e tij, dhe, disa ditë zgjasin më shumë se të tjerat!

Morina: - Çka mendoni për shkruajtësit e historisë?

Churchill: - Sa për mua, mendoj, se, do të ishte shumë më mirë për të gjitha palët, t’ia lëmë të shkuarën historisë, sidomos, përderisa, kam qëllim ta shkruaj historinë vet!

Morina: - Dallimi në mes të njerëzve të mëdhenj dhe të mirë?

Churchill: - I madh dhe i mirë, rrallë është i njëjti njeri!

Morina: - Virtyti dhe vesi, te njeriu?

Churchill: - Ai i ka të gjitha virtytet që nuk më pëlqejnë, dhe, nuk e ka asnjë nga veset që unë i admiroj!

Morina: - Cila është pasuria më e madhe e një vendi?

Churchill: - Qytetarët e shëndoshë, janë pasuria më e madhe që mund të ketë çdo vend!

Morina: - Pse histroia është njerka e kohës?

Churchill: - Historinë e shkruajnë fitimtarët!

Morina: - Çka mendoni për strategjinë?

Churchill: - Sado e bukur të jetë strategjia, unë, herëpashere, vështroj rezultatet!

Morina: - Po për profecitë?

Churchill: - Unë, gjithmonë, shmang dhënien paraprake të profecive, sepse, është shumë më mirë të profetizosh, pasi një zhvillim ka ndodhur tashmë!

Morina: - Lordi Grej thotë: Pas Kongresit të Londrës, shqiptarët, kur të arrijnë ta kuptojnë çka u ndodhi këtu, atëherë, do të jenë të zotët e vetes. Ky ishte një parafrazim, e, ndoshta, Ju e dini tekstualisht, se, çka ka thënë. Ishte një profeci që doli dhe?

Churchill: - Po, këtë mendim e kam lexuar disa herë. E kam pasur në mendje edhe në Jaltë. E kam pasur në mendje edhe gjatë luftës. E kam pasur në mendje edhe gjatë Konferencës së Paqes në Parisë dhe pas saj.

 Morina: - Dhe, në të gjitha periudhat, nuk ishit i zoti të ndërrmerrni hapa konkretë, për t’i ndihmuar shqiptarët, kur ishit një nga tre personalitetet, që ridizjnonit hartat gjeografike?

Churchill: - Po, ashtu ishte. Por, përveç luftës kundër nazifashizmit, ne, kishim edhe një luftë tjetër, atë kundër komunizmit. Fatkeqësisht, shqiptarët ishin rreshtuar në anën e kundërtë të luftës së klasave.

Morina: - Nazifashizmi tentoi t’ju pushtojë me armë, ndërsa, komunizmi veç ishte në fillet e tij?

Churchill: - E vërtetë. Ajo që luftohet me armë, është më lehtë ta mposhtësh, sesa atë që të hyn në çdo familje, përmes literaturës. Gjthnjë, më kujtohet letra e Leninit, e cila i paralizoi portet e Anglisë, që përgatiteshim ta rrëzonim atë nga pushteti.

Morina: - Shqiptarët luftonin për mbijetesë, por, ju, u munduat të mbështetni ajkën e bashkëpunëtorëve të fashonaizmit dhe vet Zogun, si e shpjegoni këtë?

Churchill: - Provuam me misionarë, që Enveri ta përfillte komandën tonë. Nuk deshën të nënshtrohen dhe kjo jepte mjaft për të kuptuar, se, ata do të anonin kah Rusia.

Morina: - Enveri nuk pranoi as rusëve t’ua lente komandën, pse u dorëzuat aq lehtë në këtë betejë diplomatike, kur, Ju, numëroheshit ndër diplomatët më të mëdhenj të botës? Nuk ditët ta vlerësoni gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë?

Churchill: - Ishin dy botëra. Ajo e nazifashizmit dhe e jona, dhe, tjetra, ajo e komunizmit dhe e jona. Ju thashë edhe më parë, ne kishim dy fronte përpara, duhej t’i luftonim të dyja. Edhe shqiptarët i kishin dy frontet, por, front i dytë ishte lufta e klasave. Në frontin e dytë ishin edhe shqiptarët. Fara ishte hedhur herët. Nuk kemi mundur ta çrrënjosim atë, sepse, gjuha e asaj kohe, me luftëtarët, ishte gjuha që e ndiente vet populli. Ndërsa, ne, që kishim ushtritë, rrinim mbi hartat, jepnim urdhëra dhe ushtria lëvizte. Atje, ndryshonte puna, atje, i lëvizte fjala, e cila dinte të prekte zemrat e të gjithëve.

Morina: - Kjo u pengonte?

Churchill: - Shumë

Morina: - Ju edhe e mbështetët Zogun, edhe pse ia trasoi rrugën fashizmit, për ta okupuar Shqipërinë, në kohën kur Enver Hoxha ishte pak i njohur. Çka Ju shtyri të veproni kështu?

Churchill: - Mjaftonte, në atë kohë, të dëgjohej emri i Tij, apo, nofkat e tij, rradhët e luftëtarëve menjëherë shtoheshin. Ai i mundi Abaz Kupin, Mithat Frashërin, Verlacin, Ypin, dhe thoni se nuk kishte emër? Mos të flasim për më vonë.

Morina: - Populli e pa, se ata e kishin me hile, nuk e ka këtu fuqinë?

 Churchill: - Sa gjëra bëhen në emër të popullit. Edhe ne e drejtonim ushtrinë drejt interesit tonë, dhe, këtë, ia atribonim popullit. Zogu, thoshte se e përfaqësonte popullin, por, terreni thoshte ndryshe. Këtu ishte forca e Enverit, që e kishte përgatitur popullin të bënte luftë klasash, por, kur u pushtua Shqipëria, e nuk i doli zot Mbeti me suitën e Tij, edhe në këtë plan bëri hapin me kohën. Ai e mori përsipër edhe këtë front. Fronti i parë ishte përcaktues në përgatitjen e masave dhe, tash, në një terren të përgatitur herët, lufta kundër pushtuesve, i gjeti të mobilizuar.

Morina: - Do të thotë, të mbështetur në këtë logjikë, Ju, bashkë me aleatët perëndimorë, kishit ardhur në përfundim, të hiqni dorë nga ndihmesa, për Shqipërinë?

Churchill: - Ata që i njohin mirë ligjet e luftës, zhvillimet e saj, mobilizimin e qytetarëve, se dallohet ushtria e konstituuar nga ajo që krijohet përmes propagandës mobilizuese, për një qëllim të caktuar. E dyta, vështirë e ka të zhbëhet, ndërsa, të parës, mund t’ia ndërrosh strukturat komanduese brenda natës, siç bëri Lenini. Duke i njohur këta parametra, e lam, qëllimisht, anash, le të përcaktohet vet, duke menduar, se nuk ka si të mbijetojë një shoqëri feudale, e tipit të Lindjes, ndërsa, përbrenda nesh ishte një pakt i heshtur, por, veprues, gjithëqysh, ta mposhtim atë ushtri dhe udhëheqjen e saj.

Morina: - Këtë avaz e ndoqët edhe pas luftës. Fillimisht, në Konferencën e Paqës së Parist, duke përfillur propagandën e fashizmit grek?

Churchill: - Nuk ishte Greke. Këtë ua thashë më herët. Pas luftës së armatosur, filloi lufta e ftohtë. Dhe, m’u atëherë erdhën në shprehje gjeopoplitika dhe gjeostrategjia. Rusia, ende ndante mendjen me Jugosllavinë dhe kishte dyshimet në udhëheqëjen shqiptare.

Morina: - Ju, në vend se ta ndihmonit, u përqëndruat, që mos t’ju njihet lufta çlirimtare shqiptarëve, dhe, u munduat ta vëni atë luftë në shërbim të fashonazizmit dhe ta ndanit edhe më tepër Shqipërinë, në Greqi dhe Jugosllavi, dy shtete me formacione të kundërta, që nuk përkonin me politikën e Juaj, e, as me veprimet e Juaja në terren?

Churchill: - Fashizmi më nuk kishte forcë të bënte asgjë. Ju e dini rastin e Spanjës? I tillë do të ishte edhe rasti i Greqisë, por, ndryshimi ishte, se, ne, nëse ia jepnim territoret që i këkonte ajo, shumë shpejt do ta kishim në anën tonë. Ndërsa, Tito kishte filluar të koketonte me ne, që me zbarkimin e forcave tona në Vis. Prandaj, duhej shpërblyer, që ta merrte gjithë Shqipërinë si Republikë të shtatë, apo të paktën, një pjesë të territorit. Neve, na konvenonte kjo, sepse, do të kalonte në bllokun tonë. Ajo edhe e bëri këtë pa këtë shpërblesë.

Morina: - Politika e madhe në tavolina, për popuj të vegjël?

Churchill: - Gjithnjë ka qenë kjo dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen.

Morina: - Ju, madje, u angazhuat edhe për përgatitjen e grupeve diversante, me të gjitha rrymat e tradhtarëve të shqiptarëve, duke i mundësuar edhe stërvitje agjenturore e ushtarake, me heqje shpenzimesh e pajisje luftarake, në kohën kur për Shqipërinë ende diskutohej, të jetë shtet, apo jo, në Paris.

Churchill: - Duhej përgatitur terreni, për të gjitha të papriturat.

Morina: - Dhe, e papritura ndodhi. Dëshmia e Enver Hoxhës, e paraqitur në Konferencën e Paqes në Paris, për luftën madhështore që kishte bërë Ushtria Çlirimtare, rrëzoi përtoke propagandën e grekëve dhe mbështetësve të saj, edhe Tuajën. Ndoshta, m’u për këtë ishit më këmbëngulës për rrëzimin e asaj qeverie?

Churchill: - Ne ishim forca ushtarake dhe ekonomike, dhe, të mëdhenjtë nuk i tolerojnë të vegjlit ta ngrenë kokën, aq më tepër, kundër tyre.

Morina: - Dështoi projekti i Juaj?

Churchill: - Jo!

Morina: - Londra e ka pranuar, në vitin 1991, se keni qenë të pasuksesëshëm, madje, një pasardhës i Juaji, Toni Bler, deklaron, më 1996, se Britania e Madhe ishte komprometuar para Shqipërisë, ju duket e drejtë?

Churchill: - Kohët kanë ndryshuar edhe bëria e politikave, gjithashtu. Ju, më flisni për një kohë tjetër. Ndoshta, edhe unë do të kisha vepruar si pasardhësi im. Shqipëria u shpërbë dhe nuk është ajo e asaj kohe, kështu po më tingëllon. E paskan futur mbrenda Kalin e Trojës. Fjala dhe paraja e paskan bërë të veten, e, që, në atë kohë, vështirë e kishim edhe për fjalë edhe për para, të shtronim ndikim te masat e gjëra.

Morina: - Jeni të gatshëm, të mësoni edhe më tepër?

Churchill: - Jam, gjithnjë, gati të mësoj, sado që, asnjëherë, nuk më pëlqen të më japin mësim!

Morina: - Të gjitha veprimet politike e ushtarake, i keni bërë sipas mendjes Tuaj?

Churchill: - Sigurisht, që, nuk jam një nga ata që kanë nevojë të më nxitin. Në fakt, nëse jam diçka, atëherë, jam vetë nxitja!

Morina: - Politika dhe ushtria, janë art?

Churchill: - Unë kënaqem lehtë, me të bukurën!

Morina: - Cila kafshë të pëlqen dhe pse?

Churchill: - Më pëlqejnë derrat. Qentë, na shikojnë, neve, nga lart. Macet na shikojnë nga poshtë. Derrat na trajtojnë si të barabartë!

Morina: - Cila është Perandoria më e madhe?

Churchill: - Vetë, e thatë. Pas luftës së ftohtë, perandoritë e së ardhmes janë perandori të mendjes!

Morina: - Për fund?

Churchill: - Nuk kam ndër mend të kem të bëj më me politikën ose politikanët. Kur të mbarojë kjo luftë, unë, do të merrem vetëm me shkrime dhe pikturë!

 

13. 5. 2018

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode