INTERVISTË E HUAZUAR / YMER MINXHOZI: NJË FARSË DHE ABUZIM ME TË DREJTËN E PROTESTËS

INTERVISTË E HUAZUAR

 

NJË FARSË DHE ABUZIM ME TË DREJTËN E PROTESTËS

 

Intervistoi Xhevdet SHEHU

 

 “Kjo është një farsë dhe kjo do të thotë të tallesh me një popull të tërë. Unë nuk e kuptoj thelbin e kësaj proteste. Kush tha se zgjedhjet e 18 qershorit do të jenë jo të lira dhe të pandershme? Ky është një supozim, është një hamendje e marrë. Sidomos kur këtë e shqiptojnë ata që kanë vjedhur votat ditën për diell – thotë publicisti Ymer Minxhozi.

– Zoti Minxhozi, pardje, më 18 shkurt nisi një protestë e opozitës në Tiranë me kërkesën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat do të zhvillohen pas katër muajsh. Cili është mendimi juaj për këtë protestë?

– Në radhë të parë nuk duhet të ngatërrojmë dy gjëra: e para, të drejtën për të protestuar që në të vërtetë e kemi pa limit nga dhjetori 1990 dhe e dyta, abuzimin me të drejtën për të protestuar. Në rastin konkret kemi një abuzim të pastër me të drejtën për të protestuar. Ky abuzim na vjen keq që ndodh pas afro 27 vjetësh kur shqiptarët fituan ca të drejta që nuk u lejoheshin më përpara.

– Pse e konsideroni këtë protestë një abuzim?

– Sepse është një abuzim. Është një farsë dhe mua nuk më pëlqejnë farsat. Kjo është një farsë dhe kjo do të thotë të tallesh me një popull të tërë. Unë nuk e kuptoj thelbin e kësaj proteste. Thonë se kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po kush tha se zgjedhjet e 18 qershorit do të jenë jo të lira dhe të pandershme? Ky është një supozim, është një hamendje e marrë. Sidomos kur këtë e shqiptojnë ata që nuk kanë bërë asnjëherë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ata që kanë vjedhur votat ditën për diell dhe kanë dhunuar në mënyrë sistematike liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Si mund të besoj unë në sinqeritetin e kësaj opozite kur njeriu që e udhëheq këtë protestë, pra Sali Berisha, është ai që e ka keqpërdorur pushtetin në mënyrën më të skajshme, ka vjedhur dhe ka djegur Shqipërinë, ka vrarë njerëz të pafajshëm… Jo, kjo nuk është aspak serioze dhe shqiptarët nuk duhet të mashtrohen nga gjeste të tilla të paturpshme. Prandaj le t’ia kujtojmë sërish e pambarimisht këtij njeriu 97-n me mijëra të vrarë kur i vuri flakën Shqipërisë, t’i kujtojmë grushtin e shtetit në shtator 1998, t’i kujtojmë Gërdecin dhe 21 janarin… Megjithatë, unë dua të theksoj se ky njeri, pra Sali Berisha është ideatori famëkeq i manipulimit të votës së shqiptarëve. Atë që ka bërë ai në maj 1996, nuk e ka bërë kurrkush. Më kujtohet se si atë ditë të 26 majit 1996 shkuam të votonim dhe, krejt pallati ku unë banoja nuk gjenim emrat në lista, pasi ato ishin zëvendësuar një natë më parë. E si mund ta besoj unë këtë njeri kur flet për zgjedhje të lira e të ndershme, kur ai vetë është kryemanipulatori që futi vesin dhe frymën e manipulimit dhe të tjetërsimit të votës së shqiptarëve?

– Megjithatë, kërkesa e PD-së për zgjedhje të lira dhe të ndershme është legjitime. Këtë e kërkojnë të gjithë shqiptarët?

– Në radhë të parë kush tha se do të vidhen votat dhe se zgjedhjet e 18 qershorit? Qeveria aktuale ka thënë se këto do të jenë zgjedhjet më të mira që janë bërë ndonjëhetrë në Shqi[përi pas vitit 1990. Dhe unë e besoj këtë. Sepse Rama nuk ka nevojë të vjedhë vota. Me punët që ka bërë në këto katër vite qeverisje, ajo e ka të garantuar fitoren edhe më 18 qershor. Por, pikërisht këtë e shohin dhe kësaj i tremben demokratët e Berishës, të Mediut e Kreshnik Spahiut. Më lejoni këtu të shtoj edhe një mendim: Rama dhe PS duhet të dalin vetëm në zgjedhje. Po kështu dhe partitë e tjera. Të shikojmë se sa i do dhe vlerëson ky popull secilin. Kështu marrin fund edhe spekulimet. Në këtë çështje unë jam dakord me udhëheqësin e partisë LIBRA, pra me Ben Blushin, i cili deklaroi se do të shkojë i vetëm në zgjedhje. Këtë unë e dëshiroj edhe për PS-në, edhe për PD-në, edhe për LSI-në, edhe për ballistët, edhe për zogistët…

– Zoti Ymer, m’u duke se e rënduat pak më shumë se duhet Berishën. Sepse protestën e udhëheq Lulzim Basha, kryetari i PD-së dhe jo Berisha…

– Po kush mund ta besojë këtë? Si mund të bëjë Basha veprime të tilla pa udhëzimet dhe porositë direkte të Berishës? Basha u vu në krye të PD-së që të zbatojë urdhrat e Berishës. E theksonit mirë dje ju në gazetën DITA se Basha ka për mision të mbrojë Berishën dhe familjen e tij nga ndëshkimi i merituar që po vonon për të. Në këtë funksion është dhe kjo protestë. Ato që thotë Basha dhe të tjerët mua më duken vetëm fasadë për të fshehur thelbin.

Po me që më përmendët Bashën, edhe unë do t’ju përmend bëmat e tij si ish-ministër i Berishës, pavarësisht se ato janë përmendur shpesh.

Ymer Minxhozi

Për kohën kur ishte ministër i Transporteve dhe komunikacionit akuzohet se ka vjedhur disa qindra milionë euro. Pse nuk përgjigjet Basha për këtë abuzim?

Kur ishte ministër i Jashtëm, nënshkroi marrëveshjen për dhurimin Greqisë të një pjese të madhe të hapësirës sonë detare Greqisë. Po a e hidhte dot atë firmë Basha pa miratimin e Berishës kryeministër? Kurrën e kurrës! E unë e kam thënë, e them dhe do ta them pafundësisht faktin se dy njerëz kanë shitur pjesë të territoreve të Shqipërisë: Ahmet Zogu dhe Sali Berisha. Ky turp i tyre nuk do të mbulohet kurrë dhe do t’u kujtohet në jetë të jetëve.

Kur ishte ministër i Brendshëm, u vranë katër qytetarë të pafajshëm në bulevard, pikërisht aty ku partia e tij ka ngritur çadrën e protestës. Pavarësisht se këto duket se janë të mërzitshme, ngaqë janë thënë e stërthënë me mijëra herë, ne nuk duhet të ndalemi se cilat janë bëmat e këtij njeriu që pretendon të bëhet kryeministër i Shqipërisë.

Por unë po e shtyj edhe më tej arsyetimin tim për këtë personazh grotesk: Lulzim Basha mua më kujton personazhin e famshëm të Alfons Dodesë, Tartarinin e Taraskonit, i cili nisej triumfalisht për betejat me tigrat në shkretëtirë, i brohoritur nga turmat, ndërsa kthehej i rraskapitur dhe i zhulosur, i tallur nga të njëjtat turma… Pastaj ai fliste për përleshjet imagjinare me tigrat, të cilat niste dhe i besonte edhe vetë.  Tartarini i Taraskonit, alias Lulzim Basha, është një Don Kishot modern, që na bën të gajasemi sa herë del e flet. Sidomos kur thotë se qeveria që unë do të kryesoj do të mendojë vetëm për popullin dhe hallet e popullit…

– Sidoqoftë, opozita ka artikuluar kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat i sheh të garantuara nga një qeveri teknike, pra duhet të bjerë qeveria Rama që të kemi zgjedhje në 18 qershor. Përndryshe, opozita thotë se nuk do t’i njohë ato zgjedhje…

– I kam dëgjuar këto kërkesa. I kam dëgjuar nga Berisha në sallën e parlamentit, i kam dëgjuar nga Basha në bulevard, i kam dëgjuar edhe nga Eduard Halimi, Arben Ristani dhe Grida Duma. Ah, po se desh harrova, i kam dëgjuar edhe nga Kreshnik Spahiu. Madje ky është më i avancuar. Ai thotë se do ta bëjë tym e flakë Tiranën, se do të shkojë t’u verë kyçet dyerve të Kryeministrisë derisa të bjerë qeveria! Përralla! Të gjitha janë përralla dhe të pabesueshme. Sidomos kur duan të heqin paralele me protestat në Rumani. Këto protestat këtu në Tiranë janë krejt e kundërta me ato të Bukureshtit. Atje për të luftuar korrupsionin, këtu për ta mbrojtur krimin dhe korrupsionin. Sepse sa filloi të veprojë vetingu ndaj gjyqtarëve dhe heqja e mandateve disa deputetëve dhe pushtetarëve vendorë, opozita vendosi të hidhet në protestë. Pra, të ndërpritet me doemos procesi që sa kish nisur të funksiononte me inkurajomin dhe mbështetjen e fortë të faktorit ndërkombëtar. Do të jetë fatale të ndodhë kjo. E gjithë kjo është shenjë e alarmit dhe panikut që e ka kapur opozitën nga ndëshkimi ligjor dhe nga humbja që duket se e pret në zgjedhjet e 18 qershorit.

Prandaj dhe kam një porosi e këshillë direkte për ata që na qeverisin aktualisht: Rama dhe qeveria aktuale nuk duhet të tërhiqet dhe të thyhet para këtyre kërkesave absurde që po parashtron opozita aktuale!

– Zoti Ymer, me këto akuza të rënda që bëtë për Berishën, Bashën dhe opozitën aktuale, po të zbatohet ligji i vetingut, duket se ju doni ta lini Shqipërinë pa opozitë?

– Në asnjë mënyrë nuk e kërkoj këtë. Unë dua transparencë. Ata që kanë bërë krime dhe korrupsion të përgjigjen para drejtësisë dhe të mos lejohen të marrin pushtet. Kjo është tepër demokratike. Por unë jam dhe me atë shprehjen popullore që thotë: Më mirë djepja thatë, se shejtani brenda!

Dita

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode