INTERVISTË E HUAZUAR
LUFTAR PAJA FLET SERIOZISHT...
Luftar PAJA
Zemërimi: Nuk ka Çeçua biçak për Berishën. Të majtë e të djathtë duan të hanë si ujqër
Bisedoi: Xhevdet SHEHU
Artisti i Popullit Luftar Paja në një intervistë për “Dita” shpreh jo thjesht për humor pakënaqësi për mosndëshkimin e korrupsionit, qeverisjen dhe veçanërisht për Parlamentin.
Ai thotë për Berishën që duhet të ishte në burg:
– Ka dy vjet e ca që dërdëllit sa t’i dojë qejfi e çfarë t’i dojë qejfi sepse nuk ka Çeçua biçak… Nuk ka kush t’ia bëjë rrup-sup atij e t’ia mbyllë gojën. Ai ka vrarë njerëz, ka djegur e vjedhur Shqipërinë e nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Jo vetëm nuk u dënua dhe s’ka për t’u dënuar, po na bën edhe karshillëk. Na fyen si popull. E drejtë është kjo?
Artisti që mban titullin Mjeshtër i Madh thotë që ndihet i zhgënjyer edhe nga ata që votoi në 23 qershor
“Edhe këta që votuam në 23 qershor para dy vjetëve po na zhgënjejnë dita-ditës, po bëhen si ata. Po më humbet besimi dita-ditës. Po, jam i pakënaqur si me qeverinë dhe me parlamentin. Sidomos me parlamentin. Çfarë pret populli e çfarë llafosin ata.
Më poshtë, intervista:
– Luftar, të shoh të revoltuar. Çfarë halli ke?
– Po ja erdhi dhe po mbaron muaji nëntor, e nuk na lënë rehat. Na ngacmojnë plagët e së shkuarës, jo 28 jo 29-ta, ju na kini vrarë, na kini pushtuar, ju jeni kriminelë, na thonë… Prandaj thashë t’ua kthej njëherë…
– Për kë e kini fjalën? Të kanë sulmuar ty, Luftar?
– Për ballistët e kam fjalën. Nuk më kanë sulmuar mua personalisht, po ata rrinë e rrinë e fap i ngrenë veshët. Sulmojnë luftën, sulmojnë partizanët, luftojnë dëshmorët…
– Konkretisht… Pse je revoltuar?
– Po, konkretisht do të flasim. Ja para nja dy-tri javësh sulmuan Këshilltarët e Hekalit. Ata janë kthyer në simbol të luftës antifashiste jo vetëm për Mallakastrën, po për gjithë Shqipërinë. Ngrihet një merhum andej nga Mallakastra, një pinjoll ballistësh e thotë se Këshilltarët e Hekalit janë vrarë për hasmëri. Ata dihet që i vrau Isuf Hasani nga Belishova (jo nga Rromësi, siç thotë ai merhumi), i mori në Hekal dhe i vrau në fshatin tim në Gorishovë. Po Isuf Hasani kishte një taborr me ballistë pas vetes, dhe gjithë Mallakastra e di se kush e ngriti atë kurth dhe se kush i vrau këshilltarët. Ballistët hoqën gishtin, por i kishin urdhëruar pushtuesit gjermanë. Ja le të besojmë për një moment se Këshilltarët e Hekalit u vranë për hasmëri. Po këshilltarët e Fushës në Myzeqe dhe të fshatrave të tjerë të Mallakastrës, kush i vrau? Përmbahuni një çikë o ballistë, se nuk i ha njeri ato që thoni. Por po e ritheksoj se, le të hidhen përpjetë të gjithë ballistët e pinjojtë e kolaboracionistëve, Këshilltarët janë kthyer prej 72 vjetësh në simbol të asaj lufte dhe të qëndresës antifashiste e të tillë do të kujtohen në jetë të jetëve.
– Pra ti po i kthen përgjigje atij pinjollit të ballistëve që foli kundër këshilltarëve?
– Atij dhe të tjerëve. Nuk e kam vetëm me atë. Nuk merrem me atë unë se atyre u ka humbur vula që në ‘44-n. Ja, nuk po ia përmend as emrin, sepse ai në fakt është një hiç. Po dikush i ka fryrë në vesh. Unë e kam me gjithë ata që flasin si ai, deri edhe këtu në Tiranë. Në këtë rast unë bashkohem me protestën e fortë që bënë veteranët e Mallakastrës dhe familjet e dëshmorëve ndaj këtij akti të turpshëm kundër këshilltarëve. E kam edhe me ju gazetarët. Si mund të quhet serioze një gazetë që pranon të botojë broçkulla të tilla, pa i verifikuar? Mirë ai që i thotë gënjeshtra të tilla me bisht, po ai që i boton mendoj se është më shumë përgjegjës, tregon edhe injorancën. Këtë radhë e kam me ata gazetarët lokalë të Fierit që e ngritën këtë furtunë në një gotë uji.
– Sidoqoftë revolta jote këtë radhë është edhe më shumë si mallakastriot. Ti ke qenë vetë “këshilltar” dhe të pushkatuan në filmin ‘Këshilltarët’, si e kujton atë rol?
– E kam luajtur me gjithë shpirt. Unë jam nga Gorishova ku u pushkatuan dhjetë këshilltarët e Hekalit. Kam luajtur tok me artistin e madh, të paharruarin Kadri Roshi. Dhe filmi ka ngjitur. Edhe sot e kësaj dite pas kaq shumë vjetësh do ta luaja me të njëjtën dëshirë atë rol. Filmi u ka ngritur një monument të pavdekshëm jo vetëm këshilltarëve të Hekalit, por të gjithë këshilltarëve që u vranë në atë kohë. Po të tregoj një ngjarje nga vera e sivjetme. Ti e di që unë shkoj disa muaj në vit gjatë verës në Orikum. Po pija një birrë tek një lokal që quhet “Rotondo”. Kur më vjen një burrë e deshi të njihej me mua. Po, mirë, i thashë, ulu. Dua të njihem me ty si artist, por edhe si nga një krahinë që të kam. Se edhe unë kam pasur babanë patriot. Pse more, nga je ti e i kujt je, e pyeta me kuriozitet. Jam nga Cakrani, më tha, i biri i Kujtim Cakranit dhe nip i Bektash Cakranit… Tyt, shejtan, i thashë. Po ça patrioti ka qenë babai yt? Ai ka qenë një kriminel. E di ti se ai ka qenë një nga ata që vranë këshilltarët e Hekalit në Gorishovë, ka qenë në skuadrën e pushkatimit?, e pyeta… Në atë episodin që unë ia marr këngës “Ti o popull lamtumirë…” para togës së pushkatimit Kujtim Cakrani dhe ballistët e tjerë më janë kujtuar… Por ai nuk më ktheu përgjigje, iku kokulur dhe nuk u bëra dot mik me të. Ja, kështu janë ndarë punët. Të mos na hiqen si patriotë e nacionalistë këta ballistët…
– Kanë ndryshuar kohët, Luftar. Kanë kaluar kaq vjet… Pse të mos merremi vesh me njëri-tjetrin?
– Unë nuk bëj dot paqe kollaj. Kjo është meseleja. Vetëm po të heqin ata dorë nga mburrkëlat se gjoja kanë luftuar, se ata janë trima, se qenkan tretur nga dashuria për Shqipërinë e këtë popull… Po unë nuk besoj. Ata nuk heqin dot dorë. Bishti i qenit, bisht qeni mbetet. Prandaj, ballistët më mirë le të hanë… përshesh. Se pulat i faruan që në kohën e luftës. Kësaj i thonë: Të rrëzohen malet e të ngrihen halet. Por ballistët nuk kanë asnjë shans! Ata kanë qenë bashkëpunëtorë me pushtuesit fashistë dhe kanë bërë krime që nuk do t’u shqiten asnjëherë.
– Pse jeni kaq i bindur? Po ata janë aleatë me PD-në dhe kanë ngrënë nga thelat e pushtetit sa herë PD-ja ka qenë në pushtet…
– Kjo është e vërtetë. Po PD i ka keqpërdorur të shkretët. PD ata i do për të justifikuar urrejtjen që ka kundër luftës antifashiste nacionalçlirimtare. E kini vënë re sa sa herë PD-ja vjen në pushtet hidhen në erë monumente të luftës, si ai i Pezës martire, hiqen Heronjtë e Vigut, dhunohen varrezat e dëshmorëve. Po ju mund të pyesni se sa deputetë ka nxjerrë Balli Kombëtar gjatë këtyre 25 vjetëve? Asnjë. U ka dhënë ndonjë kockë PD-ja dhe vetëm kaq. Dhe nuk kanë për ta ngritur kokën sa të jenë gjallë. Ata gabuan atëherë, para 70 vjetësh, duke bashkëpunuar me pushtuesit. Tani, ka 25 vjet që u ka rënë fati i keq të bashkëpunojnë me një parti që unë mendoj se ka bërë vetëm punë të mbrapshta në këtë vend. Në këtë pikë më vjen një çikë keq për ballistët, se të dyja herët kanë qenë pa fat, i ka dënuar historia të mbeten gjithnjë të mundur dhe të humbur.
– Po vë re se gjatë kësaj bisede nuk po e përmend asnjëherë Berishën. E bën me qëllim këtë apo e ke zënë mik?
– Jo, ore jo, e bëj me qëllim. Kam folur për të sa më ka zënë goja lesh dhe ai nuk dëgjon. I thashë në një intervistë tek ju në DITA: Ik Sali se na nxive jetën! Hajde bëjmë paqe unë e ti e merremi me nipat e mbesat… Mirëpo, ka dy vjet e ca që ai dërdëllit sa t’i dojë qejfi e çfarë t’i dojë qejfi dhe as nuk do t’ia dijë për kritikat që i janë bërë e i bëhen çdo ditë. Sepse nuk ka Çeçua biçak…
– Ç’domethënë kjo?
– Ajo që të thashë. Nuk ka kush t’ia bëjë rrup-sup atij e t’ia mbyllë gojën. Ai ka vrarë njerëz, ka djegur e vjedhur Shqipërinë e nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Ai duhej të ishte me kohë në bankën e të akuzuarve për ato krime. Duhej të ishte në burg për ‘97-n, duhej të ishte në burg për Gërdecin, duhej të ishte në burg për 21 janarin, duhej të ishte në burg për vjedhjet…Por jo! Jo vetëm që nuk është dënuar dhe s’ka për t’u dënuar, po na bën edhe karshillëk, na hiqet si trim, duke na fyer komplet si popull. Pse e drejtë është kjo? Sepse edhe këta që votuam në 23 qershor para dy vjetëve po na zhgënjejnë dita-ditës, po bëhen si ata.
– Tani jemi në valën e dekriminalizimit dhe të reformës në drejtësi. Ju besoni se do të ndryshojnë gjërat? Janë porositë e Europës dhe të miqve ndërkombëtarë këto…
– Unë nuk besoj se do bëhet ndonjë gjë e madhe. Ata ndërkombëtarët janë në rregull, flasin në parim se duhet bërë kjo e ajo, por këto duhet t’i bëjnë këta këtu. E unë te këta nuk kam shumë besim, ose po më humbet besimi dita-ditës… Sepse nuk po mbahen premtimet.
– Qenke i pakënaqur edhe me qeverisjen e tanishme?
– Po, jam i pakënaqur si me qeverinë dhe me parlamentin. Sidomos me parlamentin. Janë bërë shumë qesharakë deputetët tanë që kanë shkuar atje me votën popullit. Ky është një parlament qesharak. Duket se kanë marrë të gjithë huqet e Saliut. Çdo të enjte të dyja palët mblidhen e shajnë njëri-tjetrin me libër shtëpie. Çfarë pret populli e çfarë llafosin ata. Do më falësh që do përdor një krahasim. Sapo hyjnë në parlament si deputetë ata më janë dukur të mirë e të urtë si dele. Pasi kaloi ca kohë pashë marifetet që bëjnë për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin dhe u shndërruan në dhelpra, duke harruar premtimet e fushatës. Tani me ato sharje e fyerje që dëgjoj, them se shndërruar në qenër. Zihen e hahen si qentë… Po kur dalin prej andej, duan të hanë si ujqër, në kurrizin tonë. Të lutem mos ma hiq këtë krahasim, sado e rëndë që t’u duket. E them këtë se populli është shumë i zhgënjyer nga këta politikanë, qofshin të djathtë, qofshin të majtë… E di kush shpikja më e madhe në botë?
– Jo, nuk e di. Ma thuaj ti, Luftar.
– Celulari. S’ka shpikje më fantastike se celulari. I ke parë deputetët e ministrat kur zbresin nga makinat për të hyrë në parlament apo nëpër zyra? Të gjithë pa përjashtim flasin me celular. E kur u del përpara ndonjë hallexhi që i ka votuar dikur, ata bëjnë vetëm një gjest me dorë si shshsht, si për të thënë se po bëjnë një bisedë shumë të rëndësishme me ata lart, me Edi Ramën, me Obamën apo me Papën e Romës. Domethënë se janë shumë të rëndësishëm dhe nuk mund të shqetësohen për këto hallet e vockla të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Mbi supe atyre u duket se kanë gjithë planetin!… Prandaj hallexhiu i shkretë duhet të largohet e ta lërë të qetë. Po më lejo të shtoj edhe diçka tjetër, se llafi nxjerr llafin…
– Çfarë?
– Ne kemi dy emisione humoristike sot për sot. Parlamentin dhe emisionet e analistëve në TV. Po kështu qesharakë, si parlamenti, janë bërë edhe emisionet me debat në TV. Të njëjtët analistë nga një emision në tjetrin e nga një ekran në tjetrin. Jo vetëm nuk thonë gjëra të mençura, por edhe më duken budallenj të shkretët. Pse? Sepse ato mufka që këpusin në ekran i dëgjon gjithë populli. Ata flasin për gjithçka, për leshin e preshin, për politikën dhe luftën, për gjithçka. Po pse ore u shua ky vend dhe vetëm ato nja pesë a gjashtë kokrra do na torturojnë natë për natë në televizor? Qenkan këta të zotët për gjithçka! Kësaj i thonë: Unë zot, ti zot, po gomarin kush e kullot? Ku janë specialistët e bujqësisë që të flasin për bujqësinë, ku janë ekspertët e mbrojtjes të na flasin për ushtrinë, ku janë ata të kulturës të na flasin për artin e letërsinë, ata të industrisë e me radhë. Dhe populli fap e mbyll televizorin. Ashtu siç e mbyll të enjteve kur del Saliu me shokët e tij në parlament, sepse popullit i ka ardhur në majë të hundës.
– Ti po flet kështu në emër të gjithë popullit?
– Jo, unë flas si individ, flas në emrin tim personal, por unë jetoj ditë për ditë mes këtyre njerëzve dhe mendoj se shumica e njerëzve mendojnë kështu si unë. Verifikojeni po deshët dhe do të bindeni se unë kam të drejtë në këtë që po them… Por unë kam të drejtë t’ drejtohem këtij populli e t’i them: O popull, këta njerëz po ta bëjnë borxh! A do të pranosh ti o popull të votosh ata që vë në listë kryetari, apo do të votosh njerëzit që do ti dhe që e meritojnë të jenë në parlament e të na qeverisin? Sepse po afrojnë zgjedhjet e 2017-s…
– Mirë Luftar, po të besojmë. Por e kini vënë re se edhe ambasadori amerikan, Donald Lu flet për hallet tona të përditshme dhe për gjithçka, jep direktiva si të bëhet kjo e ajo… Kësaj çfarë t’i thuash?
– Po. Më ka rënë në sy. Mendoj se edhe ai gabon ndonjëherë. Po mbase nuk e ka nga mendja e tij. Nesje ju bëni mirë që e kritikoni. Kam lexuar disa analiza të mrekullueshme në DITA për këtë çështje dhe aty janë thënë gjërat fare troç. U mbrojt sa u mbrojt Arvizuja kur i tha “burrë shteti” Berishës pas 21 janarit, po më në fund duhet të jetë bindur se e tha gabim. Po kështu edhe Luja, duhet ta kuptojë e të mos shkojë me mendjen e Lulzim Bashës e të Saliut. Sepse ai është ambasador i një vendi të madh, mik i Shqipërisë, po ndonjëherë edhe ata gabojnë.
(Marrë nga DITA)