INTERVISTË E HUAZUAR
HIMARA, DJEP I ARSIMIT, KULTURËS DHE LIDHJEVE SHQIPTARO-ARBËRESHE

FRANÇESKO ALTIMARI
§ Profesori arbëresh Françesko Altimari tregon marrëdhëniet himarioto-arbëreshe, që nga lashtësia. Ai përgëzon nismën e qeverisë për të nxjerr në pah vlerat historike, ndërsa kritikon Kishën Ortodokse për fshehjen e së vërtetës
Mirel Sheme
Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi prej ditësh u bë objekt debati mes qeverisë shqiptare dhe Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, me ndërhyrjen e vazhdueshme edhe të shtetit grek. Qeveria shqiptare ndërhyri për prishjen e shtesës pa leje mbi tokën ku ka ekzistuar kisha e Shën Thanasit, për ta shndërruar atë me anën e një projekti të ri, në një monument kulture. Ndërsa Kisha Ortodokse, nga ana e saj, e quan një masakër që shteti po i bën objekteve të kultit. Por cila është e vërteta e kishës së lashtë së Shën Thanasit?!
Françesko Altimari, profesori arbëresh i Universitetit të Kalabrisë në Kozenca, në një intervistë për gazetën “Shekulli” shprehet se, ai dhe profesorë të tjerë, si Matteo Mandala, prej vitesh janë përpjekur për të vënë në dukje rolin e rëndësishëm që “Rilindja” arbëreshe ushtroi në fazën e parë të zgjimit të vetëdijes kombëtare, edhe falë marrëdhënieve të ngushta që vatrat e para fetare dhe kulturore të arbëreshëve të Italisë patën për shekuj me radhë me disa qendra të veçanta të Shqipërisë së asaj kohe.
Profesor Altimari e përshëndet nismën e shtetit shqiptar që të vërë në pah e t’i ruajë këto monumente kulturore të mirëfillta si kisha e Shën Thanasit, por sipas tij, për fat të keq ka qarqe fanatike që kanë vepruar dhe po veprojnë edhe në Shqipëri, jo për të zbuluar të vërtetën, por për ta fshehur atë. “Qarqe të caktuara të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare përpiqen të fshehin gjurmët e kësaj të kaluare të lavdishme historike dhe kulturore të Himarës, duke rindërtuar në rrënojat e kishës së vjetër të Shën Thanasit të shkatërruar nga diktatura e Enver Hoxhës, një ndërtesë parakishtare, kinse “ortodokse”, me synimin qesharak për ta mbuluar diellin me shoshë”, shprehet profesor Altimari.
Profesor, si lind interesi juaj kulturor për Himarën dhe përgjithësisht për raportet himarioto-arbëreshe?
I ftuar nga kolegë të universiteteve shqiptare kam marrë pjesë kohët e fundit në disa kuvende të posaçme ku është diskutuar për marrëdhëniet shqiptaroarbëreshe gjatë shekujve dhe me kolegun Matteo Mandalà kemi ndërhyrë shpesh në këto vite për të vënë në dukje rolin e rëndësishëm që “Rilindja” arbëreshe ushtroi në fazën e parë të zgjimit të vetëdijes kombëtare, edhe falë marrëdhënieve të ngushta që vatrat e para fetare dhe kul-turore të Arbëreshëve të Italisë patën për shekuj me radhë me disa qendra të veçanta të Shqipërisë së asaj kohe.
Nga këto vatra, Himara ishte një ndër kryesoret. Duhet nënvizuar se këto kontakte dhe këto shkëmbime idesh, tezash dhe opinionesh, kanë qenë vendimtare për të krijuar një vetëdije të përbashkët midis qarqeve intelektuale më të përparuara asokohe në mjedisin shqiptar dhe arbëresh, si edhe për të krijuar një trashëgimi kulturore të përbashkët që përcaktoi drejtimet që mori Rilindja arbëreshe në fazat e para të saj (qysh nga dhjetëvjeçarët e parë të shek. XVIII), si konvergjencë natyrore e një procesi që pastaj hodhi themelet e Rilindjes së mirëfilltë mbarëshqiptare.
Siç e vlerësoni interesin që treguan institucionet vendase dhe qendrore në Shqipëri për të vlerësuar këtë kujtesë historike që mbeti për aq kohë në harresë?
Në këtë kontekst është një nismë shumë serioze kjo që ndërmori një shtet laik, siç është për fat Shqipëria, që duke i pasur rrënjët e tij identitare në një trashëgimi historike, kulturore dhe gjuhësore të përbashkët, ndryshe nga shtete të tjera që lindin si kombe, duke pasur si mburojë identitare kryesore fenë, shqetësohet të vërë në pah e t’i ruajë këto veçori që janë monumente kulturore të mirëfillta. Për fat të keq, ka qarqe fanatike që kanë vepruar dhe po veprojnë edhe në Shqipëri, jo për të zbuluar të vërtetën, por vetëm për ta fshehur atë, kur ajo nuk është në përputhje me “të vërtetën” e tyre!
Sidomos kur, siç ndodh në këtë rast, kemi të bëjmë me realitete ndërkulturore dhe ndërfetare si Himara që kërkojnë kujdes dhe përqasje delikate dhe respekt maksimal ndaj dallimeve, fanatizmi fetar vazhdon të veprojë duke e prerë botën me shpatën e mashtrimit, duke vënë djathtas vetëm besimtarët dhe ithtarët e vet dhe majtas të gjithë “armiqtë”, “renegatët”, paçka se kanë të njëjtën bazë fetare me ta, por që si “armiq” dhe si “renegatë” duhen asgjësuar dhe mohuar me çdo kusht. Një shtet laik, siç e thashë, nuk mund dhe nuk duhet të përzihet në çështjet fetare, por duhet të angazhohet për të respektuar monumentet e veta kulturore.
Dhe kisha e Shën Thanasit në Dhërmi është objektivisht sot një monument kulture për arbëreshët dhe për shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, sepse në Dhërmi dhe gjetkë, kur të tjerët merreshin vetëm me punët e feve përkatëse, murgjit bazilianë si Nilo Catalano, Filoteo Zassi, Zef Skiroi etj, krijonin vatra arsimore dhe kulturore që frekuentoheshin edhe nga besimtarë të feve të tjera. Kështu në relacionet e kohës lexojmë mesazhin e thellë dhe të përparuar të paqes dhe pajtimit që këta murgj na transmetojnë kur rrëfejnë sesi në shekullin XVIII paria islamike vendase i dërgonte gratë e veta në shkollën e misionit bazilian në Himarë, ku jepej mësimi i fesë së krishterë, sipas ritit lindor, por edhe i gjuhës shqipe.
Pse mendoni se disa qarqe po veprojnë për të fshehur të vërtetën historike dhe shenjat e kësaj kujtese që sipas jush duhet ruajtur?
Sot shohim sesi qarqe të caktuara të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare përpiqen të fshehin gjurmët e kësaj të kaluare të lavdishme historike dhe kulturore të Himarës, duke rindërtuar në rrënojat e kishës së vjetër të Shën Thanasit, të shkatërruar nga diktatura e Enver Hoxhës, një ndërtesë parakishtare kinse “ortodokse” me synimin qesharak për ta mbuluar diellin me shoshë.
Në emër të kauzës së tyre “të shenjtë”, ata nuk sprapsen as përpara eshtrave dhe kujtimit të një figure të ndritur të kishës sonë dhe të kulturës shqiptare, si është ajo e Nilo Catalanos, sikurse nuk ua bëri syri tërr kur përdhosën eshtrat e shqiptarëve në Boboshticë e gjetkë për të ndërtuar memoriale ushtarësh grekë imagjinarë. Mund ta kishim marrë me shaka këtë histori e të qeshnim, sikurse qeshëm kur pamë filmin “Ballkan-Pazar” të Edmond Budinës, fundja dihet se historia kur përsëritet kthehet në farsë, por edhe shakaja e ka një kufi!
Siç mendoni se duhet vepruar, sipas përvojës suaj, nga ana shkencore?
“Kauzat e shenjta”, që pëlqehen aq shumë nga fundamentalistët, e djeshëm dhe të sotëm, për fat nuk kanë të bëjnë me shtetet moderne dhe as u përkasin shteteve! Prandaj, pa ndezur zjarre luftërash fetare që nuk i shërbejnë askujt, por mbi bazën e të dhënave shkencore e të dokumentacionit arkivor le të nxjerrim në dritë të vërtetën historike të pranisë së vjetër të kishës lindore arbëreshe, e cila, ta themi një herë e mirë për ekspertët pa diplomë, nuk është uniate, meqenëse nuk njihet deri sot asnjë akt zyrtar të ruajtur në ndonjë arkiv, publik ose privat, që mund ta dokumentojë ose ta vërtetojë ndarjen e kishës arbëreshe nga Ortodoksia, në shekujt XV-XVI, por nga ana e së drejtës kanonike, ajo përcaktohet sot si kishë “sui turis” brenda Kishës Katolike.
Kuvendi shkencor që kemi menduar të organizojmë sivjet në nëntor, pas “shekujsh heshtjeje” dhe mashtrimi, besoj se mund të na shërbejë për ta rindërtuar më në fund bashkërisht një histori objektive dhe shkencore të kompleksitetit të Himarës, të këtij djepi të rëndësishëm kulturor dhe arsimor që meriton një vëmendje të posaçme larg shablloneve nacionale dhe fetare, larg kulisave politiko- kishtare dhe manipulatorëve të çdo lloji. Kujtesa historike e Himarës duhet të mbrohet së pari nga himariotët, por duhet mbrojtur drejtpërdrejt edhe nga shteti shqiptar, sepse aty lindin lidhjet e para të ngushta shqiptaro-arbëreshe dhe aty i gjejmë rrënjët tona të përbashkëta që nuk duhen shlyer.
A keni ndonjë sugjerim apo ndonjë vërejtje që besoni se duhet theksuar lidhur me disa polemika që janë ndezur për kishën e Shën Thanasit në Dhërmi?
Së fundi, dëshiroj vetëm t’u kujtojmë disa ekspertëve pa diplomë që i fryjnë zjarrit të konflikteve ndëretnike se terma si “grek” dhe “ortodoks” në shekujt për të cilët flasim nuk kanë pasur të njëjtën kuptim që kanë sot për ne. Mbi këtë problematikë që nuk mund të banalizohet ose të thjeshtëzohet sipas flamujve të sotëm, por që kërkon një thellim të posaçëm për një realitet kështu kompleks nga ana etniko-fetare siç ishte në shekujt e kaluar diaspora “greke”, jam marrë në parathënien e një artikulli tim lidhur me praninë e të së ashtuquajturës kishe “greke” të Napolit, që ishte pika e takimit të arbëreshëve të Kalabrisë dhe Siçilisë dhe të himariotëve në kryeqytetin e atëhershëm të Mbretërisë së Napolit nga gjysma e shekullit XVIII deri në gjysmën e shekullit XIX.
Nëse disa katunde arbëreshe në Itali edhe sot në emërtime mbajnë gjurmë të termit “grek”, edhe kur e humbën identitetin e vjetër fetar dhe janë kthyer në katolikë të ritit “latin”, kjo nuk do të thotë se ato nuk janë arbëreshe, e ruajna Zot se mos këtyre nacionalistëve të tërbuar të fshehur nën petkun fetar u shkon mendja t’i kërkojnë qeverisë greke të ndërhyjë pranë qeverisë italiane për të na siguruar edhe neve arbëreshëve si “grekë” dhe si “ortodoksë të mbodhisur” ndonjë mbrojtje të jashtëzakonshme. Për fat të mirë, ne arbëreshët, ndryshe nga ca e ca të tjerë, nuk shitemi për tridhjetë aspra dhe nuk kemi nevojë për protektorat!
(Marrë nga Shekulli)