INTERVISTË E HUAZUAR, FATOS KLOSI

 

FATOS KLOSI: PËR KRIMET QË DËSHMON IZET HAXHIA DUHEN BURRA ME KËLLQE

Ish-shefi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi

 

Ish-shefi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, komenton në këtë intervistë deklaratën e Berishës të dy ditëve më parë lidhur me dhunën ndaj Edi Ramës në shkurt të vitit 1997. Klosi argumenton pse nuk është i besueshëm Berisha në ato që thotë, ndërsa thekson se ish-punonjësit me xhupa të zinj të SHIK-ut ia kishin mbathur jashtë shtetit me pasaporta diplomatike të pajisur nga Berisha. Si e gjeti Shërbimin Informativ në vitin 1998 dhe cilët ishin personat që gjeti aty? Pse ai thotë se Izet Haxhia është një burim i besueshëm që duhet marrë në konsideratë…

- Zoti Klosi, ish-Kryeministri Berisha ka përmendur emrin tuaj në sallën e Kuvendit lidhur me dhunën ndaj Edi Ramës në shkurt të vitit 1997. Tekstualisht Berisha tha: “SHIK-u u bë pjesë e sulmeve agresive, po ça mendoni ju, se Fatos Klosi (ish-kreu i SHIK-ut pas ’98) do kursente oficerin e SHIK-ut që sulmoi Edi Ramën?! Dhe të dalë tani dhe të bëhet viktimë e imja…”. Si do ta komentonit këtë deklaratë të tij?

- Mendoj se ky argument që përdor z. Berisha, për të na mbushur mendjen se ai nuk ka gisht në atë rrahje barbare, është qesharak për shumë arsye. Unë do të them disa të mijat:

- ku ti gjeja unë oficerët e SHIK-ut që t’i “dënoja” apo t’i “kurseja”, kur shumica prej tyre kishte ikur jashtë vendit para se unë të shkoja në SHIK. Nga oficerët e lartë unë gjeta në SHIK vetëm Visho Ajazin dhe Drejtorin e Shifrës, të tjerët e kishin lënë me kohë Shqipërinë. Z. Berisha e di mirë këtë të vërtetë, se shumë prej tyre i kishte pajisur ai me pasaporta diplomatike, që të iknin pa pritur për të marrë viza.

- Në atë gjendje që unë e gjeta Shërbimin e kishim të pamundur të bënim hetime për ç’kish ndodhur, me kë t’i bënim ato hetime, kujt t’ia besonim atë detyrë, atyre që kishin që i kishin bërë vetë krimet?

- Pastaj, me thënë të drejtën, nuk kishte nevojë për hetime, rrahjet ishin bërë pothuajse në publik, pa asnjë lloj “delikatese”, se të tillë ishin vetë “xhupat e zinj”, aq të famshëm për mizoritë e tyre në atë kohë; ishin “trimat” e Sektorit të Vëzhgimit” të SHIK-ut të kohës. Disa prej tyre, e pranuan më vonë, që kishin marrë pjesë në “pogrome” të tilla.

- Në atë kohë s’ishte vetëm Edi Rama që u torturua, të ngjashme ishin dhe rastet e të ndjerit Teodor Keko, të Ndre Legisit, të Arben Imamit e plot të tjerëve, më pak të njohur, edhe ata për “motive pasiononte” u rrahën? Është qesharak ky argument, të gjithë e dinë të vërtetën. E vërteta e kësaj ngjarje dhe e të tjerave të ngjashme, që çuan dhe në vrasje, bëri që, kur unë shkova në SHIK, të gjitha ndërtesat e tij, në të gjithë Shqipërinë , veç Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, ishin të djegura dhe të shkatërruara. Nuk i takon Berishës t’i kujtojë ato kohë.

Ai vazhdon të tallet me këtë popull, se politikanët e kohës, nuk kishin “këllqe” për të bërë detyrën e tyre; boll të kujtojmë qëndrimin e Kryeministrit Nano, lidhur me arrestimet që u bënë për ngjarjet e ’97-s. Vendimi për ta mbyllur atë proces, ka qenë më së shumti politik.

 

- Kini pasur dijeni ju për atë ngjarje dhe a është trajtuar ndonjëherë nga institucioni që ju drejtonit?

- Kush nuk kishte dijeni për ato ngjarje, të gjithë kishin, të gjithë e dinin se kush i bënte, se ato bëheshin për të trembur popullin, për të treguar se kush ishte “bajlozi” i vendit, prandaj duhej ditur se kush i bënte dhe nuk bëheshin aq fshehur. Trajtimi i këtyre ngjarjeve u mbyll nga politika, e cila pas këtij hapi, provoi dhe një tjetër, më të avancuar, një “flirt”, që zgjati pak muaj.

 

- Sidoqoftë, ish-truproja e Berishës, Izet Haxhia, deklaroi me këtë rast se kjo ishte vepër e katër punonjësve të SHIK-ut të komanduar nga Berisha. Sa i besueshëm është Haxhia me këto që thotë?

- Nuk më duket se duhet kërkuar burim më i besueshëm, ai thotë: “e bëmë ne”, nuk po thotë që: “e bënë ata”.

- Mund të përbëjë kjo dëshmi e Izet Haxhisë si shkak për të nisur hetimet dhe për të zbardhur të vërtetën?

- Pas kësaj kohe të gjatë që ka kaluar, problemi është bërë akoma më i komplikuar, boll të kujtosh që me sistemin e sotëm të drejtësisë, nuk mund të bësh asnjë lloj drejtësie, prandaj, sot do të duheshin “këllqe” akoma më të forta se dikur./Xh.SH

(Marrë nga DITA)

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode