SHQIPËRIA, JUGOSLLAVIA DHE KOSOVA NË MES (Pj.II)

EKSKLUZIVE / INTERVISTË ME PROF. XHELAL GJEÇOVI:

 

 

SHQIPËRIA, JUGOSLLAVIA DHE KOSOVA NË MES (Pj.II)

 

   Xhelal Gjeçovi

Të pathënat e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në vitet e Luftës së Dytë Botërore      . Përse Lëvizja Antifashiste në Shqipëri u lidh me me atë të Jugosllavisë në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Barrierat e pakapërcyeshme nga e kaluar dhe vështirësitë e reja që u hasën gjatë bashkëpunimit. Roli i aleatëve dhe shembulli i tyre për bashkëpunimin kundër pushtuesve nazifashistë. A është nisma e Ballkanit të Hapur aktualisht jehonë e bashkëpunimit të 80 viteve më parë?

Intervistoi Xhevdet Shehu

  (Vijon nga numri i kaluar)

– Përse u lidhëm me Jugosllavinë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur siç theksohet dhe në libër historia e tyre, më së shumti nuk kishte qenë në interes të shqiptarëve dhe si u prit kjo lidhje ateherë, këtu dhe në Kosovë. Sot, pas kaq vitesh a mund të themi se u justifikuan pritshmëritë që na shtyn drejt saj?

– Mendoj se përgjigjja dhe shpjegimi i kësaj çështjeje mund të vijnë vetëm nëse ajo vendoset në kontekstin historik të kohës dhe u largohemi sa të jetë e mundur më shumë nga politizimi.

Është e vërtetë që historia e marrëdhënieve me fqinjët, në rastin konkret me fqinjin verior, nuk ka qenë gjithnjë e këndshme, madje në momente e periudha të caktuara dhe e hidhur, e mbushur me gjenocid, drama e tragjedi të luajtura në kurriz të shqiptarëve. Por, rrethanat e krijuara me fillimin e Luftës së Dytë Botërore e bënin të domosdoshëm,  njëherësh dhe të mundur, që të kapërcehej kjo trashëgimi dhe dy vendet të linin mënjanë të kaluarën e të hapnin një faqe të re në historinë e marrëdhënieve në mes tyre. Dhe këtë e kërkonin me insistim e jo pa arsye dhe aleatët e Koalicionit Antifashist. Sipas tyre, dy vendet ndodheshin përballë detyrës së ngutshme të organizimit të rezistencës e të luftës së përbashkët kundër agresorëve të njëjtë. Mundësitë tona për t’u përballur me ta ishin ato që dihen. Një vend i vogël, i pa njohur e i pa mbështetur ndërkombëtarisht, me potenciale njerëzore e luftarake modeste. Atyre u shtohej dhe një rrethanë tjetër trishtuese, që e rëndonte më tej situatën, edhe ashtu të rëndë. I pari i vendit, Ahmet Zogu, ish mbreti dhe komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura, iku i pari, në mëgjesin e asaj dite të zezë, duke e lënë vendin në mëshirën e fatit, pa drejtim e pa mbrojtje, çka shtoi konfuzionin e pasigurinë dhe u dha mundësi agresorëve fashistë që pa shumë vështirësi, brenda pak ditësh të pushtonin vendin. Situata e krijuar kërkonte bashkimin e forcave patriotike pa dallim e paragjykim, për të ngritur në këmbë, sa më shpejt që të ishte e mundur një rezistencë që të përballej me dinjitet me okupatorin, të shkatërronte planet e tij për shkombtarizim e fashistizim të jetës së shoqërisë shqiptare, të çlirojë e të shpëtojë vendin. Dhe këtë detyrë iu ra barra që ta përballonin forcat e reja, që sapo ishin shfaqur në arenën e historisë shqiptare, të panjohura ende, në vend e jashtë, siç ishin PK, e themeluar në nëntor 1941 dhe Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i krijuar me inisiativën e saj pas afro një viti, në shtator 1942.

– Sidoqoftë, bashkëpunimi me jugosllavët kishte disa barriera thuajse të pakapërcyeshme, e kaluara e hidhur e mbushur me armiqësi shekullore, me gjenocid e drama të panumërta, me Kosovën në mes… Si mund bashkëpunohej në këto kushte?

 

– Po, kjo është plotësisht e vërtetë. Mirëpo, të vetëm, të izoluar, pa aleatë e pa mbështetje jashtë, siç ishte vendi, Lëvizja e Rezistenca që po përgatitej, nuk do të mund të arrinte objektivat që priste populli, pasi do të përballej me armiq të egër e mizorë, dy fuqitë më të mëdha e më të rrezikshme agresore të kohës, Italinë fashiste dhe Gjermaninë hitleriane. Vërtetë ato e kishin gjithë vullnetin e vendosmërinë që, pa marrë parasysh sakrificat, t’i hynin kësaj ndërmarrjeje të vështirë. Mirëpo, vetëm ato nuk mjaftonin. Në ato momente të rënda duhet të merreshin vendime të guximshme, që të tronditnin struktura dhe mentalitete të vjetra, të rrënjosura me kohë në vetëdijen e njerëzve; duhet t’u shtrije dorën e bashkimit për hir të interesave të vendit atyre që në kapitalin e diskursin politik kishin vetëm urrejtjen ndaj komunizmit, e jo dhe aq ndaj okupatorit, megjithëse komunizmin s’e shihnin gjëkundi, as në programin dhe as në propagandën e forcave të reja, për të bashkuar e mobilizuar në luftë të gjitha forcave patriotike ne vend. E krahas kësaj dhe për t’u lidhur e bashkëpunuar me vendet fqinje, përfshi dhe Jugosllavinë, që ashtu si ne, ishin bërë viktima të agresioneve nazifashiste. Të dy këto detyra, ishin një imperativ i kohës, kusht sine qua non, pa të cilin lufta do ta kishte të vështirë, në mos të pamundur, të arrinte përmasat e duhura e të përballej me dinjitet me forcën ushtarake të armikut. Mirëpo, në të dy këto drejtime, në ate të bashkimit të shqiptarëve, të forcave politike pa dallim e aq më tepër në krijimin e lidhjeve me fqinjët, përfshi dhe Jugosllavinë, ekzistonte një trashëgimi e rëndë, me probleme të mprehta, të bartura nga e kaluara, që kishin rrënjosur në popujt një mentalitet të vjetër, që gjërat shiheshin si tabu, të palëvizshme, që duheshin lënë siç i gjetën, pa trazuar e ndryshuar asgjë dhe vendet e popujt të armiqësuar e të përçarë, që t’i sundonin e t’i shfrytëzonin me lehtësi. Për ne, një qëndrim e hezitim i tillë justifikohej në njëfarë mënyre, po të kemi parasysh çfarë u kishin punuar shqiptarëve serbomëdhenjtë, jo vetëm me aneksimin e Kosovës, për të cilen fajtore ishin dhe Fuqitë e Mëdha të kohës, por dhe për gjenocidin, masakrat e dëbimet masive nga trojet etnike, për të cilat ishin fajtorë vetëm ata. E megjithatë, PK dhe Fronti ishin të vendosur të ecnin në këtë rrugë. Që të arriheshin objektivat e parashikuara, Lufta e jonë nuk mund dhe nuk duhet të ishte e izoluar, e shkeputur nga bota progresiste, nga vendet e Bllokut Antifashist, por pjesë integrale, e lidhur ngushtësisisht me ta e me luftën që udhëhiqnin aleatët anglo-sovjeto-amerikanë. Kështu me angazhimin e kontributin e secilit vend dhe të gjithëve së bashku do të mund të arrihej përmbushja e detyrës numër një të kohës, mposhtjen e agresorëve nazifashistë, shkatërrimin e mitit të pathyeshmërisë së ushtrive të tyre, e shpëtimin e njerëzimit nga humnera ku po e çonin.

– Si vepruan komunistët shqiptarë dhe Fronti Nacionalçlirimtar për t’u futur në një llogore me jugosllavët?

– Në rrethana të tilla, PK dhe Fronti Nacionalçlirimtar do të shpallnin politikën e afrimit e të bashkëpunimit me vendet fqinje e në këtë kuadër dhe me Jugosllavinë, duke kërkuar që për momentin të liheshin mënjanë problemet e bartura nga historia dhe të angazhoheshim së bashku në luftë kundër armiqve të përbashkët. Me këtë akt u jepej atyre mesazhi i kohës, mesazhi i duhur e krahas tij dhe një shembull konkret, ngritja mbi paragjykimet e së kaluarës, për të ndërtuar marrëdhënie të reja, në përputhje me obligimet që kërkonte koha. Në fund të fundit a nuk vepruan kështu dhe Fuqitë e Mëdha armike, Shtetet e Bashkuara dhe Anglia nga njëra anë me Bashkimin Sovjetik në anët tjetër. Pavarësisht se të papajtueshëm në ideologji dhe sistemi, për hir të mposhtjes të një të keqeje shumë të madhe që kanoste mbarë njerëzimin, ato u bashkuan dhe e fituan atë luftë.

Ishin dy rrethana që të shtynin dhe e kërkonin medomos marrjen e një hapi e vendimi të tillë. Së pari, këtë e kërkonin me kembengulje aleatët e Koalicionit Antifashist e plotësimi i saj shpresohej se do të kishte impaktin e duhur në raportet me ta, në njohjen dhe mbështetjen e luftës në Shqipëri, që do të kishte rëndësi shumë të madhe për luftën, por dhe për të ardhmen e vendit pas saj. Së dyti, në marrjen e një vendimi të tille ka ndikuar pa dyshim dhe faktori Kosovë. Një lëvizje e tillë mendohej se do të hapte rrugën për të depërtuar në Kosovë, për të punuar e kontribuuar së bashku me organizmat e Lëvizjes Kosovare në ngritjen e shqiptarëve të Kosovës në luftë, siç po bënin vëllezërit e tyre në Shqipëri, në mënyrë që kombi shqiptar të paraqitej unik e kompakt, i bashkuar e i angazhuar i tëri në luftë, së bashku me fqinjët, siç e kërkonin aleatët. Mjafton dhe kaq për të kuptuar se lidhja me vendet fqinje, përfshi dhe Jugosllavinë, ishte e justifikuar, e domosdoshme e, pavaresisht problemeve, edhe e dobishme. Një politikë e tillë, mendohej se do të çonte dhe në zbutjen e armiqësive të trasheguara. Lufta e përbashkët kundër armikut të përbashkët, do të ndikonte në krijimin e një klime e fryme të re në marrëdheniet midis popujve. Dhe këto u vërtetuan e u tejkaluan. Shumë shpejt u arrit që në zonat kufitare të ngriheshin njësi partizane me luftëtarë, nga të dy anët e kufirit dhe të ndërmerreshin së bashku luftime kundër armikut, një gjë e pa imagjinueshme më parë, një ndryshim i madh në mentalitetin e tyre. Nuk duhet mohuar fakti që në këtë proces, forumet e luftës në Shqipëri kanë përfituar, sidomos në fazën fillestare, nga përvoja e organizimit të luftës dhe ngritjes së njesive partizane në vendin fqinj. Më në fund, shpresohej se Jugosllavia do të ishte një faktor pozitiv dhe në afirmimin e njohjen e ndërkombëtare të luftës së popullit shqiptar, duke patur parasysh sidomos lidhjet e ngushta të Jugosllavisë me aleatët.

– Megjithatë, sikurse ka treguar historia, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave në atë kohë nuk shkuan si në vaj. Ka patur shumë vështirësi, apo jo?

– Keni të drejtë. Sepse, me gjithë ndryshimin që solli lidhja e bashkëpunimi në disa aspekte, sidomos në fazën fillestare, shumë shpejt do të shfaqeshin probleme e mospajtime serioze, që do t’i bënin të veshtira raportet me ta e gradualisht do të shoqëroheshin dhe me ballafaqime e kundërshtime për çështje parimore. Dhe në fokus të tyre do të ishte,  në menyrë permanente Kosova, vizioni dhe qëndrimet ndaj saj. Tashmë është provuar me dokumente të kohës, që sillen dhe në punim, se udhëheqja e PKJ u përpoq të shfrytëzojë lidhjet me Shqipërinë, për të përgatitur terrenin që Kosova të mbetej dhe pas lufte nën sundimin serb e jugosllav. E sikur të mos mjaftonte kjo, në planet jugosllave synohej që dhe vetë Shqipëria të përfshihej në federatën jugosllave të pasluftës, si republikë e shtatë e saj. Dhe pikërisht këto synime u bënë shkak për ballafaqime të vazhdueshme me përfaqësuesit jugosllavë, që u përpoqën me të gjitha mënyrat të nënshtronin udhëheqjen e luftës dhe të vendosnin hegjemoninë e diktatin mbi Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, që ajo të varej e të merrte urdhra e direktiva nga Beogradi, pasi në të kundërt, sipas emisarëve jugosllavë, ajo nuk do të mund të arrinte objektivat e veta. Një pikëpamje e tillë sigurisht nuk mund të pranohej nga udhëheqja shqiptare. Në punim janë përshkruar me hollësi kundërshtimet, debatet e ballafaqimet me emisarët jugosllavë, veçanërisht me S.V. Tempon, anëtar i shtabit kryesor të Jugosllavisë, i derguar i posacem i Titos në Kosovë e në Maqedoni, me synimin që të shkepuste Kosovën e viset shqiptare në Maqedoni nga çdo lidhje e ndikim të Shqipërisë, respektivisht të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Shqipërisë. Megjithatë, edhe përkundrejt qëndrimeve të tilla, të cilat mendohej se nuk shprehnin qëndrimin zyrtar të PKJ e se ato mund të kaperceheshin duke u kontaktuar e informuar drejtperdrejt Titon, PK dhe Fronti ishin të vendosur të ecnin në rrugën e përcaktuar në Konferencën e Pezës, të bashkimit të shqiptarëve dhe forcave politike brenda vendit e në të njëjtën kohë dhe krijimin e forcimin e lidhjeve e të bashkepunimit me lëvizjet antifashiste në vendet fqinje, përfshi dhe Lëvizjen Jugosllave. Prandaj, krahas përballimit të prapësive të tyre, ata u shtrinë dorën dy palëve, forcave politike brenda dhe fqinjëve jashtë, duke u kërkuar të parës bashkim dhe të dytës, fqinjëve bashkëpunim në luftë, për hir të interesave të vendit e të luftës së përbashkët. Enver Hoxha, udhëheqës i Frontit dhe i luftës i kërkoi në Pezë, më së pari A. Kupit bashkim për luftë, për të çliruar dhe shpëtuar vendin e ai për momentin u përgjigj pozitivisht dhe kjo kishte padyshim rëndësinë e vet. Ia kërkoi këtë dhe Mit`hat Frasherit, por ai refuzoi kategorikisht. Po ashtu dhe Bajraktarit, sundimtarit të Lumës, që gjithashtu e refuzoi, madje duke e quajtur herë një manovër të komunistëve, që nuk u duhej besuar, e herë të tjera një loje çiliminjsh, që s’mund të bënin kurrë gjëra serioze siç ishte dhe lufta.

E njëjta logjikë, të njëjtat pengesa do të shfaqeshin dhe në përpjekjet për vendosjen e lidhjeve dhe bashkëpunimit aq të nevojshëm me fqinjët. Për të kapërcyer ato, për të krijuar premisat e duhura për afrim e bashkëpunim me fqinjët sllavë e grekë,duhet të mereshin vendime të mëdha, të guximshme që i kërkonte koha, i kerkonin momentet që kalonte vendi dhe bota, por i kerkonin me insistim dhe aleatet anglo-sovjeto-amerikanë, e udhëheqësit e tyre largpamës, Ruzvelt, Stalin dhe Çërcill, që kishin dhënë vetë të parët shembullin se si duhet t’i përgjigjeshim momentit historik, për të përballuar agresorët nazifashistë, për të ndalur rrokullisjen drejt humnerës, ku po e çonin botën. PK dhe Fronti patën kurajon që të shpallin publikisht vendimin e marrë në Konferencën e Pezës,per t’u rreshtuar në një front lufte me aleatët dhe me fqinjët, që ashtu si ne, ishin bërë viktima të agresioneve nazifashiste. Nje politike e tille do të krijonte tërmet në qarqe të caktuara, në të dy vendet, që ishin mesuar të kundërshtonin çdo lëvizje që i shërbente afrimit e bashkimit të popujve, pasi ata i donin të përçarë e në lufte njeri me tjetrin, që t’i sundonin me lehtësi. Por, kohët kishin ndryshuar dhe, ne përputhje me to, duhej ndryshuar dhe politika.

Nga ana tjeter nuk duhet harruar se në ate kohë çdo lëvizje e Shqipërisë, udhëheqjes së saj, e drejtuar nga Kosova, ndiqej me vemendje, jo vetëm nga udhëheqësit e PKJ, por dhe nga aleatët dhe adresoheshin menjëherë qortime e kërkesa që të respektohen kufijtë ekzistues e të mos dilet jashtë kuadrit të tyre. Këmbanat binin mbi Enver Hoxhën dhe bashkëpunëtorët e tij që çështjen e Kosovës e të ardhmen e saj, e shikonin të pandarë nga Shqipëria, vendi amë, pasi pa njeri tjetrin nuk kishim të ardhme. Dhe kjo e ardhme do të sigurohej me luftën tonë bashkë me aleatët dhe me vendet fqinje, përfshi dhe Jugosllavinë. Në kuadër të tyre do të krijoheshin dhe premisat për të mbështetur e ndihmuar dhe Lëvizjen kosovare, që edhe ajo të kuptojë obligimet që kërkoheshin në ato momente, për t’u ngritur në luftë kundër okupatorëve nazifashistë që përbente detyrën numër një të kohës, duke u shkëputur nga iluzionet që krijoi “bashkimi” me Shqipërinë, i joshur e i realizuar nga okupatori, qëllimisht për të mpirë gjykimin e shqiptarëve, për të neutralizuar veprimin e tyre politik e organizativ. Ajo duhet të mbante parasysh paralajmërimin e aleatëve se e drejta e vetëvendosjes fitohej jo duke qëndruar duarlidhur dhe aq me pak duke u rreshtuar e bashkëpunuar me okupatorin, apo krijesat e tij, siç ishin Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Divizioni Skanderbeg, por duke u ngritur me luftë kundër tyre,  siç po bënin dhe vëllezërit e tyre në Shqipëri.

– Profesor, në mbyllje të kësaj interviste, po bëjmë një kapërcim, duke u kthyer në kohën e sotme. Nisma “Ballkani i hapur” ku bën pjesë edhe Shqipëria, duket si një rikthim në bashkëpunimin shqiptaro-jugosllav të 80 viteve më parë. Sa qëndron sipas jush kjo tezë dhe a duhet mbështetur një nismë e tillë?

– Vlera e rezistencës ndaj synimeve jugosllave, natyrisht duhet parë, jo thjesht e vetëm në planin historik, për të njohur historinë e vendit. Por dhe për mësimet që na i përcjell, për të kuptuar kompleksitetin e situatave dhe marëdhënieve me fqinjët sot, për të ndërtuar raporte, sa më të drejta, me interes reciprok, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e secilit vend, pra dhe të Shqipërisë e të Kosovës.

Në këtë vështrim, janë të papranueshme skenaret për shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh, pavarësisht se ku përpunohen dhe kë synojnë të kënaqin. Në këtë prizëm duhet parë dhe nisma “Ballkani i hapur”. Rezervat e shfaqura duhen kapërcyer me vullnet politik e me dialog, duke vlerësuar më së pari elementet pozitivë, avantazhet që sjell kjo nismë. Sot Kosova dhe Serbia ndodhen përballë sfidave dhe problemeve të mprehta që presin të diskutohen e të zgjidhen përmes bisedimeve te drejtpërdrejta, të inicuara nga faktori ndërkombëtar. “Ballkani hapur” mund të luajë rolin e vet dhe të kontribuojë në krijimin e klimës së duhur që ato t’i arrijnë qëllimit, njohjes së realiteteve të pakthyeshme, më së pari pavarësisë se Kosovës, si premisë e domosdoshme për të ecur më tej dhe me zgjidhjen e problemeve të tjera që preokupojnë dy vendet. Politikanët e Kosovës duhet të kenë më shumë besim në iniciativat e Tiranës zyrtare, që ato të shihen e të çmohen siç e meritojnë, duke hedhur prapa krahëve xhelozitë e dyshimet për njëri tjetrin. Edi Rama është një kryeministër me vizion e iniciativë, në raste të caktuara dhe i pa parashikueshëm, por pse është i tillë, ka fituar një reputacion e mbështetje, si rrallë kush nga politilkanët shqiptarë dhe ato i ka shfrytëzuar në të mirë të Shqipërisë e të Kosovës. Ai ka një meritë në mbajtjen gjallë të lidhjeve në mes dy qeverive, përmes mbledhjeve, aktiviteveve e projekteve të perbashkëta. Edi ështe i vetmi kryeministër që nuk ka lënë rast pa kërkuar që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, një realitet i pakthyeshëm dhe Kosova të zërë vendin që i takon në organizmat ndërkombëtare, si në OKB, në Këshillin e Europës, në BE e në Nato. Dhe këtë e ka bërë me kurajo të rrallë në Beograd, në kryeqytetin e Serbisë, por dhe në Bruksel, Uashington, Paris e Londër, etj. ku përpunohen politikat e BE dhe Natos. Me një diplomaci të kohës ka ditur të përcojë mesazhet e duhura tek aleatët dhe të fitojë besimin e tyre, sidomos të SHBA-së, aleatit kryesor strategjik. Nuk është e rastit zgjedhja e Shqipërisë për dy vjet si anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kryesues i tij në muajin në vazhdim, çka flet për rritjen e rolit të saj në politikën botërore, si anëtar i Natos dhe kanditat potencial për në BE. Kosova, gjithashtu është një vend i lirë e i pavarur, që gëzon mbështetjen pa rezerva të SHBA dhe BE, për anëtarsim në BE e në Nato. Këto zhvillime duhet të njihen e të çmohen nga fqinjet, si faktor pozitiv që i shërben rritjes së peshës e të rolit tyre në politikën botërore, por dhe paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik të rajonit, popujt e të cilit i lidhin ngushtësisht e kaluara, historia, por dhe vlerat e synimet e sotme të përbashkëta për t’iu bashkuar botës së qytetëruar, me anëtarsimin në Bashkimin Europian e në Nato. Në kontekstin e zhvillimeve të fundit, rritja e komunikimit, mirëbesimit dhe bashkëpunimit në mes vendeve të rajonit bëhet më e domosdoshme se kurrë. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, që përbën një sfidë e rrezik për paqen dhe sigurinë në Europë e më gjerë, kërkon reflektimet e duhura sidomos në këtë zonë strategjike, të lakmuar nga fuqi që janë gati për aventura ushtarake. Agresioni rus ndaj Ukrainës tregon se asnjë vend nuk është i përjashtuar nga kërcënimi e rreziku i tyre. Prandaj, si në vitet e Luftës së Dytë Botërore edhe sot na duhet qartësi mendimi e unitet veprimi, që krijojnë ura komunikimi e mirëkuptimi në mes popujve dhe vendeve. Ato janë të domosdoshme sidomos për vendet e një rajoni, ku kryqëzohen interesa e synime të faktorëve që nuk ndalen para përdorimit të forcës për arritjen e tyre.Ky është dhe mesazhi që përcjell punimi.

DITA

 

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode