HOJA I KRYEDRENËS - Tregim për fëmijë e të rinj

Tregim

 

HOJA I KRYEDRENËS

Tafil DURAKU

 

Kështjella e Kryedrenës e kishte një pozitë të jashtëzakonshme strategjike. Kudo përreth dominonte një pamje mrekullishë magjepsëse. Një terren i thyer bjeshkor me male të mëdha e të larta, me udhë të kalldremta e kërrshllajore. Kështjella ishte ndërtuar në një pozitë me lartësi të madhe mbidetare dhe atë e kishte punuar një dorë e përkryer mjeshtërore, që e thërrisnin Delmer Dalma-Mjeshtri. Rrafshet e grykave magjithithëse i përshkonte gjarpërueshëm lumi ujëbollshëm Drinilir, që gurgullonte pa pushim dhe oshëtinte gjithandej, duke dhënë në çdo skutë kushtrimin e valëve të veta zgjimtare.

Të kënaqej syri kur vështroje me krenari pamjen e magjishme përreth e në atë ujë të kristalstë dukej se vallëzonte e ballëzonte vetë Kështjella. Vetëm koha dhe natyra e madhërishme që kishte ditur ta krijojë e skalis me aq mjeshtri pozitën e Kështjellës së Kryedrenës në atë majekodre dhe dora mrekullibërëse e njeriut punëtor që e kishte bërë atë kështjellë si të mbirë dheu, në harmoni të plotë me natyrën e egër të drurishtës e shkrepishtës që e rrethonin. Banues i përhershëm i atyre maleve të larta e bukurishkrira ishte dreri vendor, sipas të cilit banor autokton i kishin dhënë emrin e bukur: Drenishtë, dhe, kudo njihej me këtë emër të lavdisë së maleve tona që bënë historinë.

Kështjella e Kryedrenës, në Drenishtë, ishte madhështore dhe kishte një histori të padëgjuar lavdie nëpër kohë e rrethana të liga, të cilave u kishte mbijetuar në shekuj. Atë e rrethojnë shumë lumenj me emrin Drinilirë. Kryeplaku i kështjellave, siç e quanin kryekështjellarin Danë, që shquhej e njihej për pamjen mbretërore të lashtësisë së tij ilire, për uritinë e tij, endej pa pushim horizonteve mahnitëse të kështjellës së krenarisë dhe vështronte me kujdes punët mbresëlënëse që ishin kryer nga i ati i tij ilir, muranën me trashësi gati dymetërshe, bedenat, udhët brenda hapësirës së kështjellës, pemët, bimët dhe barishtet e shumta…

Kryekështjellari Danë qëndronte madhështor në fronin e tij. Ai shquhej për gjithçka dhe kështjella e tij përmendej për të mirë në tërë mbretërinë e mbretit Agron dhe mbretëreshës Teutë. Ajo që e shquante këtë Kështjellë prej kështjellave të tjera ishte uritia, etja e madhe për urti, dashuri, dije e zgjuarsi. Këtë dhunti e trashëgonte nga të parët e tij, kryekështjellari Danë, i cili, donte t’ua linte trashëgim brezave të tij të ardhshëm, shqiptarë.

Oborri madhështor i Mbretërisë së Kështjellës së Kryedrenës gumëzhinte prej luftëtarëve që gatiteshin e ushtronin vazhdimisht për mbrojtjen e saj, gumëzhinte prej burrave e prej frave fisnike, prej punëtorëve fisnikë e të palodhshëm, e, falë të gjithave begative, gumëzhinte edhe prej fëmijëve të hareshëm dhe lojërave të tyre pa pushim, që bënin fëmijët dhe të rinjtë kudo, derisa binte terri i natës. Err e terr luheshin lojërat e fëmijëve e të rriturve, të njohura me emrin “Lojërat e Zgjuarsisë”, të cilat përcilleshin nga oborrtarë të zgjedhur prej vetë kryekështjellarit Danë, që, shpesh, ua kishte kujtuar e rikujtuar, nipërve e mbesave, stërnipërve e stërmbesave, fshehtësinë e kësaj kështjelle, Hojën e Kryedrenës, i cili, sipas mitologjisë lashtësore autoktone, do t’i merrte e do t’i trette dikah, pa gjurmë, fëmijët që nuk i dëgjonin këshillat e prindërve dhe më të moshuarve të kështjellës, poqëse ata nuk do të flinin mirë, kur të binin në gjumë… Nipat dhe mbesat frikësoheshin, sa herë u kujtohej Hoja* dhe tregimet për Hojën.

– Vetëm gjumi ju rritë dhe ju bën të zgjuar e të fortë!, – u thoshte i pari i Kështjellës së Kryedrenës, fëmijëve, para se ata të binin në gjumë. Por, kurdo që u del gjumi, edhe pa zbardhur drita e agut, mos rrini më ratë, se sëmureni. Kur të flini, flini mirë. Kur të zgjoheni, zgjohuni të fortë e të ditur, se gjumi i mirë u ndihmon për çdo gjë. Kur punoni, atë që punoni, mësohuni ta bëni mirë e pastër, kur … Ata fëmijë që lazdrohen e nuk flejnë mirë, e me kohë, i merr Hoja dhe i çon hej larg e s’i lejon të kthehen kurrë më!…

Fëmijët e të rinjtë e panë me habi Kryekështjellarin mjekërrgjatë e mjekërrbardhë, që i rrinte nën fytyrë, mjekrra, si bora në një shkëmb mali zemërbardhit, atë mbrëmje të bukur pranvere, kur ishin tubuar nën Krekcin mijëravjeçar dhe loznin lojën xiu-xiu e lojëra të tjera, që, për të kushedisatën herë i kishte përcjellur në atë lojë dhe nëpër lojëra të tjera Plaku i urtë i Kështjellës. Tashmë, rreth e qark Plakut të Kështjellës u grumbulluan saora të gjithë fëmijët e të rinjtë kureshtarë, të cilët kënaqeshin me praninë e kryeidhullit të tyre fytyrëpraruar e pamjedielli!...

Gëzimi i fëmijëve dallohej në fytyrën e secilit. Por, sikurse ngurronin ta pyesin për Hojën, për Hojën e Kështjellës së Kryedrenës, që ua bënte fenë baski! Flinin si qengjat, e zgjoheshin të fortë si luanët. Cilin e shihte Kreykështjellari, i dukej se, me e kapë edhe thiun për bishti, e ndalte!...

– Cila lojë u pëlqen më shumë?, – i pyeti Kryekështjellari, derisa ata luanin lojën e tyre të preferuar, Petas! Dhe, u tha: Të parët tanë na kanë mësuar e lënë trashëgim shumë lojëra shkathtësishë fizike e mendore, si: Flamuras, Thedoras, Shokas, Lidhas, Rrokash, Shpatash, Shkabash, Notas, Pingul, Kryeshyt, Barkas, Shpinash, Bahesh, Zogash, Flutrash, Zojash, Guxhas, Petas, Pilifinc, Xhitash, Sokolash, Koshash, Kutekliçkash, Sorrash, Kuleçsh, Venash, Vrimash, Drushenjash, Kalixhah, Fluturimash, Valltash, Pampurash, Rrepash, Gurapesh, Pupas, Largas, Lamash, Lartas, Ballanash, Rrepash, Rrasapetash, Brecash, Arrash, Byrykash, Anxash, Grejzish, Brinash, Bletash, Mjaltash, Pritash, Symsheltas, Hokash, Iliktushash, Pullash, Sumllash, Shigjetash, Shtrigash, Gjetash, Kuajsh, Pelash, Bletash, Burojash, Zotash, Provash, Zankash, Rrethash, Shkrepash, Sajash, Skiash, Zanash, Zgjimash, etj. E, netëve të gjata të dimrit, luanim: Kapuçash, Letranumrash, Prrallash, Fluturon-Fluturon, batiballak, Xinxallash, Shallash, Shokash, etj.

– Kur do na i mësosh të gjitha këto lojëra, o Gjyshmadhi i ynë!, – thanë gati njëzëri të gjithë të pranishmit e interesuar, që curruan sy e veshë për ta dëgjuar kryekështjellarin Danë. Prej të gjithëve dalloheshin: Uritik Zjarri, Janis Urti, Sydiell Brini, Erion Bleta, Dionis Olimpi, Poseidon Kulla, Zogart Malli, Mjaltin Zgjoi, Euklat Zotaj, Petrit Faraoni, Urtiart Brozi, Uritik Vala, Molik Masoni, Hojenis Plaku, Ulart Shkëmbi, Uliks Joni, Telion Masa, Zgjonis Egjeu, Shqipjon Shkaba, Mjaltin Troja; Uritikë Flaka, Jonidë Laku, Jonerë Jugu, Jenisë Shtati, Gjetianë Fara, Mjaltinë Maja, Teugjetë Froni, Siborë Vranina, Euridikë Trofta, Troftianë Mrena, Gjeonisë Mrizi, Mrizianë Shtiza, Euklianë Gjeta, Gjakomirë Jona, Jonanë Gjiri, Teogjetë Miri, Hojenisë Adriati, Norilë Mokna, Dashkë Kopeja, Sylirë Zgjimi, Symirë Qielli, Qillionë Kaltra, Ulianë Barka, Bojanë Shtiza, Noridë Mali, dhe shumë fëmijë e të rinjë e të reja të tjera.

– Po, ku është Hoja?, – e pyetën fëmijët kureshtarë, Kryekështjellarin Danë.

– Bijtë dhe bijat e mia, Hoja është, kudo, me ju. Në lojërat tuaja, kudo që shkoni e çkado që bëni, ditën dhe natën, ai ju shikon, ju sheh  dhe ju përcjellë me kujdes, por, kur ju nuk i dëgjoni prindërit tuaj dhe të moshuarit e tjerë të kështjellës, kur nuk i respektoni siç i kemi respektuar ne të parët tanë dhe ata para nesh të parët e tyre, ai hidhërohet për bëmat tuaja të këqija, prandaj, mos u bëni si gratë e këqija, ato llafet i kanë kur përcjellin njëra-tjetrën, e, ju, kur bini në gjumë!... E, për të mos u marrë Hoja, për të mos ju tretur hej larg-larg nga vatra, bini e flini mirë dhe zgjohuni të fortë e të lirë, se, vetëm kështu i bini rrotull pleqërisë, i dilni krah Kështjellës, i thyeni turinjtë robërisë, e mbani gjallë veten!... Kush e ka bukën, e fiton luftën, ju paçim! Uritika është thelbi i diturisë! Hoja, do rend te fëmijët!...

Teksa u kujtoheshin këto, Uritiku dhe Uritika po putheshin e përqafeshin me plotafshin e tyre rinor, duke adhuruar njëri-tjetrin pa sherr, buzë Drinilirit të lashtë sa vetë kjo tokë!...

Dielli, tashmë, kishte përqafuar Kështjellën dhe bukuritë përreth. Një ditë e bukur vere, që vetëm Zotat kishin ditë me e falë! Cicërimat e zogjve të zgjuar që me natë dhe puputë, gugutë e turrturret e shpendëve të tjera dëgjoheshin gjithandej horizontit pa fund, derisa Uritiku ia rrëfente ëndrrën e paparë ndonjëherë, Uritikës së tij të dashur!... Ia kujtoi edhe porosinë e gjyshit Kryekështjellar: – Kurrë kë mos e ngucni përpara, e kur ju nguc dikush, thejani kryet!... Për këtë virtyt njerëzor na donte, na mësonte dhe na çmonte shumë kryekështjellari i ynë.

_______________

*) HOJA, figurë e mitologjisë shqiptare, e trashëguar nga lashtësia ilire. Përshkruhej si frymë, si shpirt i etur për uriti, që ruan e kujdeset për fëmijët, për rendin dhe rregullin te ta, të cilët edhe i ndëshkonte, kur bënin sherre e nuk i dëgjonin këshillat e prindërve dhe më të moshuarit se ata. Hoja është figurë mitologjike që shoqëron fëmijët kudo, deri në moshën e tyre madhore, kur burrënohen.

Burojë, mars 1970

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Create a free websiteWebnode