HISTORI
HISTORINË E BËJNË LUANËT QË HIDHEN NË ZJARR
ENVER KUSHI
Në të përditshmen “Dita”, të datës 13 prill 2019, u publikua lista e 265 personave përgjegjës për krimet e luftës, marrë nga monografia “Krimet e komunistëve gjatë Luftës 1941 – 1945”, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Publikimi i kësaj liste ka trazuar opinionin publik shqiptar, veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasarardhësit e luftëtarëve partizanë dhe dëshmorëve të rënë në betejat kundër pushtuesit nazifashistë.
Pas viteve ’90 në tregun mediatik shqiptar e më gjerë, janë shkruar dhe hedhur ide nga më të skajshmit lidhur me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe periudhën e viteve 1945 – 1990. Në këto 30 vite, si asnjëherë tjetër të historisë së tyre, shqiptarët i ka ndjekur si makth e kaluara, veçmas anatemimi i antifashizmit dhe antifashistëve, që e radhitën Shqipërinë në koalicionin e madh të fitores. Si asnjëherë tjetër kjo e kaluar i ka turbulluar keqas mendjet e shqiptarëve dhe i ka përçarë po keqas ata, duke errësuar pse jo edhe të ardhmen e perspektivën europiane të “vendit të shqipove”. Ne kemi në Europë shembuj kuptimplotë si është trajtuar kjo e kaluar, duke e vlerësuar e gjykuar me gjakftohtësi atë, larg akseseve, konfrontimeve, apo gjykimeve “in extremis” të saj. E pandryshuar në këto gjykime ka mbetur vlerësimi i Antifashizmit, si një nga vlerat e patjetërsueshme të njerëzimit dhe Europës moderne.
Në Shqipëri, që prej tre dekadash për fat të keq kjo e kaluar vazhdon të qëndrojë kobshëm mbi qiejt gri të tranzicionit të tejzgjatur, rraskapirës e çoroditës të Shqipërisë. Me të drejtë Viktor Çami, një nga publicistët dhe intelektualët vizionarë shqiptarë, ndonse ka jetuar shumë pak në Shqipëri, në librin e tij, “Letra nga Mërgimi” (botim i vitit 2000), ka shkruar: “Kam përshtypjen, se në Shqipëri inskenohen akte që i përkasin më tepër teatrit të absurditetit politik, bile me një stil tejet mediokër”.
Le t’i kthehemi listës së lartpërmendur, ku mes 265 “kriminelëve të Luftës Antifashiste”, janë përfshirë tre emra me origjinë nga Çamëria: Rexhep Plaku, Rexhep Çami dhe Bido Sejko, të njohur nga opinioni çam, shqiptar dhe grek, si dhe studiuesit, që janë marrë me Antifashizmin në Çamëri dhe kontributin e popullsisë çame në rezistencën antifashiste.
Jo vetëm rrënjët e mia nga Çamëria, por edhe pjesëmarrja aktive e të parëve të mi në rezistencën antifashiste çame, më bëjnë jo vetëm krenar, por edhe të ndjeshëm ndaj kësaj lufte apo akuzave, që vijnë nga qarqe të caktuara përtej dhe këtej kufirit, që mohojnë dhe baltosin këtë rezistencë.
Antifashizmi çam është një dimension e rëndësishëm i historisë së Çamërisë dhe popullsisë së saj. Rezistenca antifashiste e çamëve i bën nder Çamërisë, sepse në momentet dramatike që po kalonte kjo krahinë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, bijtë e saj bënë zgjedhjen e duhur e të mençur, duke u radhitur në anën e drejtë të historisë. Kjo nuk ishte aq e lehtë, sepse siç shkruan historiani Hasan Minga, në librin “Çamëria vështrim historik”(viti 2006) : “Problemet e akumuluara prej kohësh, vrasjet e nxitura nga qarqet shoviniste, veprimtaria përçarëse e pushtuesit dhe politika thellësisht armiqësore e Zervës ndaj popullsisë shqiptare, e bënin shumë të vështirë bashkimin e popullit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Megjithatë popullsia e Çamërisë e gjeti rrugën për të dhënë ndihmesën e saj në këtë luftë”.
Do mjaftonte të përmendim vetëm disa fakte për të nënvizuar këtë kontribut. Kështu, në fillim të vitit 1942, u krijua në Filat grupi ilegal i Rezistencës dhe më pas, sipas historianit të njohur, Hajredin Isufi, në fillim të janarit 1943, u krijua çeta antifashiste. Nismëtar për krijimin e këtij formacioni u bënë, Musa Demi dhe Prokop Shqevi, mësues i shkollës greke në Filat. Në këtë qytet nga Shqipëria vinin djemtë e tij, që ishin në radhët e antifashistëve shqiptarë, si Taho e Teme Sejko, Ali Demi, Veip Demi, Vehip Huso etj., që sipas të njëjtit studiues “bënin plane për koordinimin e veprimeve dhe bashkëveprimin e çetës mikse të Çamërisë me komandën partizane të Konispolit, që drejtohej nga çifligari i madh dhe antifashisti i orëve të para Rexho Plaku dhe Haki Rushiti”.
Veip Demi në “Referatin politik dhe organizativ në Kongresin e çamëve”(Vlorë më 23 shtator 1945), mes të tjerave ka thënë :”Që në fillimet e Lëvizjeve Nacionalçlirimtare, bijtë më të shëndoshë të këtij vendi hidhen në luftë dhe nga fillimi i vitit 1943, formohet formacioni i parë ushtarak, çeta mikste, që ishte e dyta në gjithë Epirin… Rinia me vrull shton rreshtat e ushtrisë në Batalionin mikst prej pesëqind e ca partizanësh në gjirin e Regjimentit të Pesëmbëdhjetë të ELLAS-it. Ky batalion përleshet në luftra kundra zervo-ballistëve e gjermanëve në Pleshavicë, Filat, Smarte, Lopës, Koskë e në shumë vise të Epirit”. Batalioni në fjalë mori emrin e Ali Demit, nje prej bijve të Çamërisë, rënë heroikisht në Kaninë, më 28 dhjetor 1943. Edhe historiani grek, Jorgos Margaritis, në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar”,(botuar në shqip në vitin 2008), shkruan :”Në zonë ekzistonte nje prani e rëndësishme, Fronti Çlirimtar Kombëtar dhe vepronin grupet e Ushtrisë Çlirimtare Popullore Greke, në mes tyre dhe grupi, i cili u emërtua Batalioni i katërt i Regjimentit të Pesëmbëdhjetë te Ushtrisë Çlirimtare Popullore Greke dhe që kishte në përbërjen e tij luftëtarë të krishterë dhe myslimanë”.
Prof. Beqir Meta, në librin “Tragjedia Çame (Tiranë 2007), citon edhe njërin nga biografët e zervës, Mihal Miridhaqi, i cili vë në dukje, se çamët nxorën mbi 1000 luftëtarë.
Një kapitull më vete, përbën lufta dhe rezistenca antifashiste në Shqipëri, veçmas në Konispol e fshatrat e tij, Delvinë etj. etj. Vlen të përmendim një nga betejat më të njohura dhe më epike, atë të luftës së Konispolit(5gusht – 28 shtator 1943). Historianët që janë marrë me këtë luftë, kanë nënvizuar faktin, se nga përmasat, kohëzgjatja, intensiteti i veprimeve luftarake, pjesëmarrja e gjerë e forcave dhe shumëllojshmëria e mjeteve të përdorura, ajo është nga betejat më të mëdha të Luftës sonë Antifashiste. Nuk dua të le pa përmendur edhe rolin e rëndësishëm, që kanë luajtur edhe shumë të rinj, që hynë në rradhët e antifashizmit çam, si Qamil Buxheli, Selim Islami, Mufit Sejko, që kam patur fatin ta njoh, apo Mufit Mushi, Zeliha Dojaka etj. Këto janë disa të vërteta historike të pamohueshme të kontributit të çamëve, gjatë Luftës Antifashiste, që krahas Batalionit “Çamëria”, që veproi andej dhe këtej kufirit, u inkuadruan edhe në formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si në Brigadat VI, VII, VIII, XII, XIX. Askush nuk mund të hedhë baltë mbi këto të vërteta. Askush nuk mund t’i mohojë këto të vërteta. Askush nuk mund t’i quajë “kriminelë”, luftëtarët dhe dëshmorët çamë. Sepse siç ka thënë Viktor Çami: “Historinë nuk e bëjnë delet e çala, por luanët që hidhen në zjarr.”
Tani le t’u rikthehemi Rexho Plakut, Rexhep Çamit dhe Bido Sejkos, që në listën e publikuar, radhiten si kriminelë lufte.
Rexho Plaku, është nga njerëzit me me autoritet dhe që popullariteti dhe respekti për të në Konispol e fshatra, si dhe në Çamërinë matanë kufirit, ka qenë dhe vazhdon të mbetet i madh. Ata që e kanë njohur nga afër, flasin për njeri të matur e të përmbajtur, fjala e mençur e të cilit nuk bëhej dysh. Ishte ky autoritet i padiskutueshëm i Rexho Plakut, që mobilizoi e mbajti ekonomikisht, jo vetëm çetën, por edhe një masë të gjerë luftëtarësh, ka shkruajtur Hasan Minga. Ai është realisht, krijues i çetës Çamëria dhe më vonë i batalionit me të njëjtin emër, si dhe ka merita të mëdha, për mobilizimin e popullsisë të rajonit të Konispolit dhe pellgut të Delvinës, në Lëvizjen Antifashiste. Nën komandën e Rexho Plakut, partizanët trima të Çamërisë e jo vetëm, zhvilluan, siç e theksuam më lart, një nga betejat më të mëdha ntë Luftës Antifashiste, Luftën e Konispolit, ku gjatë 55 ditëve u bënë qëndresë heroike nazistëve gjermanë.
Rexho Plaku u zgjodh në Konferencën e Pezës, ndonëse nuk mori pjesë në të, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar. Ai gjithashtu ishte anëtar i Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokastër dhe delegat i Kongresit të Përmetit. Ja vlen të theksojmë, se Rexho Plaku me cilësinë e anëtarit Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar, kërkoi me këmbëngulje, që aleatët të ndërmjetësonin dhe ndërhynin për mbrojtjen e popullsisë çame nga bandat kriminele të Zervës, por kërkesat e tij ranë të vesh të shurdhër.
Rexho Plaku është një nga personalitetet më tragjike të Çamërisë, i dënuar dy herë. Ky është një kapitull, që kërkon një shkrim më vete. Në vitin 1980 u lirua nga burgu dhe u dërgua në Karavasta, ku ndodhej e internuar e shoqja e tij, Merushe Plaku, i biri, Agimi dhe vajza, ku jetoi vetëm tre muaj. Ky është “krimineli” i luftës, Rexho Plaku, i cili është dekoruar pas vdekjes me “Urdhërin e Flamurit”, ndërsa Këshilli i Bashkisë së Konispolit i ka dhënë titullin, “Mirënjohje e Konispolit”.
Pak fjalë edhe për “kriminelin tjetër”, Rexhep Çami, që ka lindur në Filat në vitin 1895 dhe që i ri u bë pjesë e çetës së Dervish Himës, që vepronte në Labëri. Në vitin 1913 u caktua telegrafist, pranë Qeverisë së Vlorës dhe u vu përkrah Kongresit të Lushnjës dhe bashkë me Qeverinë e dalë nga ky Kongres erdhi në Tiranë, ku u caktua si telegrafist, në Kryeministri. Rexhep Çami mori pjesë në Revolucionin e Qershorit dhe me ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut, emigroi jashtë vendit, si në disa vende europiane dhe më vonë në Moskë, ku mbaroi shkollën e lartë të punëtorëve. Në vitin 1931 rikthehet në Filat dhe arrestohet nga autoritetet greke, që ua dorëzojnë atë autoriteteve shqiptare të kohës, që e burgosën në burgun e tmerrshëm të Gjirokastrës. Shumë gazeta dhe personalitete europiane ngritën zërin për lirimin e tij. Rexhep Çami, pa mëdyshje u radhit në anën e antifashistëve shqiptarë. Mori pjesë në demonstratën e madhe të vitit 1942. Burgoset nga fashistët italianë dhe lirohet në shtator të vitit 1943, ku menjëherë kaloi në rreshtat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Rexho Çami është nga kuadrot kryesorë të Jugut të Shqipërisë dhe do jetë pjesë e takimeve me përfaqësues të EAM-it, siç është Aleksis Janari etj.
“Krimineli i tretë” i listës së publikuar, është Bido Sejko. Ai ka lindur në Filat, në vitin 1901. Babai i tij, Haki Sejko është një nga anëtarët nismëtarë të Shoqërisë “Vëllazëria” të Filatit dhe në vitet 1909-1912, edhe kryetar i saj. Ka qënë fare i ri, kur ka parë dhe njohur atdhetarë me emër, që vinin në shtëpinë e tij, në Filat, si Dervish Hima, Hil Mosi, Muharrem Rushiti, Çerçiz Topulli. Themistokli Gërmenji, Spiro Bellkameni, Mihal Grameno etj.Për Bido Sejkon mund të shkruhet më shumë, por në këtë shkrim do të ndalem në luftëtarin antifashist, Bido Sejko, i cili bashkë me vëllanë Gazeli Sejko morën pjesë aktive në këtë lëvizje. Familja ime ka patur lidhje më shumë se miqësore me këta Sejkatë të urtë e trima. Nuk do ta harroj kurrë nënë Adilenë, gjyshen e dëshmorit, Bido Sejko dhe nënën e tij Memenë, që vinin në shtëpinë tonë, por as edhe Gazeliun, burrin e urtë e të ndershëm, por edhe modest dhe një nga juristët model të kohës. Bido Sejko doli partizan në fillim të vitit 1943. Në Betejën e Konispolit, Bidos iu besua komanda e një njësiti të Batalionit “Çamëria”, ku spikatën trimëria e rralë dhe aftësitë organizative të tij. Në janar të vitit 1944, Bido Sejko u dërgua në Brigadën VI S dhe pas vrasjes së Meleq Gosnishtit, në mars 1944, ai ngarkohet me detyrën e zv. komandantit të Batalionit IV, që mbante emrin “Naim Frashëri” Ai ra dëshmor, duke luftuar me armë në dorë, kundër forcave të shumta naziste, në kreshtën shkëmbore të malit Saraqin, mbi katundin Dishat, të Konispolit. Ishte 22 qershori i vitit 1944, kur një plumb armik e goditi për vdekje, mesuesin e dashur të krahinës, partizanin dhe komandantin trim, Bido Sejko.
Dua ta mbyll këtë shkrim, që është homazh, për antifashizmin dhe bijtë e Çamërisë, që luftuan heroikisht në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, me një thënie të Viktor Çamit : “E keqja më e madhe që ka njohur historia e njerëzimit, ka qënë fashizmi, si ideologji e si praktikë. Fashizmi “e keqja supreme” nuk është çrrënjosur, pavarësisht, që mund të ketë marrë emërtime nga më të ndryshmet, pavarësisht se mund të fshihet edhe nën maskën e demokracisë”.
Tiranë, Prill 2019
DITA