HISTORIA E SËMURË!

HISTORIA E SËMURË!

Shkruan: Halil KAJTAZI,  Shkrimtar

 

E enjtë, më 23 mars 1995

 

Mëngjesi më gjeti të zgjuar, por me probleme të mëdha të shtypjes së gjakut. Këtë e hetoja, se mezi i mbyllja qepallat e syve, dhe më dukej se ato m’i vranin sytë. Isha dy mendjesh: çfarë të bëja? Pikë vullneti, për shkrim, nuk kisha. Përpiqesha ta xigëloja zekthin tim me ndonjë shënim, por asgjë nuk më “ra në sqep”. Posa e piva kafenë e mëngjesit, dhe besa edhe atë me drojë dhe më erdhi keq ta refuzoja e t’u thosha:

“Ju lutem, prej sot keni kujdes dhe më kurseni nga kafeja! Ma ka ënda, por, po ma keqëson shtypjen e gjakut, e, pastaj, nuk mund të shkruaj asgjë!”. Por, shkurt, kafenë e piva dhe e hetova se po më dridheshin duart. Kur e mora lapsin ta shënoja ëndrrën që kisha parë me Ibrahim Rugovën, njërin prej recensentëve të parë të romanit tim, “I treti”, seç m’u kujtua ajo kohë e bisedës që kisha bërë me të. Më kishte thënë që t’i shporri nga romani disa fjalë e shprehje, siç e quante ai, krahinorizma, dhe, më kishte lehtësuar punë, se unë ato i zëvendësoja me fjalë e shprehje më të qëlluara, pra, sosh të gjuhës letrare. Isha me drojë të madhe, se çfarë mendimi do të merrja nga recensentët e tjerë. Asnjë libër në jetën time s’më ishte botuar pa tre recensentë, e kur do t’i gjeja tre veta të një mendimi, apo të kundërshtoheshin ata për punë të mia krijuese. Ndodhte edhe kjo? Njerëzit bënin plane, kujt i takon ky apo ai shkrimtar, me kënd është, me Tiranë apo me Beograd! Kështu ngatërrohej ideshmëria e shkrimtarëve! Këto ishin moto të asaj kohe. Pastaj, a  është me Kosovën, dhe cilën vijë e ndjekë, atë të bashkimit të Kosovës me Shqipëri, apo atë që Kosova jonë të jetë shtet i pavarur dhe sovran. Ishim shumë parti formale dhe asnjëra nuk i mëshonte me çekan të njëjtit thumb. Çekanët e Serbisë na goditnin pa mëshirë. Kushdo që ngrihej i pari, ishte parim: “Godite shqiptarin!”. Rrymat e elitës politike ishin futur kudo: në arsim, shkencë e kulturë. Çdo klan i formuar apo i legalizuar vetëm se nuk e tregonte sekretarin e vet, se diheshin dhe i matnin të gjitha thashethemet! Unë, çfarë të bëja dhe ku të futesha? Më thotë mendja se ana e Drenicës, askënd s’e kishte në mbrojtje! Qarqet krijuese ishin shumë aktive. Në kohën time, nga ana e Drenicës, nisi të botojë me shumësi vetëm Rifat Kukaj. Pastaj herë pas here, por më shumë vështirësi edhe Nebil Duraku, e të tjerë. Drenica të ketë shkrimtarë, kjo ishte utopi për ata që mendonin se aty është vendi i gjahut dhe i pushkës. Ta lësh pushkën, apo edhe ta fshehësh atë, nuk ishte punë e lehtë. Gjeneratë e mallkuar, çfarë të bëjë, dhe se si të përpiqen që të shkruajnë? Për Drenicën, as që mund të shkruhej. Madje, për luftën e fundit, asnjë shkronjë! Halle të mëdha ishin këto dhe vetëm po ta bëje Drenicën të tërë partizane me shkrime, askush nuk i besonte se ajo ruante identitetin kombëtar. Gjithnjë konsiderohej si  zonë e kuqe në hartat ushtarake të Serbisë, zonë e kaçakëve dhe e ballistëve, siç ishte vlerësuar nga elita në fuqi, ajo ishte zonë nën mbikëqyrjen e njerëzve të regjimit. Flitej me të madhe edhe për përhapjen e drenicizmit, të gjakovarizmit, të llapjanizmit, dhe kështu, në llogari të kësaj, bëheshin edhe plane se si t’u ulej “kalamera” të tillëve që mbronin kundërrevolucionin në Drenicë! Drenica i prishi punët pas luftës, sepse u ngrit në luftë! Si të ngritet në luftë? Të luftojë kundër Jaltës? Si dhe çfarë bëri ai Shaban Palluzha? Po, ajo Drenica e Azem Bejtës edhe atëherë ishte zgjuar në luftë? Drenica të luftojë me një Serbi aq të madhe dhe të fortë ushtarakisht! Kush mundi t’i shti krye Serbisë? Ajo, me shekuj ka traditë të luftës, e, ne, kush jemi? Të shkonim të gjithë në luftë pas drenicakëve, çfarë do të bëhej me ne? Gjithkund flitej me mllef, dhe fare nuk zgjidheshin mjete se si çdo përpjekje kombëtare, të futej në lugun që çonte ujë kah luftërat për një Shqipëri, me tokë të lirë! Të përmendej historia dhe emri i Shqipërisë, sikur edhe mendohej se bëhej një skandal i madh politik! Politika kishte hyrë në çdo skutë, politika edhe me gur kufiri, dhe e ndau përgjysmë! Shqipëria mbeti një degë e këputur, degë me sytha... Si të çliroheshim nga kllapat, kjo ishte pyetja e parë e inteligjencës, që mendohej se po jepnin provime në matematikë”. Tjetërkush mendonte, si të pasurohej, të zë ndonjë vend të rëndësishëm në politikë. Çfarë kohësh përjetuam? Deri edhe në të pame ishin njerëzit e caktuar që përhapnin lajme nga shtabet sekrete të Serbisë? Dhe, përhapeshin me njerëz shumë të besueshëm shqiptarë për të mos dyshuar fare në ta masa e gjerë. Më thonë se Dr. Fehmi Pushkolli, historian i mjerë, në një të pame, kur Sylë Metajt, i kishte vdekur baballëku, Fetah Sadllari, që kishte jetuar 35 vjet në Shqipëri, e, pastaj, ishte kthyer në vendlindje, kishte folur për Azem Bejtën:

“Historia nuk ua fal gabimet Drenicës, se ata duhet të dinë se Azem Bejta ishte hajn. Si bëhet që hajnit të pulave t’i këndohen këngë, e ta ngritin. Drenica ka bërë luftë të mbrapshtë! Ajo deshi ta fusë në luftë Kosovën dhe të na kthejë mbrapa me shekuj!”

Heshtnin njerëzit dhe mendonin: “Si t’i shtie krye një historiani të sëmurë, siç ishte në atë kohë Fehmi Pushkolli? E hetoja se ishin edhe një mori historianë të tjerë që ia ndërronin gishtërinjtë të njëjtit kavall të koniunkturave të regjimit komunist!”

 Nisa të mendoja dhe shpreha pak mllefin:

“Drenica, ka shumë bishta!

Drenica, ka edhe shumë vërvishta!...”

 Vajtimi i së kaluarës ishte i rrezikshëm, e kaluara duhet të nxihej, të zhvishej, se ajo, sipas një elite historianësh, nuk i bie asgjë popullit! E kaluara jonë, është kjo e sotme. Duhet t’i kapemi jetës, punës e shkollimit. Dikur do të ulemi e t’i shqyrtojmë punët tona: çfarë bëmë e çfarë do të bëjmë?

“Isha dy mendjesh, thotë Sylë Metaj, si t’i përgjigjesha Fehmi Pushkollit apo ta përpija atë mendim të tij për Azem Bejtën, isha në të pame, dhe në shtëpinë time, por gjaku më vlonte. Të flisja apo të mos flisja? Ata që vinë në të pame janë të lirë të flasin çfarë të duan, më thoshte një mendje. Dhe, zakon i mirë është ky yni, por a mund ta përpija këtë thënie: “Azem Bejta i Drenicës ka qenë hajn” “T’ia vë drynin gojës!”, mendoja. Mu desh të ndërhyja në bisedë, edhe pse isha në shtëpinë time.

“Ne të anës së Drenicës, shumë herë nëpër odat tona kemi dëgjuar për ngjarje të ndryshme gjatë shekujve. Kemi dëgjuar edhe pleqtë çfarë thoshin për Azem Bejtën, por ai ishte luftëtar i pastër. Ta zëmë se atij dhe çetës së tij i duhej ndihma, buka dhe kripa e katundarëve, se pa bukë a mund ta mbronte dikënd? Ai shkonte, ta zëmë në konak dhe kur tërhiqej, u thoshte: “Bërtitni, qani, bëni alarm e thoni: “Iku Azem Bejta, por na mori gjithçka, edhe bukën!” dhe, ashtu tërhiqej, e hasmit të mendonin se ashtu ishte. Po, ai kishte një taktikë luftarake, kaçake. Mëngjesi i hershëm nuk i gjente në atë vend ku buante me shokë të çetës së tij”.

U bë një rrëmujë në atë të pame. S’ishte kjo e pamja e parë, e tillë. Çdo e pame ishte, të thuash, e sinkronizuar, të jenë të pranishëm njerëzit që kishin emër të zëshëm, e kur ndokush bënte përpjekje që me bisht, t’i bie kokës, ishte punë tjetër. U këputën bisedat për Azemin si ndonjë pe i ligshtë. Jemi fqinjë me Fehmiun, por herët desh i thyem arrat për të keq? Në atë të pame u dëgjuan edhe sa kundërshti. Foli njeri nga një kënd: “Eh, nuk e dini ju se Serbia është një dhelpër e vjetër!” Asgjë të përbashkët s’kemi me të, mësa që kemi me serbët! Jemi fqinj dhe e ruaj fqinjësinë si sytë! Lufta jonë me penë ishte e vështirë, dikujt i punonte goja, e dikujt edhe pena, por çfarë të shkruanim? Ishin këto ditë që duhej pasur shumë përvojë dhe t’i qaseshim jetës së popullit. Mynxyrat e tij duhej të fsheheshin, nën pretekstin e kaluar, qoftë ajo kohë e harruar! Tash, ne të shkollave do ta ndreqim jetën, do ta hapim udhën e re, atë të edukatës, të arsimit që popujt tjerë e arritën para nesh. Çdo gjë duhet të bëjmë, por kokat t’i ftohim, se nuk jemi për luftë! Edhe këtë me penë, nuk duhet ta cilësojmë si luftë, por përpjekje që t’u futemi serbëve nën krih, t’i kemi përkrahës edhe serbët, po edhe malazeztë! Pa përkrahjen e tyre as që mund të mendojmë se do të futemi në anale të kohës. Mjafton se duhet të jemi gjithkund me ta, dhe të mësojmë prej tyre. Dinë ata se kur jemi pjekur ne, e pastaj do ta kemi më lehtë!...

Kosova ishte një klithmë e vetmuar në shkretëtirë! Çfarë të thoshim, e çfarë të shkruanim për te, dhe çfarë do të thoshin jugosllavët. Dhe, më kujtohen mirë ato fjalë të një hekurudhori në Zagreb, më 1971. Ishte pranverë e hershme, dhe duke zbritur prej maleve Sleme, me pyeti:

“Po, nga jeni ju?”

“Nga Kosova!” i them.

“Po, çfarë po bën ajo Shqipëri e nëmur? A e di se Jugosllavia mund ta përpijë si një gërçamë ujë! Ne atë e ruajmë si kafshatën e fundit!”, pohojnë shpesh pushtetarët serbo-malazez.

“Shqipëria s’po bën asgjë. Ajo është Shqipëri, dhe jeton!”

“Jeton pa ne! Çfarë dëshiron ajo? Na tradhtoi gjatë luftës, u bë herë me Rusi, e herë me Kinë, çfarë është ajo? Ne dimë se ç’është Rusia e ç’është Kina? Do t’ia këpusim edhe ato lidhje, do ta lëmë Shqipërinë që të gjunjëzohet para nesh! Dhe, s’e ka larg...!”

Isha edhe vetë dy mendjesh. Të bëja dialog me hekurudharin, nuk e vlente barra qiranë. Ku, në Zagreb? Çfarë efekti ka fjala ime këtu? Heshta sikur toka!...

Contact

REDAKSIA artEX
NA SHKRUANI përmes portalit tonë KOMUNIKIMI/ Feedback !

© 2010 All rights reserved.

Make a website for freeWebnode