HISTORI
HISTORIA E NJË DËSHTIMI USHTARAK
Marenglen KASMI
Mbi krijimin e divizioni-SS “Skanderbeg”
Ideja e krijimit të divizionit–SS “Skanderbeg” (21. Waffen-Gebirgs-Division der SS “Skanderbeg” ose Albanische Nr. 1), bazohej në prioritetin e qeverisë së Rexhep Mitrovicës (nëntor 1943 – maj 1944) për krijimin e një force ushtarake shqiptare, e cila do të ruante qeverinë, do të luftonte lëvizjen komuniste dhe pa dyshim, do të lehtësonte edhe forcat e Wehrmacht-it gjatë kryerjes së detyrës së tyre luftarake në Shqipëri.
Përgatitjet për krijimin e kësaj force gjermanët dhe qeveria shqiptare i filluan menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, por puna u ndërpre përkohësisht si pasojë e këmbënguljes së të Dërguarit të Plotfuqishëm të Ministrisë së Jashtme gjermane për Europën Juglindore, Hermann Neubacher, i cili ishte përfaqësuesi më i lartë i politikës gjermane në Ballkan. Neubacher-i, jo vetëm që në fillimet e pushtimit ishte i interesuar për të ruajtur në dukje pavarësinë e Shqipërisë, duke shpresuar kështu në bashkëpunimin e ngushtë të shqiptarëve, por po ashtu ishte në dijeni të kontradiktave dhe përplasjeve të kompetencave që ekzistonin ndërmjet instancave ushtarake gjermane në Shqipëri. Kësisoj, në një letër që Kaltenbrunner (Kaltenbruner), Shefi i Policisë së Berlinit, i dërgonte Neubacher-it më 17 shtator 1943, ndër të tjera shkruante: “Do të jetë me interes për ty të dish se, Reichsführer-i SS (Himmler – M.K), bazuar në propozimin tim, ka urdhëruar në mënyrë kategorike ndërprerjen e çdo rekrutimi vullnetarësh për njësitë e Armës – SS në Shqipëri […].”
Në fillim të vitit 1944, pasi u pa qartë se qeveria shqiptare dështoi në ngritjen e katër regjimenteve të xhandarmërisë, trupa që për gjermanët dhe qeverinë shqiptare tashmë ishin tepër të nevojshme në luftën kundër partizanëve, Hitleri miratoi krijimin e divizionit – SS “Skanderbeg”.
Brigadenführer-i Fitzthum, (Brigadenfyrer, Gjeneralbrigade i Forcave – SS) i cili në literaturën shqiptare të para viteve ’90 shpesh paraqitet si prototipi i nazifashistit, simboli i së keqes dhe thuajse sinonimi i figurës së Drakulës në filmat horror të Europës Perëndimore, ishte pikërisht ai që u ngarkua me ngritjen e kësaj force ushtarake. Një person tjetër kyç për ngritjen e këtij divizioni ishte edhe Ministri i Brendshëm shqiptar, Xhaferr Deva. Madje, ai ishte aq i rëndësishëm në planet e gjermanëve, saqë funksioni i tij si Ministër i Brendshëm lidhej drejtpërsëdrejti me suksesin e krijimit të këtij divizioni. Në krizën qeveritare të Qershorit 1944, kur Mehdi Frashëri tentoi të largojë Devën nga qeveria, Fitzthum-i, i raportonte më 28 Korrik 1944 Himmler-it si më poshtë: “Ministri Neubacher ka urdhëruar që Deva duhet të qëndrojë përsëri Ministër i Brendshëm edhe nëse ekziston rreziku që Mehdi Frashëri të japë dorëheqjen”.
Këshillat për kujdesin që duhej të tregohej në mobilizimin e kësaj force, sigurisht që i jepte Neubacher, i cili besonte plotësisht në suksesin ushtarak dhe politik që do të kishte krijimi i këtij divizioni në luftën kundër formacioneve partizane. Sipas tij, ky sukses do të ishte ende më i madh, nëse marshimi i këtyre trupave në qytetet kryesore do të shoqërohej me një propagandë të sofistikuar. Gjatë fazës përgatitore për mobilizimin e këtij divizioni u mendua deri në detaje edhe për uniformën, që duhej të vishnin ushtarët e këtij divizioni. Për këtë arsye, gjatë një takimi të mbajtur më 3 mars 1944, Vehbi Frashëri i propozonte palës gjermane që, një model i propozuar i festes së uniformës, e cila kishte ngjashmëri me festen turke, nuk duhej të miratohej, sepse ajo i kujtonte shqiptarëve sundimin e gjatë osman.
Më tej, Vehbi Frashëri argumentonte se, Shqipëria ishte e ndërtuar mbi bazë kombëtare dhe jo fetare. Kjo gjë vërtetohej edhe nga fakti që, të krishterë dhe myslimanë “gëzojnë të njëjtat të drejta dhe jetojnë si shqiptarë në harmoni njëri me tjetrin. Ndonëse myslimanët në Shqipëri përbëjnë shumicën, të krishterët janë të përfaqësuar në qeveri thuajse në masën 50 për qind.”
Qeveria shqiptare mori përsipër nxjerrjen e një urdhri, sipas së cilit në Kosovë do të kryhej rekrutimi i burrave të lindur në vitet 1920-1924. Po ashtu, shqiptarët e Kosovës që ishin të burgosur duhej të liroheshin dhe të integroheshin në divizionin e ri. Myslimanët shqiptarë që ishin inkuadruar në divizionin-SS me numër 13 të vullnetarëve (divizion me myslimanë boshnjakë – M.K.), duhet të krijonin bazën e divizionit të ardhshëm SS shqiptar.
Foto e procesit të rekrutimit për divizionin SS “Skandebeg” në Kosovë.
Në sfond portreti i Hitlerit përkrah Skënderbeut në kalë.
Për rekrutimin e shqiptarëve ishte e interesuar edhe “Lidhja e Dytë e Prizrenit”. Për këtë gjë, Kryetari i Lidhjes, Bedri Pejani, i cili më vonë do të zëvendësohej nga Xhaferr Deva, i shkroi më 29 Mars 1944 një letër Hitlerit, ku ndër të tjera i kërkonte armatim për 120.000 – 150.000 vullnetarë shqiptarë për të luftuar kundër partizanëve serbë dhe malazezë. Po ashtu, Pejani i kërkonte Hitlerit militarizimin e Kosovës nën drejtimin gjerman, sepse ai besonte se ky proces militarizimi, i kombinuar me luftën e shqiptarëve të armatosur me armë gjermane kundër partizanëve serbo-malazezë, ishte një garanci për Kosovën ndaj rrezikut shekullor serb. Ndër të tjera, Pejani i shkruante Hitlerit si më poshtë: “[…] Militarizimi (i Kosovës – M-K) ka për qëllim krijimin e një ushtrie vullnetarësh prej 120.000 – 150.000 luftëtarësh, të cilët janë të aftë të luftojnë gjatë gjithë luftës kundër partizanëve serbo-malazezë dhe të mbrojnë çështjen kombëtare të shqiptarëve në çdo situatë të vështirë dhe të rrezikshme që mund të krijohet pas lufte nëse plotësohen kushte te mëposhtme: 1. Sigurohet (nga gjermanët – M.K) një armatim modern dhe pajisje të tjera moderne ushtarake te respektueshme. 2) Emërohet një numër oficerësh dhe nënoficerësh (gjermanë –M.K) si organizatorë, instruktorë dhe komandantë për gjithë njësitë e kësaj ushtrie dhe 3) Për arsye strategjike, të bëhet ratifikimi i kufirit aktual me Malin e Zi dhe Serbinë.” Siç lexohet, ndër të tjera Pejani i kërkonte Hitlerit që Gjermania të anulonte njohjen e kufijve të vitit 1941 sipas marrëveshjes italo-gjermane.
Gjithsesi, ky qëndrim separatist i Pejanit ndaj qeverisë së Tiranës nuk përkonte me planet gjermane. Kësisoj, më 9 maj 1944, Hermann Neubacher i udhëzonte vartësit e tij si më poshtë: “[…] Unë e kam konsideruar si jo serioze këtë letër dhe kam tërhequr vëmendjen se, Bedri Pejani nuk është në gjendje mendore normale. Dhënia e armëve tona një Lidhjeje të tillë nuk mund të merret prej nesh asnjëherë në konsideratë, sepse këto armë do të zhdukeshin në mënyrë të pakontrolluar në male. Unë e kam lutur njëherë Mehdi Bej Frashërin në mënyrë telegrafike nga Berlini, nëpërmjet djalit të tij Vehbi Frashërit, që ta largojë Bedri Pejanin nga skena politike dhe, po ashtu ju lutem edhe ju që, për këtë gjë të ushtroni në çdo rast ndikimin tuaj. Unë e konsideroj Bedri Pejanin të aftë në atë çmendurinë e tij, vetëm për të organizuar kundër serbëve të Kosovës një «Natë Shën Bartolomeu» ose si një Skënderbe i dytë të kalojë kufirin në krye të një dyzine të armatosur njerëzish […]”
Edhe komandanti i divizionit “Skanderbeg”, gjenerali Schmidthuber [Shmidhuber] shkruante në raportin e tij përfundimtar për aktivitetin e divizionit shqiptar në lidhje me këtë kërkesë si më poshtë: “Premtimet e Presidentit të atëhershëm të Komitetit Kombëtar Shqiptar të Prizrenit, Bedri Pejani, të cilat i ka bërë me shkrim edhe në një letër të drejtuar Reichsführer-it SS (Himler – M.K.), nuk ishin asgjë tjetër sesa premtimet e mëdha të zakonshme të shqiptarëve. […] Ngritja e Divizionit në këtë shifër të planëzuar, do të ishte ndoshta e mundur, vetëm nëse komandanti i Divizionit do të kishte ardhur me një thes me flori dhe do t’ua kishte shpërndarë bejlerëve më të rëndësishëm. Kështu ai do të kishte mundur të siguronte rekrutë, të cilët do të detyroheshin nga këta të fundit. Kush dëshiron të krijojë miqësi në Shqipëri, pyetet fillimisht: Sa flori do të më japësh? Ironia qëndron në faktin, që njerëz të caktuar kërkonin të bënin biznes me krijimin e Divizionit”.
Siç shihet, Schmidhuber-i e përgënjeshtron impenjimin e Lidhjes së Prizrenit dhe të Kryetarëve të Bashkive për të organizuar rekrutimin. Kjo gjë nuk përkon krejtësisht me realitetin.
Në një shkresë që Komiteti Qendror i Lidhjes së II-të të Prizrenit i dërgonte qeverisë së Tiranës më 30 mars 1944, Komiteti shkruante se ai nuk ishte dakord me fillimin e procedurave për mobilizimin vullnetar të shqiptarëve në një divizion SS, por sipas tyre më premtues ishte nëse ndiqej “procedura e nji rekrutimit të rregullshëm ligjuer”. Komiteti vendosi njëzëri që fjala vullnetar të mos përdorej dhe rekrutimi të kryhej nga zyrat shqiptare të rekrutimit, sipas së njëjtës praktikë që ishte formuar një viti më parë regjimenti “Kosova”. “Nji rekrutim vullnetarësh për nji divizion mund të na japi nji divizion ku ka mundësi të marri pjesë nji element që quhet në Kosovë “i hunit e i konopit (litarit), kurse në të do të përmblidhet ajka e elementit serioz të Kosovës nga pikë-vështrimi moral e fyzik në qoftë se zbatohen ligjet e shërbimit të detyrueshëm” argumente më tej Komiteti Qendror i Lidhjes.
Sipas një dëshmie të Bedri Pejanit dhënë për çështjen në fjalë, Prefekti i Prizrenit, Shaqir Curri, e kishte njoftuar për marrjen e një urdhri sekret nga Ministria e Brendshme Shqiptare, sipas të cilit në Kosovë duhej të formohej një divizion SS. Në këtë divizion, gjermanët do të mobilizonin të rinj shqiptarë dhe prefekturat duhej t’u jepnin gjermanëve gjithë ndihmën e nevojshme. Pra, këto trupa duhej të rekrutoheshin nën regjinë e gjermanëve, ndërsa «veglave muzikore» duhej t’u binin shqiptarët. Në fakt, ky ishte plani fillestar i gjermanëve dhe Pejani thotë vetëm gjysmën e së vërtetës në dëshminë e tij. Në mbledhjen e datës 30 mars 1944, është vetë Bedri Pejani i cili, në krye të Komitetit Qendror të Lidhjes e tejkalon kërkesën e gjermanëve, duke e vendosur Lidhjen në krye të mobilizimit të ushtarëve për këtë divizion SS – duke e shndërruar kësisoj ngritjen e këtij divizioni SS në një vepër njëqindpërqind shqiptare: “Systemi i organizimit ushtarak i kohës së BAbunës, dhe aj ish i rrëgjimit Italo-Shqiptar duhet të marri fund nji herë e mirë bashkë me ngjyrat e tij mercenare për t’ia lëshue vendin definitivisht systemit modernë dhe patriotik mbasi neve nuk ikemi aspak konditat e shkëlqyeshme të djalëris Gjermane”argumentonte Pejani më tej. (Shiko: AQSH, F.147, v.1944, D I-165, fl. 16).
Duke ju referuar statistikave ushtarake gjermane të kohës, në radhët e divizionit – SS, deri më 25.09.1944 u paraqitën për rekrutim 11.398 shqiptarë, nga të cilët u konsideruan të aftë 9.275 burra. Prej tyre u inkuadruan në divizion vetëm 6.491 shqiptarë. Rekrutimet u bënë në zonat e Kosovës, Maqedonisë dhe Mitrovicës. Ekzistojnë disa të dhëna, pavarësisht se qeveria shqiptare nuk i konfirmonte, ku dëshmohet se, në këtë divizion janë rekrutuar edhe shqiptarë nga Shqipëria, ndonëse numri i tyre ishte i vogël. Madje, stërvitja e tyre nga gjermanët bëhej në Krujë, siç rezulton nga fotoja e mëposhtme e shkrepur më 23 maj 1944, zbuluar së fundmi në Arkivin Qendror të Shtetit.
(Vijon)
HISTORIA E NJË DËSHTIMI USHTARAK (2)
Kalimi i Turqisë në anën e aleatëve, pavarësisht se shqiptarët e Kosovës dëgjonin shumë Radio Ankaranë dhe si në Prizren ashtu edhe në Prishtinë flitej në masë gjuha turke, nuk pati ndonjë ndikim të madh te shqiptarët. Përkundrazi, ndikim të madh te kosovarët pati kapitullimi i Rumanisë e më pas i Bullgarisë, ç’ka u ndie më tepër në propagandën që kryhej kundër divizionit. Parullat që hidheshin ishin “Tërheqje në kohë nga bashkëpunimi me gjermanët” dhe “Jo luftë shqiptari kundër shqiptarit”!
Shqiptarët kishin përjetuar fundin e Luftës së Parë Botërore, rënien e shpejtë të Jugosllavisë ndaj sulmit gjerman, si dhe dështimin e Italisë në luftë. Gjithashtu, ata shikonin edhe tërheqjen e afërt të gjermanëve nga Ballkani. Në këtë pikëpamje, ata qëndronin gati që, në rastin më të parë, pasi të dallonin shenjat e dobësimit të ushtrisë gjermane, të hidheshin në sulm për të përmirësuar armatimet dhe municionet e tyre, siç kishin bërë edhe në rastin e rrëzimit të Jugosllavisë dhe kapitullimit të Italisë. Në këtë kuadër, duhet vlerësuar edhe një sulm i organizuar i rreth 1500 partizanëve kosovarë, më 11 shtator 1944, në Gjakovë. Forcat gjermane arritën ta thyejnë sulmin dhe të organizojnë një kundërsulm në rrethinat e Gjakovës. Në këtë betejë, si pasojë e mungesës së forcave, shtabi i divizionit SS “Skanderbeg” luftoi si forcë e rregullt, gjë që ishte tepër vendimtare për fatin e kësaj beteje. Sipas burimeve gjermane, në këto luftime u vranë 10 ushtarë gjermane. Nga pala tjetër humbën jetën 104 partizanë kosovarë.
Nacionalistët kosovarë shpresonin që gjermanët do të zëvendësoheshin nga anglezët, para se komunistët të merrnin në dorë drejtimin e Shqipërisë. Pra, ardhja në pushtet e komunistëve do të thoshte për shqiptarët e Kosovës vazhdim i terrorit dhe sundimit serb, sepse komunizimi shihej nga popullsia në Kosovë si një formë e pansllavizmit dhe rrjedhimisht, kjo rrymë urrehej në mënyrë instiktive. Nga ana tjetër, bandat nacionaliste, sidomos në lindje të rajonit, fituan forcë morale, sepse në këto troje ekzistonte një nevojë e fortë për të organizuar mbrojtjen ndaj pretendimeve territoriale bullgare. Kësisoj, gjermanët, ndonëse pushtues, siguronin qoftë edhe përkohësisht mbajtjen larg të Serbisë nga Kosova dhe ndoshta pas tërheqjes së gjermanëve, do të ishin anglezët ata që do të ndërhynin në Shqipëri.
Për gjermanët paraqitej e rrezikshme edhe parulla “jo luftë shqiptari kundër shqiptarit”. Kjo parullë pengonte deri diku luftën ndaj komunistëve. Parë në këtë këndvështrim, propaganda gjermane arrinte një farë suksesi si pasojë e qëndrimit të partizanëve, të cilët luftonin me të njëjtën intensitet si gjermanët ashtu edhe grupimet kundërshtare nacionaliste që bashkëpunonin me gjermanët. Kjo gjë mundësoi bashkimin e tyre në luftë kundër komunistëve por njëkohësisht, i lidhte ata gjithmonë e më tepër me pushtuesit gjermanë.
Në pikëpamje të sigurisë, largimi i forcave bullgare nga Maqedonia pas kapitullimit të Bullgarisë, bëri të mundur zgjerimin e kufijve të Shqipërisë deri në vijën Shkup-Kumanovë-Preshevë-Bujanovc. Sigurisht që, ky zhvillim ishte me interes për gjermanët. Parë thjesht nga pikëpamja gjeografike, ishte fituar një territor i cili ishte tepër i përshtatshëm për të organizuar mbrojtjen në rast të një sulmi nga Lindja. Po ashtu, bandat nacionaliste që vepronin në këto troje bënin një qëndresë të madhe kundër partizanëve. Duke pasur parasysh urrejtjen e madhe të shqiptarëve të këtyre trojeve ndaj bullgarëve, gjermanët mendonin se shqiptarët do të mbroheshin ne vendosmëri nëse do të ishte e nevojshme.
Kriza politiko-ushtarake që mbizotëronte në Ballkan u pasua nga dezertime të mëdha në Divizionin “Skanderbeg”. Ky fenomen u kurorëzua nga dezertimi i thuajse gjithë regjimentit të këmbësorisë malore-SS 1, i cili operonte në Tetovë dhe Gostivar. Dezertuesit merrnin me vete edhe gjithë armatimin dhe pajimet personale.
Mos besueshmëria e gjermanëve ndaj shqiptarëve u shfaq më tepër në Tetovë, ku dezertimi i ushtarëve shqiptarë u shoqërua edhe me parulla armiqësore ndaj Gjermanisë. Kjo gjë ishte tepër e rëndë për gjermanët. Sipas tyre, shqiptarët e rekrutuar në Tetovë u trajtuan nga eprorët e tyre në veçanti më mirë se gjithë pjesa tjetër e Divizionit.
Deri më 1 Tetor 1944, numri i dezertorëve shqiptare nga radhët e divizionit-SS “Skanderbeg” arriti në 3425 vetë. Ndërkaq ndodhte që rojet, duke shkuar për të marrë shërbimin, largoheshin pa lënë asnjë gjurmë. Nga një lokal roje i vendosur në një urë, u larguan në mënyrë të organizuar 10 shqiptarë, duke braktisur të dy vendrojat e vendosura për ruajtjen e saj. Gjithashtu, 30 ushtarë shqiptarë që ndiqnin një kurs për instruktorë hipizmi, dezertuan dhe u larguan në mënyrë të organizuar. Një togë zbulimi, duke përfituar nga mungesa e efektivit gjerman në togë, u zhduk pa gjurmë e nuk u kthye më. Në Divizionin “Handschar” (Handshar – hushta) dezertoi i gjithë batalioni shqiptar i inkuadruar në këtë divizion, me një forcë luftarake prej 697 burrash.
Kësisoj, më 1 tetor 1944, në divizionin-SS “Skanderbeg” ishin ende të inkuadruar rreth 3994 shqiptarë.
Vlerësuar në pikëpamje ushtarake dhe organizative, urdhri për krijimin e këtij Divizioni ishte bazuar mbi kërkesa të gabuara. Shqiptarët nuk kishin qenë asnjëherë pjesë e një ushtrie të organizuar sipas perceptimit gjerman për një forcë të rregullt ushtarake. Njësitë shqiptare të deriatëhershme, përfshirë edhe milicinë shqiptare të krijuar gjatë pushtimit italian, paraqisnin vetëm në dukje një krijesë ushtarake. Atyre u mungonte çdo strukturë e brendshme solide ushtarake. Mangësia e parë kryesore e këtyre trupave ishte mungesa e disiplinës, të cilën ushtarakët italianët jo vetëm që nuk u munduan ta përmirësojnë, por përkundrazi e kultivuan më tej atë.
Komandanti i divizionit, gjenerali Schmidthuber, shprehet në një raport pë veprimtarinë e këtij divizioni si më poshtë, përsa i përket disiplinës së ushtarëve shqiptarë: “Disiplinë do të thotë për shqiptarin një kufizim i lirisë së tij (…). Ai jeton në natyrë dhe bën atë që do. Shqiptari ka kohë. Ai nuk dëshiron të luftojë në formacion ushtarak, por në bandën e tij. Në bandë nuk ka disiplinë ligjore. Nëse bie shi, shqiptari largohet nga vendroja; nëse bie nata, ai po ashtu largohet nga pozicioni i tij fushor dhe shkon në fshat të pijë raki. Nëse ishte 12 ditë në terren, ai largohet 4-5 ditë për të shkuar në shtëpi pa e pyetur kryetarin e tij të bandës dhe pastaj kthehet përsëri, ose nuk kthehet fare.”
Si pasojë e këtyre mangësive të theksuara, gjermanët u ndodhën para problemeve të mëdha organizative. Për ta do të kishte qenë më e lehtë për t’i bërë sa më efikase në luftim këto trupa, nëse do të kishin përzgjedhur dhe arsimuar më parë oficerët dhe nënoficerët, e më pas të kishin bërë plotësimin e divizionit me ushtarë. Sigurisht që kjo gjë ishte e pamundur në situatë lufte dhe në nevojë emergjente për trupa të reja, sepse kontingjenti i shqiptarëve që u afruan për rekrutim ishte i dobët dhe i paarsimuar. Kryesisht ata ishin të motivuar më tepër se gjithçka tjetër nga rroga që do të merrnin apo nga ndonjë mundësi tjetër përfitimi. Kjo gjë konstatohet edhe në raportet ushtarake gjermane: “Ai (ushtari shqiptar –M.K) merr pjesë në sulm për aq kohë sa të gjejë diçka për të vjedhur apo bastisur. Nëse ai gjen një dhi, një plug apo një rrotë makine qepjeje, lufta për të ka mbaruar dhe ai në kokë të tij shkon në shtëpi”.
Që në këtë divizion në pjesën më të madhe nuk u inkuadruan përfaqësuesit më të mirë të popullit kosovar është e qartë, por të shikosh te ta vetëm njërën anë të medaljes nuk është e drejtë. Gjenerali Schmidhuber vlerëson në raportin e ti fenomenet e shfaqura te rekrutët shqiptarë, por ai harron, ose nuk arrin ta mendojë si ushtarak i mirëfilltë, e për më tepër i huaj, se këta shqiptarë nuk kishin asnjë motiv të luftonin kundër shqiptarëve të tjerë. Prandaj një pjesë e tyre, siç u theksua edhe më sipër, e shikonte këtë angazhim thjesht si një mundësi përfitimi!
Po kaq problematike konstatohej te ushtarët shqiptarë edhe përkujdesja ndaj uniformës. Madje Schmidhuber-i e krahasonte këtë aspekt të disiplinës te shqiptarët me zezakët e pamësuar me veshje. Ndër të tjera ai shkruante: “Për sa i përket uniformës, personeli arsimues gjendej shpesh para vështirësive të njëjta si me zezakët. Shumica e rekrutëve vishnin për herë të parë këpucë në jetën e tyre. Prandaj ata ndiheshin tepër krenarë dhe nuk i hiqnin ato as natën. Në të kundërt me atë që duhet të bëjnë, ata i heqin këpucët kur marshojnë dhe i varin në qafë. Nëse atij i duhet të arratiset, e harron dashurinë e tij ndaj këpucëve dhe i hedh ato, sepse zbathur është në gjendje të vrapojë më shpejt. Mbajtja e rregullt e uniformës, atje ku arrihet, është një rezultat i jashtëzakonshëm me shqiptarët”.
Formimi i këtij divizioni, padyshim që nuk kaloi pa rënë në sy të partizanëve që operonin në kufirin shqiptaro-maqedonas. Po ashtu dhe gjermanët e dinin se ata nuk do të rrinin duarkryq, për më tepër kur në Kosovë ekzistonte një aktivitet i fuqishëm komunist. Pikërisht në këtë kohë, divizioni ndërmori dy aksione të shpejta, duke kryer arrestimin e 281 hebrenjve dhe të 210 komunistëve. Qetësia e krijuar nga arrestimi i komunistëve dhe korrierëve të tyre u shfrytëzua nga gjermanët për të bërë stërvitjen bazë të rekrutëve shqiptarë.
Gjatë luftimeve që kreu ky divizion kundër partizanëve jugosllavë, ra në sy përgatitja e lartë e partizanëve, si edhe armatimi dhe veshja e tyre. Në misionin e parë luftarak ndaj partizanëve, gjermanët vunë re, se luftonin kundër një trupe, e cila nuk kishte tashmë asgjë të përbashkët me banditët. Përkundrazi, ajo shfaqej si një trupë e mirëfilltë ushtarake, e rregullt, e disiplinuar, e veshur njësoj me uniforma angleze dhe që drejtohej nga oficerë me cilësi të larta ushtarake. Madje, si pasojë e mungesës së pajisjeve drejtuese në divizionin “Skënderbeg”, Schmidhuber pranon, se “trupat e tij kishin ndërruar rolet me banditët”. Gjatë veprimeve luftarake të kryera, divizioni “Skanderbeg” pësoi humbjet e mëposhtme:
166 të humbur, prej tyre 14 gjermanë dhe 152 shqiptarë;
92 të plagosur, prej tyre 20 gjermanë dhe 72 shqiptarë;
56 të vrarë, prej tyre 8 gjermanë dhe 48 shqiptarë;
Si pasojë e dezertimeve në masë dhe nevojës për mbështetje të bandave nacionaliste nga gjermanët, shtabi i Divizionit ndërmori disa masa organizative, duke shkrirë disa njësi dhe duke i riformatuar trupat e divizionit. Nacionalistët shqiptarë ishin tepër të kënaqur, nëse në çetën e tyre kishin të paktën 10 ushtarë gjermanë që luftonin me ta!
Pengimi i trupave anglo-amerikane para lumit Rin, e rriti disi besimin e shqiptarëve te Gjermania, ose të paktën mendohej, se humbja e Gjermanisë nuk do të ishte shumë e thellë. Duke pasur parasysh këtë fakt, por edhe si pasojë e disa sukseseve të vogla që arriti Divizioni dhe pavarësisht nga problemet e shfaqura, në fund të muajit maj 1944, Fitzthum-i i propozonte Himmler-it krijimin e një Divizioni të dytë – SS në Shqipëri.
Të krijohet përshtypja se kërkesa ishte e iniciuar nga qeveria shqiptare. Madje, Vehbi Frashëri u propozoi gjermanëve marrjen përsipër nga qeveria të një pjese të shpenzimeve që nevojiteshin për krijimin e kësaj force, nëse gjermanët premtonin se ky divizion nuk do të operonte jashtë «Shqipërisë së vjetër». Është e vetëkuptueshme se sa i rëndësishëm ishte për qeverinë shqiptare ky projekt, sidomos tashmë kur mund të parashikohej tërheqja e gjermanëve nga Shqipëria dhe qeveria do të kishte në këtë mënyrë një forcë të armatosur në dispozicion, pavarësisht formatit të saj jo të plotë.
Divizioni “Skanderbeg” veproi kryesisht në rajonin kufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai po ashtu mori pjesë në disa operacione kundër partizanëve. Synimi i operacionit «Endlich» (Më në fund) ishte asgjësimi i forcave partizane në rajonin e Gjakovës. Gjatë këtij operacioni u shkatërrua një fushë aviacioni, e cila përdorej nga aleatët anglo-amerikanë për të furnizuar partizanët vendas. Në datat 11-27 qershor 1944, një batalion i përforcuar i divizionit “Skanderbeg” mori pjesë në operacionin “Falkenauge” (Syri i skifterit). Në nëntor 1944, divizioni, tashmë i riformatuar në grupregjimentin “Skanderbeg” u transferua nga Prishtina në rajonin e Krajlevos. Më vonë, ai do të rigrupohej përsëri, por tashmë nën komandën e divizionit të 7-të malor SS “Prinz Eugen”.
***
Përfundimisht vlen të theksohet se, krijimi i divizionit SS “Skanderbeg” nuk përbënte ndonjë rast të veçantë apo tipar dallues të marrëdhënieve pushtuese, politike dhe ushtarake ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë. Kjo për shkak se gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Gjermania rekrutoi nën Armën-SS shumë ushtarë apo njësi e reparte të tjera nga shtete të huaja në tërë hapësirën e paanë të pushtimit dhe jo vetëm në Ballkan por thuajse në gjithë vendet që ajo pushtoi. Në këtë kuadër, edhe në Ballkan u rekrutuan forca të tilla, si në Shqipëri, Bosnje, Kroaci, Bullgari etj.
Krijimi i divizionit “Skanderbeg” i shërbente më së shumti gjermanëve, por edhe qeverive kolaboracioniste shqiptare. Gjermanët i përdorën forcat e divizionit shqiptar në territore të largëta për qeverinë e Tiranës, kryesisht në Kosovë, dhe ata nuk mundën thuajse asnjëherë ti shërbenin vërtet drejtpërdrejt qeverisë së Tiranës brenda Shqipërisë shtetërore.
Kjo gjë tregon qartë, se këto forca më tepër duhej t’u shërbenin gjermanëve, sesa qëllimit të propaganduar gjatë procesit të rekrutimit.
Sipas propagandës gjermane, qeveria shqiptare do të kishte një Forcë të Armatosur, e cila do të luftonte kundër komunistëve dhe rrjedhimisht do të pengonte ardhjen e tyre në pushtet pas largimit të gjermanëve nga Shqipëria. Siç u tha më sipër, komunizmi lidhej në Kosovë me «Pansllavizimin», gjë e cila e favorizonte krijimin e këtij divizioni. Kjo propagandë pati rezultat te shtresat e varfra dhe të paarsimuara të vendit, të cilët duke e besuar atë ç’ka thuhej u paraqitën pranë zyrave të rekrutimit. Po ashtu, pati edhe të tjerë, të cilët pranuan të veshin uniformën SS të shtyrë vetëm nga nevoja ekonomike. Gjermanët arritën të krijonin te kjo shtresë besimin, se vetëm nën kujdesin e tyre mund të sigurohej “Shqipëria e Madhe” dhe Kosova të shpëtonte përfundimisht nga sundimi serb.
Historiografia e huaj, përfshirë edhe atë serbe, e akuzon këtë divizion për kryerje të masakrave të mëdha ndaj popullsisë serbe në Kosovë. Shifrat e dhëna për viktimat janë të diskutueshme. Këto veprime të ndërmarra, të cilat në raste të caktuara dhe siç ndodh shpesh në luftë, morën edhe ngjyrime kriminale, bazoheshin në urrejtjen e akumuluar dhe vuajtjet ndër shekullore të shqiptarëve nga vrasjet, plaçkitjet dhe politika shkombëtarizuese serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë!
Pikërisht kjo urrejtje u përdor dhe shfrytëzua mjeshtërisht nga politika gjermane në trevat shqiptare, këndej dhe andej kufirit. Neubacher me të drejtë ishte shprehur që në fillim të pushtimit se në Kosovë ata do të gjenin përkrahjen më të madhe. Edhe pasi gjermanët ishin larguar nga Shqipëria, ata vazhdonin të kishin në Kosovë mbështetjen e popullsisë, pjesa më e madhe e së cilës luftonte me fanatizëm kundër ardhjes në pushtet të komunistëve, sidomos të atyre sllavë. Përvoja historike do të tregonte se ata kishin të drejtë. Pas fitores së Titos dhe vendosjes së regjimit komunist në Jugosllavi, Kosovës jo vetëm që nuk ju dha e drejta e premtuar e vetëvendosjes, por populli shqiptar do të vuante edhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë. Së pari në vitet 1998-1999, populli shqiptar i Kosovës edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, do ta hidhte përfundimisht tej sundimin serb.
DITA