HISTORI
GJURMË TË HERSHME TË PARLAMENTARIZMIT NË TROJET ILIRO-SHQIPTARE
Prof. Ksenofon KRISAFI
Kejsi RIZO
Parlamentarizmi shqiptar, 100 vjetori i të cilit kremtohet këtë vit, ka rrënjë të thella që shkojnë larg në histori. Ai ka përshkuar etapat historike të zhvillimit të ilirëve si paraardhës të shqiptarëve duke trashëguar edhe arritjet e tyre më të mira në këtë fushë. Ata e kishin organizuar jetën politike sipas specifikave dhe niveleve të zhvillimit ekonomik e social, kulturës dhe traditave vendase, por edhe sipas përvojave më të avancuara të kohës, të huazuara nga jashtë dhe të përshtatura me veçoritë e tyre specifike.
Të dhëna, pohime e fakte historike tregojnë se në antikitet, në hapësirat që shtriheshin nga Peloponezi deri në Danub, nga vargu i maleve Varnos deri në brigjet e deteve Adriatik e Jon, zuri fill dhe u zhvillua civilizimi ilir. Në këto territore, nga fundi i shek. V dhe fillimi i shek. IV p.e. re, ishte krijuar një organizatë politike, e cila, për shkak të tipareve më themelore që e karakterizonin, konsiderohet si shteti i parë i ilirëve. Në sistemin e institucioneve që vepronin aty dalloheshin edhe organe që kishin tipare të parlamentarizmit, të cilat natyrisht nuk mund të mos mbanin gjurmët e kohës. Të tilla ishin mbledhja e përgjithshme e popullit, që kishte aparencat dhe kompetencat rudimentare të një parlamenti antik. Në punimet e saj merrnin pjesë skllavopronarët dhe shtetasit e tjerë të lirë. Krahas tij ishte këshilli i pleqve ose kuvendi, siç do të quhej më vonë. Ai përbëhej nga kryetarët e familjeve patriarkale ose të vëllazërive dhe formohej vetëm nga krerët e klasës skllavopronare. Në pjesë të caktuara të bregdetit, në prapashpinë të ilirëve, përzier dhe të integruar me ta, ishin vendosur dhe jetonin disa koloni helene, siç ishin Epidamni, Apolonia etj. Ato kishin arritur nivele të larta në organizimin shtetëror. Fakti që zhvillimet për të cilat flitet iu referohen organizimit politik dhe jetës së kolonive helene të bregdetit, nuk i zhbën dhe as nuk i zbeh aftësitë politike, organizative dhe shtetformuese të ilirëve as edhe vlerat e tyre, sepse këto bashkësi ishin tashmë pjesë integrante e Botës ilire, ku kishin sjellë e kishin marrë kontribute në fushën e organizimit politik e shtetëror. Në këto vendbanime grekët gjetën qytetërimin ilir dhe kulturën vendase, të cilat i përvetësuan dhe i bënë pjesë të institucioneve që ndërtuan. Kishin formën e qytet-shteteve të pavarura, të lidhura ngushtë nga pikëpamja ekonomike dhe politike me kozmosin ilir.
Pohimet e autorëve antikë si dhe të dhënat e gërmimeve arkeologjike dëshmojnë për një kulturë të zhvilluar politike, institucionale e juridike. Historianët e lashtësisë, që kanë përshkruar zhvillimet në botën helene, romake, ilire etj, sjellin dëshmi me interes. Nëpërmjet tyre vërtetohet se, që në atë kohë ilirët kishin ndërtuar struktura politiko-administrative dhe organe me karakter ligjvënës, të njëjta apo të ngjashme me ato të popujve të tjerë. Arkitektura, funksionet dhe veprimtaria ishin projektuar dhe zhvilloheshin sipas përcaktimeve të akteve juridiko-kushtetues etj, sepse ilirët, të bashkuar në shtetet e veta ose të integruar në kolonitë helene, kishin akte juridike me tiparet, formën dhe përmbajtjen e kushtetutave, madje edhe me emërtimin kushtetutë.
Në vitet 480-355 p. e. s. Epidamni kishte kushtetutën e vet, si dhe “institucione politike e juridike mjaft të ngjashme për nga natyra me ato të Athinës”, siç thoshte Aristoteli, hartuesi i saj dhe autori i 158 kushtetutave (politeia) greke e të huaja, të kohës së tij. Në fillim qeverisja kishte karakter aristokratik. Në krye ishte një arhont dhe disa fylarhë (kryetarë fisesh). Në dekadat e para të shek. IV p.e.s vendin e fylarhëve e zuri buléa (këshilli-kuvendi i qytetit). Ai zgjidhte çdo vit në krye prytanin, i cili kishte pushtet më të kufizuar. Aristoteli sqaron më tej se kur ishte rasti për të zgjedhur ndonjë zyrtar në helié, që ishte një lloj gjykate supreme, duhet që të merrte pjesë detyrimisht paria.
Apolonia ilire në shekullin e gjashtë p.e.re ishte republikë e tipit oligarkik, e ndërtuar sipas modelit korintas. Aristoteli, autor edhe i kushtetutës së saj, e quante atë shembullin e një oligarkie klasike. “Në gjirin e Jonit, thoshte ai, nuk ka demokraci si në rastin e Apolonisë.” Gjatë zhvillimeve të mëvonshme brenda vendit si dhe nën ndikimin e faktorëve të jashtëm, u shndërrua në demokraci. Në vijim, si rezultat i luftës së brendshme politike në gjirin e shoqërisë, diku nga gjysma e dytë e shekullit IV p.e.re, sistemi qeverisës ndryshoi. Edhe ne Apoloni institucionet më të rëndësishme ishin mbledhja e qytetarëve (ose e popullit), këshilli i qytetit ose buleja – që konsiderohej organi më i lartë i shtetit etj.
Mbledhja e qytetarëve, që pak më sipër u cilësua si parlamenti antik, ishte organ që thirrej nga prytani. Në të mernin pjesë të gjithë burrat që gëzonin qytetarinë-shtetësinë e Apolonisë. Çdo pjesëmarrës kishte të drejtën e fjalës për të diskutuar dhe për të votuar miratimin e ligjeve. Kishte të drejtë gjithashtu të merrte pjesë në kontrollimin e veprimtarisë së bulesë dhe në përcaktimin e drejtimit politik të kolonisë. Mbledhja e popullit zgjidhte çdo vit me votim të hapur funksionarët ushtarakë, nëpunësit shtetërorë dhe ata administrativë. Ajo përcaktonte kompetencat e bulesë, si dhe zgjidhte pesë anëtarët e saj. Funksiononte në mënyrë kolegjiale. Kryente funksione të administratës shtetërore, përgatiste çështjet që do të diskutonte mbledhja e popullit dhe zbatonte vendimet e saj. Në krye ishte prytani, që ishte njëkohësisht kreu i administratës së qytetit.
Apolonia përmendej jo vetëm për sistemin e institucioneve shtetërore, përfshirë edhe sistemin gjyqësor, por edhe për ligjet që pasqyronin dhe rregullonin juridikisht marrëdhëniet ekonomike, politike dhe shoqërore. Straboni thotë se: “Apolonia ishte një qytet me ligje shumë të mira ndërtuar nga korintasit dhe korkyrasit.”
Aristoteli, te “Politika”, i kushton vëmendje edhe Epirit, një tjetër hapësire ilire ku u krijuan formacione politiko-territoriale me tiparet dhe funksionet e shtetit. Sipas tij kushtetuta parashikonte ndërtimin dhe funksionet e asaj që quhej eklesia, një lloj asambleje – parlamenti, me atribute legjislative, që formohej nga qytetarët e lirë të Epirit që quhej edhe symahia e epirotëve. Ajo miratonte dekretet shtetërore. Në fillim te molosët dhe më pas te shteti i Epirit, kjo lloj asambleje thirrej edhe Kuvendi i Popullit. Në të merrnin pjesë gjithë burrat e lirë dhe të aftë për luftë. Në përmbushje të kompetencave të përcaktuara në kushtetutën e vendit ai mblidhej disa herë në vit, në qendra të tilla si Passaroni, Dodona etj.
Për garantimin e respektimit të normave që rregullonin strukturën, kompetencat dhe funksionimin e organeve që paraqesnin tipare parlamentarizmi në Iliri vepronte e drejta që përfshinte ligjet, zakonet dhe aktet nënligjore. Për ekzistencën e ligjeve apo akteve të tjera të kësaj natyre flet Polibi, i cili përmend “bazilika nomine” – të drejtat e mbretërve ilirë të mbështetura në ligj.
Kur flitet për parlament apo në përgjithësi për shtetin e kësaj periudhe në Iliri nuk duhet të nënkuptohet një mekanizëm që t’i përgjigjet nocionit modern të fjalës. Brenda kufizimeve të epokës ato posedonin elementët e nevojshëm të tyre, nganjdonjëherë në përmasa dhe cilësi të tilla, sa që studiuesi A. Evans është shprehur se ilirët kishin “institucionet më të përparuara për kohën.”
Zhvillimet e mëvonshme në periudhën e kalimit nga ilirët te arbërit, e zgjerojnë më tej horizontin e njohurive rreth organizimit politiko-administrativ, parlamentarizmit dhe akteve juridike në shërbim të tij. Midis tyre ka pasur nga ato që, edhe pse nuk klasifikohen në grupin e dokumenteve kushtetuese, mmegjithatë për shkak të emërtimit, paraqitjes formale dhe objektit të përgjithshëm që kanë, përmbajnë çështje që, janë objekt i rregullimeve juridiko-kushtetuese. Të tilla ka pasur si gjatë historisë së vonëshme të ilirëve ashtu edhe të shqiptarëve. Evidentimi realist i zhvillimit, dinamikës dhe evolucionit të tyre si dhe institucioneve kushtetuese në trojet iliro-shqiptare, pasqyron të vërtetën e pakontestueshme se shqiptarët, ashtu si edhe fqinjët, kanë qenë të organizuar politikisht, kanë ndërtuar dhe kanë vënë në veprim institucionet e duhura për të rregulluar juridikisht regjimin politik, formën e qeverisjes, organizimin e pushtetit dhe të administratës, jetën e përditshme, marrëdhëniet ndërmjet tyre në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore si dhe lidhjet politike, ekonomike etj me shtetet e tjerë përreth.
Rëndësi të posaçme patën statutet e qyteteve mesjetarë shqiptarë. Ato ishin përmbledhje normash, vendimesh ose urdhëresash që rregullonin organizimin e funksionimin e qyteteve, si dhe jetën e tyre dhe të zotërimeve të fisnikërisë. Janë cilësuar si “kodi i vetqeverisjes” së tyre dhe hinterlandit arbëror në shekujt XI-XV.
Ato përmbanin parime të së drejtës publike evropiane dhe kishin forma e struktura të ngjashme me statutet e republikave tregtare mesjetare italiane si Venecia, Milano, Ankona etj. që, me sa duket ishin rrjedhojë edhe e marrëdhënieve preferenciale që kishin midis tyre. Nuk janë zbuluar ende të gjithë statutet e qyteteve mesjetarë shqiptarë, por dihet se të tillë kanë pasur Tivari, Ulqini, Shkodra, Durrësi, Danja, Drishti si dhe Kruja, Lezha, Shurdhahu, Pulti, Shasi e ndonjë tjetër.
Statutet ishin shprehja më e lartë e organizimit të qyteteve shqiptare në mesjetë. Ato përmblidhnin aktet normative që, në tërësinë e tyre, rregullonin organizimin dhe funksionimin e qytetit, si dhe marrëdhëniet midis banorëve, midis tyre dhe qytetit, midis qytetit dhe ambientit rrethues. Studiuesi Injac Zamputi, për të argumentuar karakterin vendas, të normave juridike të statuteve shqiptare përmend një burim, në të cilin bëhet fjalë për kërkesën e bashkësisë së Drishtit drejtuar venetikasve më 1403 për respektimin e statuteve të tyre antike – “quod obseruentur eis antiqua statuta sua.”
Ato morën formën e kushtetutave qytetare dhe ngjasonin me statutet e republikave italiane. Përmbanin jo pak norma me karakter kushtetues, çka flet për vazhdimin e elementeve të parlamentarizmit në trojet shqiptare. Rregullonin juridikisht çështje që lidheshin me mënyrat e krijimit dhe funksionimit të organeve shtetërore, me statusin e të ashtuquajturave “republika aristokratike”, të këshillave apo senateve të tyre, të quajtura “këshilli i madh” dhe “këshilli i vogël”, si dhe norma që sanksiononin të drejtat dhe liritë e qytetarëve, sipas standardeve të asaj kohe.
Midis tyre vlerësohen posaçërisht Statutet e Shkodrës, për të cilat studiuesja italiane Luçia Nadin, thotë se paraqesin një frymë civilizimi, një shembull të çmuar të Shqipërisë brenda qarkut mesdhetar.
Statutet vepruan në zonat urbane shqiptare, kurse në fshatra dhe sidomos në rajonet malore, zbatoheshin kanunet dhe në përgjithësi e drejta zakonore, që ishte një lloj kodifikimi memorial, i pashkruar i rregullimeve normative të aspekteve të jetës së shqiptarëve.
Kanunet në përgjithësi vinin nga lashtësia iliro-shqiptare, të trashëguara në memorien e brezave, si rregullime juridike të aspekteve të ndryshme të jetës së shqiptarëve. Kanë qenë një numër jo i paktë dhe mbanin emrat e atyre që i grumbulluan dhe i sistemuan, që morën vendime për zbatimin ose interpretimin e tyre ose emërtimin toponimik të zonës gjeografike ku kanë vepruar. Janë përçuar gojarisht nga brezi në brez për më shumë se pesë shekuj.
Midis tyre vend të veçantë zinte Kanuni i Lekë Dukagjinit, i quajtur edhe “Ligji i pashkruar në Shqipëri”. Përmbante norma juridike për përcaktimin e kompetencave të institucioneve vetqeverisëse të vendit dhe për rregullimin në malësi të marrëdhënieve me karakter kushtetues, civil, familjar, penal, procedural etj. Në librin e njëmbëdhjetë të tekstit të Kanunit të përmbledhur nga Shtjefën Gjeçovi, ka norma me karakter kushtutues, që trajtojnë funksionet dhe kompetencat e të gjithë institucioneve të vetqeverisjes në zonat ku vepronte Kanuni, që nga njësitë më të zakonshme e deri te kuvendet e përgjithshme. Aty gjen shtratin e vet një tjetër parlamentarizëm origjinal shqiptar, që mund të cilësohet si parlamentarizëm rural.
Më pas vjen epoka e Skënderbeut, i cili në 2 mars 1444 organizoi në Lezhë Kuvendin e fisnikëve shqiptarë, me përfaqësim kombëtar gati unikal. Pasi themeloi Besëlidhjen Shqiptare si aleancën politike dhe ushtarake të drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit dhe zgjodhi si kryetar të Skënderbeun, mori trajtat dhe kompetencat e një organi qendror legjislativ.
Aktet e Kuvendit të Lezhës dhe vendimet e mëvonshme të Besëlidhjes shqiptare të themeluar prej tij përcaktuan organet qendrore drejtuese, vendimmarrëse dhe këshillimore të shtetit shqiptar. Të tillë ishin ishin Kuvendi i princave shqiptarë, i quajtur edhe Kuvendi i Fisnikëve. Ai përcaktonte drejtimet kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme si edhe asaj të mbrojtjes. Një tjetër organ ishte Kryetari i Shtetit, i personifikuar në figurën e Skënderbeut, që qëndronte në krye të piramidës shtetërore, me atributet e një monarku feudal. Pranë tij vepronte oborri i këshilltarëve dhe Këshilli i Lartë. Ky i fundit ishte organ i përhershëm këshillimor, që thirrej nga Skënderbeu për trajtimin e çështjeve të rëndësishme të politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Organ tjetër me karakter konstitucional ishte Këshilli i Luftës, që identifikohej edhe si Komanda e lartë e ushtrisë. Në krye të tij ishte përsëri Skënderbeu.
Gjurmët e parlamentarizmit shqiptar ndeshen sërish shekuj më vonë, në kohën e pashallëqeve. Organizimi dhe funksionimi i tyre gjeti shprehjen më tipike në Pashallëkun e Shkodrës dhe sidomos në atë të Janinës, ku drejtoi Ali Pashë Tepelena. Aliu që sundonte si sovran i gjithëfuqishëm nëpërmjet një aparati administrativ kompleks, kishte formuar edhe nje organ të quajtur “divan”. Ka të ngjarë që ai i përdorte Divanin në kryeqytet dhe këshillat në sanxhaqe si organe këshillimore, por edhe si fasadë e parlamentarizimit për të tërhequr simpatinë dhe aleancat e shteteve të tjerë.
Më pas shqiptarët themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, strukturë politiko-administrative, me organet e larta qendrore dhe ato vendore, të pushtetit dhe të administratës. Në krye qëndronte Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes, me funksione legjislative – parlamentare. Ishte gjithashtu Këshilli Qendror i Lidhjes, i quajtur edhe Komiteti Qendror. Prej tij vareshin komisionet e punëve të jashtme, të punëve të brendshme dhe të të ardhurave financiare, si dhe degët krahinore. Struktura, funksionet dhe veprimtaria ishin përcaktuar në aktet themelore të Lidhjes – Kararnamenë – Akti i Vendimeve, si dhe Talimatin – Urdhëresën. Si aktet e para konstitucionale të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Shqipërisë autonome, ato vunë piketat e fillimit të ndërtimit të ngrehinës së saj shtetërore dhe nisën praktikisht ngritjen dhe futjen e tyre në veprim. Deputetë të zgjedhur nga të gjitha viset shqiptare formuan Këshillin e Madh, organ legjislativ ose parlament sui generis. Më vonë do të krijohej Këshilli i Vogël, organ me përbërje të kufizuar, i ideuar si senat që do të emëronte anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Në këtë mënyrë mendohej se do të realizohej misioni i Lidhjes si bartëse e autonomisë administrative me synime vetëqeverisëse deri në shkëputjen nga perandoria osmane.
Porta e Lartë, që kuptoi se Lidhja e Prizrenit po ecte drejt shkëputjes së plotë dhe krijimit të shtetit modern shqiptar, në mesin e vitit 1881 e mbyti në gjak. Zhduku institucionet e saj parlamentare, qeverisëse, gjyqësore e ushtarake, syrgjynosi, burgosi madje ekzekutoi disa nga udhëheqësit e saj. Por, nuk e shuajti dot shpirtin liridashës të shqiptarëve.
Ideali i Lidhjes do të rimerrej dhe do të realizohej në 28 nëntorin e vitit 1912, me shpalljen e pavarësisë nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe krijimin e shtetit shqiptar. Ai do të riafirmohej në janarin e vitit 1920, me Kongresin e Lushnjës, për t’u restauruar më 29 nëntor 1944, me çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë dhe më tej më 11 janar 1946, me shpalljen e Republikës së Shqipërisë. Do të ishin zhvillimet e rëndësishme demokratike në fundin e viteve ’90 të shekullit të kaluar që do të shënonin triumfin e plotë të parlamentarizmit në Shqipëri.
*Kumtesë e mbajtur në Konferencën shkencore
“100 vjet parlamentarizëm shqiptar”, organizuar
nga Kuvendi i Shqipërisë, në Tiranë, më 21 janar 2020
DITA