POEZI
Fadil SHYTI
FLAMURIT KUQEZI
(Ribotohen me rastin e festave të 28-29 Nëntorit të Kuq)
Kur të shoh TY Flamur,
Duke valuar në ajri!...
Sikur i shoh në horizonte,
Në vegime,
O, Shqipëria ime;
KRYENGRITJET, LUFTËRAT,
NDERIN E KOMBIT, LAVDINË,
Që nga koha e Gjergj Kastriotit,
-E, gjer tek ENVER HOXHA, YNË!
Kosovë e Shqipërisë, 1984
SHQIPËRIA KËRKON RIBASHKIM
(Kushtuar, Jasharëve legjendarë)
Breshëritë e plumbave barbarë,
Mbi kullat tuaja flakadanë lirie,
Janë gjurmë të pashlyera
Të një kohe të zezë barbarie!
Janë gjurmë të thella Qëndrese,
Si luftuan luanët e lirisë
Me besa-besë, shpresë,
Për Ribashkimin e Shqipërisë!
Me nipa e mbesa, me besa-besë:
Axha Shaban, me Ademin e Hamzën,
Ditën, guxuan, paralajmëruan
Mauzerëve, t´ua ngrehin këmbëzën,
Luftën Çlirimtare Shqiptare,
Nga nata e zezë shekullore-mizore
E filluan, Kosovën me Vise e zgjuan
Drejt fitoreve të reja!...
Ashtu, kurdoherë na thërrasin,
Me kushtrim:
Përjetë Qëndroni!
Shqipëria kërkon Ribashkim!
Prekaz, 2000
BESËPRERËVE
(Revoltë ndaj atyre që veprojnë kundër Ribashkimit të Shqipërisë!)
Me një fytyrë dukeni,
Njëmijë fytyra keni!
Si minj labirinteve breni,
Të dështuar jeni!
Jeni të prapë o bukëshkalë!
Me qindra shekuj prapa,
Ecni mbi tokë, si të pa kokë,
Kurrë nuk ecni me hapa!
Mashtrues të çoroditur,
Ah! Populli s´po ju njeh,
Juve, o të babëzitur!
Veçse sherrin ua sheh!
Mbaheni me krekosje,
Ngriheni me llafe të kota!
Prej veprave tuaja të poshtra,
Neveritet dhe çuditet bota!
Ju, e shkelni besën, nderin,
E përdhosni dhe Flamurin,
Ju lirisë ia pini gjakun,
Atdheut ia prishni nurin!
Gjeni juaj mostër e keqe!
Atdheut po i sjellë veç kobe,
Nga prapakthimet kryeneçe,
Mbytë ideja juaj robe!
Deri kur o ju kokëderra,
Do t´ju shkojë kungulli mbi ujë?!
Të pa kurriz, xhelatë ngaherë,
Jeni vënë n´shërbim të huaj!
Pa menduar e peshuar:
Vala popullin ku e qet,
Ju që shpikni dhe komb tjetër,
Një komb jemi, - or të shkretë!
Shqipëria e RIBASHKUAR,
Ore horra ju pengon,
Se pastaj nuk mund t’ia zhvatni,
Pasurinë atdheut tonë!
Ju, mjeranët besëprerë!
Nuk mendoni për Shqipërinë,
U ka marrë koka erë,
Të mbuluar me marrëzinë!
Shumë të etur për nderimet,
Nga të huajt e zi dinakë,
Si s´po shihni o të uruar,
Që po futeni në batak!
Të verbuar nga premtimet,
Për integrimet në Evropë!
Fatkeqësi me ndarje t´ kombit,
Po përhapni, nëpër botë!
Po harroni o të krisur!
Evropa për ne nuk bashkohet!
Prapë këndon këngën e vjetër:
Shqipëria të ricopëtohet!
Pansllavizmi nga Karpatet,
Si kuçedra me gjarpërinj,
Të uritur me shumë orekse,
Po e kafshojnë, Nënën Shqipëri!
Mos harroni o kopukë,
Anemikë, kozmopolitë,
Koha do t´ju dënojë idhshëm,
Po pajtoheni me armik!
Mos provoni të mbani copa!
Kot e ka ai që provon,
Një ditë Kombi do ribashkohet,
Gjithsesi, herët a vonë!
Sot Shqiponja e trazuar,
Kur ju sheh, sa po tronditet!
Kur zgërdhiheni me armiqtë,
Me flatra rrufeshëm valëvitet
Trupi saj mjaft u copëtua!
Gjatë qëndroi! E ndarë një shekull,
Gjaku ynë, kurrë nuk shteret,
Për ta bërë Shqipërinë t´paprekur!
Ju, Shqipërisë krajata i sillni,
Veç ato në koka i keni,
Me turpe-krimet që po bëni,
Asgjë tjetër veç Hiçër jeni!
Kështu Shqiponja alarmoi,
Ajo kurrë s'e humbë QËNDRESËN!
Kundër saj kush ngriti kokën,
Si tradhtar e vrau veten!
Suedi, 26 prill 2006
REBELIM
Rebelim, me kushtrim,
Rebelim, për çlirim,
Rebelim, për punë,
Jetën ta bëjmë qëndrim,
Nëse duam, - që kjo të ketë kuptim!
Rebelim, edhe për dashuri!...
Nëse duam të ketë ardhmëri,
Për filizat e reja, ndër brezni!...
Rebelim për RIBASHKIM!...
Malmë, 20.04.2004
PSE PO VONOHET LIRIA?!
…Po na vonohet liria,- sepse,
Ende po kalëron, - sundon:
Padituria, pabesia...
…Po na vonohet liria, sepse,
Po sulmon lakmia, verbëria...
Po na vonohet liria, - sepse,
Po sundon liderizmi, - servilizmi,
Errësia, - pas-fashizmi
Po na vonohet liria,
Me vite, e vite..,
Sepse, horra dhe qorra politikë,
Pa turpe e frikë:
Po dialogojnë,-po zezojnë,
Me të huajt, - me armiqtë!
Po na vonohet liria,
Sepse, - deri sot, - nuk po i njihet vlera:
Janë bërë bashkë rosa, dosa e derra...
Nuk po rriten lulet nën ferra!
Po na vonohet kështu liria,
Prandaj, po heq si mos më keq,
E jona e bukura Shqipëria!
Suedi, 14.08.2006
DËNOJE TRADHTINË !
O njerëz, kështu duhet dënuar tradhtia!
Tradhtarit ia kisha futë çizmen e pistë,
Thellë në gojë, gjer në gju,
Jo, jo, se kisha vrarë!...
Jo pse më dhimbset, por sepse
Do t´i thosha më parë:
Çohu, të ma lëpish çizmen,
Me gjuhën tënde të ndyrë!
Sepse, çfarë ka vjellë, ndyrësira
Gjuha jote e keqe:
Nuk ka shkelë në hapërim...
Çizmja ime e mirë!
Suedi, 02 .08.2006
RIBASHKIMI KOMBËTAR
Na duhet si uji,
Na duhet si buka!
Na duhet si ajri,
Na duhet si dielli!
Na duhet si toka,
Na duhet si qielli!
Me Shqipëri të ndarë:
Jeta s´ka kuptim!
Nuk gëzohet paqja,
Pa RIBASHKIM!
Prapë, na kërcënon lufta,
Atdheu, s'po gjen shpëtim!
Suedi, 21 Mars 2006
(Marrë, nga përmbledhja poetike, “Revoltë”, Prishtinë, 2014)